Për ata që kruhen edhe pse nuk u djeg
nga Mustafa Nano
Shqip
Unë nuk arrij t’i lexoj mirë motivimet, mbi bazën e të cilave janë aktivizuar një numër deputetësh të shumicës për të bërë një komision parlamentar hetimor, njëherazi dhe një kërkesë shkarkimi, në adresë të dy anëtarëve të KLD-së, Elvis Çefës e Lulzim Lelçajt. Po, dihet, nuk është sekret tanimë se Rama dhe të vetët kanë arritur në përfundimin që sistemi i drejtësisë është në një gjendje të mjerueshme; e nuk është se e kanë gabim. Ndoshta mund të ketë sektorë e pushtete më të sëmurë se sa drejtësia, por kjo e fundit paguan një taksë ekstra në terma të imazhit për shkak të rëndësisë që ka e për shkak të efekteve imediate e të prekshme që prodhon. Prandaj, fushata e demonizimit të këtij sistemi, për rrjedhojë edhe akte e aksione kundër të njëjtit sistem, ngjisin kollaj te publiku. Njerëzit e kësaj mazhorance e dinë shumë mirë se kanë mirëkuptim e mbështetje popullore në këtë gjë, dhe është kjo arsyeja që retorika e tyre kundër sistemit të drejtësisë është duke u përshkallëzuar.

Në planin praktik nuk është se po bëjnë kushedi se çfarë, ngaqë hapësirat ligjore e kushtetuese të manovrës nuk i kanë të bollshme; thënë me fjalë të tjera, u duhet të lëvizin nëpër monopate të ngushtë e të rrëpirë. Është ironike dhe dramatike, që ligjet e Kushtetuta t’i bëhen pengesë një vullneti për të ndryshuar gjërat që s’ecin, por kjo është demokracia. Ligjet e institucionet duhen respektuar, ndryshe i bie që të mos ketë garanci për askënd, edhe për ata që për një interes të momentit janë të gatshëm ta shohin zgjidhjen, e të mirën publike, te dhunimi i ligjeve dhe i pavarësisë së institucioneve, por në të njëjtën kohë qëllon shpesh që vendosmëria për të respektuar deri në fund ligjet e Kushtetutën të shndërrohet në një gjyle pas këmbëve të atyre që duan të ndryshojnë gjërat. Duket se ky është rasti i kësaj mazhorance, e cila ka shpallur nevojën e vendit, dhe dëshirën e saj, për ndryshim, por në të njëjtën kohë ka kuptuar se nuk ka se si. Dhe është pikërisht kjo pafuqi që e bën mazhorancën nervoze.

Mos vallë kjo do të thotë se kërkesa për shkarkimin e Çefës e të Lelçajt është e paligjshme dhe qëllimkeqe? Jo, këtë s’e di. Por edhe sikur të ishte kështu, unë do t’i besoja lojës procedurale e institucionale që do të luhet në këtë mes. Rama ka në dorë mazhorancën parlamentare, por nuk ka në dorë institucione të tjera, të cilave do t’u duhet ta thonë të tyren në këtë histori. Mund të denoncojmë ngutin, ndoshta qëllimet e këqija të mazhorancës, por nuk duhet të bëjmë sikur nuk e dimë se kjo mazhorancë nuk ka nën kontroll asgjë përveç vetes. Prandaj, nuk ka nevojë për asnjë alarmizëm.

Por aq më pak ka nevojë – dhe këtu po kaloj në një përthyerje tjetër që mori diskutimi mbi këtë çështje në komisionin parlamentar – për t’i mbrojtur Çefën e Lelçajn me një logjikë krahinoriste e fetare. Ishte deputeti Nard Ndoka, anëtar i këtij komisioni parlamentar, që s’e pati për gjë të justifikonte qëndrimin e tij në mbrojtje të dy anëtarëve të KLD-së me arsyetime demode e të pathemelta. “Ata po sulmohen, ngaqë janë gegë/katolikë”, tha ai në thelb.

Nuk mund të përjashtojmë apriori që dikush me pushtet të ndërmarrë nisma me një logjikë, si kjo që kritikon Ndoka. Historia e Shqipërisë, edhe kjo e dy dekadave të fundit, ka treguar se në themel të ndonjë qëndrimi, emërimi, lëvizjeje, qeverisjeje, etj., ka pasur edhe ndonjë motivim krahinorist a fetar. Nuk ka ndonjë çudi që është kështu në një vend ku identiteti lokal/fetar është tek-tuk më i fortë se ai kombëtar. Por duhen bërë dy saktësime. Së pari, në tërësinë e vet kjo xanxë e jona është historikisht e kapërcyer. Aksionet publike që ndërmerren këtyre anëve, në të shumtën e rasteve nuk ngrihen mbi motivime që kanë të bëjnë me interesa lokale e pasione fetare. Identitetet lokale/fetare janë ende influente, madje edhe legjitime, por ato po rivalizojnë gjithnjë e më pak interesin e identitetin kombëtar. Së dyti, kësaj shumice qeverisëse në përgjithësi e Ramës në veçanti mund t’u bëhen të gjitha llojet e akuzave, por jo ajo që i nxjerr ata si antiveriorë e antikristianë. Një nga bëmat e Ramës në krye të PS-së është de-toskënizimi i kësaj të fundit. Pas rënies së komunizmit, ca prej një zhvillimi inercial, ca prej ndonjë modeli të keq frymëzues brenda partisë, e ca për një përgjigje simetrike ndaj asaj që po ndodhte me partinë tjetër të sapokrijuar, PS-ja mbeti nën një dominim toskë. Por Rama – këtë meritë duhet t’ia njohim – e ka zhbërë në një masë të madhe këtë realitet. Nuk dihet nëse kjo gjë është synuar, apo ka qenë fryt i një non-chalance nga ana e Ramës, por fakt është që PS-ja është sot një parti sa veriore, aq edhe jugore. Ndonjë shembull që ecën në drejtim të kundërt (e që është denoncuar edhe nga brenda PS-së) është përjashtim, jo rregull. Ndërsa përpjekja për ta lexuar si antikatolike kërkesën për shkarkimin e Çefës-Lelçajt është thjesht mistrece. Në mos, idiotike. Sidomos, pas vizitës së Papës që pati për rezultat, me ndihmën e kësaj mazhorance, nga njëra anë riafirmimin e rivalorizimin spektakolar e kombëtar të kishës katolike e të vetë katolikëve, e nga ana tjetër, përfshirjen e të gjithëve në këtë ngjarje.

Me sa më sipër, nuk është se jam kundër denoncimeve të tilla sa herë që është vendi për t’i bërë. Është më mirë t’i denoncojmë, se sa të bëjmë sikur nuk ndodhin. Por Ndoka ka bërë një denoncim të ngritur mbi një hiç (çudi se si nuk ka përfshirë në këtë fabul të tijën edhe procedimin penal të prokurorëve në ngarkim të Ndreut e Ndokës tjetër, që të dy katolikë e gegë). E me këtë, përveçse është kruar atje ku as i dhemb e as i djeg, duhet të ketë vënë në pozitë të keqe edhe dy anëtarët e KLD-së, të cilëve me siguri nuk u ka ardhur mirë që dikush i ka marrë në mbrojtje, jo si juristë, gjyqtarë e dinjitarë të mirë, por si gegë a katolikë. Ç’muhabet!



P.S.

Më vjen të shkruaj mbi këtë argument edhe për një arsye personale. Ka pasur disa bandillë (i fundit B.Kajsiu) që, pa i lexuar librat e mi ‘Unë jam gegë’ e ‘Pax Albanica’, të tërhequr prej tollovisë që ka mbjellë ndonjë si punë e tyre apo në tentativë për të dhënë faqe botës prova të një patriotizmi kitsch (kush dreqin e di pse), i kanë kualifikuar këta libra si sektarë apo racistë. Përfitoj nga rasti t’u them: “Lexojini librat, në mos informohuni mbi to, e pastaj shkruani! Përndryshe, do të thotë që bini në pozitat e atyre internautëve të ngeshëm, që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, veçse t’u zënë njerëzve pusi online”.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist