Një histori që i dëmton të gjithë shqiptarët
Albeu.com
nga Celo HoxhaHistoria e atentatit ndaj Ali Ahmetit para disa ditësh, kryetarit të partisë shqiptare “Bashkimi Demokratik për Integrim”, në Maqedoni, ngjan si histori shumë e dëgjuar në vatrat shqiptare.Subjekti, pa detaje, është ky: ndodh një incident me armë zjarri, aty rrotull ndodhet një politikan shqiptar gjoja duke parë hallin e vet dhe menjëherë nis gurguleja. Politikani që është “në hall të vet” fillon të akuzojë kundërshtarin politik. E ka kapur me presh në dorë, ndër keqbërësit është edhe një truprojë e kundërshtarit politik. Ekziston edhe një kasetë, ku duket keqbërësi në krah të “armikut”.

Kush e ka harruar, duhet të kthehet nja dhjetë vjet mbrapa në kohë, në politikën e Tiranës së viteve ‘97-‘98, kur për shumë incidente socialistët ulërinin se bëheshin nga njerëzit e Berishës, i cili është akuzuar edhe për pjesëmarrje të ish-truprojave të tij në ngjarje. Vrasja e Azem Hajdarit është ngjarja me profilin më të lartë.

Akuzat shërbyen për politikën e momentit, më pas socialistët u përqendruan në ndërtimin e sistemit të korrupsionit në vend dhe akuzat – lidhja e Berishës me “ngjarjet kriminale” – nuk u vërtetuan asnjëherë. Por mund të ketë edhe një arsye tjetër, përse Berisha nuk u gjet kurrë fajtor, akuzat kanë qenë retorikë e ulët politike.

E njëjta logjikë duket se funksionon edhe në rastin e zotit Ahmeti. Ai fajësoi menjëherë strukturat e sigurimit shtetëror dhe Partinë Demokratike shqiptare për goditjet me armë në një tubim në Rakovec, komuna Bogovinë, ku ishte edhe ai i pranishëm. Armët nuk u drejtuan ndaj tij, por ndaj makinës së tij, raportoi MIA (agjencia maqedonase e informacionit).

Nuk përjashtohet mundësia që tentativa për atentat të ketë qenë reale, por trajtimi politik, në një periudhë fushate elektorale, ia ul shumë besueshmërinë.

Të kërkosh të rritësh profilin politik në fushatë elektorale, duke marrë shkas nga ngjarje të dyshimta, është manovër politike primitive. Aq më pak i shkon një rol i tillë zotit Ahmeti, një politikani që doli në skenë, duke iu drejtuar armën të tjerëve. Vetëviktimizimi është shenjë e karaktereve të dobëta. Serbët e kanë bërë pjesë të identitetit të tyre këtë cilësi dhe, kjo s’duhet harruar, ata i kanë sjellë shumë shqetësime Ballkanit.

Politikanët shqiptarë të Maqedonisë, pavarësisht se në fushatë konkurrojnë për interesat e tyre, duhet të jenë të përgjegjshëm dhe të ndjeshëm për gjithë situatën në rajon.


E para, për një incident politik kundër shqiptarëve në Maqedoni mund të jenë të interesuar shumë aktorë, një pjesë edhe jashtë atij vendi.

E dyta, nga thellimi i përçarjes mes faktorëve politikë shqiptarë në Maqedoni, vetëm shqiptarët nuk do fitojnë gjë.

As shqiptarët jashtë Maqedonisë nuk fitojnë gjë, imazhi i tyre i keq na prek të gjithëve.

Qeveria kosovare pritet të marrë në dorë përgjegjësitë e plota shtetërore më 15 qershor, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së saj dhe shqiptarët kudo që janë duhet të reflektojnë maturi në veprimet e tyre. (Tema)
Shtuar më 16/05/2008, ora 17:59
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori