Nexhmija Hoxha: Ahmet Zogu hodhi bazat në ndërtimin e një shteti të ri
Albeu.com
Në një intervistë ndryshe, për “Gazetën Shqiptare”, 87 vjecarja Nexhmije Hoxha pranon të rrëfejë intimitetet e jetës së saj me Enverin dhe detajet më pikante të gjithë këtyre viteve. Ja intervista e plote ...nga Rezarta Delisula

Nexhmije Hoxha në moshën 87- vjeçare po organizon bashkë me familjen 100- vjetorin e bashkëshortit të saj. Është e emocionuar, sidomos pas pritjes që Ilirit, djalit të saj dhe bashkëshortes së tij, Teutës, i bënë në Kosovë me rastin e kësaj përkujtimoreje të rëndësishme. E në këtë kuadër, ka gjetur kohë të kthehet pas, të kujtojë vitet me bashkëshortin e saj, por edhe ato të dhimbshmet pa të, ku veç të tjerave, iu desh të përballonte edhe burgun. Në një intervistë ndryshe, për “Gazetën Shqiptare”, Nexhmije Hoxha pranon të rrëfejë intimitetet e jetës së saj me Enverin dhe detajet më pikante të gjithë këtyre viteve.

Si e prisni 100-vjetorin e lindjes së Enver Hoxhës?
Këtë vit, ditëlindjen e Enverit e presim me emocione të forta, sepse më 16 tetor të 2008-ës, mbushen 100 vjet nga lindja e tij në Gjirokastër. Përkujtimi i 100-vjetorit për një ngjarje të shënuar historike ose një personazh të shquar politik, letrar etj, ka një rëndësi të veçantë në historinë e një vendi, në rrethe shoqërore të caktuar ose për familjen e vet të interesuar. 100-vjetori s’është njësoj si festimet e ditëlindjeve jubilare, dhjetëvjeçare, 50-75 etj, 100- vjetorin e një ngjarjeje a personaliteti, çdo njeri e jeton vetëm një herë në jetë. Mbushet një shekull. Për sa i përket Enverit, emocionet e mia e të familjes sime nuk janë të lidhura me dëshirën që zemrat tona do të donin, që ai të rronte 100 vjet, siç uron zakonisht populli; U bëfsh 100 vjeç, pasi natyrisht do të donim të kishte rrojtur shumë më gjatë. 76 vjet është mesatarja e jetës. Por sëmundja e diabetit me konsekuencat e tij në zemër... të një personi me ngarkesë pune tejet intensive dhe e gjithanshme përgjatë 50 viteve, ia shkurtoi jetën. Po për mua dhe familjen, siç besoj edhe për shumë shqiptarë në vend dhe në trevat shqiptare matanë kufijve shtetërorë, Enveri rron në mendjet e në zemrat tona.

Ju vjen keq që institucionet shtetërore e kanë shpërfillur 100-vjetorin e Enver Hoxhës?
Sigurisht që më vjen keq e mendoj se është i gabuar politikisht dhe historikisht një qëndrim i tillë, sepse sidoqoftë Enver Hoxha si një udhëheqës kryesor për çlirimin e atdheut dhe si udhëheqës për afro gjysmë shekulli në drejtimin e shtetit, ka një vend në histori. Meqë nga ana e institucioneve shtetërore dhe shoqatave kulturore nuk po bëhet gjë, atëherë familja ka marrë përsipër të përkujtojë në mënyrë të denjë këtë datë të shënuar, jo vetëm për familjen, por edhe për popullin shqiptar.

Mendoni se është i drejtë pretendimi juaj?
Patjetër që është i drejtë, sepse sikurse thashë më lart ai ka pasur rol dominant jo vetëm në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, por edhe në ndërtimin e shtetit të ri. Në sajë të përpjekjeve të tij, shoqëria shqiptare feudale kaloi në shoqëri të zhvilluar e emancipuar. E të gjitha këto s’kanë se si të mohohen.

Po tek simpatizantët e Enver Hoxhës, ndjehet atmosfera e festës?
Me sa kam dijeni unë, në të gjitha rrethet e vendit, dashamirës të Enverit po përgatiten të përkujtojnë 100- vjetorin e tij. Simpatizantët kanë përgatitur dhe suvenire kushtuar këtij momenti. Me sa jam në dijeni, një veprimtari e gjerë po zhvillohet dhe jashtë vendit. Emigrantët e SHBA-së na kërkojnë të vendosim dy kurora te varri i Enverit në emër të tyre, madje kërkuan që një nga familja të shkonte atje me shpenzimet e tyre për të folur mbi Enver Hoxhën. Në Zyrih të Zvicrës, do të zhvillohet një tubim i madh i të gjithë shqiptarëve në Evropë. Po kështu, janë organizuar disa emisione televizive në televizionet lokale të Francës e Italisë për figurën e Enverit. Madje ja e kam këtu DVD që më sollën nga Italia për emisionin e shfaqur në datën 4 tetor 2008. Këto i kanë drejtuar dhe komitetet për lirimin tim. Ne si familje i kemi ftuar këta miq të jenë prezentë nga data 14 deri më 16 tetor, ndër ta heroin antifashist të Luftës së Dytë Botërore, grekun Manolis Glezos, i cili është në një moshë të thyer e nuk e dimë në mund të vijë, Martin Moir, aristokratin anglez që i dhuroi arkivit të shtetit koleksionin me pllaka gramafoni të tijin dhe të babait të tij, duke e renditur Shqipërinë të dytën në Evropë pas Austrisë, me këtë pasuri, përfaqësues të partive komuniste si dhe ata brazilianë, të cilët do të priten nga familja.

Si festoheshin ditëlindjet e Enverit, tuajat e të fëmijëve?
Në vitet e para të krijimit të familjes tonë, nuk festohej as ditëlindja e Enverit dhe as e imja. Si duket vazhdonte zakoni që në familjet myslimane nuk festohej ditëlindja. Unë s’mbaj mend që në rininë time të jetë festuar ndonjëherë ditëlindja ime si në familje e në shoqëri. Por më vonë, kur lindën fëmijët filluam të organizojmë ditëlindjet e tyre, dhe si duket atëherë u kujtuam të festojmë edhe tonat. Enverit s’i pëlqente festa e ditëlindjes, shqetësohej e nervozohej. Asnjëherë në shtëpinë tonë në këto raste nuk organizoheshin dreka për shoqërinë, por vetëm brenda familjes. Kurse në fillim, ishin shokët e byrosë ata që organizuan darkë shoqërore bashkë me familjet tona. Por s’kaloi shumë dhe Enveri i refuzoi këto festa, e s’duronte dot dollitë. Enveri ditëlindjen time e harronte gjithnjë e kur vinte ndonjë nga shoqet apo shokët për të më uruar, ai gjendej ngushtë dhe e kalonte me shaka, sikur ai e dinte dhe më vonë ngarkoi shoqet e mia, si Viton, ta lajmëronte. Kur u rritën fëmijët, ai i mblidhte rreth vetes që të bënin vizatime e të shkruanin letra për mua, mamanë e tyre. Pranvera që ishte më e vogël, s’më lejonte të hyja se e kishin surprizë. Në fakt, festimet zyrtare të ditëlindjes së Enverit janë bërë pas vitit ’60, kur filloi organizimi i vizitave të delegacioneve nga rrethet që vinin në shtëpi. Në kujtesë më ka mbetur e pashlyeshme 75- vjetori që u bë në Pallatin e Brigadave, ku u ftuan shokët e tij më të vjetër, drejtorët e shkollave ku kishte mësuar, profesorët e tij dhe veteranët e luftës, dhe me të vërtetë takimi qe emocionant.

Po dhurata shkëmbenit?
Për të bërë shaka unë i thosha; s’më bëre asnjë dhuratë, e ai më thoshte; ti i ke lekët, bli çfarë të duash. Mbaj mend që si dhuratë nga ai kam marrë dy sahate, një gjatë kohës së luftës e një për 60-vjetorin tim. Në çdo ditëlindje ai më dërgonte letra të gjata dhe unë i ruaj edhe sot, sepse për mua janë një kujtim i shtrenjtë, ose më ka dorëzuar dorëshkrimet e tij të kujtimeve të vegjëlisë e kujtimeve të rinisë. As unë nuk i kam bërë peshqeshe, madje as letra siç mi shkruante ai. Isha e rezervuar në këtë drejtim.

Pse?
Sepse unë ndjenjat e mia intime ia shprehja me përkushtimin tim, jo me letra.

Një jetë me Enver Hoxhën. Çfarë ju mungon më shumë te ai?
Më mungon i tëri, fizikisht e shpirtërisht, po më shumë bashkëbisedimi me të. Më mungon sa herë gjendem përpara problemeve të mëdha politike që ngjasin në vend dhe s’gjej e s’i jap dot përgjigje. E ndiej shumë nevojën e bashkëbisedimit dhe mendimit të tij, që e kishte gjithnjë të drejtë e të saktë. Më mungon në çastet e gëzimit kur më rrethojnë nipër e mbesa, stërnipër e stërmbesa, duke kujtuar sa i donte ai fëmijët, aq sa kur kishte nevojë për pushime dhe i sugjerohej të ikte larg punëve të përditshme, ai thoshte jo; “Më mirë ndjehem në shtëpi ku kam bibliotekën e fëmijët”.

Ju kishit mundësi që menjëherë pas rënies së regjimit të iknit larg Shqipërisë. Ju ka shkuar ndonjëherë ndër mend?
Raste për të ikur unë kam pasur dhe propozime më janë bërë nga Italia, Greqia e për të shkuar në shumë vende të tjera në Evropë ku kisha miq e shokë. Por një fakt është që unë për vete s’largohesha në asnjë mënyrë nga Shqipëria dhe varri i Enverit, sepse ky është vendi im. Kurse fëmijëve të mi iu kisha thënë se janë të lirë të zgjedhin e të iknin bashkë me familjet e tyre, por asnjëri nga të tre nuk pranoi që të më linin vetëm mua. Por fëmijët e tyre për një kohë të shkurtër u larguan nga Shqipëria, i morën miqtë andej, por edhe ky emigracion s’vazhdoi gjatë se ata ishin të vegjël dhe u rikthyen të gjithë. Megjithëse dua të them që ata kanë vuajtur edhe më shumë se ne të rriturit, sepse ishin nëpër shkolla e shpesh i kërcënonin.

Pas vitit ’90 ju u dënuat ashtu sikurse dhe shumë drejtues të tjerë të asaj kohe. E mbani mend akuzën?
Akuza ka qenë për shpenzime të mëdha e për shpërdorim detyre, por i gjithë procesi i hetimit dhe i gjykimit tregoi se ky ishte një vendim që u mor direkt nga Sali Berisha. Në fakt ishte me karakter politik për të kënaqur të përndjekurit dhe mendoi se me akuzën që mu bë të diskreditohej Enver Hoxha, familja e tij dhe më gjerë.

A ju kishte shkuar ndër mend që mund të gjykoheshit pas ndryshimeve të ndodhura në sistemin politik?
Mua s’më kishte shkuar kurrë ndër mend që mund të burgosesha, se nuk e ndieja veten fajtore. Kisha pranuar ndryshimet që po realizoheshin në vend, natyrisht për të qenë e sinqertë jo me dëshirë, por si një nevojë për të evituar konfrontime dhe gjakderdhje, por duke menduar gjithnjë se në pluralizmin që po vendosej Partia e Punës, dakord që nuk do të ishte në rolin udhëheqës sanksionuar me kushtetutë, por ishte partia më e vjetër, si në organizim dhe me rezultate konkrete në dobi të popullit.

Si shkoi procesi juaj gjyqësor?
Kur mu bë thirrja për në hetuesi, në bazë të respektimit të ligjeve nuk refuzova të paraqitem e të përgjigjem. Që në vajtjen e parë, kërkova të bëj një deklaratë proteste për këtë thirrje në hetuesi, megjithatë në kushte shumë të vështira të atmosferës së asaj kohe shkova në 12 seanca. Natyrisht, unë duhej të përfaqësohesha nga një avokat, por në 7 raste, avokatët që kërkova më refuzuan. Në mes tyre ishin dhe njerëz që i njihja dhe që ishin miq, por frika ishte e tillë në atë periudhë sa ata e hëngrën turpin me bukë dhe më kërkuan falje duke thënë se s’mundeshin. Miqtë tanë jashtë e ndiqnin gjendjen në Shqipëri dhe persekutimin e familjes tonë dhe më propozuan të pajtonin ata një avokat si nga Franca, ashtu edhe nga Italia, por unë nuk pranova që të mos ofendoja avokatët tanë. Kështu që u vetëmbrojta. Më në fund u caktua një avokat nga Ministria e Drejtësisë, por që doli të ishte një avokat i mirë dhe ne punuam së bashku.

Po deklaratën në formë proteste për thirrjen tuaj në hetuesi, e bëtë?
Ata më premtuan se në fund të hetimeve unë do ta bëja deklaratën e protestës, por në mënyrë të pabesë dhoma ku ndodhesha u mbush me policë dhe më njoftuan arrestimin, madje pa njoftuar familjen time, më futën në burg. Në një furgon me 13 policë më dërguan te 313 dhe gjithë kësaj kohe me gjithë presionin që kisha, ruajta gjakftohtësinë dhe u kërkova punonjësve të burgut të lajmëronin familjen. Pikërisht sa hyra, u thashë atyre që më shoqëronin e më pritën se: Po hyj në këtë derë ku as fashistët që më dënuan me 13 vjet burg, s’arritën ta bëjnë këtë. Tre herë u ndryshua akt-akuza, u mbajta më shumë se një vit pa dalë në gjyq dhe siç është e njohur, gjyqi qe një farë që i doli boja dhe u quajt “gjyqi i kafeve”. Dhe sot dëgjoj se kjo është bërë një sinonim i gjyqeve të trilluara.

Si ishin vitet e burgut për gruan e Enver Hoxhës?
Më lejo të mos përgjigjem, sepse duhet të merrem me 5 vjet të tilla, me pesë vjet të jetës sime në 3 burgje, deri te ai i sigurisë së lartë në Tepelenë ku unë isha e vetmja grua në mes të burgosurve kriminelë.

Kosova thuhet se ka qenë pengu i Enver Hoxhës. Sa ka qenë angazhimi i tij në çështjen e Kosovës dhe sa e keni ndjerë ju si njeriu më i afërt?
Angazhimi i Enverit për Kosovën ka qenë i pandarë nga ai për Shqipërinë. Ishim dy vende të ndara nga pikëpamja institucionale, por nga të gjitha pikëpamjet e tjera, shpirtërore, tradicionale, ishim një, se një ishte gjuha, gjaku, historia e përbashkët shekullore. Në të gjithë strategjinë politike që përpunoi Enver Hoxha për marrëdhëniet mes Shqipërisë e Jugosllavisë, ku bënte pjesë Kosova e trojet e tjera shqiptare, por edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare me vendet e tjera, përfshihej në plan të parë edhe mbrojtja e interesave të shqiptarëve të Kosovës, si etniteti më i madh. Enveri këtë e bëri që në hapat e para kur u angazhua në funksione politike në krye të Partisë e të frontit nacional çlirimtar dhe të shtetit, e deri në fund të jetës së tij. Këtë ai e bëri jo vetëm nga pozita e funksioneve zyrtare, por e bëri me gjithë shpirt e zemër, i edukuar që në familje me ndjenja atdhetare dhe nuk mund të ishte ndryshe për derisa gjyshi i tij, Beqir Hoxha, kish qenë anëtar në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, si i deleguar i Gjirokastrës dhe është dekoruar nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë, bashkë me të tjerët, duke treguar gjatë gjithë jetës se ishte një bir i denjë i kombit shqiptar... Kontributi këmbëngulës i Enverit në këtë çështje jetike ka qenë vendimtar. Zhvillohej një korrespondencë e dendur në mes udhëheqjes shqiptare të Partisë e të frontit me shokët në Kosovë. Kur një nga udhëheqësit kryesor të Kosovës i shkruante Enverit; “Le të vijë kush të dojë, veç jugosllavët të më hiqen qafe”, Enveri i përgjigjej që këtyre njerëzve me zemër të pastër, atdhetarëve, por të turbulluar u duhet shpjeguar qartë e me durim se “ky kush të dojë”, ishte nazifashizmi, e keqja e madhe kundra së cilës ishin ngritur fuqitë më të mëdha të botës, në aleancë antifashiste, SHBA, Bashkimi Sovjetik dhe Anglia. Edhe kur u largua nga Tirana në fund të 1942-shit, për të organizuar në malësi, njësi më të mëdha ushtarake partizane, Enveri vazhdoi të mbante lidhje me udhëheqësit shqiptarë të Kosovës. Edhe për këtë ai përdorte të gjitha rastet e mundësitë që paraqiteshin, mësues që shkonin e vinin, merrte korrierë “specialë”, ai ka përdorur dhe njohjet e mia me shoqe kosovare, ish-nxënëse të Institutit Femëror të Tiranës, dhe kam letra ku më ngarkon t’u përcjell këtyre shokëve, letra të tijat të mbyllura me shuma të hollash në ndihmë të komitetit, ose nuk mund ta di, ndoshta për të blerë dhe mjete që i duheshin luftës. Gjesti suprem që kurorëzoi këto lidhje vëllazërore qe urdhri i Enverit si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Popullore Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë, që dy nga divizionet më me përvojë të kalonin në Kosovë, në ndihmë të reparteve partizane të shqiptarëve përtej kufirit, në bashkëpunim edhe me njësitë partizane të Titos, që me luftime të ashpra ndoqën farën e mbetur naziste deri në Sanxhak, duke lënë mbi 300 dëshmorë. Këtu po e mbyll rrëfimin e këtyre lidhjeve Shqipëri-Kosovë e Jugosllavi, që vazhduan e vazhdojnë me gjithë peripecitë, dilemat, shpresat sa ishte Enveri në krye të Shqipërisë e deri në ditët e sotme kur Kosova me luftën e bijve të saj të shquar organizuan që organizuan Ushtrinë Çlirimtare të udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari dhe me mbështetjen e SHBA-së e disa fuqive të mëdha të Evropës, si dhe forcën ushtarake euroatlantike NATO-n, Kosova u shkëput një herë e përgjithmonë nga Serbia pushtuese e shtypëse gjatë një shekulli e fitoi pavarësinë. Këtë fitore s’e arriti Enveri, por në të janë edhe përpjekjet, këshillat e mbështetja e një jetë të tërë. Ai me veten e tij nuk ishte i kënaqur, megjithëse historia i ka fiksuar çfarë e sa ka bërë Enveri për Kosovën, megjithatë nga shumë faktorë e rrethana i kishte duart lidhur. Prandaj në momentet e rënda të infarktit të parë (tetor 1973), kur ai mendoi se i kishte ardhur fundi, shumë i lodhur dhe i përlotur më la tre amanete, që e para ishte; Më vjen keq që nuk bëra më shumë për Kosovën, pastaj vazhdoi “ruajeni unitetin”, besoj e kishte fjalën për në Parti dhe e treta; Kujdesu për rininë se ajo është e ardhmja e Shqipërisë. Ai rrojti mbi 10 vjet të tjera dhe prapë Kosova e bëri të mbledhë gjithë fuqitë e mbetura e t’i hedhë totalisht në mbështetje të rinisë kosovare, që në demonstratat e mars-prillit 1981 i vuri gjoksin tankeve të ushtrisë serbe, duke kërkuar Kosovën republikë. Aq total qe angazhimi i Enverit, duke ndjekur ngjarjet në Kosovë, e duke shkruar natë e ditë artikuj që u botuan në ‘Zërin e Popullit’, pavarësisht se nuk kishin firmën e tij, aty brenda ishin të gjitha ndjenjat e zjarrta e gjithë forcat fizike të mobilizuara në kult, sa më 17 maj 1981 pati krizën më të rëndë të zemrës. Kur mjekët shumë të shqetësuar kërkonin kontroll të përditshëm, ai u tha: ... E kuptoj që më erdhi nga lodhja dhe emocionet që nuk mund t’i evitoja, siç qenë ngjarjet në Kosovë, ku vranë e po torturojnë vëllezërit tanë.

Në opinionin e përgjithshëm pas intervistës tuaj në televizion, gjëja më e theksuar ishte fakti se nuk u pa pendesë te ju?
Është e natyrshme që çdo njeri të ketë bindjet e veta, ashtu si dhe unë kam bindjet e mia. Me sa lexova në shtyp, shumica e pjesëmarrësve në debate lidhur me intervistën time në televizion, ishin gazetarë. Unë s’dua të polemizoj me ta. Kam respekt për punën që bëjnë, ndjek me interes emisionet e tyre speciale, analistët e opinionistët, i duroj me gjakftohtësi dhe në raste kur shajnë e fyejnë personin tim dhe atë të Enver Hoxhës. Nga deklaratat e tyre në shtyp më duket se ata e kishin kuptuar, drejt se nga unë s’mund të pritej. Unë u shpreha qartë se në ç’rast e ndaj kujt mund të kërkohet falje. Një gjë më bën përshtypje. Si është e mundur që pothuaj të gjithë pjesëmarrësit në debat i gjenin të pabesueshme pohimet e mia për Sali Berishën. Gjithçka thashë për të janë 100 për qind të vërteta. Unë s’thashë se ai është agjent i UDB-së, por thashë për vjehrrën e tij, e cila është me origjinë serbe o malazeze dhe për këtë kishte dokumente të shkruara në dosjen e tij si kuadër komunist, që gjendeshin në arkivin qendror të partisë, të cilin Fatos Nano e dorëzoi në arkivin e shtetit. Më habiti fakti pse ai u mor në mbrojtje për rolin në përmbysjen e komunizmit në vitet ’90, kur këto ditë po çahen ekranet televizive për skandalet e Sali Berishës dhe familjes së tij, me nipër e mbesa, për lidhjet e tij të dyshimta me persona misteriozë, mafiozë të huaj, në qendër të të cilëve doli figura e një serbo-boshnjaku, Damir Fazlliç, i cili qenka jo vetëm mik i Berishës, po i qenka dhënë e drejta të marrë pjesë në mbledhjet e qeverisë dhe ato të sigurisë kombëtare. Para këtij realiteti, sa rëndësi ka të përmendet roli i Berishës në vitet ’90, kur pjesa më e ngritur e koshiente e shoqërisë shqiptare, intelektualë e në radhë të parë gazetarët, po ngrenë zërin në shqetësimin, se ku po e çon Sali Berisha Shqipërinë.

Disa historianë të huaj janë shprehur për rishikimin e historisë dhe rivlerësimin e figurës së Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhës. Mendoni se është e drejtë?
Pse jo? Gjithnjë ka vend për rishikim të historisë për ngjarje të shënuara të popullit ose personazhe të shquar politikë apo në fusha të tjera. Për rishikimin që kërkojnë të huajt, siç thoni ju, unë kam besim te ata historianë e studiues seriozë si Hollidey, Fischer e ndonjë tjetër që i kam lexuar, që kanë shkruar për luftën Nacionalçlirimtare dhe për Enver Hoxhën, që kanë treguar se në përgjithësi janë objektivë, megjithëse kanë qenë më larg realitetit tonë dhe nuk kanë pasur mundësi të konsultohen me një dokumentacion më të plotë. Lidhur me rivlerësimin e figurës së Enver Hoxhës, unë nuk marr përsipër të shpreh ndonjë mendim tjetër të ri nga ai që kam për vlerat e tij e vendin që ka e do të ketë në historinë e Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Më vjen keq që gjatë regjimit të kaluar historianët tanë nuk arritën të përgatisin një monografi të plotë shkencore mbi jetën e veprën e Enver Hoxhës. Kjo ka ardhur edhe për arsye se ai vetë nuk lejoi të shkruhet një biografi zyrtare për të. Pavarësisht se në arkiva e libra të botuar, ka shumë dokumente e kujtime biografike e autobiografike, për sa shohim e dëgjojmë, tani për tani nuk mund të presim të shkruhet diçka serioze, objektive për rolin dhe vendin e Enver Hoxhës në historinë e Shqipërisë. Përkundrazi, në atmosferën tejet të ngarkuar me mllefe të vjetra e të reja, revanshiste, antikomuniste e njëkohësisht antikombëtare, dëgjojmë e po lexojmë në media veç sharje, trillime, falsifikime, duke arritur gjer në absurditete që për të mos përkujtuar 16 tetorin si ditëlindje e Enver Hoxhës, pashë në një gazetë që spostuan ditëlindjen e Ismail Qemalit nga janari në 16 tetor, siç vepruan edhe me datën e çlirimit që për të mos e festuar më 29 nëntor e spostuan më 28 nëntor. Nuk është rasti që po bëhen shumë përpjekje nga disa politikanë e historianë që për të errësuar rolin e Enver Hoxhës në krijimin e shtetit modern republikan, kanë zhdukur datën historike të 11 janarit, kur një Asamble Kombëtare vendosi që Shqipëria nga mbretëri u kthye në republikë dhe si e tillë ajo është pranuar nga OKB dhe si të tillë e njeh Evropa, Amerika e gjithë bota. Partia Demokratike e Qeveria e saj, po të dojë le të bëjë lojën e strucit e të fshehë nën rërë datën e shpalljes së Shqipërisë si Republikë.

Po për Ahmet Zogun?
Pikërisht kjo nuk do të thotë që t’i mohohet Ahmet Zogut, për aq sa ka bërë për hedhjen e bazave në ndërtimin e një shteti të ri. Unë nuk e mohoj faktin që analizat që janë bërë nga ana e regjimit tonë socialist për Ahmet Zogun, janë të njëanshme, duke vënë në dukje vetëm anët negative, që hipi në fronin mbretëror me mbështetjen e mbretërisë jugosllave e forcat e ushtarëve të bardhë rusë, që u shiti këtyre si shpërblim copa të tokës amtare, në Vermosh e Shën Naum, që tradhtoi popullin e vet, në momentet më të vështira kur vendi po pushtohej nga ushtria fashiste italiane, duke ikur fshehurazi e duke rrëmbyer thesarin e shtetit. Ai nuk veshi opingat siç i premtoi popullit, por zgjodhi rrugën e lehtë të shpëtimit të vetes e të familjes me trashëgimtarin e porsalindur, që të mos i shuhej “dinastia”, me rrënjë shekullore diku në një fshat të Matit. Këtij realiteti unë s’i heq një presje. Por duke qenë se unë e rrojtur atë kohë, kam ardhur familjarisht nga Manastiri në Tiranë, pikërisht në vitin që ai u shpall mbret, do të pohoja disa anë pozitive që i kam njohur e përjetuar personalisht. Është fakt që Ahmet Zogu, me zgjuarsinë që nuk i mungonte dhe me nuhatjen politike e dinakërinë e shtresës nga vinte, afroi rreth vetes këshilltarë e vuri në poste qeveritare deri edhe kryemini-stër si Mehdi Frashri, Pandeli Vangjeli e ndonjë tjetër, njerëz me kulturë e përvojë politike, duke pasur parasysh edhe që këta njerëz ishin nga jugu si dhe nga fe të ndryshme. Është e njohur që këshilltarët që solli Zogu nga Anglia e ndonjë vend tjetër evropian, organizuan ushtrinë e xhandarmërisë shqiptare. Kryeministrat që vuri në krye të qeverisë, organizuan me rregulla e ligje të përparuara administratën shtetërore në dikastere e institucione të tjera. Unë u habita dhe njëkohësisht u gëzova shumë kur arkivi qendror i shtetit, në një nga ditëlindjet e mia, më dërgoi një fotokopje të hartimit tim të maturës ose duke humultuar në arkiva për dokumente lidhur me Enverin, gjeta edhe një telegram që babai i tij Halil Hoxha i dërgonte në Francë. Mbi këto baza të rregullta vazhdoi sistemi arkivor edhe gjatë pushtimit nazifashist, ku unë kam gjetur të ruajtur nga Ministria e Arsimit gjatë korrespondencës lidhur me personin tim, data të çdo mësueseje, kur emërohet, kur kërkon leje, kur pushohet, madje dhe kur kërkohej e ndiqej si antifashiste ose komuniste. Edhe gjatë regjimit socialist, sistemi arkivor u ngrit edhe në një nivel më të lartë, me rregullore të rrepta në ruajtjen e dokumenteve jo vetëm shtetërore, por edhe ato të pronave e pronarëve, hipotekat e tyre e të tjera. U duhet kujtuar qeveritarëve të sotëm se edhe nga administrata rudimentare e regjimit të Zogut, arkivat si hipotekat, mbaheshin me më kujdes se sa nga shteti demokratik.

Çfarë ju ka mbetur ndonjë gjë tjetër ndër mend nga regjimi i Zogut, meqë e keni jetuar atë kohë?
Mbaj mend që veçanërisht në vitin 1936, u ndie më shumë një prirje liberalizimi në shtyp e botime. Filloi botimi i revistës “Bota e Re”, me poezitë e prozat revolucionare të Migjenit, me vjershat satirike të Chri-Chri-së (Nonda Bulkës), e shkrime të tjera përparimtare të Kapa-s (Kristaq Cepa) të Ollga Pllumbit e Selfixhe Ciut (Columbia). Qarkullonin gazeta si “Shtypi”, “Ilyria” e ndonjë tjetër ku shkruanin intelektualë të shquar si Branko Merxhani e të tjerë. Në librarinë e Lumo Skëndos mund të gjeje libra nga literatura botërore pa përjashtuar ato ruse si Dostojevski. Përkthimi nga Tajar Zavalan i librit “Nëna” e Gorkit, qarkullonte dorë më dorë, si gjysmë ilegalisht, kapituj-kapituj në formë broshure. Doli romani i Haki Stërmillit me temë socialiste “Sikur të isha djalë” që bëri bujë sidomos ndër vajzat shtëpiake. Unë atëherë i dërgova autorit një letër të gjatë, i pari shkrim i imi publik, në moshën 15 vjeçare ku ndër të tjera i thosha; Do vijë një ditë që vajza shqiptare nuk do të thotë “sikur të isha djalë”. Ahmet Zogu nxori edhe vendime me karakter social. Grave tiranase iu ndalua ferexheja që hidhnin mbi kokë e mbulonin fytyrën duke lënë hapur vetëm sytë. Nëna ime me shoqe hoqën çarçafin e perçen, lanë fytyrën hapur duke hedhur në kokë një sharpë të zezë. Babai im e gjithë ata që mbanin feste të zezë, vunë borsalina, kurse burrat me qeleshe të bardhë i mbajtën ato se ishin simbole të veshjes shqiptare. Nga këto reforma e disa të tjera, duket se Zogu, ishte frymëzuar nga revolucioni i reformatorit të madh turk Mustafa Qemal Ataturk, që populli turk e ka quajtur “baba”. Me gjithë dëshirën e mirë të Ahmet Zogut, me masat që mori, as nuk mund t’i afrohet e të krahasohet me Mustafa Qemal. Kur një “Zonjë e madhe” e cilësoi Zogun si Ataturkun e Shqipërisë, ajo veç tregoi injorancën e saj në politikë, se duhet të dinte që Mustafa Qemal Ataturku nuk e njohu “mbretërinë” e Ahmet Zogut. U mbetet historianëve të bëjnë vlerësimin e figurës së Zogut. T’i japin objektivitet atë dhe aq sa i përket, duke vënë qartë e drejtë si e gjeti dhe si e la Shqipërinë.

Po për rishikimin e historisë çfarë mendoni?
Kjo varet si konceptohet ky rishikim. Rishikim nuk do të thotë rishkrim i historisë, përmbysje, rishkrim nga e para. Historia mund të ribëhet, ajo që është bërë është bërë, është regjistruar. Është tjetër gjë rishkrimi, interpretimi më objektiv, korrigjim a plotësim në bazë të dokumenteve të reja për periudha, ngjarje a personazhe historikë, qoftë në politikë ose në jetën kulturore të një vendi a kombi. Për shembull, mund të bëhet rishkrimi I teksteve të historisë që janë bërë në të kaluarën e për të kaluarën, mund të bëhen korrigjime e plotësime të nevojshme, por kjo punë mund të bëhet nga grupe studiuesish shkencorë të specializuar për periudha të ndryshme të historisë, të zhveshur nga bindje personale të njëanshme politike e ideologjike. Është tjetër gjë kur një historian, publicist a shkrimtar merr përsipër, për qejfin e vet ose i është kërkuar nga një familje a institucion të shkruajë një monografi për një personalitet politik, letrar etj. Ai është i lirë të trajtojë aty edhe hollësira të jetës private e dobësi të karakterit që ulin imazhin e personazhit dhe për këtë ai përgjigjet vetë. Të tilla tekste mund të jenë të suksesshme si botime publicistike, por nuk kanë karakter shkencor zyrtar, nuk mund të shërbejnë si tulla themeli për ndërtimin e mëtejshëm e në vazhdim, në kohë e hapësira të reja të historisë së një vendi, populli, kombi a personazhi historik, shkencërisht të drejtë e të vërtetë. Kurse nuk mund të quhet i drejtë e nuk mund të jetë i pranueshëm ai rishikim që propozojnë disa pseudohistorianë ose politikanë që nisur nga pozita politike e ideologjike krejtësisht subjektive, personale, të familjes, të shtresës së partisë së tyre, po përpiqen deri në absurditet të ribëjnë historinë, duke mohuar gjithçka është bërë e shkruar në të shkuarën, sidomos gjatë 50 viteve të sistemit socialist dhe të rehabilitojnë të kaluarën e tyre të shëmtuar kolaboracioniste me pushtuesit nazifashistë e bëmat antikombëtare të partive e lidërve të tyre. Në emër të antikomunizmit dëgjojmë të dalin disa historianë, që pa pikë skrupulli të përgjysmojnë e të sakatosin numrin e dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare e të sakrificave të krahinave të tëra që u bënë shkrumb e hi, sikur këto të mos ishin pjesë të Shqipërisë. Në realitet komunistët ishin rreth 120-200 mijë, si mund të mohosh gjakun e djersën e një populli të tërë, bir i të cilit je? Të mohosh historinë gjysmëshekullore të popullit tënd që vetëm në 5 vjet çliroi atdheun dhe ngriti shtetin e pavarur, i cili u njoh që në fillimet e tij, nga kryetarë të fuqive të mëdha të Aleancës Antifashiste dhe më vonë u njoh nga mbi 100 shtete, si anëtare e barabartë në OKB, ku zëri i tij kumbonte fuqishëm, i lirë dhe i pavarur.

Cila është dhimbja më e madhe që keni ndjerë pas humbjes së bashkëshortit tuaj?
Pas humbjes së Enverit, dhimbja më e madhe që kam ndjerë, ka qenë kur Sali Berisha dha urdhër që të zhvarroset nga varrezat e dëshmorëve të kombit. Kjo u bë me 3 maj sepse më 5 maj ditën e dëshmorëve presidenti s’mund ta shihte atë, aty pranë nënës Shqipëri, dhe ta injoronte. Është shumë e hidhur që unë jam në dijeni që ky sugjerim, iu bë nga dy intelektualë që ishin të nderuar gjatë regjimit tonë, dhe siguruan me të, vazhdimin e tyre në situatat që u krijuan më pas, njerëz të cilët sot i shoh në ekranet e televizioneve.

E përfitoni pensionin e bashkëshortit tuaj si Hero i Popullit?
Unë përfitoj pensionin tim për atë funksion që kam pasur dhe si veterane, por më është mohuar pensioni që u jepet bashkëshorteve të luftëtarëve që mbajnë dekoratën Hero i Popullit, por kjo nuk është ndonjë humbje e madhe përpara trajtimeve të tjera. Kurse atij i është mohuar statusi i veteranit që as në 100 vjetorin e tij, kur ai mban dekoratën Suvorov, si komandant i shquar në luftën e dytë botërore, shteti s’ja njeh. Ajo që është kryesore s’është pensioni por që shteti si njeh statusin e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë nacionalçlirimtare dhe unë kam refuzuar të gjejë 3 partizanë dëshmitarë të cilët duhet të thonë se ai ka marrë pjesë në luftë.

Kjo do të thotë që s’keni mungesa?
S’kam mungesa? Sigurisht që kam. Unë ende si qytetare e Shqipërisë dhe e Tiranës nuk kam një shtëpi timen. Kjo që po banoj prej vitesh është e pranverës vajzës sime. Ma morën apartamentin që ndodhej po në këtë godinë kur më arrestuan dhe më thanë që kur të dilja nga burgu do ma rijepnin, por kaluan kaq vjet dhe asgjë. I kam shkruar letra kryeministrave e presidentëve ndër vite, por unë vazhdoj të mbetem në shtëpinë e vajzës.

Cilët janë miqtë tuaj, a dilni me ta?
Unë dal shumë pak nga shtëpia për shkak të moshës, por mua më vijnë shumë vizita, të njohur e të panjohur, shokë e shoqe të vjetër që mbajmë lidhje. Por veç tyre unë kam shumë miq të rinj, që vizitat e komunikimi me ta më jep kënaqësi të madhe. Vizita të shumta kanë qenë edhe ato të kosovarëve, në fillim ata në emigracion e pas ndryshimeve që ndodhën dhe nga Kosova. (Gazeta Shqiptare)
Shtuar më 14/10/2008, ora 02:22
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori