Nis me “diplomaci fluturuese”. Fundi mund të jetë i tipit të Rambouillet
Albeu.com
Pas takimit të djeshëm të treshes ndërkombëtare për negociatat e reja 120 ditësh për statusin e Kosovës me drejtorët politikë të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit, mësohet se hapi i parë në këtë proces do të ec nëpërmjet “diplomacisë fluturuese”, Prishtinë-Beograd.Ndërkohë, i dërguari i Bashkimit Evropian në bisedimet e reja për Kosovën, Wolfgang Ischinger, ka thënë se mosarritja e një marrëveshjeje për statusin e ardhshëm të Kosovës do të jetë përgjegjësi e udhëheqësve shqiptarë dhe serbë të Kosovës dhe se bashkësia ndërkombëtare po i ofron, ndoshta, shansin e fundit, Serbisë dhe Kosovës, për të arritur një marrëveshje për pavarësinë e Kosovës.

Sipas Ischingerit dhe ambasadorit amerikanë, Frank Wisner, pjesë e treshes ndërkombëtare, takim i mbrëmshëm në Londër nuk ka prodhuar ndonjë platformë të re bisedimesh dhe se ende nuk ka ndonjë propozim të ri.

Plani i Martti Ahtisaarit, për pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën është ende në shqyrtim, ka thënë Ischinger, duke shtuar se treshja nuk do të bëjë propozime të reja derisa ky plan do të jetë në tavolinë.

Ndërkaq, sipas B92, e cila thirret në burime diplomatike pjesëmarrëse në takimin e Londrës, thuhet së gjatë këtij takimi ka mbizotëruar qëndrimi se nga serbët dhe shqiptarët e veçmas nga Beogradi duhet të kërkohen propozime të reja të cilat do të dalloheshin nga plani i Ahtisaarit.

Sipas këtij burimi, në një fazë, bisedimet do të ecin përmes diplomacisë fluturuese e më vonë, shqyrtohet mundësia që palët të vazhdojnë bisedime të drejtpërdrejta si dhe ideja për organizimin e një konferencë, të ngjashme me atë të Rambouillet.

Treshja ndërkombëtare pritet që sot të mbërrijë në Beograd ku do të ketë takime me krerët e shtetit serb. Serbët insistojnë se ky takim nuk shënon fillimin e bisedimeve të reja por procesin e formimit të rregullave dhe parimeve të qarta për bisedimet.

Pas Beogradit, treshja vjen të shtunën pasdite në Prishtinë, ku do të ketë takime me zyrtarët vendorë e ndërkombëtare. Të dielën pritet të mbajnë edhe një konferencë për media.
Shtuar më 10/08/2007, ora 17:13
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori