Një trazirë e re kushtetuese
Pëlqej
Albeu.com
Nëse ndjek zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë, me një farë vëmendje vëren me të vërtetë shumë ngjashmëri me Shqipërinë amë. Pale nëse mendon se shqiptarët kudo që janë prodhojnë të njëjtat trazira me shtetin, daç të mëdha, daç të vogla, të ashtuquajtura "trazira kushtetuese", do gjesh akoma më shumë ngjashmëri. Ato nuk janë të importuara fizikisht prej vendit amë, ta zëmë prej ndikimit të njërës parti tek aleatja e vet në Kosovë. Për fat të mirë, ndikimi i partive të Shqipërisë në Kosovë është shumë i kufizuar. Këto ngjarje të ngjashme imponohen mesa duket prej ngjashmërisë së kuadrit kushtetues dhe pastaj në interpretimin e tij apo në zhbërjen e këtij kuadri, ku ndërlidhen cilësitë tona kombëtare - mungesa e respektit ndaj sistemit, ndaj ligjit që krijon sistemi.
Po bëhem më i qartë. Praktikisht, në momentin që po flasim, Kosova është pa institucione të ligjshme ekzekutive ose këto institucione janë me ligjshmëri tejet të kufizuar. Nuk ka president, por ka ushtrues detyre të përkohshëm, një term që përdoret kur presidenti është sëmurë apo kur vendi është në gjendje lufte dhe presidenti i vërtetë është në tunel, duke mos pasur mundësi të veprojë. Ka një kryeministër të dorëhequr, të një qeverie të rrëzuar me votën e partisë së vet gjithashtu. Nuk ka parlament, megjithëse Kosova për inerci pranon dhe vizita ndërkombëtare të nivelit të lartë, siç ishte rasti i kryeministrit turk Erdoan. Vendi do të zhvillojë zgjedhje të jashtëzakonshme me vetëm 10 ditë fushatë.
Problemi më i madh, megjithëse në Kosovë nuk duan ta shohin si problem, madje as nuk e ndiejnë se gjendet në afërsi, është pozita e këtij presidenti. çfarë do të ndodhë kur partia e vet të hartojë listat e deputetëve? A do të përfshihet ai në listën e kandidatëve? Sipas nenit 73 1, nuk mund të kandidohen dhe as të zgjidhen deputetë të Kuvendit pa hequr dorë paraprakisht nga detyra e tyre:(1) gjyqtarët dhe prokurorët;(2) pjesëtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës;(3) pjesëtarët e Policisë së Kosovës;(4) pjesëtarët e Doganave të Kosovës;(5) pjesëtarët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë;(6) udhëheqësit e agjencive të pavarura;(7) përfaqësuesit diplomatikë;(8) kryetarët dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në këtë listë funksionesh, të papajtueshëm me kandidimin si deputet nuk përmendet presidenti. Po kjo nuk do të thotë se Kushtetuta e Kosovës, e miratuar me ngut, e lejon presidentin të bëhet deputet. Ne mund të imagjinojmë se në këtë rast do të duhet t'i referohemi një neni tjetër të Kushtetutës së Kosovës, që është më eksplicit se ky: neni 88, që e ndalon Presidentin të ushtrojë funksion tjetër publik. Kushtetuta e Kosovës si çdo kushtetutë normale nuk mund ta imagjinojë një situatë të tillë, kur një presidenti apo ushtruesi detyre i shkon në mendje të bëhet deputet. Kushtetuta vërtet nuk mund të imagjinojë situata absurde, përndryshe do të ishte me 1000 apo ku di unë sa faqe. Edhe sikur të thuhet se ai është ushtrues detyre dhe jo president, apo se Kushtetuta diçka që nuk e ndalon ia lejon, atëherë ne mund t'i bëjmë një pyetje absurde: ky ushtrues i detyrës së Presidentit, pasi të fusë emrin në listën e partisë së vet, a do të marrë pjesë në fushatë - diçka tjetër e ndaluar për një president? E çojmë absurdin më tutje: ç'do bëjë ditën e hapjes së punimeve të Parlamentit: ushtruesi i detyrës do të ulet në banka apo do të përshëndesë Parlamentin siç bën çdo president normal?
Nuk po e shtyjmë absurdin edhe më tej, por sigurisht kjo gjë nuk mund të ndodhë: pra ushtruesi i detyrës logjikisht nuk mund të kandidojë. Po a nuk duket kjo si kufizim i madh për një figurë politike kaq të rëndësishme si zoti Krasniqi? Po, e vërtetë është dhe për këtë duhet të shfaqim keqardhje. Por nga ana tjetër nuk mund të mos shkojmë me analizën tonë në shkaqet e shfaqjes së kësaj situate absurde.
Zoti Krasniqi nuk mund të ishte një ushtrues detyre i përkohshëm që rri kaq gjatë, pra 6 muaj, por derisa të zgjidhej presidenti me mandat të plotë, diçka që parashikohet nga neni 86. Pra, ai mund të rrinte 30 ditë plus ditët kur do zhvillohej zgjedhja e presidentit, plus 45 ditë të tjera eventuale të zgjedhjeve parlamentare, nëse Kuvendi do dështonte të zgjidhte kreun e shtetit.
Kjo situatë është krijuar pse Kuvendi i Kosovës nuk bëri si veprim të parë zgjedhjen e presidentit pas dorëheqjes së zotit Sejdiu. Nëse do kishte ndodhur kjo, nuk do gjendeshim në një situatë të tillë dhe zoti Krasniqi nuk do detyrohej të emëronte 150 gjyqtarë në një ditë, të shpërndante Parlamentin, të shpallte zgjedhjet apo të thërriste Parlamentin tjetër, ku do jetë dhe vetë deputet. Akte politike të forta apo akte tipike të një presidenti me mandat të plotë dhe jo të përkohshëm.
Po ç'lidhje ka kjo situatë me Shqipërinë? Kush ka kujtesë të mirë do sjellë ndërmend debatin që u bë në kohën e votimit të zotit Topi si president. Asokohe, meqë ekzistonte rreziku që Kuvendi i Shqipërisë nuk do arrinte të zgjidhte presidentin, po përflitej mundësia e emërimit të zonjës Topalli si ushtruese e detyrës. Kjo hipotezë e mbështetur prej demokratëve gjente bazën vetëm tek një nen i Kushtetutës shqiptare, sipas së cilës mandati i zotit Moisiu kishte mbaruar. Por nëse nga Kushtetuta do lexohej vetëm një nen, siç po ndodh në Kosovë, atëherë njëlloj si në Kosovë do të kishim një zonjë Topalli që do shpallte zgjedhjet parlamentare, do kandidonte, do t'i mbante vetes fjalim si presidente, etj, etj, një situatë krejt absurde. E njëjtë sikur ajo që pritet të ndodhë në Kosovë.
Nuk po afrojmë zgjidhje me këtë shkrim, por thjesht mund të sugjerojmë se Kosova nga Shqipëria nuk duhet të marrë të këqijat,por vetëm të mirat. (panorama)
Shtuar më 06/11/2010, ora 15:35
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori