Ta ndajmë qeverisjen lokale nga ajo qendrore
nga Mustafa Nano
Shqip
Reporterët e të përditshmeve tona kanë cituar herë pas here ndonjë kandidat të shumicës qeverisëse në këto zgjedhje që të ketë futur si fare pa të keq në listën e avantazheve të veta në garën elektorale edhe “cilësinë” që buron prej faktit se ai, në ndryshim nga kundërshtari i tij që përfaqëson opozitën, e ka grurë muhabetin me qeverinë qendrore. Kjo është një histori e vjetër, apo jo? Kandidatët e mazhorancës e kanë kënduar këtë avaz në të gjitha zgjedhjet administrative që janë zhvilluar pas vitit 1990.

Kjo “cilësi” ka bërë punë në rrethana elektorale më shumë se sa të gjitha virtytet, vlerat e zotësitë (kur ka qëlluar që kandidatët i kanë pasur këto të fundit). Arsyeja është shumë e thjeshtë. Rubineti i parave publike të përdorura prej njësive të qeverisjes lokale kontrollohet ende, në një masë shumë të madhe, nga qeveria qendrore. Po, është e vërtetë, njësitë e qeverisjes lokale kanë një numër kompetencash e një shkallë autonomie në përcaktimin e disa taksave lokale dhe në mbledhjen e përdorimin e këtyre taksave, por pjesa e luanit e buxhetit të këtyre njësive përbëhet nga paratë që akordon Ministria e Financave për ta. E prandaj, krerët e bashkive e të komunave kanë qenë gjithë kohën me sytë nga Tirana, e për rrjedhojë, krerët e bashkive e të komunave që i kanë takuar opozitës janë shfaqur prore si qyqarë. Madje, edhe justifikimin e kanë pasur të hazërtë: Nuk mundem të bëj asgjë, pasi pushtetin qendror e kanë “ata”. Dhe votuesit i kanë mirëkuptuar.

E kështu, suksesi në qeverisjen e një bashkie nuk ka pasur të bëjë me zotësitë e vizionin e kryetarit të bashkisë. Jo, ka pasur të bëjë më së shumti me forcën e deputetëve të zonës për të vjelë fonde nga qeveria qendrore e, sidomos, me “bujarinë e kryeministrit”. Anasjelltas, dështimi ka pasur të bëjë edhe me injorimin që qeveria qendrore u ka bërë njësive të qeverisjes lokale të kontrolluara nga njerëzit e opozitës. Fjala vjen, nuk duhet (duket) të jetë pa gjë pretendimi i Lulzim Bashës se dështimi i tij spektakolar në krye të Bashkisë së Tiranës ka lidhje (përveçse me paaftësinë e me papërgjegjshmërinë e tij në ushtrimin e kësaj detyre) edhe me marrëdhënien e vështirë që ai vetë pati me qeverinë e drejtuar nga Rama në dy vitet e fundit të mandatit si kryebashkiak. Edhe sikur të mos ketë qenë tamam kështu, është e sigurt se alibia ngjit.

Ka dhe ilustrime të tjera pa fund. Le të marrim Shkodrën, për shembull, që ka pasur një si këndellje gjatë tetë viteve të fundit, në harkun e të cilave bashkia është drejtuar nga Lorenc Luka. Normalisht, çdo ndryshim për mirë gjatë këtyre tetë viteve do duhej të lidhej me emrin e kryebashkiakut, por praktikisht nuk është kështu. Në mendjen e të gjithëve, ndryshimet që kanë ndodhur në Shkodër kanë lidhje veç me Jozefina Topallin, që në të njëjtën periudhë ka qenë një personazh i rëndësishëm i jetës politike nacionale. Dhe kjo lidhje bëhet me të drejtë. Është e gjitha vepër e Topallit. Kjo e fundit ka qenë kreu i Kuvendit të Shqipërisë dhe eksponente e rëndësishme e PD-së që kish në dorë drejtimin e vendit, e prandaj do të duhej, në fakt, të shkëlqente në jetën politike nacionale. Por nuk ndodhi kjo. Në jetën nacionale Topalli do mbahet mend veç për keq, ndërsa shkodranëve – ky është paradoksi që vjen prej anomalisë, për të cilën po flas – u bie që t’i heqin kapelen.

Ose le të marrim një rast tjetër. Fadil Nasufi është duke mbyllur mandatin e tretë në krye të Bashkisë së Beratit dhe është e sigurt se në dy vitet e fundit, duke filluar nga momenti kur në Tiranë erdhi qeveria “e tij”, ai ka bërë gjëra më të bujshme se sa gjatë dhjetë viteve të para. Po i jepet dora e fundit rrugës Lushnjë-Berat (kurrë nuk kam kuptuar pse Berisha, që pati nëpër duar shumë pará e që të shumtat e këtyre parave i hodhi për rrugë, e la Beratin turistik e historik, pikërisht për shkak të rrugës së keqe që të çonte atje, më të izoluar se sa Viçidolin e vet), dhe janë bërë një numër ndërhyrjesh në Berat që e kanë zbukuruar e valorizuar qytetin dy mijë e katër qind vjeçar. Janë ndërhyrje të ngjashme me ato që u bënë në Shkodër gjatë viteve të Jozefinës.

Merret vesh pra se evidentimi i marrëdhënies së mirë me qeverinë qendrore nga ana e disa kandidatëve lokalë nuk është një mufkë. Përsëris, është qeveria qendrore ajo që ka në dorë paratë dhe në këto rrethana është gjëja më logjike të thuash se “kandidati i qeverisë është më i favorizuar se sa kandidati i opozitës”. Mirëpo, ka ardhur koha të biem dakord që kjo është një dukuri e shëmtuar, shumë e shëmtuar. Garat lokale duhet të mbeten gara lokale, dhe qeveria qendrore ka të drejtë të interferojë për mirë në këto gara veç nëpërmjet modelit që frymëzon, apo nëpërmjet suksesit që rrezaton, në të gjithë territorin e republikës, e jo nëpërmjet formave të tjera. Ata që duan ta fitojnë/mbrojnë kontrollin e qeverisjes lokale nuk duhen lejuar më që të na hedhin syve “meritën e madhe” se “qeveria qendrore është e tyrja”.

Mirëpo, kjo nuk bëhet e mundur as me thirrje e përgjërime publike, as duke besuar te skrupujt e një kryeministri. Kjo bëhet e mundur duke ndërtuar rregulla të reja, të cilat u japin hapësira e kompetenca qeverisjeje atyre njerëzve apo forumeve që marrin në dorë, nëpërmjet votës, drejtimin e bashkive. Veç kështu do të marrin kuptim zgjedhjet administrative, do të krijohen elitat politike lokale, të cilat mund të imponohen me suksesin e tyre edhe në planin nacional, do të shkojë qeveria e qeverisja më pranë qytetarëve, do të krijohet një marrëdhënie e re mes zgjedhësve e të zgjedhurve, për pasojë do të rritet llogaridhënia, do të kemi një situatë më emulative midis bashkive të ndryshme, e më në fund do të kemi një qeverisje lokale më punëmadhe.

Në këto rrethana, qeveria qendrore nuk do të shihej më si një qeveri e shumicës kundër pakicës. Madje, qeveria qendrore as që do ta shihte të nevojshme të mobilizohej e tëra, në mënyrë të frikshme, në zgjedhjet administrative. Është fyese, madje e qesharake, situata në të cilën kryeministri i vendit lë mënjanë drejtimin e vendit për më shumë se gjashtëdhjetë ditë me radhë e vjen vërdallë nëpër Shqipëri në mënyrë të ngeshme me synimin për t’u treguar votuesve se cili ndër kandidatët lokalë është kanakari i tij, e cili është hala e tij në sy.

E vërteta është se Edi Rama po tenton në një numër drejtimesh të realizojë një (sh)këputje me trashëgiminë e këtyre 25 viteve të fundit, por ka drejtime të tjera ku Edi Rama mbetet një zgjatim i përkryer i kësaj tradite. Të bën ta mendosh këtë gjë edhe ky investim i kotë dhe i shpërpjestimuar i tij (në një kohë që është kryeministër) në fushatën për zgjedhjet lokale dhe sidomos mesazhi që përcillet, prej tij e prej të vetëve, në forma të nënkuptuara e të troçta, se shqiptarët, për t’ia parë hairin zgjedhjes së tyre, nuk kanë rrugë tjetër, veçse të votojnë në favor të kandidatëve që i përkasin qeverisë e mazhorancës. Kjo është një pesë me hiç.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist