Njerezit flasin per paqe, e paqe s'ka askund!
Albeu.com
nga Ismail BARDHIËshtë fakt që jetojmë në një kohë kur janë të luhatura masat e vlerësimit. Shkalla e vlerësimit i merr përmasat e saja ashtu siç i nevojitet dikujt në një çast të caktuar.
Nga shenjat e shumta që mund të vërehen sot dhe që i japin konotacion kohës sonë, duhen përmendur gjithsesi pluralizmi dhe liberalizmi, kthimi nga modeli piramidal (hierarkik) i mendimit në atë rrethor (diskursiv), ngecja e strukturave, kulti i trupores, kriza e identitetit dhe autoritetit. Pas të gjitha këtyre lëvizjeve shpirtërore qëndron mendimi se vlerat i nënshtrohen ndryshimit dhe zëvendësimit qoftë në kuptimin e përputhjes së niveleve të ndryshme, qoftë në kuptimin e pluralizimit. Idetë e ndryshme, zgjerimi i tillë i spektrit të vlerave dhe humbja e vetë-kuptueshmërisë së tyre shprehet në zvogëlimin e rëndësisë së veprimit. Vlerat shpeshherë nuk hynë në procesin e veprimit të vërtetë. Për to flitet aq gjatë, e kjo nuk kushton gjë. Këtu edhe një herë vërehet qartë ndarja e realitetit dhe idealit. Idealet nuk i takojnë më realitetit. Kjo vërehet në bisedat e shpeshta për vlerat themelore, për shembull, për vlerën e paqes, sidomos asaj në emër të religjionit. Përse diskutimet e sofistikuara në atë fushë ngelin pa rezultate? Njerëzit janë të dehur nga përmbajtja e lartësuar e fjalës PAQE dhe kënaqen vetëm me shqiptimin e saj. Thënë me fjalën e Librit të Shenjtë: paqe, drejtësi, dashuri – e paqe, drejtësi, dashuri nuk ka askund! Njëfarë frike nga prekja e realitetit e pengon sendërtimin e kësaj vlere.

Kahu i ndryshimit të vlerave nga të vërteta në të pastra, rrjedh edhe në kahun e individualizmit. Në qendër është individi. Vlerat sociale përçmohen, ose shikohen nga jashtë. Segmentimi dhe përzierja e vlerave ka shkaktuar shpesh lëvizje kundërshtuese që vërehen në shoqërinë bashkëkohore.

Kjo ishte atmosfera në Konferencën e Dytë Ndërkombëtare të Dialogut Ndër-religjioz dhe Ndër-qytetërues, të mbajtur këto ditë në Ohër, ashtu siç e pashë unë. Shpeshherë e kam përsëritur një mendim se pozita e religjionit në kohën e monizmit dhe tani nuk dallon fare: asokohe religjioni ishte “i ndaluar”, e sot është “i lejuar”. Kësaj fotografie për fat të keq institucioni fetar, trupi teologjik dhe masa besimtare nuk po i përgjigjen siç duhet. Kjo nuk do të thotë se dëshiroj ta fajësoj dikë tjetër, por dëshiroj me theks të veçantë të them se është mirë dhe e domosdoshme që të fillojmë të mendojmë rreth vetëkritikës.

Nëse duhet t’ia bëj një përshkrim përmbledhës fotografisë që pashë nga kjo konferencë, atë do ta bëja si vijon: religjioni dhe institucionet fetare të udhëhequra nga shteti dhe qeveria; roli i fesë në duart e institucionit laik femohues; konferencë religjioze, e paqes, pa pjesëmarrjen e kishave greke, serbe, bullgare dhe Fanarit. Më paradoksale ishte që krerët e dy institucioneve më të mëdha fetare në vend, ato më me ndikim, nuk përshëndetën njëri-tjetrin. A shihni këtu dialog ndër-religjioz dhe ardhmëri kulturore e qytetëruese?!

Është fakt që kjo konferencë organizohet nga Ministria e kulturës, me mbështetjen financiare të forumeve ndërkombëtare, por pyetja është se në çfarë roli ishte kryeministri i qeverisë? Nga ajo që u pa, lirisht mund të thuhet se edhe institucionet fetare udhëhiqen nga kryeministri i vendit – një nënçmim institucional fetar si për KOM-in ashtu edhe për BFI-në, por edhe për të tjerët. Natyrisht që unë nuk e di brendësinë e organizimit të kësaj konference, dhe mu për këtë arsye po flas vetëm duke u bazuar në atë çka pashë; pastaj, përvoja ime më lejon që këtë konferencë shumë të rëndësishme ta analizoj me syrin e një teologu që e di rëndësinë dhe rolin e fesë, të institucioneve fetare dhe të udhëheqësve fetarë. Kjo tek ne, për fat të keq, është duke kaluar në një mënyrë shumë paradoksale, e pse të mos them edhe të papërgjegjshme.

Shumë nga pjesëmarrësit, nga të cilët personalisht njoh një numër të konsiderueshëm, janë ekspertë të institucioneve fetare, të cilët kanë marrë pjesë në krijimin e kushteve për paqe në vendet me konflikt. Por, përveç kësaj, ata janë ithtarë të flaktë që rolin e religjionit ta ndajnë nga politika, ndonëse në Ohër u dëshmua e kundërta. Faktikisht, ata ishin edhe organizatorët e konferencës së parë të këtij lloji, të mbajtur në vitin 2002 në Shkup.

Nuk mjafton të mbështetemi në thëniet se konferenca ishte e suksesshme, sepse ne e dimë që intelektualët fetarë edhe ashtu e kanë të domosdoshme t’i nënshtrohen sjelljes së mirë. Siç e shihni, përshkrimi i jashtëm ishte si më lart, por kemi edhe çështje të cilat kanë rëndësi të veçantë, si p.sh. në një konferencë ndërkombëtare të përmenden termat: popull “biblik”; “toka biblike krishtere”; ose “toka muslimane”. Këto janë çështje që e dridhin Fjalën e Shenjtë, Librin e Shenjtë dhe teologjinë në përgjithësi, Për teologët ka rëndësi të veçantë interpretimi i teologjisë, sidomos përkufizimet e gabuara të cilat mbyllen brenda kontekstit historik, kontekstit kohor e hapësinor. Nëse i kthehemi pak teologjisë në përgjithësi, si asaj krishtere ashtu edhe asaj muslimane, në të kaluarën, vërejmë studime mahnitëse rreth këtyre çështjeve. Nëse ne kështu përkufizojmë, po sikur edhe të përdorim gjuhën e metaforës, kjo është e padurueshme për zemrën e besimtarit dhe për mendjen e teologut që mëtojnë dialogun dhe paqen. Kjo ka bërë që edhe shumë filozofë të perëndimit ta urrejnë një fe, vetëm për arsye të absurditeteve të saj; faktikisht kjo është deri-diku edhe e arsyeshme. Toka, njeriu, populli, natyra..., të gjitha këto janë prej një Zoti dhe i kthehen po Atij! Mirëpo, pyetja kryesore është se nëse ne themi kështu, atëherë si duhen kuptuar ata që kanë besim tjetër? Kështu ndodh kur një konferencë ndërkombëtare për dialog ndër-fetar dhe ndër-qytetërues udhëhiqet nga ata, që prezantojnë fenë pa fe, respektivisht besimin pa Zot!

Ne e dimë se ka mjaft probleme, por pyetja është se ç’kërkon qeveria të futet edhe në këtë problem “shumë të madh”. Të them sinqerisht, shpeshherë këto ditë kam menduar të them se me çështjet e mëdha “problematike” me theks ndërkombëtar, si çështja e emrit dhe me ato sociale, të fillojnë të merren institucionet fetare, sepse këto çështje lëre që nuk po zgjidhen, por po futen në një humnerë të pakuptimsisë. Natyrisht, kështu ndodh kur njerëzit i ndërrojnë vendet dhe pozitat.

Ngaqë më duhet ta përfundoj, do të them si vijon: roli i religjionit dhe i teologjisë është shumë i rëndësishëm për çdo shoqëri, për çdo kohë dhe për çdo vend; për vendin tonë dhe popullin është akoma më i rëndësishëm, kur kemi parasysh fotografinë provinciale të asaj që na rrethon. Institucionet fetare në këtë kohë të vështirë kanë përgjegjësi edhe më të mëdha, sidomos kur jemi të rrethuar me problemet e radikalizmit fetar të të gjitha ngjyrave, e deri te “terrorizmi”, dhe atë për ta ruajtur Fjalën e Zotit dhe kulturizimin e institucioneve të tyre. Po ashtu, ato kanë përgjegjësi të madhe në organizimin sa më të suksesshëm të tubimeve të këtij lloji, që te ne për fat të keq brenda këtyre njëzet viteve janë organizuar vetëm 3 sosh. Derisa nuk rregullohen, derisa nuk i rregullojnë marrëdhëniet brenda tyre dhe kundrejt institucioneve të tjera fetare, ato do të dëshmojnë vetëm mosekzistimin dhe çrregullimin institucional të tyre. (lajm)
Shtuar më 14/05/2010, ora 17:35
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori