Nga tranzicioni në tranzicion
Albeu.com
Burim Ramadani*Nga tranzicioni, përmes tranzicionit, për në tranzicion. Ky mund të jetë formulimi përshkrues për situatat që kalon shoqëria kosovare që nga përfundimi i luftës në qershor të vitit 1999.I.

Nga tranzicioni, përmes tranzicionit, për në tranzicion. Ky mund të jetë formulimi përshkrues për situatat që kalon shoqëria kosovare që nga përfundimi i luftës në qershor të vitit 1999. Duke huazuar elementet kryesore të formulimit për demokracinë nga ish-presidenti amerikan, Abraham Lincoln (nga populli, prej popullit, për popullin), interpretimi i karakteristikave të përvojës së shoqërisë së Kosovës mund të jetë pothuajse unik. Prej një faze mjaft të gjatë që është vlerësuar si tranzicion i pasluftës, përmes një faze të re shumë më të shkurtër prej 120 ditësh, pas miratimit të Rezolutës së re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kosova do të futet në një fazë tjetër të tranzicionit. Stadi i ri tranizitor nënkupton përmbushjen e vendosjes së statusit të shtetit të pavarur të Kosovës, nën mbikëqyrjen e bashkësisë ndërkombëtare. E tërë kjo do të thotë se qytetarët e Kosovës, përkatësisht shoqëria kosovare është e lodhur nga mundimet sociale e politike për një kohë të gjatë. Nëse nuk llogaritet një tranzicion i llojit tjetër nga viti 1989 deri në vitin 1999, shoqëria kosovare pas tetë vjetësh tranzicioni po përgatitet për të hyrë në një fazë të re tranzitore, që do ta përgatiste atë për fazën e ardhshme po ashtu tranzitore. Vazhdimi i mundimeve sociale e politike për kosovarët, do të thotë nevojë për politika më të avancuara.


II.

Në kohën kur iu dha fund okupimit serb mbi Kosovën që kishte kaluar në tentim-gjenocid, kosovarët u futën në ‘jetën e re‘ të lodhur dhe fragmentuar përbrenda. Faza tranzitore prej vitit 1999 deri më 2007 doli të ketë ngritje dhe rënie të shpeshta të motivit për progres dhe besim në politikën si proces. Tri vitet e para filluan me një angazhim të përgjithshëm. Pos rifillimit të jetës së rregullt të qytetarëve kosovarë, filloi edhe periudha e ndërtimit të institucioneve vendore lokale e qendrore. Të përshkruara në fillim me një entuziazëm të lartë, institucionet vendore u ballafaquan me mungesë të kapaciteteve, përvojës dhe mbi të gjitha me mungesë të kompetencave për punët të cilat qytetarët kërkonin të kryheshin. Kjo shkaktoi rënien e motivit dhe rriti pakënaqësitë e që, së bashku me padurimin për moszgjidhjen e statusit të vendit, kulmoi në mars 2004. Pas pak kohe, rifilloi faza e përpjekjeve dhe politikave për të tejkaluar këtë fazë, ndërsa me këtë u afrua koha e fillimit të diskutimeve mbi statusin final të vendit. Kosovarët i janë rrekur këtij procesi me seriozitetin më të madh, për shkak të një entuziazmi të lartë, gjë që ishte paraqitur publikisht pas raundeve të para të bisedimeve në Vjenë. Ky nivel i kënaqësisë me procesin pësoi rënie dhe në kundërshtim të procesit dy veta u vranë në Prishtinë, ndërsa kthimi i entuziazmit mund të arrihet me shpalljen e pavarësisë.


III.

Ndonëse ditët e para të pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së saj nga bashkësia ndërkombëtare do të duken të veçanta për historinë tonë, puna që pritet të bëhet në katër muajt e parë është mjaft voluminoze. Atëherë fillon faza tranzitore prej 120 ditësh, gjatë së cilës të pothuaj të gjitha kompetencat nga administrata ndërkombëtare do të kalojnë në institucionet vendore. Kësaj i shtohet edhe një numër i madh i obligimeve që kosovarët duhet të përfundojnë për këtë kohë të caktuar. Një numër i madh i ligjeve duhet të draftohen e miratohen, duhet të vendoset për Kushtetutën, simbolet shtetërore të vendit, ndërsa në këtë grumbull përfshihen edhe ligjet e rëndësishme të shtetit, siç është ligji për zgjedhjet, ai që vë kornizat për riorganizimin territorial, përkatësisht qeverisjen lokale. Sidoqoftë, askush nuk e mohon punën e madhe që duhet bërë gjatë këtyre 120 ditëve, porse askush nuk e përmend se ku dhe si do të përballet me tërë këtë qytetari i Kosovës. Sigurisht se do të duhet të ketë një mirëkuptim nga ana e qytetarëve për fazën e mbushur me plotë detyra e punë për katër muaj rresht. Pozita e qytetarit të Kosovës në ditën e parë të pavarësisë, sikurse edhe në ditën 121 të pavarësisë, do të jetë pothuajse e njëjtë me atë të sotme. Duhet pasur të qartë se, derisa institucionet vendore do të kenë për qëllim marrjen e përgjegjësive, qytetarët duan të avancojnë në statusin e tyre.


IV.

Ndërkohë që përfundon faza tranzitore 120-ditëshe, qytetarët e Kosovës do të përballen me fillimin faktik të fushatës parazgjedhore nga partitë politike të vendit. Kështu, ata do të ballafaqohen me fillimin e një faze të re tranzitore për implementimin e vendosjes së statusit të Kosovës. Mandati i institucioneve aktuale pavarësisht nga përbërja e tyre, do të jetë i drejtuar kah fillimi i zbatimit të vendosjes mbi statusin. Më pas, zgjedhjet që do të mund të mbahen më së largu nëntë muaj pas Rezolutës, do të vendosin se kush do të vazhdojë zbatimin e vendosjes. Mandati i qeverisë së parë të paszgjedhjeve do të jetë zbatimi i Pakos së Ahtisarit. Vetëm me një angazhim tejet konkret do të mundësojë zbatimin e këtyre obligimeve për një mandat qeverisës. Mosarritja e kësaj do të ngjallte reagime dhe pakënaqësi të qytetarëve të Kosovës. Askush nuk do ta ketë të lehtë të durojë fillimin dhe mbarimin e një faze të re tranzitore nëse ajo do të zgjatet. Problemet sociale do të mund të kalojnë në kriza sociale dhe politike në vend, prandaj pas statusit udhëheqja e Kosovës duhet të jetë e konkretizuar në veprimet e veta dhe e fuqishme në implementimin e politikave. Tranzicioni i ri megjithatë nuk dihet se kur mund të përfundojë. Shoqëritë postkomuniste dhe post-konfliktuale e dinë kur futen në tranzicion, por nuk e dinë se kur do të mund të dalin nga tranzicioni.

*Autori është Këshilltar Politik i ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës dhe pjesë e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës.
Shtuar më 18/04/2007, ora 14:46
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori