Nje strategji e re per Ballkanin?
Albeu.com
Ministri i Jashtëm, Carl Bildt, dhe Kryesia e Suedisë në BE duken të përqendruar në çështjet e BE-së në Ballkan. Por a mos është pak vonë? Rreth 15 vjet më parë, drejtuesit politikë të Ballkanit u mblodhën në një bazë ushtarake të Amerikës në Dayton të Ohios dhe ranë dakord për një ...... marrëveshje për përfundimin e luftërave në rajon. Që nga atëherë, tre lojtarët kryesorë kanë vdekur, presidenti kroat, Franjo Tudjman; presidenti boshnjak, Alija Izetbegovic dhe presidenti serb, Slobodan Milosevic. Drejtues të rinj kanë ardhur në fuqi, por Bosnja-Hercegovina mbetet një shtet jofunksional dhe një rrezik për të gjithë rajonin.

Më 9 tetor, drejtuesit e Bosnjës u mblodhën në një bazë tjetër ushtarake, e cila ndodhet në bazën e forcave ndërkombëtare në Sarajevë. Ndërsa marrëveshja e Dejtonit i dha fund luftës në Bosnje, ajo nuk arriti të krijonte një strukturë, nën të cilën Bosnja të bëhej një shtet i suksesshëm. Takimi i kësaj jave ka si qëllim diskutimin dhe zgjidhjen e këtij problemi.

Ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt, i cili përfaqëson BE-në dhe përfaqësuesi amerikan, Jim Steinberg do të jenë pjesëmarrësit më aktivë ne këto bisedime, duke qenë se e kanë quajtur qëllimin e takimit si një përpjekje “për të filluar një dialog politik” dhe me një qëllim më të largët siç është përparimi i ambicieve euro-atlantike të Bosnjës.
Ambasadori i SHBA-së në Bosnje, Charles English, së fundi vizitoi kryeqytetin e Republikës Serbe, për t’u takuar me kryeministrin e këtij etniteti, Milorad Dodikun. Megjithatë, nuk u bënë publike detajet e këtij takimi.

Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, i cili më herët ka shërbyer si përfaqësues i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje dhe i cili është përfshirë në dialogun aktual, që po zhvillohet në Bosnje, theksoi se gjatë ditëve në vijim mund të priten “lajme të mira nga Bosnja”.

Ai gjithashtu sugjeroi se është finalizuar strategjia për Bosnjën dhe se optimizmin e tij e bazon në negociatat, të cilat janë zhvilluar së fundi në Washington dhe New York. Megjithatë, Lajcak shtoi se është Suedia ajo, si kryesuese e radhës e BE-së, që ka autoritet të bëjë kumtesat zyrtare në emër të unionit.

Ndoshta i frymëzuar nga suksesi i miratimit të Traktatit të Lisbonës në referendumin e javës së kaluar në Irlandë, Bildt duket se ka vendosur të mbushë hapësirat e lëna nga drejtues të tjerë të BE-së në Ballkan. Në të njëjtën kohë duket se SHBA-ja ka vendosur të rimarrë pjesë në organizimet politike të rajonit.

Sa i përket Bosnjës, nevoja për një politikë euro-atlantike nuk mund të jetë më e ngutshme. Duke qenë se ka bërë pak përparim në fushën e reformave, Bosnja u përjashtua nga skema e udhëtimit pa viza në shtetet e BE-së, e cila iu ofrua shteteve të tjera në Ballkan. Anëtarësimi në BE duket më shumë si një ëndërr që po largohet gjithmonë e më shumë, se sa një mundësi reale. Dodik vazhdimisht refuzon të zbatojë vendimet e përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare dhe ka kërkuar qe zyra e cila merret me këto çështje të largohet nga Bosnja.
Ndërkohë, drejtuesit e Bosnjës diskutojnë me njëri-tjetrin nëpërmjet medieve, në vend që të ulen dhe të mundohen t’i zgjidhin problemet e shtetit. Sulejman Tihic, një pjesëmarrës i përparshëm i presidencës tripaleshe të Bosnjës si dhe kryetari i Partisë së Aksionit Demokratik, ka thënë se njerëzit nuk mund të “përqafojnë pjesët e marrëveshjes së Deytonit që iu pëlqejnë, e të refuzojnë pjesët, të cilat nuk iu pëlqejnë”.

Dragan Cavic, nga partia kroate HDZ, tha se “ata që mendojnë se mund ta mbajnë larg zyrën e përfaqësuesve të lartë në Bosnje duke shkaktuar kriza, po veprojnë kundër interesit të shtetit”.
Por a munden tani BE-ja dhe SHBA-ja ta parandalojnë këtë krizë nëpërmjet programit të tyre për promovimin e integrimit euro- atlantik, kur disa drejtues të vendeve kryesore të rajonit kërkojnë përçarje? A janë ato në gjendje të fillojnë një dialog mes njerëzve të cilët nuk duan të dialogojnë? A mund të shtyjnë ato drejtuesit e vendeve të tjera të mbajnë një takim për te tejkaluar krizën politike, kur vetë këta drejtues po e shkaktojnë krizën? Dodik është shprehur se ai do të refuzojë çdo lloj oferte që do t’i bëhet nga Bildt dhe Steinberg.

Është e vështirë të jesh optimist për iniciativën e Bildtit, edhe pse duket qartë që ai po bën përpjekje të mëdha. Kufizimet e BE-së në Bosnjë janë të njohura. Për shembull, përfaqësuesi i lartë anulon në mënyre të rregullt vendimet e marra nga parlamenti në Banja Llukë, por nuk ndërmerr ndonjë veprim të ashpër kundër tij. Shumë drejtues vendorë janë rrënjësisht të korruptuar dhe nuk kanë asnjë interes në krijimin e një shteti funksional. Ministri i Jashtëm nuk flet me deputetët e tij, qeveria injoron ligjet e miratuara nga parlamenti, policia lejon që kriminelët të largohen nga burgu, dhe islamizimi i Sarajevës ka vite që ndodh.

Është e qartë që Brukseli duhet ti kushtojë më shumë vëmendje dhe energji problemeve të Ballkanit dhe të jetë gati për çdo gjë. BE-ja ka çdo instrument që mund t’i duhet, ka një strukturë e cila merret me vendosjen e ligjeve si dhe një polici apo forcë ushtarake që siguron zbatimin e këtyre ligjeve. Por gjatë gjithë këtyre viteve bashkëpunimi i BE-së dhe Bosnjës ka qenë shumë i vogël.

Nuk është aspak për t’u çuditur kur njerëzit kërkojnë qe diçka të bëhet, t’i drejtohen ambasadës së SHBA-së. Ndoshta futja e SHBA-së në çështjen e Bosnjës është pjesa ku njerëzit mbajnë më shumë shpresat në të gjithë iniciativën e Bildtit. Siç tha ish i dërguari i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje, Peddy Ashdown, për gazetën New York Times: “Bosnja është jo funksionale, por jo aq shumë sa është Brukseli”. (RFE)
Shtuar më 11/10/2009, ora 04:28
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori