Pse ligjërimi politik i Tiranës është përgjithësisht i djathtë?
nga Mustafa Nano
Shqip
Isha ftuar, tok me të tjerë, për të marrë pjesë në një aktivitet të organizuar nga Fondacioni Soros, në të cilin do të jepeshin rezultatet e një studimi lidhur me natyrën e ligjërimit publik në Shqipëri. Është fjala për një studim të financuar po nga Fondacioni Soros, por të ideuar e realizuar nga një grup të rinjsh e të rejash, që të bënin përshtypje për qasjen e stilin neutral në punën e tyre, e për metodologjinë inteligjente që kishin shtënë në punë. Gazetat e mass-media nuk e mbuluan këtë aktivitet (veç në një të përditshme më zuri syri një lajm ‘të vockël’), gjë që mua nuk më befasoi, pasi e di mirë se axhenda e gazetarëve është e mbushur me aktivitete të tjera, ku marrin pjesë e mbajnë fjalime politikanët. Dhe me sa duket, për ne gazetarët vijon të jenë të rëndësishme çaprashitjet e ditëpërditshme të politikanëve, dhe jo një studim që bëhet për herë të parë mbi natyrën e këtyre çaprashitjeve.

“Të matësh” ligjërimin publik në një vend nuk është një punë e kollajtë. Për më tepër, në të gjitha rastet do të rezultojë, për arsye të kuptueshme, një “matje” e pasaktë. Por autorët e këtij studimi ishin përpjekur të adoptonin një metodologji, që garantonte një saktësi optimale, s’ka gjë se saktësia optimale mbetet prapëseprapë larg, shumë larg, saktësisë ideale. Ata ishin përqendruar te ligjërimi i atyre që e sundojnë hapësirën publike (hapësirën publike të kuptuar më së shumti në versionin habermas-ian, si public sphere, d.m.th. si arena ku hidhen, përplasen e negociohen idetë e individëve, të grupeve të ndryshme, të shoqërisë civile, të politikës, të kulturës etj.), ishin përqendruar pra te stili i ligjërimit të Kryeministrit, të liderit të opozitës, te gjuha e përdorur nga pesë gazetat kryesore (“Panorama”, “Shqip”, “Mapo”, “Shekulli” e “Gazeta Shqiptare”), dhe te lënda e ligjërimeve të këtyre aktorëve, që në terma më konkretë nënkupton qëndrimet ndaj çështjeve të caktuara me interes publik.

Dhe ish arritur në një numër përfundimesh interesante, si fjala vjen, “të dyja figurat kryesore politike në Shqipëri e përshkruajnë njëri-tjetrin me një gjuhë plotësisht negative; ligjërimi negativ ka ardhur në rritje në periudhën menjëherë para dhe pas zgjedhjeve; ligjërimi për dhunën ndaj grave ka ardhur në rritje; nuk ka ligjërim fyes ndaj minoriteteve etnike; ligjërimi për fenë ka ardhur në rënie në të gjitha gazetat, përveç “Gazetës Shqiptare”; Rama flet më pak se Berisha mbi fenë dhe minoritetet; Gazeta “Shqip” diskuton më shpesh çështjet e etnisë dhe feve të ndryshme në krahasim me gazetat e tjera”. Ish arritur dhe në një përfundim tjetër, në të cilin do të doja të ndalesha: “Ligjërimi i djathtë është më i pranishëm se ai i majtë; Rama e ka ligjërimin të majtë më pak se sa Berisha e ka të djathtë; me fjalë të tjera, Berisha flet më shumë për gjëra të djathta se sa Rama për gjëra të majta.”

Kjo e fundit ka ngjarë të jetë e vërtetë edhe pa u bërë ky studim (dua të them se ka një perceptim popullor, që shkon në favor të së njëjtës tezë). Sigurisht, gjithçka varet nga periudhat, që marrim nën shqyrtim. Nëse ky studim do të ndalej në javët, në të cilat PS-ja nxori një dokument programor, në të cilin flitej shumë e qartë mbi disa qëndrime të majta (tatimi progresiv, inkurajimi i prodhimit bujqësor, rritja e shpenzimeve publike dhe e pranisë së shtetit në shoqëri), me siguri do të kishim një rezultat tjetër. Por marrë në tërësi, përfundimi ku është arritur prej studimit në fjalë nuk duket i pasaktë.

Në këtë pikë duhet bërë një saktësim; nuk është se është kjo gjë që e ka bërë PS-në më pak ndjellëse për elektoratin, e që e ka lënë në opozitë; do ish naive të thuhej kjo gjë; rezultati i zgjedhjeve këtejpari varet nga një numër faktorësh jashtëprogramorë, mes të cilëve trukimi i rezultatit; në këtë kuptim, nënvizimi i bërë thjesht tregon se PS-ja, dhe lideri i saj Rama, janë më pa lëndë në pikëpamje ideologjike.

Pse ndodh kjo? Ka disa arsye. Në radhë të parë, Edi Rama vetë është nga natyra e formimi një qenie më pak ideologjike. Nuk është se Berisha është një qenie qartësisht më ideologjike (që të dy janë pragmatikë e eklektikë), por Berisha ka një identitet më të theksuar të origjinës biologjike (ka lindur e është rritur në një mjedis familjar, klanor e social, ku shenjtëroheshin e shenjtërohen vlera tipikisht konservatore, si kombi, ndoshta feja, familja tradicionale, prona private, individualizmi) dhe një identitet më të artikuluar të origjinës politike (ai shoqëroi dhe udhëhoqi, lindjen e opozitës antikomuniste në Shqipëri).

Në radhë të dytë, Berisha i kthehet herë pas here kauzës së antikomunizmit (në mënyrë folklorike e demagogjike, kuptohet, por për autorët e studimit kjo nuk merr, e nuk ka pse të marrë rëndësi; për ta ka pasur rëndësi se sa herë e kanë gjetur fjalën “bllokmen” dhe sa më shumë ta kenë gjetur, aq më shumë u ka anuar kandari nga identiteti i djathtë i Berishës); por kjo kauzë ka qenë dhe e Ramës n’daçi prej kompleksit që Rama ka si kreu i një partie ish-komuniste, n’daçi prej faktit që ai ndihet thellë-thellë më antikomunist se Berisha; e kështu i tërë ligjërimi qëllon të marrë një ngjyrim të djathtë.

Në radhë të tretë, opozita ka harxhuar shumë kohë me denoncime e me karfosjen dhëmbë për dhëmbë me mazhorancën, të cilat nga natyra nuk janë as të majta e as të majta; madje, nga natyra nuk janë as politike.

Në radhë të katërt, ka rëndësi të dihet se mbi ç’kritere janë vlerësuar ligjërimet. Ca kritere që vlejnë në Irlandë, apo Kanada, si zor të vlejnë edhe në Shqipëri, ku dialektika politike ia ka lënë shpesh vendin luftës kundër një regjimi (në Tiranë janë vrarë katër opozitarë krejt të pafajshëm; dhe janë vrarë nga Garda e Republikës).

Dhe në fund kemi arsyen e pestë, më të rëndësishmen, që shpjegon natyrën “e djathtë” të ligjërimit publik të këtyre dy aktorëve të rëndësishëm të politikës, por edhe të gazetave të Tiranës: bazuar në qëndrimin ndaj vlerave, shoqëria shqiptare në tërësi, e elektorati në veçanti, rezultojnë të jenë konservatorë. Komunikimi më i madh gjatë dekadës së fundit mes shqiptarëve të këtushëm e shqiptarëve të Kosovës e të Maqedonisë e ka rritur ca më shumë identitetin konservator të shqiptarëve të këtushëm, pasi ka sjellë më shumë fanatizëm në qëndrimin ndaj familjes, ndaj fesë, ndaj kombit, ndaj grave, më saktë kundër grave, e pastaj kundër minoriteteve, kundër gay-ve, kundër “shthurjes së rinisë”, kundër “veseve të Perëndimit”, në favor të dorës së fortë në qeverisje, në favor të gjuhës së fortë kundër krimit, në favor të sigurisë etj., etj. Këto që rreshtova janë çështje, te të cilat ndahen (gjetkë) të majtët nga të djathtët; dhe ndahen egërsisht. Këtu te ne nuk ndahen. Përkundrazi, të majtë e të djathtë janë tok. Unë nuk e di se sa i majtë është praktikisht Rama, por edhe sikur të ish 100% i majtë, ai nuk do të guxonte të dilte me qëndrime e teza që mund ta ftohnin me zgjedhësit shqiptarë (fjala vjen, të denonconte nga pozita të majta flamën nacionaliste që i ka përfshirë të gjithë). Kuptohet, për sa kohë në mendje, shpirt e zemër, ashtu si Berisha e të tjerët, ka pushtetin, e jo pasionin për idetë.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist
 
Një avion i linjave egjiptiane ka kryer ulje të detyruar në aeroportin e Larnakes në Qipro, në orën 8:46. 

Ai ka liruar te gjithe pasagjeret, por jo ekuipazhin e avionit

Një avion i linjave egjiptiane ka kryer ulje të detyruar në aeroportin e Larnakes në Qipro, në orën 8:46. Ai ka liruar te gjithe pasagjeret, por jo ekuipazhin e avionit