Shshshsht, është ora e kulturës, flasin zëdhënëset e partive!
nga Mustafa Nano
Shqip
Nga biseda televizive që kam pasur me Elvis Pupën, mora vesh se shtypi pothuaj e kish injoruar shfaqjen e tij komike me titull “100 vjet, shteti më i lumtur në Shqipëri”. Ai vetë kish pritur shkrime kritike, ku të nënvizoheshin vërejtje, risi, mangësi, etj, dhe ish boll i zhgënjyer që asnjëri nuk kish marrë mundimin, apo nuk e kish parë të udhës, të ulej e të shkruante mbi këtë ngjarje të skenës komike shqiptare, në të cilën vetë Pupa del si një pionier. Duhet thënë, se është hera e parë që dikush bën një shfaqje të tillë, për të cilën nuk ekziston një emërtim në shqip (anglezët e quajnë ‘stand up comedy’, por në shqip ende nuk është gjetur një emërtim që të ngjisë; ndoshta ngaqë nuk e kemi pasur e nuk e kemi të zhvilluar si zhanër). Në fakt, ka bërë diçka të ngjashme Arjan Çani para nja dy vitesh, por ajo u mor, ndoshta pa të drejtë, si një alternativë skenike e programit televiziv “Zonë e Lirë”. Shtypi foli për nismën e Çanit, por së pari gjithçka mori formën e një qoke për një koleg, dhe së dyti s’pati asnjë kuturisje për ta përkufizuar këtë shfaqje si një ‘stand up comedy’. Dhe vetë Çanit s’i shkoi në mendje ta bënte këtë përkufizim.

Unë nuk e kam ndjekur shfaqjen e Çanit (kam ndjekur vetëm jehonën në shtyp), e në këtë kuptim nuk është se mund të them ndonjë gjë më tepër lidhur me të. Ndërsa show-n e Pupës e ndoqa, dhe nuk ka asnjë diskutim, të paktën për mua, që ky show ishte fiks, në kuptimin më të plotë të fjalës, një stand up comedy, d.m.th Pupa, për më shumë se një orë, ish në skenë i vetëm dhe komunikonte drejtpërdrejt me shikuesit, duke shtënë në punë talentin e tij prej komiku e duke e bërë shfaqjen argëtuese nga fillimi deri në fund. Ai mbushi për dy net me radhë sallën e Pallatit të Kongreseve, dhe më pas, për tri net rresht, sallën kryesore të Universitetit të Arteve. Kaq mjafton për të kuptuar se Elvis Pupa ka të drejtë kur pretendon se ai është praktikisht një pionier në këtë lëmë. Ai është i pari që “ka shpikur” (lexoni: ka sjellë) në Shqipëri këtë tip shfaqjeje. Kush e ka parë, me siguri bie dakord me këtë përfundim. E prandaj, është pak e çuditshme se si për këtë ngjarje nuk u fol fare.

Pupa me të drejtë ka pritur shkrime të natyrës kritike, por nuk do të ish e drejtë të fajësoje më shumë sesa duhet gazetarët lidhur me faktin që shkrime të tilla nuk u publikuan. Shkrimet kritike bëhen nga ekspertët. Gazetarët mund t’i cysin ekspertët që ta thonë një fjalë për një ngjarje të caktuar kulturore, por nuk mund të bëjnë më tepër sesa kaq. Përgjithësisht, shkrimet kritike nuk bëhen me porosi (gjetkë, ky problem nuk ekziston, pasi gazetat e mëdha e serioze i kanë ekspertët të atashuar brenda gazetës; në shumë raste, vetë gazetarët e kulturës janë specializuar si kritikë; ndonjë gazetar kulture në Tiranë ka zënë ta bëjë dhe ekspertin, shpesh dhe me një farë kompetence, por shumica e tyre nuk janë në gjendje të guxojnë për të shkruar artikuj kritikë në këtë lëmë).

Për këtë arsye, ajo që të befason në këtë mes nuk është mungesa e shkrimeve kritike për një ngjarje të tillë, por është mungesa e raportimeve; ose në rastin më të mirë, janë raportimet gazetareske krejt të thata mbi këtë ngjarje. Dikush mund të thotë se shfaqja mund të mos u ketë pëlqyer reporterëve, e prandaj ata s’e kanë marrë mundimin të shkruajnë një rresht, por kjo logjikë nuk shkon. Reporterët kanë për detyrë të informojnë publikun mbi një ngjarje, dhe jo të mbajnë qëndrime mbi bazën e konsideratave personale. Kur një ngjarje përbën lajm, reporterit i duhet të ulet e të shkruajë se s’bën lidhur me këtë ngjarje pavarësisht nga emocionet e opinionet e tij. Dhe shfaqjen e Elvis Pupës, edhe në rastin kur e shohim si një eksperimentim të dështuar, nuk mund të mos e trajtojmë si lajm, pasi sallat u mbushën.

Por nuk besohet të jetë ky shkaku që gazetarët nuk kanë shkruar. Shfaqja me titull “100 vjet, shteti më i bukur në Shqipëri” meritonte të raportohej jo vetëm se përbën një risi në skenën e humorit shqiptar, jo vetëm se publiku ka mbushur sallat dhe e ka pëlqyer, por edhe sepse ishte një shfaqje e mirë. Nuk ishte e mirë thjesht si provë e parë, as e mirë me standardin shqiptar e për publikun shqiptar. Jo, ishte një shfaqje e mirë, dhe pikë. Kush shkon ta ndjekë nuk ka për të mbetur syshqyer, afërmendsh; nuk ka për të parë tek Elvis Pupa as Roberto Benigni-n, as George Carlin-in, as ndonjë tjetër të kësaj sëre. Por është e sigurt, se ka për t’u argëtuar.

Po rikthehem aty ku e nisa, te faqet e kulturës së gazetave tona. As që kish për t’më shkuar mendja të qortoja reporterët e kulturës pse nuk kanë shkruar për shfaqjen në fjalë sikur të mos dija për çfarë tjetër ata shkruajnë. Gjatë fundjavës, në një numër të përditshmesh, në faqet e kulturës, flitej si gjithnjë për momente rozë të jetës së një numri personazhesh shpifarakë të jetës së kryeqytetit, të cilët dallohen për një gjë: s’dinë të bëjnë asgjë. Binin në sy dhe dy intervista me një zëdhënëse bukuroshe të një partie, dhënë dy gazetave të ndryshme.

Kjo punë është me gazetat tona gjatë fundjavës. Madje, edhe gjatë ditëve të javës. Ja, më thoni ju tani: Cila ngjarje përbën më shumë lajm për faqet e kulturës, çaprashitja e një zëdhënëseje partie mbi idealet e saj në jetë, apo një show, për të cilin autorët kanë punuar për muaj të tërë?
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist