Nje varre e pasherueshme
Pëlqej
Albeu.com
nga Agron HajdariPo afrohet dita e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që, sipas gjitha gjasave, pritet të mbahen gjatë mesit të këtij viti, ndërkohë që ngushtohet hapësira dhe mundësia për t’u zgjidhur ligjërisht statusi i...Po afrohet dita e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që, sipas gjitha gjasave, pritet të mbahen gjatë mesit të këtij viti, ndërkohë që ngushtohet hapësira dhe mundësia për t’u zgjidhur ligjërisht statusi i familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve shqiptarë të luftës, që është një barrë e madhe morale, kombëtare dhe politike, për strukturën politike shqiptare në përgjithësi, veçmas asaj në pushtet. Aq më shumë, sepse partia shqiptare në pushtet, doli si përfaqësuese dhe artikuluese e interesave të pjesëmarrësve të luftës së 2001-it. Deklaratat bombastike të politikanëve, se do të bëjnë të “pamundurën” për të zgjidhur statusin e tyre, duken si flluska sapuni përballë fakteve konkrete, sipas të cilëve shihet se nuk është bërë asnjë hap konkret në terren. Gjithnjë e më tepër shtohen ankesat e invalidëve të luftës për trajtim joadekuat dhe injorim të tyre. Për ironi: kanë mbetur të papërfunduar edhe lapidaret në komplekset përkujtimore, të premtuara se do të ndërtoheshin shumë shpejt. Edhe katër vite pas luftës mjetet për përfundimin e tyre assesi të mbërrijnë në destinacionin e duhur. Natyrisht, kjo s’i nderon ata që u sakrifikuan për avancimin e statusit juridiko-politik të shqiptarëve në Maqedoni. Aq më pak kur këtë s’e kanë merituar edhe ata që erdhën nga Kosova dhe flijuan për këtë qëllim madhor.

Në vend të një mobilizimi të gjithanshëm politik, për zgjidhjen e fatit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, sikurse po veprohet me familjet e pjesëtarëve të forcave policore “Luanët”, politikanët shqiptarë kanë zgjedhur heshtjen; përjashto disa zëra, që të lënë përshtypjen se më shumë kanë ngjyrime politike, sa për t’ia hedhur fajin tjetër kujt, se sa për të bërë një hap konkret në zgjidhjen e problemit. Tani kur ka filluar të afrohet dita e mbajtjes së zgjedhjeve, sipas praktikës së deritanishme, gjithnjë e më tepër do të “harrohet” kjo çështje, e cila që moti do të ishte dashur të zgjidhej, ndërkohë që është zgjidhur te pala tjetër. Zotimet dhe paralajmërimet se politikanët do të bëjnë të “pamundurën” në këtë drejtim, janë më shumë përpjekje për të fituar poenë politikë, se sa për të shëruar këtë varrë të madhe kombëtare. Fundja, të jesh pjesë e pushtetit dhe të mos kesh fuqinë për të zgjidhur një problem të këtillë dhe njëkohësisht të krekosesh se do të bësh të “pamundurën”, është shtirje, që zor se do ta besonte dhe lejonte ndonjë popull me vetëdije të lartë kombëtare. Varianti më i keq do të ishte që zgjidhja e kësaj çështjeje të lihej gjatë fushatës elektorale; sepse kjo s’do t’i nderonte ata që kishin ideal çështje shumë më madhore se sa interesat e ngushta të elitave politike.
Shtuar më 08/02/2006, ora 15:16
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori