Një vit i rëndësishëm për Kosovën
Pëlqej
Albeu.com
shkruan Rexhep MeidaniEdhe pse nga profesioni nuk jam informatikan, e di mjaft mirë fuqinë e sistemit dyjar (binar), vlerën e zeros dhe të njëshit, të jo-së ose të po-së në çdo aspekt të jetës, madje dhe në procesin e të menduarit dhe të analizës.(Në vend të “entuziazmit” të një replike)
Për më tepër, një pjesë të studimeve shkencore i kam kryer dhe në fushën e modelimit spinor me “spin up” (1) dhe “spin down” (0), duke shkuar deri në analizën e proceseve të denatyralizimit të ADN-së. Nuk ka dyshim se në rrjedhje të kohës “spin up” mund të përmbyset e të shndërrohet në “spin down”, që zeroja mund të bëhet njësh, jo-ja mund të transformohet në po, dhe anasjelltas. Por gjithmonë në një moment të dhënë flitet për një pozicion të dhënë, për një zero (ose njësh) dhe një jo (apo po) të dhënë. Dhe për rastin konkret, në mbledhjen themeluese, pa dyshuar për vlerat e saj evropianizuese, Kosova nuk përfaqësohej dhe kjo është e vërteta faktike, apo jo-ja konkrete, pavarësisht frymëzimeve të drejta perspektive, por në të sotmen mbeten ende thjesht “dëshirore”, letrare-retorike. Dhe një gjë e tillë, pavarësisht duartrokitjeve, mund të shfrytëzohet mjaft mirë nga ata që punojnë me strategji të caktuar dhe që, ndoshta, “naivitetin djaloshar”, me frymëzim apo pa frymëzim, mund ta kenë elementin më të fundit të “lojës” së tyre politike. Në këtë optikë, nuk mund të quhet në asnjë mënyrë e rastit dhe aspak naive, që pyetjes së bërë nga një gazetare për një marrëveshje të fundit, midis Shqipërisë dhe Serbi-Malit të Zi, ministri i Jashtëm i Serbi-Malit të Zi, z. Drashkoviç, t’i jepte këtë përgjigje: “Kosova është pjesë e ish-Jugosllavisë, duke u bazuar në rezolutën 1 244. Dhe Kosova është pjesë e Serbisë dhe e Malit të Zi, gjithashtu. Pra, në kontekstin e ligjeve ndërkombëtare Serbi-Mal i Zi është një shtet, që do të thotë se Kosova është pjesë e këtij shteti”. ( fragment i intervistës në gazetën “Shekulli”, 6 prill 2005, f. 7). Kjo flet jo pak për veshët e atyre që dinë të dëgjojnë, për mendjet e atyre që arrijnë të mendojnë e të kuptojnë, sidomos në këtë vit mjaft të rëndësishëm për fillimin e diskutimeve për statusin përfundimtar të Kosovës...

Kosova drejt statusit përfundimtar.
Rezoluta 1 244 Këshillit të Sigurimit, pavarësisht formulimit të saj me një gjuhë diplomatike e jo plotësisht të përcaktuar, në thelbin e saj e mishëron me praninë ndërkombëtare ushtarake, policore e administrative, de facto, por jo de jure, heqjen e së drejtës së sovranitetit të Beogradit mbi Kosovën. Pas 6 vjetësh në liri e nën administrim ndërkombëtar, pavarësisht vonesave të dukshme e zig-zageve me natyrë subjektive e objektive, të brendshme e të jashtme, procesi demokratik në Kosovë ka pasur përgjithësisht një spirale ngritëse drejt konsolidimit politik, demokratik e institucional të statusit përfundimtar të vendit. Por, në kushte të një ecurie të ngadalshme dhe pa përcaktim të qartë perspektive, nuk kanë munguar dhe trazira e ngjarje të dëmshme, si ato të marsit 2004, që u shfrytëzuan me “mjeshtëri” nga politika aktuale serbe në të gjitha panelet ndërkombëtare. Prandaj, me të drejtë,përfaqësuesi Special i Annan-it, në gushtin e kaluar, theksoi se “ka një kufi në mbajtjen e një vendi në paqartësi e harresë”. Ndërsa në raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave nënvizohet, mbështetur në një argumentim tërësor, se nuk mund të mbahet më kjo statukuo në Kosovë. Pra, e thënë ndryshe, që “koha po mbaron për Kosovën” dhe që, më së fundi, duhet të përcaktohet zgjidhja më e gjithëpranuar në kushtet e sotme, bazuar në katër elementët themelorë të mëposhtëm:
1) Mbrojtja e të drejtave të minoriteteve
2) Mosndarja e Kosovës
3) Mosbashkimi i Kosovës me Shqipërinë
4) Pavarësia e saj nga Beogradi
Natyrisht, elementi i parë ndodhet në duart e popullit të Kosovës dhe të politikës kosovare, dhe për këtë duhet punuar më hapur, më mirë dhe më me intensitet, pavarësisht provokimeve të emetuara pa pushim nga politika e vjetër në Beograd apo nxitjeve e trysnive të saj mbi serbët e Kosovës për mos pjesëmarrje në procesin zgjedhor e qeverisës, për bllokim të procesit demokratik e gjithëpërfshirës. Me të njëjtën përkujdesje duhet trajtuar dhe problemi i përfaqësimit të pakicës serbe apo pakicave të tjera në institucionet e qeverisjes, rindërtimi i institucioneve të kultit apo rikthimi në Kosovë i qytetarëve të papërfshirë në krime etj. Me këto procese është i lidhur ngushtë problemi i plotësimit të standardeve, apo dhe tezat e ndryshme të hedhura si “standarde para statusit”(Steiner), “standarde drejt statusit”, ose “standarde për status”...Elementi i dytë ka mbështetje jo vetëm në Kosovë apo Shqipëri, por dhe në një pjesë të rëndësishme të kancelarive perëndimore, por, megjithatë, mbetet çështje për t’u mbajtur parasysh dhe për t’u konsideruar me kujdes edhe më tej nga institucionet e Kosovës, në ndërveprim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Elementi i tretë është plotësisht i realizueshëm dhe në përputhje me konceptimin politik shqiptar ndaj integrimit euroatlantik, që në përmbajtje është dhe një proces vetëintegrues. Pra, në thelbin e tij, ky element është i pranuar, pra dhe i realizuar nga politika shqiptare në të dy anët e kufijve. Megjithatë, për “efekt mbrojtjeje”, ai kërkon një plotësim formulimi apo një riformulim tjetër në një trajtë përgjithësuese të kushtëzimit, si p.sh.: “mosbashkim i Kosovës me asnjë union ose vend tjetër”, duke nënkuptuar, më tej, edhe përshpejtim të proceseve integruese euroatlantike. Pikërisht, për mundësinë e përfshirjes së këtij formulimi shtesë diskutuam edhe gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Bajram Kosumi, në Tiranë. Elementi i katërt, që përfaqëson në kushtet e sotme të një Kosove të lirë gati 6-vjeçare, pas gati një shekulli kolonializmi serb, zgjidhjen e vetme logjike edhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të vetëvendosjes, kërkon njohjen apo miratimin konkret ndërkombëtar. Pikërisht, kundër miratimit zyrtar të elementit të katërt, të paktën me pikësynim fitimin e kohës apo vonesën e “ekzekutimit” të tij, e ka përqendruar sot “artilerinë e rëndë” politika e Beogradit, duke u mbështetur dhe në lidhjet e saj të vjetra. Edhe në lidhje me këtë pikë kërkohet një strategji e përbashkët, një projekt politik i të gjitha forcave politike e institucioneve në Kosovë për të plotësuar kërkesat e shtruara dhe për të mos e lejuar këtë vonesë, që gradualisht mund të bëhet shqetësuese e asfiksuese, madje deri e rrezikshme...

Cili është ky status?
Çështja që shtrohet sot nuk mund të jetë më “varianti” i këtij statusi, por si duhet të arrihet tek ai, hapat e njëpasnjëshëm që duhen hedhur, procedurat konkrete që duhen zbatuar, cili do të jetë institucioni i vendimmarrjes etj. Pra, më shumë se një çështje konceptuale, ajo është kthyer sot, në thelbin e saj, në një çështje më tepër procedurale. Madje, deri para Rambujesë, duke mos pasur një perceptim të qartë apo një mbështetje të duhur nga një pjesë e shteteve të fuqishme, që dhe e kishin pranuar dikur copëtimin e trojeve shqiptare, edhe mund të shtroheshin variante zgjidhjeje për statusin e Kosovës, duke marrë dhe miratimin paraprak të vetë Serbisë, që në asnjë rast nuk do të pranohej pavarësia. Por tashmë, për çdo logjikë racionale, regjimi serb, pas ushtrimit të dhunës mbi popullin shqiptar të Kosovës, pas zbatimit aty të politikës së pastrimit etnik e gjenocidit, ky regjim, cilido qoftë ai sot, e ka humbur përfundimisht të drejtën për t’u përzierë në këtë çështje të statusit, që nuk mbetet tjetër veçse shprehje e vullnetit legjitim të shumicës dërmuese të popullit të Kosovës. E dora-dorëz, edhe plotësimi i kërkesave të gjithanshme për integrime më të shpejta euroatlantike. Madje, për më tepër, vendimi nga sipër, pa këtë përzierje të drejtpërdrejtë të politikës serbe, në këtë proces, e çliron apo e shpëton atë nga konfiguracione më të ashpra radikale. Natyrisht, Serbia, mund ta ngrejë zërin për minoritetin e saj, në mbrojtje dhe respektim të plotë të të drejtave të tij, në përputhje me standardet demokratike ndërkombëtare. E domosdo edhe të përpiqet për të bashkëpunuar me fqinjin e saj, në respekt të plotë e të ndërsjellë, brenda një kuadri më të përgjithshëm të integrimit rajonal dhe evropian...

Niveli i marrjes së vendimit.
Të gjashtë anëtarët e Grupit të Kontaktit: SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia, që kanë qenë pjesëmarrëse aktive në stabilitetin dhe normalizimin e jetës në Kosovën e pas luftës, i kanë të gjitha mundësitë që të miratojnë së bashku një kuadër konkret e operacional për të ndërtuar axhendën e veprimeve të nevojshme për procesin e pavarësimit të Kosovës. Por, natyrisht, duke e paraprirë të gjithë këtë proces, në bashkëpunim me vendorët, me një mori masash konkrete, që përfshijnë hartimin e Kushtetutës, të ligjeve të tjera më të domosdoshme të shtetit të së drejtës, përfshirë ato që lidhen me mbrojtjen e respektimin e të drejtave të pakicave, me bashkëpunimin me gjykatën ndërkombëtare etj., në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare. Dhe, pa dyshim, e gjitha kjo e shoqëruar edhe me një komision monitorues për plotësimin e këtyre kërkesave e detyrimeve. Pra, në fund të fundit, vetë marrja e vendimit të fillimit të procesit të pavarësimit kushtëzohet nga ky vullnet politik, edhe pse vetë procesi, në thelbin e tij, është krejtësisht i pakthyeshëm...
Parë në këtë aspekt, ndoshta, nuk ka nevojë për një konferencë të tipit të Dejtonit, siç dëgjohet aty-këtu. Ai mund të nevojitej në situata konfliktesh, por jo patjetër në situata stabiliteti e konsolidimi institucional. Nga ana tjetër, p.sh., për Timorin Lindor, ku u ndërhy ushtarakisht dhe u vendos administrata ndërkombëtare vetëm rreth një muaj më vonë nga Kosova, por që tashmë prej disa vitesh e ka të shpallur pavarësinë, nuk u organizua ndonjë konferencë e tillë, por vendimi i “shkallëzuar” u përcaktua që në “origjinë” në Këshillin e Sigurimit. Ai përfshiu si transferimin gradual të pushtetit në hallkat e ndryshme të tij, ashtu dhe axhendën e shpalljes së shtetit të pavarur. Një model që mund të gjejë zbatimin konkret në terrenin kosovar, madje që mund të shërbejë si shembull i gatshëm dhe funksional për t’u aplikuar edhe në Kosovë. Për konfirmim popullor, edhe pse dihet vullneti i shumicës dërmuese të popullsisë në Kosovë, në përputhje me procedurat demokratike mund të organizohet dhe ndonjë referendum për vetëvendosjen.
Por, a do të jetë ky sovranitet i shkallëzuar apo i kushtëzuar për një periudhë tjetër ndërmjetëse kohe? Edhe mundet, megjithëse shumë analistë politikë gjykojnë që sa më shpejt të arrihet kjo pavarësi, aq më mirë, si për Kosovën ashtu dhe për vetë Serbinë, për emancipimin demokratik të shoqërive përkatëse, për zhvillimin ekonomik të gjithsecilit dhe përshpejtimin e proceseve integruese të tyre në strukturat euroatlantike e të bashkëveprimeve të ndërsjella. Vonesa të tjera veçse do ta mbanin peng edhe më tej jo vetëm Kosovën, por dhe Serbinë. Madje, sot, edhe Bashkimi Serbi-Mali i Zi e vuan një fakt të tillë...
Sidoqoftë, në çdo rast, kalendari i pavarësisë duhet të jetë tërësisht i përcaktuar. Vetëm në një situatë të tillë, të përkufizuar sa më qartë, do të mundësohej realisht jo vetëm dialogu e bashkëveprimi fqinjësor midis Prishtinës e Beogradit, por dhe bashkëjetesa midis shqiptarëve e serbëve në Kosovë, pjesëmarrja e ndërsjellë politiko-shoqërore e veprimtaria normale e tyre në jetën e përditshme, si qytetarë të barabartë të Kosovës...

Roli i Shqipërisë.
Nuk mund të pretendohet që Shqipëria, në përputhje me orientimin e saj euroatlantik dhe në kuadër të një politike e diplomacie shumë më aktive, nuk mund të luajë ndonjë rol nxitës e mbështetës në këtë proces. Përkundrazi. Dhe kjo është edhe për të mirën e saj, për vetë përshpejtimin e proceseve integruese të Shqipërisë. Nuk është fare e rastit, që jo pak analistë me zë të politikës dhe specialistë të Ballkanit në situatën ende të papërcaktuar në Kosovë gjejnë dhe disa argumente shtesë të shtyrjes së proceseve të Shqipërisë, apo që vendin e termit më integral “Evropa Juglindore” e ka zënë kohët e fundit klasifikimi disi veçues “Ballkani Perëndimor”...
Pra, Shqipëria duhet të vazhdojë të mbetet dinamike në këtë proces edhe për interesin e saj aktual, përveç atij perspektiv. Por, jo thjesht me monologë e trajtime retorike, apo me takime deklarative pa analiza të hollësishme apo akordime pozicionesh, pa përkujdesje të detajuar e të vazhdueshme. Për më tepër, analiza, gjykimi, veprimi e strategjia politike e institucionale në Shqipëri nevojiten të jenë shumë më të plota, më të unifikuara dhe të “graduara” në kohë, pa neglizhenca, gabime e kthime 180-gradëshe të degës ekzekutive. Për më tepër, edhe të miratuara në çdo hap konkret nga institucioni i kryetarit të shtetit e Parlamenti. Vetëm kështu impenjimi mund e duhet të jetë i një niveli shumë më të lartë, i pavarur, pa komplekse, shumë më i fuqishëm, dhe gjuha shumë më e drejtpërdrejtë dhe aspak “përdredhëse”, gjoja për moderacion apo për të mos i ngelur “hatri” njërit apo tjetrit. Politikën e diplomacinë “planetare” le ta bëjnë të tjerët, ne le të bëjmë punën e detyrën tonë të “shtëpisë”, sa evropianizuese, po aq dhe të pastër, të qartë dhe të vendosur...
__________________
Ky shkrim eshte botuar ne gazeten Shekulli.
Shtuar më 09/04/2005, ora 01:26
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori