Një banesë për më shumë vota
Pëlqej
Albeu.com
Ndonëse në një moshë jo shumë të përshtatshme, Albin Kurti vendosi të kthehet e të jetojë me prindërit. Jo si një zgjedhje personale, por si një detyrim ndaj partisë. Ai e shiti banesën e tij dhe 70 mijë eurot e marra prej saj i derdhi në arkën e Vetëvendosjes. Kjo lëvizje nuk ka shumë fonde për të përballuar fushatën elektorale dhe lideri vendosi përsëri të vetësakrifikohej.
Për hir të së vërtetës, karriera e Albin Kurtit ka kaluar nëpërmjet shumë sakrificave, madje tepër të rënda e që kanë vënë në rrezik edhe vetë jetën e tij. Falë tyre, ai është shndërruar në simbol të një qëndrese të dinjitetshme. Duke marrë parasysh kontekstin aktual, edhe akti i tij i fundit tenton të jetë një sfidë ndaj moralit të politikës kosovare. Në një kohë kur dhjetëra politikanë po pasurohen brenda natës, kur shumë të tjerë po blejnë e regjistrojnë banesa me emra të tjerë, kur Kryeministri po ndërton një shtëpi goxha të madhe, Albini vendos të shesë hapësirën e tij modeste. Dhe për çfarë?
Për t’i ardhur në ndihmë lëvizjes së tij që nuk disponon mjete financiare, si partitë e mëdha, për të përballuar fushatën. Në një kohë që një kastë politikanësh po pasurohen nga politika, lideri i Vetëvendosjes po varfërohet për t’i shërbyer ndershmërisht asaj. Morali nuk mund të gjejë shembull më të mirë. Kontrasti është i fuqishëm, nuk ka nevojë për shumë komente dhe mund të cilësohej fare mirë një goditje në shenjë. Një goditje që do të funksiononte për mrekulli, sikur... Sikur e gjitha kjo të mos kishte ndodhur në kulm të fushatës elektorale.
Ose sikur të kishte ndodhur në heshtje dhe pa reklamim në publik.
Ndonëse nevoja për ato para mund të ketë qenë e madhe dhe të supozojmë se nuk ka patur mundësi tjetër për t’i siguruar, i ndërmarrë në këto rrethana, akti i Albin Kurtit bie erë populizmi të pastër. Bërja publike e kësaj sakrifice, sigurisht që ka synime të qarta elektorale. Ajo krijon efekte te shumë njerëz që jetojnë në kushte të varfërisë ekstreme dhe që janë të revoltuar me pasurimin e shpejtë të një grushti politikanësh që po drejtojnë vendin 10 vitet e fundit. Por ajo lë shije të keqe tek ajo pjesë e opinionit që metoda të tilla si të heronjve kinezë të shokut Mao, i sheh të panevojshme, aq më tepër për një lëvizje si Vetëvendosja. Kjo e fundit gëzon një simpati të gjerë popullore, pavarësisht sa mund të përkthehet në vota kjo.
Fakti që Vetëvendosja nuk ka qenë kurrë pjesë e pushtetit apo e sistemit politik në Kosovë, që ajo është ngritur mbi idealizmin dhe pasionin e qindra të rinjve që besojnë në një kauzë, ia ka dhënë asaj tashmë një pasaportë të pastërtisë morale. Çdo veprim i tepruar në këtë drejtim, vetëm e kalon sensin e masës dhe e dëmton sinqeritetin e kësaj lëvizjeje. Askush nuk ka nevojë për një dëshmi prej 70 mijë eurosh për t’u bindur se Vetëvendosja nuk ka mjetet e duhura financiare për t’u ndeshur me partitë e mëdha në Kosovë.
Nga ana tjetër, sakrifica personale e Albin Kurtit, nuk i shton asnjë peshë figurës së tij morale dhe nuk e fuqizon më tepër si një lider popullor. Përkundrazi, ngre pikëpyetje mbi sinqeritetin elektoral të gjestit të tij. A duhej vërtet ta shiste banesën Albini dhe nëse po, përse nuk e bëri këtë në heshtje, pa përcjellje mediatike? A kishte mundësi të tjera Vetëvendosja, tani që ka edhe biznesmenë në listën e saj, për t’i siguruar ato para? Sigurisht që po. Mund të ishte zgjedhur edhe heshtja ose të tjera mundësi për të përballuar fushatën. Por është e qartë që në këtë veprim të fundit, lideri i Vetëvendosjes ka llogaritur më shumë efektet zgjedhore se sa ato parimore. Me një veprim populist, si ato liderëve të njohur që ulen gju më gju me popullin, ai ka tentuar të prekë ndjeshmërinë dhe të fitojë simpatinë e elektoratit. Mund të jetë një taktikë efikase, por tepër delikate, sepse luhet në kufijtë e ndershmërisë politike. Dhe ndaj një force politike që këtë ndershmëri e ka asetin e saj më të vyer, ndjeshmëria e publikut është tepër e madhe. Çdo teprim do të provokonte efektin e kundërt.
Albin Kurti është një personalitet që ka sakrifikuar jo vetëm për lëvizjen e tij, por për të gjithë Kosovën. Ai e ka treguar këtë dhe nuk ka nevojë për dëshmi si kjo e fundit në pasaportën e tij politike. Ato mund të sjellin vota momentale, por jo ide e vizione për një lider të së ardhmes. Nga Albin Kurti njerëzit presin të shtohen banesat në Kosovë, e jo ta shohin atë pa banesë. Kjo, veç simpatisë apo dyshimit në sinqeritetin e tij, nuk do të sillte asnjë ndryshim në jetën e tyre. (nga Armand">Armand Shkullaku">Shkullaku)
Shtuar më 20/11/2010, ora 07:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori