Ne (nuk) kemi plumba per shqiptaret
Albeu.com
nga Fatmire HasaniDikur na thatë që nuk ka plumba për shqiptarët, sot na vratë! Tradhtia nuk ka emër tjetër, përveçse mungesë e vetisë kryesore të karakterit njerëzorë që e ka emrin BESIM, BESË. Ajo besa e shqiptarit që ishte nyja më e fortë vëllazërore, sot është e barabartë me tradhti dhe nuk ka vlerë më.
“Ne nuk kemi plumba për shqiptarët” kjo ishte motoja që partia shqiptare në pushtetin e pa pushtet fitoj zgjedhjet parlamentare të vitit 2008-të. Në çfarëdo konteksti të ishte thënë kjo, brenda këtyre dy viteve nuk është dashur që asnjë plumb në Maqedoni të ishte zbrazur mbi shqiptarët, e hiq më pak në trupin e atyre që dhanë shumë nga vetja për këtë popull. Ama fotelja dhe ndarja e kulaçit është shumë më e ëmbël se vetë shokët, e bashkëveprimtarët e luftës. Dikur na thatë që nuk ka plumba për shqiptarët, sot na vratë! Tradhtia nuk ka emër tjetër, përveç se mungesë e vetisë kryesore të karakterit njerëzorë që e ka emrin BESIM, BESË. Ajo besa e shqiptarit që ishte nyja më e fortë vëllazërore tek shqiptari, sot është e barabartë me tradhti dhe nuk ka vlerë më. Pak rëndësi ka se luftuam bashkë, pak rëndësi ka nëse kishim ideale të përbashkëta dhe se në atë kohë nuk menduam për karrige e për poste, për tu bërë të pasur, por luftuam për diçka shumë të shtrenjtë që quhet popull, komb. Lideri shqiptarë i këtij shteti ka problem me nyjën që i lidh shqiptarët, atë që quhet BESË SHQIPTARE, sepse besën që ua ka dhënë shqiptarëve e ka thyer, e ka shkelur shumë herë dhe së fundi i ka vendosur kapak, ua dha besën se nuk do ketë plumba për shqiptarët, por këto ditë shqiptarë u vranë.
Mjerë familjet dhe fëmijët që mbetën pa baballarë, sepse ata gjithmonë e jetë kanë për të ndjerë dhimbje që ky shtet i ka vrarë tradhtisht. Ky shtet që qeverinë e ka pasur me shokët e tyre e që nuk e morën mundin as të prononcohen, të shprehin dhimbjen për humbjen e një shqiptari pa ja përmendur vlerat. O tash u kurrë, ka qenë koha për të treguar burrërinë - burrat nuk tradhtojnë por e mbajnë fjalën. Ata që ua kanë dhënë votën nuk kanë dyshuar në vlerat e juaja kombëtare, por ky besim ju kushtoi shtrenjtë, njëherë me shkelje dhe mos progres të shqiptarëve në këtë shtet dhe më pas me vrasje dhe burgim pa faj. Ai që ka luftuar, që ka qenë i përndjekur për këtë komb, ai që i ka ikur me vite burgut dhe plumbit sllav, kurrë nuk është dashur të lejoj që së paku deri sa ai është në qeveri të vritet shqiptari. Në vend të besës së shqiptarit, lideri i shqiptarëve në Maqedoni i ka dhënë besën partnerit të tij qeverisës, për të cilën është deklaruar më herët dhe që po vazhdon të qëndroj në të. I ka dhënë besën Gruevskit që këtë mandat nuk do të bisedoj më për çështje kombëtare, për të drejtat e shqiptarëve, për përdorimin e flamurit kombëtarë, për gjuhën për të cilën deklaroj që ka”hangër dajak” etj. (Alsat-M, “Rruga drejtë” ). Dorën në zemër nëse lideri aktual shqiptarë dikur ka “hangër dajak” për gjuhën shqipe, shqiptarët sot përpos dajakut, po hajn burg e plumba pa faj dhe tradhtisht. Këtu nuk ka vend për ta “qarë” liderin që dikur u rrah për gjuhën, sepse ai sot me “pushtetin”që ka, ka mundësi të bëjë luftë politike për ta zgjidhur atë, por e fundosi të tërën. Fundja ka edhe shumë shqiptarë të tjerë që kanë “hangër dajak” që sot nuk gëzojnë poste, sepse deri dje kanë vrapuar maleve për ideale, e sot nuk e shesin prapanicën për një fotele.

Marrëzia dhe sindromi që po vuajnë
Ditën kur u varrosen bashkëluftëtarët e tu, nuk diskutohet për integrime euroatlantike, se është kulmi i turpit. Nuk e besoj se kur keni luftuar bashkë nëse do ishte vrarë ndonjë bashkëluftëtarë i juaj, kishe për të shkelur mbi kufomën e tij, sepse e para se kishe bërë nga dhimbja dhe e dyta nga trupi se keni luftuar bashkë dhe për të njëjtin qëllim. Në këtë rast, çka ju ndan dhe çka ka në ketë mes që nuk e përfillët publikisht vrasjen e tyre?
Ato tre kërkesa është dashur moti të zgjidhen, jo sa herë që vritet një shqiptarë të ju zgjoj nga gjumi për të kërkuar realizimin e tyre. Statusi i UÇK-së është dashur të realizohet e harrohet deri tash, sepse edhe ju keni qenë pjesë e saj, dhe jo të gjithë ish-luftëtarët e UÇK-së kanë statusin e rehatisë si ju. Kësaj publikisht duhet thënë “Popull më fal që po të shkel me këmbë, por e bëj nga mos dija dhe rehatia!”
E dimë që ja ke dhënë fjalën Gruevskit që këtë mandat nuk do bisedohet për çështjen e shqiptarëve, por për çështjen e emrit dhe euro integrimeve. Në djall shkofshin bashkë me emrin dhe identitetin ata, kur edhe vetë ke deklaruar që vonë e ke kuptuar që Maqedonia ka problem me emrin, ..upss këtë nuk është dashur së paku publikisht ta thoni sepse i jepni oponentit tuaj hapësirë manipulimi me ju, ashtu edhe siç po ndodh për shkak të mos dijes suaj.
Është politikë e gabuar nëse vuani nga sindromi “ të qetë dhe duke kërkuar integrime” do të fitojmë simpatinë e ndërkombëtarëve. Është gabim nëse vazhdojnë të ju votojnë populli dhe në këmbim të marrin plumbin. Është po ashtu gabim të sakrifikohen dhe të eliminohen shqiptarët që shohin më shumë se hunda e vet dhe kanë qëllime të pastra për këtë popull.
Fatkeqësisht duhet të mësojmë nga historia se gjithmonë jemi shitur dhe tradhtuar dhe u shitëm e u tradhtuam përsëri dhe mos të lejojmë që ajo të na përsëritet. Ka shumë punë për të bërë përpos deklaratave boshe për demokraci e integrime duke nisur nga tre kërkesat e famshme që i ri deklaruat, mandej 100 000 shqiptarë po presin për nënshtetësi, universitetet po presin t`i hiqni duart nga aty, ajo shoqëri e shëndosh po pret të mos luani me inteligjencën shqiptare dhe të ndaloni makinën e prodhimit të diplomave, të hiqni duart nga punësimet partiake, po presim të ndërtojmë xhamit që na kanë rrënuar, po presim edhe në Shkup të kemi monumente kulturore shqiptare, pse jo edhe atë favoritin tuaj që e përmendni në çdo emision televiziv – Jusuf Bagerin, sikur ju të ishit “zëvendës i Bagerit” për shqiptarët. Për këto duhet shumë inteligjencë, shumë maturi, shumë diplomaci, shumë politikë, sepse “boksieri” Gruevski po ua thyen hundët secilit nga ju dhe po ju zgjedh cilindo vet pas zgjedhjeve, për të ju eksperimentuar dhe përçarë në mes vete.
Shtuar më 20/05/2010, ora 22:10
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori