Partitë politike shqiptare dhe selektimi i kandidatëve
Albeu.com
nga Jahi JAHIUNë statutet e disa partive shqiptare përmendet se Kryesia e degës është ajo që propozon kandidatët për deputet, prefekt dhe për poste tjera zyrtare, por aty nuk sqarohen se cilat janë rregullat për selektimin e kandidatëve.Para se të nominohet një kandidat, a duhet ai që t’i futet paraprakisht në një gare selektuese me kandidatët tjerë dhe nëse po, si duhet të organizohet kjo garë dhe kush do të jetë ai organ që do ta mbikëqyrë mbarëvajtjen e këtij procesi selektues. Mungesa ose mos respektimi i një rregullore të tillë, ka ndikuar dukshëm në përplasjet mes degëve dhe qendrës në nominimin e kandidatëve


Paraqitja e listës së kandidatëve për deputetë nga ana e partive politike shqiptare për zgjedhjet e parakohshme, kësaj radhe solli fërkime në radhët e strukturave partiake. Mosmarrëveshjet më të theksuara ishin në relacionin degë-qendër rreth selektimit të emrave të kandidatëve për deputet. Pothuajse në të gjitha partitë politike shqiptare kishte mospajtim mes nivelit lokal dhe atij qendror, rreth emrave të atyre aktivisteve të cilët do t’i prijnë listës zgjedhore për deputet. Në shumë raste emrat e kandidatëve të propozuar nga degët partiake, nuk përputheshin fare me propozimet e qendrës ose thënë më saktë me propozimin e liderit partiak. Kulmimi i këtij fenomeni arriti që në një parti të shkatërroj strukturën lokale, në një tjetër shkaktoi incidente mes fraksioneve të ndryshme brenda partisë e kështu me radhë.
Në qoftë se analizohen shkaqet e krijimit të kësaj situate brenda përbrenda partive politike shqiptare, duket qartë se problemi nuk është thjesht tek ambiciet e individëve ose interesat grupore brenda partisë. Në radhë të parë gjeneza e këtij problemi duhet kërkuar në mungesën e procedurave demokratike për selektimin e kandidatëve, qofshin ata për deputet, lider partiak apo zyrtar shtetëror. Edhe në këto momente vazhdon të jetë e paqartë se a ka dhe nëse po, cilat janë rregullat e brendshme të partive politike shqiptare për selektimin e kandidatëve brendapërbrenda partisë.
Kur flitet për selektimin e kandidatëve si terminologji, bëhet fjalë për një proces me të cilin partitë politike vendosin se kush do të jetë në listën zgjedhore, si kandidat i tyre i nominuar.
Në statutet e disa partive politike shqiptare përmendet se Kryesia e degës është ajo që propozon kandidatët për deputet, prefekt dhe për poste tjera zyrtare, por aty nuk sqarohen se cilat janë rregullat për selektimin e kandidatëve. Pra, para se të nominohet një kandidat, a duhet ai që t’i futet paraprakisht në një gare selektuese me kandidatët tjerë dhe nëse po, si duhet të organizohet kjo garë dhe kush do të jetë ai organ që do ta mbikëqyrë mbarëvajtjen e këtij procesi selektues. Mungesa ose mos respektimi i një rregullore të tillë, ka ndikuar dukshëm në përplasjet mes degëve dhe qendrës në nominimin e kandidatëve. Në shumë raste kandidatët që kanë fituar më shumë përkrahje nga këshillat vendor të partisë, janë zëvendësuar me kandidatët të cilët kanë qenë të preferuar nga lidershipi partiak. Dhe kjo ka ndodh për shkak se nuk ka një rregullore, shkelja e të cilës pastaj mund të ketë ndëshkime statutore.
Nëse nisemi nga përvoja e partive politike të vendeve tjera demokratike, në pjesën më të madhe të tyre, selektimi i kandidatëve bëhet në shkallë lokale. Influenca e qendrës ose e liderit partiak, qëndron në inkurajimin, rekomandimin ose favorizimin e ndonjë kandidati, apo në aspektin tjetër negativ, e drejta e vetos nga ana e qendrës ndaj ndonjë kandidati për të cilin mendohet se mund ta dëmtojnë interesin e partisë. Por, në këto raste, qendra nuk është një pjesëmarrës aktiv në këtë proces selektues.
Sa i përket mënyrës së selektimit të kandidatëve, tek shumica e këtyre partive politike ekziston një rregullore e saktë, i brendshëm ose i jashtëm, për zhvillimin e këtij procesi. Për shembull, nëse një person do të bëhet kandidat për deputet i Partisë Konservatore në Mbretrinë e Bashkuar, rregullorja është si vijon: Së paku tre muaj para kandidaturës duhet të jetë anëtar i kësaj partie, më pas përmes thirrjes telefonike i caktohet një takim me drejtorin regjional të zonës ku ai jeton. Pas kësaj personi i interesuar për kandidat mbush një formular para Ekipit kandidues, përmes të cilit ata e pyesin për biografinë, për karrierën, dhe për aftësitë intelektuale. Pas kontrolleve të mëtejshme, ata ftojnë kandidatin të marr pjesë në Bordin Vlerësues Parlamentar. Përmes kësaj pjesëmarrjeje, ky Bord përpiqet të vlerësoj se a është kandidati i përshtatshëm që të jetë një kandidat për deputet apo jo. Në rast të vlerësimit pozitiv, kandidati intervistohet nga deputetet dhe bashkëpunëtorët e vjetër të partisë. Pas kësaj, nëse i plotëson standardet e kërkuara, personi mund të nominohet si kandidat për deputet në listën zgjedhore.
Në SHBA selektimi i kandidatëve është një proces i rregulluar me ligj dhe jo me rregullore të brendshme të partive politike. Shteti, dhe jo partitë politike, kontrollojnë, zbatojnë dhe mbikëqyrin këtë proces përmes, të ashtuquajturit primary election.
Edhe në Gjermani në bazë të Ligjit federal për zgjedhje, selektimi i kandidatëve duhet të bëhet përmes votimit të fshehtë.
Përfundimisht, përvoja e partive politike të këtyre vendeve sjell në konstatimin se, sot apo nesër partitë politike shqiptare, përfundimisht duhet të kenë një rregullore të saktë dhe precize për selektimin e kandidatëve. Kjo duhet të bëhet për hir të procedurave demokratike të partisë dhe për hir të eliminimit të këtyre përplasjeve që ndodhën kohët e fundit në këto parti. Në një garë vrapimi nëse dikush del i pari, sepse ishte më i shpejt se ti, atëherë ti për këtë humbje duhet ta fajësosh vetveten, sepse rregullat për të gjithë ishin njësoj, por nëse vendi i parë i jepet dikujt pa u mbajtur vrapimi, dëshpërimi do të jetë i madh. (Lajm)
Shtuar më 12/05/2008, ora 19:12
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori