Sulm në Norvergji, autori i armatosur rrëmben auto ambulancën dhe shtyp këmbësorët
O sa keq me qenë serb?!
Albeu.com
Serbët janë në pozicion shumë më të pavolitshëm. Derisa shqiptarët e Kosovës e dinë se kush dhe çfarë mendon për ta mirë ose keq, në Serbi vazhdon parajsa e vendit të shenjtë.

Shtyrja e prezantimit të propozimit të kryenegociatorit ndërkombëtar për statusin e Kosovës nuk u prit mirë nga shqiptarët e Kosovës dhe vazhdon të interpretohet në mënyra të ndryshme duke pasur vetëm një fajtor: Evropën. Edhe pse shefat e diplomacisë së 25-shes i dhanë mbështetjen e plotë Presidentit Marti Ahtisari, shefi i diplomacisë evropiane, Havier Solana, sërish fajësoi kryenegociatorin ndërkombëtar për këtë veprim, duke theksuar se BE-ja nuk është përgjegjëse për vendimin për shtyrje. Edhe pse takimi i 25-shes ishte shumë transparent, mediat serbe dhe zyrtarët serbë sërish bastardojnë përpjekjet e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e nyjës ballkanike, duke e hedhur në tregun mediatik deklaratën e teleisur të ministrit spanjoll për Çështje Evropiane, Alberto Navaro. Kështu, një ditë pas takimit të Këshillit Evropian, vetëm koordinatori i Ekipit Negociator Serb, Sllobodan Samarxhiç, dëgjon se Navaro është shprehur që "Spanja nuk mund të pranojë asnjë variant të pavarësisë së Kosovës, sepse një gjë e tillë do të shkelte të drejtën ndërkombëtare dhe Aktin e Helsinkit". Samarxhiç, duke harruar se televizioni shtetëror serb e kishte transmetuar deklaratën e ministrit spanjoll edhe pas takimit, i hedh një kockë opinionit serb, për të cilën, për çudi të të gjithëve, të gjithë u kapën, si pozita ashtu edhe opozita serbe.


Evropa dhe Ahtisari

Edhe pse janë dëshpëruar sërish nga Evropa, shqiptarët e Kosovës tashmë e kanë të qartë se afati i fundit deri kur mund të shtyhet përcaktimi i statusit të Kosovës mund të jetë muaji mars i vitit 2007, kur kryesuese e radhës së Këshillit të Sigurimit të OKB është Britania e Madhe.

Pasi shpalli edhe zyrtarisht shtyrjen e prezantimit të propozimit për statusin e Kosovës, kryenegociatori ndërkombëtar, Martti Ahtisaari, raportoi edhe para ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian për zhvillimet e fundit në lidhje me statusin e Kosovës me theks të veçantë te vendimi për shtyrje deri në përfundim të zgjedhjeve parlamentare në Serbi. Pas këtij takimi, shefi i diplomacisë evropiane, Havier Solana, duke u munduar të bindë kosovarët se evropianët nuk bëjnë hile fajësoi kryenegociatorin ndërkombëtar, duke thënë se BE-ja nuk është përgjegjëse për vendimin për shtyrjen, edhe pse për shumë herë ishte shprehur se presidenti Ahtisari duhet ta bënte një gjë të tillë. "Siç e dini shumë mirë, ne nuk jemi përgjegjës për atë negociatë. Ajo negociatë udhëhiqet nga Presidenti Ahtisari i mandatuar nga OKB-ja…", thekson Solana duke lënë sërish boshllëqe evropiane në shpirtrat kosovarë, të cilët presin administratën evropiane pas UNMIK-ut, ndërsa njoftohen se BE nuk është përgjegjëse për statusin e vendit, të cilin pritet ta udhëheqin për një kohë të gjatë.

Kështu, shqiptarët e Kosovës, duke pas shumë paqartësi pas kësaj shtyrje, në bagazhin e vuajtjeve kosovare shohin edhe një paqartësi shumë interesante. Jo nga goja e qeveritarëve serbë, por nga komisioneri për zgjerimin e BE-së, Oli Rehn, ata dëgjojnë arsyet se pse nuk mund të çelen negociata për viza me Kosovën: "Ajo çfarë kemi nevojë është qartësia: qartësi politike dhe ligjore të statusit, në mënyrë që Kosova të jetë e aftë që për momentin të angazhohet në negociatat për një Marrëveshje të Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian, në negociatat mbi lehtësimin e regjimit të vizave, si dhe të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare financiare".
Ky nuk ishte vetëm dush i ftohtë, por një qiell i tërë me breshër mbi Kosovë për qytetarin e thjeshtë, studentin dhe pensionistin, i cili deri dje mundohej që të qartësonte te vetja e tij, çështjen e statusit. Mund të imagjinohet pozicioni i qytetarit të thjeshtë kosovar, nga i cili kërkohet të jetë i përmbajtur, ndërsa me sy nga Brukseli pret me orë të tëra fundin e takimit të 25-shes evropiane, në mënyrë që pas shumë orësh një zyrtar i lartë evropian t‘i thotë se BE ka nevojë për qartësi politike dhe ligjore të statusit! Kur pas shumë orë raportimi të Ahtisarit dhe diskutimi me të, ata nuk e kanë të qartë, vaj halli për bujkun, punëtorin, nxënësin dhe studentin kosovar nga i cili kërkohet t‘i hiqet dhëmbi, por mos ta hapë gojën?!



Po serbët?!

Serbët janë në pozicion shumë më të pavolitshëm. Derisa shqiptarët e Kosovës e dinë se kush dhe çfarë mendon për ta mirë ose keq, në Serbi vazhdon parajsa e vendit të shenjtë. Pak çaste pas takimit të 25-shes, televizioni shtetëror serb RTS bën të ditur se Spanja ishte shprehur kundër pavarësisë së Kosovës, më zëshëm se kurrë më parë. Ndërkohë, ministri spanjoll për çështje evropiane, Alberto Navaro, pas takimit shprehet se "Madridi nuk mendon se pavarësia, sikur edhe të jetë e kushtëzuar, është opsioni i vetëm për Kosovën".

O sa keq me qenë serb?! Në Serbi nuk të duhet pulti ose një televizor modern, sepse edicionet e të gjitha TV-ve janë të njëjta dhe vazhdojnë të diktohen nga pushteti. Edhe së fundmi, ata me një zë konstatuan se BE është përçarë për shkak të çështjes kosovare, ndërsa theksojnë se përveç Spanjës janë edhe Greqia dhe Rumunia që janë shprehur kundër pavarësisë së Kosovës. Imagjinoni se ku e gjuan grepin diplomacia serbe. Duke hedhur "zërin e së vërtetës", ata përveç Spanjës dhe Rumanisë, dëshirojnë të ngatërrojnë edhe Greqinë, në një konflikt që nuk ka të bëjë aspak me këtë shtet.

O sa keq me qenë serb?! Mediat serbe bëjnë të ditur se qëndrimit të palëkundur të diplomacisë britanike që Kosovës t‘i jepet një pavarësi e caktuar, në Këshillin e Ministrave të BE përveç Spanjës janë kundërvënë edhe Greqia dhe Spanja. Por, cilat janë kundërshtitë e këtyre vendeve?! Shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojani, ka folur "me tone më të buta" duke mbrojtur të njëjtat parime, ndërsa shefi i diplomacisë rumune, Mihaj Razvan Ungureanu, ka theksuar se zgjidhja duhet të jetë një marrëveshje e pranueshme për të dyja palët. Kundërshtime të forta!!!

O sa keq me qenë serb?! Duke mos përfillur fare angazhimin e Italisë, mike kjo e fuqishme e Serbisë, e cila propozoi vazhdimin e negociatave të MSA me Serbinë, në mënyrë që të zbutet shoku nga pavarësia e Kosovës, zyrtarët e lartë serbë hedhin në tregun e tyre mediatik vlerësimin e koordinatorit të Ekipit Negociator serb, Sllobodan Samargjiç ku Italia nuk paska të drejtë. "Shumë vlera evropiane do të shkeleshin sikur vendet e BE-së, në mënyrë të njëanshme të pranojnë pavarësinë e Kosovës, ndërsa shtrohet pyetja se me kë ju bëni marrëveshjen e MSA-së," i përgjigjet diplomacisë italiane, i madhi Samarxhiç?! Nuk respekton as mikun më të devotshëm, prozhektorin dhe altoparlantin e diplomacisë serbe në Bruksel, Italinë.

Kështu, shqiptarët e Kosovës kanë favore se nuk janë të ndikuar nga mediat serbe, se kanë mbështetje nga Britania e Madhe që është kryesuese e radhës së Këshilli i Sigurimit të OKB në muajin mars, ndërsa u ngelet të luten që shpallja e statusit të Kosovës në ditën kur edhe filloi përcaktimi i statusit, 23 mars 1999.
nga Agim Popoci, Gazeta Shqip

Shtuar më 17/11/2006, ora 11:13
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori