Parlamenti i vitit 1922 dhe koha qe ecen mbrapsht
Pëlqej
Albeu.com
nga Mustafa NanoHerë pas here, në përpjekje për të shpjeguar e përligjur një numër zhvillimesh dramatike në Shqipërinë e dy dekadave të fundit, ne e kemi bërë zakon të themi, se "shoqëria jonë është e pamësuar me rregullat, me ligjet, ...... me institucionet, me demokracinë etj", se "ne nuk kemi pasur një traditë të shtypit të lirë, të garës politike, të jetës parlamentare", dhe se "në gjithë historinë tonë politike nuk ka pasur qoftë dhe eksperimentime të vogla demokratike". Me këtë, nuk është se bëjmë ndonjë mëkat, pasi edhe vështrimi më dashamirës e më bujar i hedhur mbi historinë e shqiptarëve gjatë shekullit të fundit nuk arrin të kapë ndonjë gjë kushedi se çfarë, kur vjen puna te tradita e jetës institucionale apo e dialektikës demokratike.

Mirëpo, në këto arsyetime e sipër, neve na del për fare nga mendja edhe ndonjë parantezë demokratike, e cila, bash ngaqë është një parantezë, na ngjan të jetë e parëndësishme. Sigurisht, nuk është mirë që këtyre parantezave historike t‘u japim një peshë që nuk e kanë, por nuk do të ishte keq të njihnim njëherë e mirë një fakt historik: "Kur është fjala për një jetë decente politike e parlamentare, e në daçi, edhe për një sjellje demokratike, e në daçi akoma, edhe për një qasje patriotike, nuk kemi arsye të turpërohemi më shumë sesa duhet prej traditës. Përkundrazi, duhet të turpërohemi më shumë prej kohëve që po jetojmë, të cilat, krahasuar me vitet ‘20 të shekullit të kaluar, dallohen për më pak qibër e elegancë në sjelljen politike e për një formim më të dobët demokratik".

Po vrasjet politike, po atentatet, po kryengritjet e rebelimet anti-shtet, po aleancat e dyshimta me shtetet armike me Shqipërinë, po përthyerjet e egra të dialektikës demokratike extraparlamentare, ku i le? - mund të më thonë. Të gjitha këto janë të vërteta, por ka dy alibi, megjithatë. Së pari, të gjitha këto kanë ndodhur në forma më të qarta, më spektakolare e më traumatike edhe në Shqipërinë postkomuniste. Së dyti, janë të vërteta që duhen kontekstualizuar. Me fjalë të tjera, vrasjet politike kanë qenë një gjë rutinore edhe në vende të tjera evropiane në fillim të shekullit të kaluar. Nga ana tjetër, Shqipëria e atyre kohëve ishte një entitet shtetëror e nacional shumë i dobët e shqiptarët ishin më shumë analfabetë e të paditur sesa të varfër, në një kohë që demokracia ishte në një fazë eksperimentimi në pjesën më të madhe të kontinentit.

E prapëseprapë, shqiptarët në ato kohë kanë pasur një klasë politike më të fisme, më të ditur, më atdhedashëse, më të përgjegjshme. Nuk është vështrimi empathik mbi të shkuarën apo optika nervoze dhe e keqkuptuar ndaj të tashmes (na ndodh të gjithëve e gjithë kohën të kemi një marrëdhënie empathike me të shkuarën e një marrëdhënie të keqkuptuar me të tashmen), që të çon në këtë përfundim. Do të mjaftonte një njohje e përciptë e historisë. Dhe atyre që nuk e kanë as këtë njohje të përciptë, unë do t‘u sugjeroja të merrnin e të lexonin dy libra të botuar së fundmi nga shtëpia botuese "Horizont"e të përgatitur nga Filip Rrumbullaku; janë dy libra, që na sjellin "të gjalla" një numër seancash parlamentare të vitit 1922, nga të cilat ne kemi mundësi të bëhemi me dije mbi klimën politike të atij moti e mbi personazhet që luajnë në skenën politike. Çfarë del nga kjo? Del një gjë shumë e thjeshtë. Anëtarët e parlamentit shqiptar të vitit 1922 janë ca zotërinj të vërtetë, plot qibër e plot skrupuj aristokratikë në komunikimin mes tyre. I drejtohen sho-shoqit gjithë kohën me "zoti", japin përgjigje për çdo pyetje që bëhet, nuk lëshojnë fyerje e sharje. Dhe kjo është aq e vërtetë, saqë dhe apeli i hedhur nga më shumë se një deputet mbi "lënien mënjanë të fyerjeve e sharjeve" ngjan i kotë e i pashkak. Përveç kësaj, debati parlamentar i atyre kohëve nuk bëhej mbi "e lagu, s‘e lagu" apo mbi "më the, të thashë". Absolutisht jo. Të gjithë fokusoheshin te "çështjet, e jo te personat".

Në memorien tonë historike, me siguri për shkak të ndërrimit të dhunshëm të pushteteve në vitin e famshëm 1924, ka zënë shumë vend ideja e kacafytjes se paprinciptë, të egër, të vazhdueshme e të përhershme, midis Fan Nolit e Ahmet Zogut. Po, kjo kacafytje ka ekzistuar, por nënvizimi historik i saj është më i madh sesa duhet. Në marrëdhëniet mes tyre ka pasur dhe stil aristokratik, dhe skrupuj patriotikë dhe etiketë politike. Gjatë gjithë debatit parlamentar të sjellë në librat në fjalë nuk gjen qoftë dhe një teprim të vetëm nga njëri apo nga tjetri. Madje, gjen të kundërtën, përmbajtje e delikatesë. Vëzhgimit të Ahmet Zogut, se "Imzot Fan Noli asht një orator i zoti", ky i dyti i përgjigjet me fjalët: edhe zoti ministër i Brendshëm nuk bie poshtë në zotësi të fjalës. Mungesa e kujdesit ndaj njëri-tjetrit shkon deri te frazat "Imzoti flet hovarda", dhe "Imzoti asht përgjumshëm e nuk ka marr vesht shka asht fol" të lëshuara prej Zogut, apo te ndonjë ironi therëse e Fan Nolit. Të gjithë e dimë që në vitet e mëpasshëm, marrëdhënia mes tyre ka marrë një dinamikë më të vrullshme e më agresive, por në nivelin parlamentar kjo marrëdhënie ka mbetur armiqësisht korrekte. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për marrëdhëniet e të tjerëve, rrjedhimisht për gjithë jetën e klimën parlamentare.

Duke ecur më tutje, ajo që të befason më shumë ka të bëjë me thelbin e debatit parlamentar, nga i cili ne kemi mundësi të marrim vesh formimin politik të njërit apo tjetrit. Është interesante të vihet re që Fan Noli, në më shumë se në një rast, e qorton kryetarin e parlamentit, Eshref Frashërin, për qasjen partizane në ushtrimin e funksioneve të tij, dhe ky i dyti, i vënë me shpatulla pas muri, përpiqet të justifikohet, gjë që lë të nënkuptohet se nga askush nuk mund të pranohej roli i anshëm i një kryetari të parlamentit (dikush duhet t‘ia japë këtë libër Jozefina Topallit, sjellja e së cilës nuk ka të dytë në historinë parlamentare të shqiptarëve). Është po Fan Noli, që ngre zërin kundër tentativave të shumicës qeverisëse për të demonizuar e delegjitimuar pakicën, për t‘i përcaktuar kundërshtarët si tradhtarë të kombit, e kështu me radhë, gjë që motivon - sipas tij, por edhe sipas çdo logjike normale - si dhunën e pushtetit, ashtu dhe kryengritjet popullore antipushtet.

Ne, ndjekësit dhe vëzhguesit e politikës, bëjmë çmos gjithë kohën të edukojmë opinionin tonë publik e politik me shembuj të mirë të marrë nga bota perëndimore, por merret vesh se duhet ta bëjmë këtë opinion të kthejë sytë edhe nga tradita jonë. Afërmendsh, nuk është një traditë për t‘u idealizuar e sublimuar. Në krahasim me praktikat e sotme politike, megjithatë, ajo është një traditë e lavdërueshme.

Dhe një e vërtetë tjetër: duhet të jenë shumë të paktë deputetët tanë të sotëm (Një? Dy? Tre? Apo ndoshta asnjë?), të cilët mund të meritojnë të barabiten për nga klasi, zotësia, atdhedashuria e ndershmëria, me Ahmet Zogun, Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, Bahri Omarin, Koço Tasin, Ndre Mjedën, Sejfi Vllamasin, Gjergj Fishtën, Sulejman Delvinën etj. E nuk ka se si të jetë ndryshe, përderisa disa prej këtyre emrave të fundit janë korifenj të kulturës sonë kombëtare. E nuk ka si të jetë ndryshe, përderisa më shumë se gjysma e anëtarëve të parlamentit shqiptar të këtyre ditëve nuk njohin më shumë se gjysmën e emrave të këtyre njerëzve, të cilët janë pionierët e pluralizmit, demokracisë e të parlamentarizmit në Shqipëri. Janë dhe themeluesit e shtetit shqiptar, gjithashtu. (G. Shqip)
Shtuar më 24/11/2008, ora 22:16
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori