Një president nga mazhoranca
Albeu.com
nga Edi Lesi Teza që kreu i shtetit të vijë nga radhët e mazhorancës ka ngjallur shumë debat. Disa opinionistë kundërshtojnë, duke thënë se Presidenti duhet të vijë si kompensim, pra i takon opozitës. Kjo ide tingëllon interesante. Teorikisht qëndron, dhe nuk është e vështirë të vishet me argumenta. Megjithatë, nisur edhe nga praktika konkrete vijmë tek një kundërshti. Meqënëse mazhoranca ka qeverinë, atëherë opozita të mbajë kryetarin e shtetit. Pra të gjithë në pushtet. Kështu gjendemi para paradoksit. Qytetarët e caktojnë një herë në 4 vjet se kush duhet të drejtojë vendin. Eshtë verdikti i tyre që prevalon mbi teoritë.

Mirëpo, dihet se me kalimin e kohës, dhe me gjasë kështu do të jetë edhe në të ardhmen, asnjë parti nuk do të arrijë në Shqipëri një sukses plebishitar në zgjedhje, që të ketë mundësitë të zgjedhë edhe Presidentin. Kështu që konsensusi i opozitës në parlament për kreun e shtetit është një imperativ i pashmangshëm. Nëse nuk do të zgjedhë ta fusë vendin në kriza që pasojnë zgjedhje të parakohëshme, ajo që mund të bëjë minoranca është që të imponohet për cilësitë dhe integritetin e kandidaturës që vjen nga mazhoranca.

Performanca e Presidentit aktual, e bën edhe më llogjik faktin që kreu i shtetit duhet së pari të jetë një product i vullnetit të shumicës. Përndryshe, opozitat në vend do të kenë gjithnjë në dorë një pushtet të pakufi. Që ka të bëjë me bllokimin e qeverisjes. Konkretisht, kemi parë se Presidenti, megjithëse konsiderohet honorifik nga kompetencat, ka pasur shumë në dorë të stopojë dhe të ulë ritmet e ekzekutivit. Që nga mosdekretimi i ambasadorëve, dhe deri tek dështimet e njëpasnjëshme të qeverisë për të bërë reforma në drejtësi. Dhe këtu nuk është fjala për palët aktuale. Por për premisa potenciale në cdo rast dhe për këdo që do të jetë në pushtet, apo në opozitë.

Pa asnjë dyshim, Presidenti ka një rol balancues, dhe do të ishte lajthitje për cdo kënd që të kërkonte një President palë me qeverinë. Ai është një garanci që i kalon kufinjtë e mazhorancës. Megjithatë, kjo prerogativë deri tani ka lejuar statukuonë. Statukuonë në shumë sektorë që në një farë mënyrë varen pashmangshmërisht nga kreu I shtetit. Dhe kjo nuk pajtohet me atë që qëndron në krye të hirearkisë së të gjithë posteve dhe funksioneve, që është vota e qytetarëve.Kur i drejtohen kutive të votimit, ata që votojnë e bëjnë kryesisht sepse duan dhe kërkojnë ndryshim. Kështu ndodhi edhe me 3 korrik.

Ndërkohë që ndryshimet e vërteta dhe thelbësore pak kanë ndodhur. Dhe ndryshimet që kanë munguar tërësej janë në drejtësi, një fushë ku Presidenti ka një rol të padiskutueshëm. Këto rrethana e bëjnë edhe më të pranueshme tezën, që Presidenti, duhet më së pari të burojë nga mazhoranca. Gazeta start
Shtuar më 20/03/2007, ora 14:31
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori