Opsioni i ndarjes së Kosovës dhe (kundër) përgjigjet e shqiptarëve
Albeu.com
nga Esat StavileciNëse kërkohet një pikë e përbashkët në "lumin e madh" të deklaratave rreth Kosovës dhe të ardhmes së saj, të cilat, kohëve të fundit, po përjetojnë një "inflacion të paparë", më duket se në vendin e parë mund ...Nëse kërkohet një pikë e përbashkët në "lumin e madh" të deklaratave rreth Kosovës dhe të ardhmes së saj, të cilat, kohëve të fundit, po përjetojnë një "inflacion të paparë", më duket se në vendin e parë mund të vendoset vërejtja që theksojnë, pothuajse të gjithë që flasin dhe shkruajnë për Kosovën: Evropa duhet të veprojë shpejt në Kosovë. Kur kërkohet arsyeja për një veprim të shpejtë, në parim, theksohet se "status quo"-ja në Kosovë mund të shpjerë në "shpërthim të tensioneve" në rajon dhe në Ballkan, gjë që do të mund të reflektohej në sigurinë dhe stabilitetin e tërë rajonit. Nëse është kështu dhe, sipas mendimit tim, pikërisht është ashtu, atëherë përgjegjësit për shpërthimin e mundshëm të tensioneve nuk duhen kërkuar jashtë radhëve të atyre qendrave vendimmarrëse që kanë marrë përsipër "ta zgjidhin çështjen e Kosovës". Brendapërbrenda atyre radhëve duhet kërkuar edhe ato qarqe të bashkësisë ndërkombëtare që patën qasje të gabueshme ndaj Kosovës dhe çështjes së saj të cilat, drejtpërsëdrejti ose në mënyrë të tërthortë, mund të prodhojnë pasoja të pariparueshme për të ardhmen ndërkombëtare të saj. Qasjet e gabueshme të bashkësisë ndërkombëtare

Bashkësia ndërkombëtare, në vend se "zgjidhjen e çështjes" së Kosovës "t‘ia linte vetë popullit të Kosovës", që vetë ai të vendoste për të ardhmen e tij, sipas një parimi të deklaruar dhe të verifikuar ndërkombëtarisht, të vetëvendosjes së popujve, të prononcuar edhe në të drejtën ndërkombëtare, zgjodhi një rrugë tjetër për të cilën dihej vetëm fillimi, e jo edhe fundi. Qasja e bashkësisë ndërkombëtare që, nëpërmjet negociatave, "të arrihet një marrëveshje" ndërmjet palëve ishte, fund e krye, e gabueshme, madje dhe një "investim joekonomik" i saj, aq më parë kur dihet se, edhe brendapërbrenda saj, janë dëgjuar zëra se nuk ekzistojnë gjasa për afrim pikëpamjesh, duke pasur parasysh skajshmëritë e ndryshme të tyre. Qasja e bashkësisë ndërkombëtare ishte e gabueshme qysh në start: ajo nuk mori fare parasysh realitetin e ri të krijuar në Kosovë pas luftës dhe "nuk lejoi" që ai të përligjet nëpërmjet një referendumi të popullit të Kosovës, akt deklarimi ky që, në fakt, ishte përmendur dhe ishte premtuar, në Konferencën e Rambujesë për Kosovën. Sot, më shumë se tetë vjet më vonë, populli i Kosovës nuk ka kërkesë tjetër: Veçse t‘i njihet e drejta e vetëvendosjes dhe që ai, në mungesë të gatishmërisë dhe fuqisë së bashkësisë ndërkombëtare që të marrë një vendim që do të korrespondonte me vullnetin e plotë të popullit të Kosovës, të deklarohet për të ardhmen e vet. Epilogu i këtij deklarimi qysh më parë do të ishte i njohur, duke pasur parasysh se populli i Kosovës, në kushtet dhe rrethanat e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, kishte shfaqur viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, me një përqindje shumë të lartë, vullnetin për shtet sovran dhe të pavarur, vullnet ky që u nëpërkëmbë dhe nuk u njoh nga bashkësia ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, bashkësia ndërkombëtare nuk njohu edhe një realitet tjetër të mëhershëm rreth Kosovës: Qenien e saj njësi federale e ish-Jugosllavisë, ndonëse jo të njohur si republikë. Bashkësia ndërkombëtare bëri edhe një qasje tjetër të gabueshme rreth fateve të Kosovës: Në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit mbështeti integritetin territorial të shtetit të ish- Jugosllavisë, një shteti në shuarje e sipër dhe ia adresoi trashëgiminë e "mbetjes së tij" Serbisë, edhe pse kjo pikëpamje nuk mund të qëndronte, as logjikisht dhe as konstitucionalisht, veçanërisht kur kishte të bënte me Kosovën. Logjikisht nuk mund të qëndronte, për shkakun se nga ish-Jugosllavia, iknin dhe dilnin vetë popujt e trungut sllav, e i "lihej në trashëgimi mbetjes së saj" Kosova dhe një popull jugosllav që edhe ashtu, gjatë historisë, qysh nga 1912- ta, ishte pushtuar nga Serbia, për t‘iu nënshtruar ripushtimeve edhe në fazat e mëvonshme të qenies së saj. Ripushtimi i fundit i Kosovës nga Serbia ndodhi më 1989. Konstitucionalisht nuk mund të qëndronte, për shkakun se Kosova, ndonëse nuk kishte pozitën e republikës në ish- Jugosllavi, merrte pjesë,krahas gjashtë prej tyre, në krijimin dhe realizimin e marrëdhënieve në Federatë, fakt ky që e profilizonte atë në njësi federale, me të drejta dhe detyrime, po si republikat, me rastin e shpërbërjes së saj.

Origjina e ndarjes

Duke mos pasur një qëndrim të drejtë rreth së ardhmes së Kosovës, bashkësia ndërkombëtare bëri edhe një lëshim tjetër që tash e kërcënon Kosovën me ndarje dhe shkëputje të një pjese të territorit të saj. Ajo, me vendosjen e trupave ndërkombëtare në Mitrovicë dhe në Veriun e Kosovës, duke mos i larguar forcat serbe nga ato zona, por duke lejuar enklavizimin e tyre, në mënyrë të heshtur, inkurajoi ndarjen. Deklarimet e tashme të zyrtarëve të saj se "nuk do të lejojmë ndarjen" në kohën kur ndarja veç është krijuar një gjendje faktike, janë shumë irrituese dhe aspak premtuese dhe shpresëdhënëse për të ardhmen ndërkombëtare të Kosovës, ndërkohë kur nga shumë analistë ndërkombëtarë dëgjojmë zërat se "nëse ndodhë pavarësia e Kosovës, nuk ka gjasa që veriu i Kosovës të integrohet në pjesën tjetër të saj". Në këtë mënyrë, edhe pse zyrtarisht nuk është aktualizuar kërkesa për ndarje, ajo "troket në derë" dhe është shndërruar në një temë të pashmangshme, sado që vetë zyrtarë serbë deklarojnë se "nuk e kanë ndarjen e Kosovës në agjendën e tyre për negociatat shtesë me Kosovën", sepse ajo "nuk do t‘iu konvenonte", me ç‘rast do të dëshiroja të vija në dukje se shqiptarët duhet t‘i ruhen "kurtheve serbe" që "të pëlqejnë" apriori atë që "nuk pëlqejnë serbët" ose "të miratojnë" atë që "kundërshtojnë serbët"dhe të kundërtën: Të "mos pëlqejnë" atë që "pëlqejnë" serbët" ose "të kundërshtojnë" atë që "miratojnë serbët".

Mungesa e strategjisë shqiptare

Edhe në rastet e tjera kam theksuar nevojën e "mbledhjes së trurit" për të gjykuar për momentin nëpër të cilin po kalojmë dhe për të sugjeruar udhët nëpër të cilat "do të duhej të ecnim". Deri më sot, në lidhje me opsionin e ndarjes së Kosovës, nga zyrtarët tanë nuk është dëgjuar asgjë më shumë, përveç se "jemi kundër ndarjes" dhe "nëse ndarja e Kosovës do të nxirrej në tavolinën e bisedimeve" do t‘i braktisnim ato. Deklarimet në "këtë stil" tregojnë për mungesën e më së paku, dy qëndrimeve të elaboruara gjerësisht. E para, cilat do të mund të ishin pasojat e ndarjes së Kosovës dhe si do të mund të reflektoheshin ato në pjesët e tjera të copëzuara të çështjes shqiptare? E dyta, nëse, edhe përkundër deklaratave se "do t‘i braktisim bisedimet" po qe se në to shtrohet çështja e ndarjes së Kosovës, ajo shihet si "zgjidhje e mundshme" ose nëse atë e sugjeron bashkësia ndërkombëtare si "kompromis të mundshëm" në mes të palëve, cila do të ishte përgjigjja jonë e plotë? Nuk jam i mendimit se ndër ne ekziston ndonjë strategji e përpunuar në lidhje me opsionin e ndarjes së Kosovës dhe pasojat që do të mund të prodhonte ajo për interesat tona kombëtare, duke pasur parasysh faktin se shqiptarët janë të shpërndarë gjithandej në disa shtete të Ballkanit, pa ndonjë status të zgjidhur ose, së paku, pa një status të kënaqshëm kombëtar të tyre. Pa pritur gjykimet e kohës, qysh sot mund të thuhet se, për shembull, vetëm me këmbimin eventual të territoreve të pjesës veriore të Kosovës me të ashtuquajturën Luginën e Preshevës (më drejtë Kosovën Lindore) nuk do të "vendosej rezultat i barabartë". Së pari, për shkak se shqiptarët do të humbnin një pjesë të territorit të vet i cili garantohet, madje dhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pa marrë pafavorshmërinë e saj në segmentet e tjera. Së dyti, për shkak se shqiptarët do "të fitonin", përkatësisht do "të kthenin në gjirinë e vet" një pjesë të territorit që legalisht, dikur e kishin dhe i cili i ishte "bashkëngjitur" Serbisë, jo në kohën e luftës, por në kohën e paqes. Nuk do "të vendosej rezultat i barabartë" edhe për një fakt tjetër. Kosovës do t‘i shkëputej një zonë e rëndësishme industriale, me resurse shumë të rëndësishme për rimëkëmbjen ekonomike të saj, pavarësisht disa vlerësimeve që përpiqen të vënë në pyetje përmasat e atyre resurseve, veçanërisht sasiore. Kjo gjymtyrë e "trupit të Kosovës" paraqet, në fakt, "pjesën më të pasur të vendit", me xehe e minerale. Përveç se në atë pjesë të Kosovës ndodhen "degët e Trepçës", në të ndodhet edhe një rezervuar i madh i Liqenit të Gazivodës, pa të cilin pjesa tjetër e Kosovës "do të thahej". Ndarja e Kosovës që po përmendet, qoftë edhe vetëm si spekulim medial, shtron nevojën që të kemi përgjigje adekuate nëse ajo do të shtrohej, në çfarëdo mënyre, në "tavolinën e bisedimeve". Mendoj se nuk do të jetë "mbrojtje e mjaftueshme" e palës sonë se "do t‘i braktiste bisedimet", madje edhe se "do të hapte çështje të tjera që ndërlidhen me pjesët e tjera të copëzuara të shqiptarëve, pa pasur një qëndrim të ndërtuar dhe mirë të argumentuar për këtë. Prandaj, cila është arsyeja që të mos ketë, ndër ne, një konsultë më të gjerë për pasojat e mundshme të ndarjes së Kosovës për hapësirën tjetër shqiptare, në mënyrë që në lidhje me mundësinë eventuale të prodhimit të tyre, të formësohet një elaborat shkencërisht i argumentuar, politikisht i qëndrueshëm dhe shoqërisht i pranueshëm që do të shërbente si (kundër)përgjigje jonë varianteve që do të mund të qarkullonin, më parë si ide, e më vonë, edhe si projekte të mundshme. Ja pra edhe një moment shumë i rëndësishëm "për t‘u ulur bashkë" dhe për të ndërtuar një strategji veprimi në situatat e mundshme të paparashikueshme për ne, dhe jo vetëm për ne, por edhe për vetë bashkësinë ndërkombëtare që, pikërisht në lidhje me angazhimin e saj për "gjetjen e një zgjidhjeje për Kosovën", sikur e ka humbur rrugën, siç shprehet populli, "në oborrin e vet". Nuk do të duhej të silleshim sikur "i kemi përgjigjet për të gjitha situatat", sepse e vërteta flet për të kundërtën, flet për mungesën e ndërtimit të një strategjie të përbashkët të veprimit të përbashkët për "interesa të përbashkëta kombëtare", qoftë në rastin e "hapjes eventuale të mundësisë së shkëmbimit të territoreve", qoftë në rastin e hapjes eventuale të diskutimit të "ridefinimit të kufijve në baza etnike". Në të gjitha situatat shqiptarët duhet t‘i kenë përgjigjet e veta adekuate. Të reagosh politikisht qartë, me fjalorin e duhur dhe në mënyrën e duhur, kërkon, më së paku, një qëndrim të përbashkët, të elaboruar mirë dhe të argumentuar mirë. Komponentja kryesore, me rastin e ndërtimit të një qëndrimi të tillë, do të duhej të ishte interesi i përbashkët kombëtar, e jo gjymtimi i tij.

Detyra dhe përgjegjësi për diplomacinë shqiptare

Në këto kohë dramatike, por ende dhe kritike, për çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare përgjithësisht, do të duhej që diplomacia shqiptare ta socializonte politikën e vet, duke konsultuar një numër më të madh specialistësh të fushave të ndryshme të cilët janë të zotë dhe të gatshëm për t‘i ndihmuar çështjes sonë. Lajthitja më e madhe e saj do të mund të shfaqej në mendimin e saj sikur ajo ka kuadro të mjaftueshme dhe të afta që mund dhe do t‘i dalin zot kombit në kohët kur ende qarkullojnë skenare për mundësinë e dëmtimit të palcës kurrizore të tij. Diplomacia shqiptare do të duhej të mblidhte rreth vetes njerëz me guxim profesional, maturi politike dhe shkathtësi diplomatike. Shkrirja e këtyre cilësive dhe vlerave do të mund t‘i siguronte asaj një qëndrueshmëri nga e cila shqiptarët, kudo qofshin të shpërndarë në shtete tjera, do të ndiheshin më të sigurt për të ardhmen e tyre. Diplomacia shqiptare sot merr përgjegjësinë për fatet e shqiptarëve nesër. Ajo nuk do të mund të amnistohej nga përgjegjësia po qe se do të heshtte në kohën kur do të duhej të reagonte. Detyra të mëdha dhe me përgjegjësi shtrohen sot për diplomacinë shqiptare. Po qe se ajo deri më dje "ka heshtur" pozitën e shqiptarëve jashtë kufijve të tashëm administrativë të Shqipërisë, këtë nuk mund dhe nuk duhet ta bëjë edhe sot. Diplomacia shqiptare do të duhej, në mënyrë aktive, "të përkujdesej" për fatet e shqiptarëve të shkëputur "nga trungu kombëtar". Ajo do të duhej që, më në fund, të kuptojë "se nuk ka fqinjësi të mirë në Ballkan", por të kundërtën, ajo do të duhej të ruhej dhe të mbrohej prej kurtheve të vendeve fqinje.

Përfundimi

Kohëve të fundit, me të drejtë, flitet për nevojën e veprimit sa më të bashkërenditur të faktorit shqiptar, me qëllim të ndikimit të drejtpërdrejt të tij në "rrjedhat e kohës". Ajo që do të duhej të ndërmerrnin shqiptarët "në ecje me kohën" do të duhej të ishin veprimet racionale të tyre. Në kuadër të këtyre veprimeve, unë shoh me shumë interes "vendosjen e rregullave të komunikimit të ndërsjellë të tyre në trojet etnike shqiptare". Prej shqiptarëve kërkohet që të vendosin raporte të reja të komunikimit ndërmjet tyre, në mënyrë që "të paraqitën me një zë të artikuluar" kur është në pyetje çështja e Kosovës dhe çështja kombëtare në përgjithësi. Shqiptarët deri më dje kanë jetuar si "botë të ndara". Vështirësitë në raportet e deridjeshme të ndërvetshme të shqiptarëve nuk mund të përballohen pa ndërtimin e modeleve të reja të veprimeve të përbashkëta në rrafshin kombëtar. Preokupim themelor i subjektit politik shqiptar është dhe do të duhej të ishte ndryshimi, në më të favorshme, i pozitës së shqiptarëve. Kjo kohë do të duhej të shfrytëzohej pikërisht si nxitje për ndërmarrje të veprimeve të përbashkëta. Përgjithësisht është kohë e vetëdijësimit për t‘i vënë interesat kombëtare mbi çfarëdo interesash të tjera. Shqiptarët po kalojnë sot në njërën prej periudhave të tyre më të rëndësishme, por dhe më dramatike të historisë së vet më të re si popull dhe si komb. Vetë gjendja në të cilën ndodhet populli dhe kombi shqiptar, shtron domosdoshmërinë e marrëveshjes së subjektit shqiptar "për ta drejtuar timonin" drejt objektivave kombëtare. Asnjë forcë politike nuk duhet të jetojë në iluzione se ka bërë gjithë atë që është pritur prej saj, ose se ajo që ka bërë është e tërë e kryer dhe e përkryer. Koha nëpër të cilën po ecin shqiptarët sot, nuk duhet të lënë indiferentë asnjë prej forcave politike, në mënyrë të veçantë diplomacinë shqiptare. Problemi është se si shqiptarët mund "të ecin bashkë" të ndarë. Shqiptarët ende "nuk kanë krijuar një strumbullar rreth të cilit do të silleshin". Kur hedhin hapin, shpeshherë nuk fikësojnë qëllimin e pritur, prandaj "bëjnë gabime në hapa". Kosova duhet të ruhet prej "gabimeve në hapa". Përcaktimet e pjesshme mund ta dëmtojnë tërësinë e çështjes. Në kohën kur çështja e Kosovës përballet ende me sfida për të ardhmen e saj, ndihet nevoja për një konsensus brendashqiptar për të dalë si një komb politikisht i konsoliduar. Njeriu mund t‘i rezistojë pothuaj gjithçkaje kur është i bashkuar. E ardhmja e Kosovës duhet të korrespondojë me të ardhmen e shqiptarëve si komb. Ky është çelësi i vetëm i ecjes përpara të shqiptarëve. Është kohë e fundit që shqiptarët të "mësojnë" rendin e fjalës. Në një fjali të urtë thuhet se "Ujërave që nuk ecin dhe njerëzve që nuk flasin nuk mund t‘iu besohet". Në mungesë të Ministrisë së Jashtme dhe të zyrave të Kosovës nëpër botë,institucionet e Kosovës dhe përfaqësuesit e saj dhe gjithë ata që mund të ndihmojnë Kosovën duhet "të sillen më shumë rreth botës", në kohën kur bota "po sillet rreth Kosovës". Do të ishte shumë i gabuar gjykimi se sikur "gjithçka ka përfunduar me Kosovën",kur "dosja e saj" mbahet ende e hapur. Komunikimi me qendrat e vendosjes, takimi me diplomatë me ndikim dhe avokimi për pavarësinë e Kosovës janë sot prioritete të gjithë diplomacisë shqiptare. Çdo neglizhim i saj i çështjes së Kosovës mund të prodhojë pasoja të pariparueshme jo vetëm për Kosovën,por për gjithë çështjen shqiptare, duke e konsideruar atë vetëm si një pararendëse të përmbushjes së objektivave kombëtare.
Shtuar më 22/08/2007, ora 13:29
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori