Vë bast se Apeli do ta lërë Fullanin në gjendje të lirë
nga Mustafa Nano
Shqip
Nuk pati surpriza në seancën e djeshme gjyqësore që kish të bënte me komunikimin e rivlerësimin e masës së sigurimit të caktuar për ish-guvernatorin Fullani. Në fakt, nuk është se priteshin surpriza, ndonëse në rrethana të tilla, asnjëri nuk është i sigurt lidhur me atë që do të ndodhë, dhe kjo ka të bëjë me një atmosferë dyshimi që rrethon të gjithë veprimtarinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri. Kjo atmosferë dyshimi nuk është krijuar as prej trilleve mediatike, e as prej ndonjë opinioni publik që ngre perceptime mbi paranoja të vetat. Përkundrazi, ka ardhur prej një numri vendimesh që janë marrë nga gjyqtarët e nga përfundimi i një numri gjyqesh lidhur me krime e skandale që janë kryer në dritën e diellit.

Besimi se Fullani do të mbahej në arrest lidhet ndoshta me një klimë tjetër në vend, në të cilin presioni publik po synon inkurajimin, e jo frikësimin, e gjyqtarëve e të prokurorëve. E pastaj, ka qenë dhe emri i gjyqtares, së cilës i mbeti në duar kjo “patate e nxehtë”. Ajo quhet Blerina Muça, dhe njihet nga brenda e nga jashtë sistemit për seriozitetin, kompetencën e korrektesën e saj. Nuk është se do të ish çudi edhe sikur ta ndryshonte vendimin që po ajo vetë mori të premten; kjo është një gjë që mund të ndodhë për arsye nga më të ndryshmet (për shembull, mund të kish dalë në dritë një fakt i ri prej të premtes në mbrëmje e deri dje në orën 10 të paradites, gjë që mund ta bënte gjyqtaren të mendonte se bëhej fjalë për një rrethanë cilësisht të ndryshme nga ajo, që e kish bërë të merrte vendimin e parë). Por u duk se këtë herë situata ishte e qartë nga fillimi deri në fund.

Afërmendsh, kjo nuk do të thotë se është marrë vesh tanimë që Fullani është fajtor kokë e këmbë (këtë do ta marrim vesh në fund të procesit gjyqësor). Kjo thjesht do të thotë se gjyqtarja është bërë interprete e bindjes që është krijuar tanimë, më së pari nga ajo vetë, se Fullani i lirë, për shkak të pushtetit, ndikimit, kontakteve e përfshirjes në këtë mesele mund të ish i interesuar, i gatshëm dhe i aftë për të prishur e trukuar provat që ekzistojnë, të gjetura e të pagjetura; e në rastin më të keq, nëse do të ndihej fajtor, dhe për këtë shkak i rrezikuar, edhe mund t’ia mbathte nga sytë këmbët në një drejtim të panjohur. Në këtë pikë, nuk është keq të merret në konsideratë, ndonëse ngjan e sforcuar dhe alarmiste, edhe hamendja e ndokujt se Fullani i lirë do ishte në radhë të parë një problem për vetë Fullanin. E këto arsyetime, përveç të tjerave që mund të bëhen, të çonin në përfundimin se do të konfirmohej e njëjta masë sigurimi që u mor të premten e shkuar.

Çfarë do të ndodhë më tej? Avokati i Fullanit, Maks Haxhia, bëri me dije menjëherë pas seancës së djeshme se do ta ankimojnë menjëherë vendimin e gjyqtares Muça në Gjykatën e Apelit. Pala e të pandehurit ka dhjetë ditë kohë për ta bërë këtë gjë. Gjykata e Apelit nga ana e vet ka gjithashtu dhjetë ditë në dispozicion për ta shqyrtuar kërkesën, e kështu i bie që në harkun e jo më shumë se dy-tri javëve kamerat televizive ta kapin sërish Fullanin në sallën e gjyqit, në gjendje sandwich-i, mes dy policëve. Ai do të jetë një moment tjetër prove për sistemin gjyqësor. Në vend të gjyqtares Blerina Muça do të jenë tre gjyqtarë të Apelit, të cilët do të zgjidhen me short elektronik. Dhe ka një kërshëri të madhe lidhur me faktin se si do të vendosin gjyqtarët e Apelit.

Përsëris, ne ende nuk e dimë nëse Fullani është fajtor. Por dyshimet janë të mëdha, ngaqë grabitja e parave është skandaloze, ngaqë në këtë grabitje janë përfshirë më shumë se një duzinë nëpunësish të Bankës, ngaqë pjesa më e madhe e tyre janë kanakarë të Fullanit e ngaqë ky i fundit, pavarësisht skandalit, këmbëngulte të rrinte në krye të Bankës, dhe janë këto dyshime pra, tok me frikën se mund të fshehë e trukojë prova të krimit të kryer nga ai vetë, apo nga të vetët, që të bëjnë të mos pajtohesh dot me idenë se Fullani mund të gjykohet në gjendje të lirë. Kështu që gjykimi në gjendje arresti është një gjë që ta sugjeron common sense-i.

Mirëpo, kam një parandjenjë se nuk ka për të ndodhur kështu. Dhe në këtë pikë po ngutem të bëj një parashikim të natyrës “zevzeke”: Gjyqtarët e Apelit do ta nxjerrin Fullanin jashtë burgut dhe do të urdhërojnë prokurorët që ta hetojnë ose në gjendje të lirë, ose në kushtet e arrestit të shtëpisë. E mendoj këtë (duke uruar që koha t’ma përgënjeshtrojë; dhe jo ngaqë kam qejf të shoh njerëz në burg) për dy arsye. Së pari, kampi i ish guvernatorit, që është një kamp i fuqishëm, shumë i fuqishëm, ka plot kohë për t’u hedhur në sulm, dhe me sulm kam parasysh përpjekjet për të bërë të mundur zgjedhjen e një trupe gjyqtarësh “të sjellshëm e miqësorë”. Këta të fundit do të zgjidhen me short, por ne e dimë se në Shqipëri nuk ka asnjë short a garë që të mos manipulohet. Koha ka provuar se njerëzit me pushtet e me pará që janë njëmend të interesuar për ecurinë e një procesi gjyqësor, “kanë qenë gjithë kohën edhe me fat, ngaqë me short është vendosur që gjyqtarë të çështjeve me interes për ta të jenë ca njerëz që provojnë empati për të akuzuarit nga prokurorët”. Së dyti, edhe nëse nuk duan të komprometojnë veten “duke futur duart te shorti elektronik”, njerëzit me pushtet kanë në dorë të bëjnë për vete gjyqtarët, cilët do qofshin këta. E nuk duhet harruar se bëhet fjalë për Gjykatën e Apelit, e cila ka dhënë prova se nuk ka pasur as këllqe, as disponimin më të vogël për të ndëshkuar pushtetarët e korruptuar të vendit. Gjykimi i ngjarjes së Gërdecit apo i vrasjeve të 21 janarit 2011 janë ilustrimi më i mirë i pohimit që sapo bëra.

Nuk po them se mes gjyqtarëve të Apelit nuk ka profesionistë të ndershëm (do të ishte një përgjithësim e spekulim që nuk kam pse t’ia lejoj vetes), por nga ana tjetër të gjithë e dimë se kush nuk ka mbështetje apo lidhje politike, edhe pse mund të jetë më i zoti mes të gjithëve, nuk ia del kurrë të zgjidhet anëtar i kësaj gjykate. Dhe në këto rrethana mund të ndodhë shpesh që anëtarë të kësaj gjykate të zgjidhen gjyqtarë të korruptuar, apo të korruptueshëm, apo gjyqtarë që kanë dhënë prova se dinë t’u shërbejnë padronëve, e se dinë të gjunjëzohen përballë shantazhesh. Nëse ka gjyqtarë të Apelit që nuk bëjnë pjesë në grupime të tilla, ata janë një përjashtim që përforcojnë rregullin.

E kam gabim? Po tregohem vërtet “zevzek”? Koha do ta tregojë.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist