Palestina e dy pasioneve
Albeu.com
nga Veton SurroiShitësi po vdiste. Kështu më tha i biri i tij, ndërsa hyra në dyqanin e antikiteteve, në Via Dolorosa, në Jerusalem, rrugës ku kishte ecur në fund të jetës Jezu Krishti. Ktheva një hap prapa, për të dalë prej dyqanit të mbushur ...
1.

Shitësi po vdiste.

Kështu më tha i biri i tij, ndërsa hyra në dyqanin e antikiteteve, në Via Dolorosa, në Jerusalem, rrugës ku kishte ecur në fund të jetës Jezu Krishti.

Ktheva një hap prapa, për të dalë prej dyqanit të mbushur me çdo gjë që të mund të identifikohej me qytetin e shenjtë, prej ornamenteve islame deri te variantet e ndryshme të kryqeve, katolikë e ortodoksë etiopianë, shandanëve shabatike hebreje, ndonjë monedhe turke, ndonjë britanike, ndonjë pergameni për të cilin do bëjnë be në dyqan se i përket periudhës romake, anipse lehtë mund të jetë manufakturuar në "Corel Draw" dhe "Photoshop".

- Jo, më tha i biri, - lirisht hyni dhe shikoni mallin. Babai ka kohë që po vdes.


2.

Shitësi që vdes prej kohësh, më kujtohet shumë herë në të përmendur Palestina, e edhe gjatë kësaj jave në të dëgjuar lajmet se Presidenti amerikan Obama kishte ftuar në Washington, Presidentin palestinez, të njohur me nofkën e tij, Abu Mazen dhe Kryeministrin e ri izraelit, Netanyahu, për të negociuar formimin e shtetit palestinez. Ideja për shtetin, si puna e shitësit, ka kohë që po vdes, por jeta, si puna e shitores, megjithatë po ecën.

E, liderët palestinezë nuk kanë pasur shumë fat me presidentët amerikanë. Presidenti i kaluar, Bush, ishte kryetari i parë amerikan që deklaroi përcaktimin e tij për një shtet palestinez, por ndërkohë toleroi kolonizimin e mëtejmë të tokave palestineze dhe ndërtimin e murit që ndan hebrenjtë prej palestinezëve në Bregun Perëndimor. Presidenti Clinton u angazhua në negociata vetëm në muajt e fundit të mandatit të tij, dhe atë me një axhendë të influencuar më tepër nga lobi izraelit, thotë Zbigniew Brzezinski, në analizën e tij për tre presidentët e kaluar. Bushi i parë, ndërkaq, pas fitores në Luftën e Gjirit për dëbimin e Irakut nga Kuvajti, nuk e shfrytëzoi aleancën që kishte ndërtuar me shtetet arabe dhe myslimane për të adresuar çështjen palestineze... Dhe mund të shkohet kështu me radhë, deri në fillim të shekullit XX, kur, në fund të Luftës së Parë Botërore, kishte dalë një figurë dhe një nocion i ri në rregullimin e marrëdhënieve mes kombeve. Presidenti amerikan ishte Wilson, ndërsa kishte dalë me një nocion për vetëvendosjen e popujve, larg tregtisë së hartave e popujve që kishin bërë fuqitë evropiane. Për banorët e atëhershëm të Palestinës, me shumicë arabe dhe pakicë hebreje, aplikimi i parimeve të Wilson-it do të thoshte krijimin e një shteti të ri, palestinez, mbi gërmadhat e Perandorisë Otomane.

Problemi thelbësor ishte se në Katërmbëdhjetë pikët, Katër parimet dhe Pesë Veçoritë të Presidentit Wilson nuk ishin përmendur as arabët e as hebrenjtë. Presidenti nuk kishte menduar shumë për atë pjesë të botës, e për të menduar kishte angazhuar një ekip studiuesish të mbledhur në Bibliotekën e Universitetit të New York-ut, që përfshinte "një ekspert për kryqëzata, një specialist për studime latino-amerikane, një ekspert për indianët nativë-amerikanë dhe dy profesorë të specializuar në gjuhë dhe letërsi persiane", shkruan historiani dhe romancieri amerikan Ronald Florence në "Lawrence dhe Aaronsohn" (Viking, New York, 2007).

Historia do të jetë edhe më e pamëshirshme. Ky grup joekspertësh nuk do të mund të bëjë edhe ashtu ndonjë rekomandim. Wilsoni do të lodhet nga negociatat, do të kthehet e sëmuret në Washington, duke ua lënë çështjen e Palestinës fuqive evropiane, të cilat do ta rregullojnë në atë mënyrë që, me këtë të merret bota edhe pothuaj njëqind vjet më pas.


3.

Por, lëmshi i Palestinës u ngatërrua edhe nga dy pasionet, njëri për agronomi, tjetri për heronjtë romantikë të kryqëzatave, siç ishte Richard Zemërluani.

Pasioni për agronomi ishte i Aaron Aaronsohnit, një të ikuri hebre nga pogromet e Evropës Qendrore, i cili kur arriti në Palestinë zbuloi dellin e tij shkencëtar-amator. Do të merrej aq intensivisht me botanikë, sa që të zbulonte njërën prej specieve të para të grurit të egër (Triticum diccocoides), të cilin e kërkonte industria ushqimore botërore në kohët kur sëmundjet kishin goditur grurin gjithandej dhe konsiderohej se një shartim me specien burimore të grurit do ta forconte. Pasioni i shkencëtarit të ri do të lidhte nacionalizmin e tij me një ide të madhe; do të bindte financierët botërorë hebrenj, siç ishte familja bankiere Rotschild, që të financonte kolonizimin hebre të Palestinës jo në formë lëmoshe, por me ndihma për projekte bujqësore, që do ta transformonin tokën që dukej shkretëtirë, dhe, në atë mënyrë të dëshmohej se mund të jetonin në të "tre-katër milionë hebrenj". Aty ku kush nuk shihte tokë pjellore, Aaronsohn shihte rrëfimet e lexuara në Bibël për fusha që prodhojnë "mjaltë e qumësht", dhe mu në ato pjesë bënte shpime për vaditje.

Pasioni për lexim ishte ndërtuar edhe te T.E.Lawrence. Në vend të Bibles, Lawrence u kishte hyrë rrëfimeve të kryqëzatave, dhe ky pasion e shtyri që si i ri të niset vetëm nëpër Anadoll e Siri, deri në Palestinë, për të parë me sytë e tij vendet ku kishin kaluar kryqëzorët. I pasionuar, rrugës do të mësojë arabishten.

Të dy personazhet, me pasionet e tyre, do të puqen, e pastaj edhe konfrontohen, në atë që do të jetë Lufta e Parë Botërore. Aaronsohn, me njohuritë e tij, pëllëmbë për pëllëmbë të Palestinës, do të organizojë një rrjet spiunimi për Britaninë e Madhe, kundër ushtrisë otomane. Nga pozita e tij e themeluesit të një stacioni bujqësor eksperimental, së bashku me familjen e tij dhe bashkëpunëtorët, do të japë informata për lëvizjen e trupave otomane, linjat e furnizimit dhe çdo gjë tjetër me interes strategjik për britanikët. T.E. Lawrence, ndërkaq, i refuzuar nga shërbimi ushtarak për shkak të shtatit të tij të shkurtër, megjithatë do ta gjejë rolin e vet në këtë luftë, duke u rekrutuar në Qendrën e Zbulimit Ushtarak në Egjipt, si njëri prej anglezëve të rrallë që mund të fliste arabishten. Më pastaj, do të merrte detyrën e nxitjes së një kryengritjeje arabe kundër otomanëve, duke ndihmuar kështu luftën britanike kundër otomanëve.


4.

Që të dyja personazhet konkurronin për të njëjtën gjë; që në territorin e Palestinës, e nën përkujdesjen britanike, të favorizoheshin aspiratat e njërit popull. Për Aaronsohnin, i cili i konsideronte arabët palestinezë si popull të dorës së dytë (kishte mendim pak më të mirë për arabët e tjerë) Palestina duhej të ishte shteti i hebrenjve, të cilët do ta bënin shkretëtirën kopsht, siç e kishte bërë ai në fermën eksperimentale. Për T.E. Lawrence, Palestina duhej të ishte pjesë e Sirisë së Madhe, gjegjësisht e një shteti më të fortë arab, të cilin do ta udhëhiqte miku i tij Emiri Feisal, i familjes së Hashemitëve, familjes pasardhëse të profetit Muhamed.

Përpjekja e Aronsohnit qe racionale dhe e ndërlidhur me atë që shumë vite më vonë do të njihej si "lobim". Në Londër qe vendosur "lobi hebre", në formën e Qendrës Zioniste, të udhëhequr nga shpikësi i acetonës, Chaim Weizmann. Duke i falënderuar përpjekjes së vazhdueshme të këtij lobi, qeveria britanike lëshoi atë që njihej si Deklarata Balfour, me të cilën njihej e drejta e hebrenjve për të ndërtuar "shtëpinë" e tyre në Palestinë, pasi të përfundojë lufta (Në një lojë historike, autori i kësaj deklarate, shefi i diplomacisë Lordi Balfour, para se të merrte këtë konstatim, shqyrtonte mundësinë e krijimit të shtetit hebre në Ugandë, ku kishte "fusha e livadhe të gjëra"). Në të marrë vesh Franca për intencat britanike, edhe ajo kërkoi hisen e vet në Lindjen e Mesme (në Liban dhe Siri) dhe kjo u sanksionua në marrëveshjen e njohur, sipas autorëve të tyre, Sykes-Picot.

Përpjekja e T.E.Lawrence qe emotive, e derivuar prej librave të kryqëzatave. Duke luftuar krah për krahu me arabët, ai u kishte premtuar se do të ishin të zotët e shtëpisë, kur të përfundojë lufta. Dhe, pa ndonjë marrëveshje qeveritare, të ngjashme me deklaratën Balfour, do të insistonte që forcat arabe ta çlironin Damaskun, dhe në këtë mënyrë ta fitojnë të drejtën e vendosjes së administratës vetjake.

Të dyja personazhet do të ndeshen në Konferencën e Paqes së Parisit. Zionistët e Londrës do të kenë sukses që Aronsohni të pajiset me pasaportë diplomatike e të jetë pjesë e këtij delegacioni. Në Paris, i ftuar urgjentisht, do të vizatojë një hartë të Palestinës, vijat kufitare të së cilës do të maten me burime uji. Lawrence, ndërkaq, do të jetë këshilltari dhe përkthyesi i Emirit Feisal, të cilit, pas shumë peripecive, do t‘i lejohet pjesëmarrja zyrtare. Lawrence do të vizatojë harta të tjera: një Siri të vogël e Liban nën përkujdesjen e francezëve, një Arabi të madhe që përfshin edhe Palestinën, një territor për Armenët, një për kurdët... Harta e Aronsohnit u revidua nga anglezët, në formatin që do të njihej më 1948. Ajo, megjithatë, u zgjerua gati në kufijtë e Aronsohnit me luftën e vitit 1967.

Hartat e T.E. Lawrence nuk u morën parasysh. Më 1920, në San Remo, do të vizatoheshin kufijtë e rinj në Lindje të Mesme. Hartat e bëra do të hyjnë në jetët tona si konflikte ende të pazgjidhura: Siria e Libani nën administrimin francez, Mesopotamia (Iraku i sotëm) dhe Transjordania (Jordani) nën mbikëqyrjen britanike e nën udhëheqjen e Hashemitëve, Arabia e sauditëve vehabi....


5.

Imazhi i shitësit që po vdes më përcolli gjatë tërë leximit të librit, ndërsa mendoja për momentin kur janë ndarë dy vizionet për Palestinën.

Më 1897, në Basel, në Kongresin themelues Zionist, Teodor Herzl, elaboroi idenë bazike, të kuptueshme për veshin evropian: "Zionizmi dëshiron të vendosë një shtëpi për popullin hebre, të siguruar me ligj publik".

Gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, këtë ide nuk kanë mundur ta japin prijësit arabë. Në rrëfimet e T.E. Lawrence, i cili do të përpiqej të fliste në emër të tyre, arabët ishin fise beduinësh që luftonin sipas traditës së vjetër, për të vrarë e vjedhur, me shumë ndjenjë identiteti kombëtar, me përjashtim të "disa intelektualëve nëpër kafenetë e Damaskut apo Kajros".

Një pjesë e tragjedisë së Palestinës, në fakt, do të jetë ndeshja kohore e nacionalizmave shtetformues; ai hebre do të prijë për së paku gjysmë shekulli distance.

Në këtë lëmsh konflikti nacionalizmash, Britania e Madhe do ta gjejë veten e përfshirë me detyrë mandati për Palestinën (versioni i atëhershëm i UNMIK-ut). Me aftësi komike gati më të madhe se UNMIK-u do të marrë administrimin e Palestinës, me administratorë regjionalë të përbërë prej "një arkëtari nga një bankë në Rangun, një aktor-menaxheri, dy asistentësh nga agjencia e udhëtimeve Thomas Cook, një shitës pikturash, një trajneri ushtarak, një klouni, një vlerësuesi tokash, një distiluesi uiski nga Glasgow, një taksisti nga Egjipti....".
Shtuar më 27/04/2009, ora 15:31
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori