Nga Haga ne Shkup
Albeu.com
nga Jahi Jahiu Tetë vjetë pas konfliktit në Maqedoni, plagët e kësaj lufte vazhdojnë të mbesin të hapura. Në momentet kur partitë politike shqiptare në vazhdimsi insistojnë në nxjerrjen e Ligjit për invalidët dhe familjet e dëshmorëve të rënë në këtë konflikt, Qeveria e Maqedonisë zhvendos vëmendjen në një problem tjetër.
Kthimi i katër rasteve të Hagës në Maqedoni për mungesë faktesh, në vend nxiti debatin mes palës shqiptare dhe asaj maqedone lidhur me autoritetin e gjykatave të vendit për ngritjen e padisë penale ndaj të akuzuarve në këto katër raste. Tensioni u shtua edhe më shumë kur në mesin e të akuzuarve u gjenden edhe dy deputetet e BDI-së në parlamentin e Maqedonisë, për të cilët Gjykata kërkoi heqjen e imunitetit të deputetit.

Argumentet pro dhe kundër mes opinionit shqiptar dhe atij maqedon filluan me interpretimin e Ligjit për amnesti i miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë në mars të vitit 2002. Në nenin 1 të këtij Ligji thuhet “Me këtë Ligjë lirohen nga përndekja, ndërpriten procedurat penale dhe në mënyrë të plotë lirohen nga vuajtja e dënimit qytetarët e Republikës së Maqedonisë, personat me qëndrim si dhe personat që kanë prona apo familje në Republikën e Maqedonisë për të cilat ekzistojnë dyshime se kanë përgatitur apo kanë kryer vepra penale të lidhura me konfliktin e vitit 2001„. Ndërsa në paragrafin e fundit të këtij neni thuhet se “ky ligj nuk vlenë për personat të cilët kanë kryer vepra penale gjatë konfliktit të cilat janë në kompetenca të Tribunalit Ndërkombëtar për përndekjen e personave përgjegjës për vepra të rënda në të drejtën humanitare ndërkombëtare”.

Pala shqiptare, pikërisht duke ju referuar neneve të këtij Ligji, insiston se të gjitha rastet që lidhen me konfliktin ushtarak të viti 2001 mund të trajtohen vetëm nga Tribunali i Hagës. Fakti se këto raste janë kthyer nga ky Tribunal në munges faktesh, sipas tyre këto raste duhet të jenë të mbyllura.

Opinioni maqedon, duke përfshirë këtu edhe prokurorin e vendit, këmbëngul se këto katër raste nuk janë të përfshira në Ligjin për amnesti dhe se gjykatat e Maqedonisë kanë të drejtë që të fillojnë procedurë për ndjekje penale ndaj të akuzuarve në këto raste.

Është fakt se nëse referohemi tek Ligji, e vërteta qëndron në anën e shqiptarëve. Sepse në asnjë nen të këtij Ligji nuk thuhet se edhe Gjykatat e vendit janë kompetente për trajtimin e rasteve të konfliktit të vitit 2001, por përkundrazi, gjykatat e Maqedonisë me këtë ligj plotësisht përjashtohen nga e drejta e proçesimit të këtyre rasteve.

Por beteja e rasteve të Hagës, përveç aspektit të interpretimit ligjor nga dy palët, lidhet edhe me reperkusionet tjera që mund të ndodhin në rast trajtimit ose jo të këtyre rasteve. E para, për palën shqiptare nëse fillon proçesimi i këtyre rasteve nga gjykatat e vendit, në një nga këto rastet përfshihet edhe udhëheqsia e ish-UÇK-së në Maqedoni. Një pjesë e madhe e kësaj udhëheqsie është vetëm më e angazhuar politikisht në jetën politike në Maqedoni dhe fillimi i hetimeve ndaj tyre mund të ketë pasoja politike në vend. E dyta, nëse gjykatat shpallen si kompetente për këto raste, atëherë shtohet rreziku se këto gjykatа mund të hapin edhe raste të tjera kundër shqiptarëve të lidhur me konfliktin e 2001. E treta, duke marë parasysh faktin se qeveria e Maqedonisë drejtohet nga partia VMRO-DPMNE e cila ishte drejtpërsëdrejti pjesëmarrëse në konlikt, pala shqiptare frikohet se përshkak të presionit të brendshme, me apo pa fakte, epilogu i këtyre proçeseve do të rezultoj me dënime kapitale.

Sa i përket palës maqedone, gjykimi i këtyre rasteve do të jetë mbi të gjitha një hap historik. Dënimi i Tarçulloviçit nga Tribunali i Hagës me 12 vjet heqje lirie për shkak të pjesmarrjes në masakrën e Lubotenit në rethinën e Shkupit, më shumë se një dënim ndaj një individi, paraqet një përgjegjësi historike për palën maqedone kundër civilëve shqiptarë. Prandaj, për të mos mbetur të vetmit përgjegjës ndaj krimeve të rënda kundër njerzimit, qeveria e Maqedonisë do të përpiqet që përmes përndekjes penale të të akuzuarve në këto katër raste, ti nxjerr edhe shqiptarët si kryerës të veprave në kundërshtim me Ligjet e luftës.

Në momentet kur qeveria e kryesuar nga VMRO-DPMNE ka një shumicë prej mbi 51 përqind në kuvendin e Maqedonisë dhe nuk ka nevojë për asnjë votë të deputeteve shqiptarë për të qeverisur vendin, ekzistojnë shanse të mëdha që të filloj procedura penale ndaj këtyre katër rasteve. Prandaj pala shqiptare në këto momente, përveç insistimit në interpretimin e Ligjit të amnistisë në nivel ekspertash, duhet të mendoj edhe për hapat politikë në drejtim të parandalimit të këtyre padive. Në këto momente është për tu përshëndetur fakti se të gjithë partitë politike shqiptare, opozita apo pozita, janë kundër hapjes së këtyre rasteve nga gjykata e vendit. Por përveç kësaj, subjektet politike shqiptare duhet të bashkohen në krijimin e një qëndrimi të përbashkët politik lidhur me këto raste. (G. Start)
Shtuar më 28/10/2008, ora 14:29
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori