“Detaje të padukshme” nga vizita e Papë Franceskut në Tiranë
nga Mustafa Nano
Shqip
Vizita e Papë Françeskut në Tiranë ish e natyrës politiko-pastorale, por doli të ishte edhe një operacion i shkëlqyer marketingu. Me fjalë të tjera, Shqipëria doli nga kjo histori me një imazh të përmirësuar në arenën ndërkombëtare. Mediat e botës kish kohë që flisnin për këtë ngjarje, dhe e gjithë kjo vëmendje për mirë, merret vesh, nuk vinte për merita lokale, por vinte prej ndikimit që ushtron Papa i Romës, apo edhe ky Papë në veçanti, në botën e sotme. E vetmja meritë lokale mund të lidhet me suksesin e kësaj vizite. Dhe me sukses kam parasysh që çdo gjë shkoi si në vaj. “Show’ doli për bukuri. Masat e marra ishin të frytshme, e me këtë mund të thuhet se shtrëngimet e kufizimet e imponuara ditën e djeshme prej forcave të sigurisë, duke krijuar me siguri siklete të shumta për mijëra njerëz që kanë dashur të lëvizin, ishin një mundim që nuk vajti dëm. Imazhi i vendit ka fituar edhe për këtë arsye.



***

Për herë të parë më kanë zënë sytë (apo e kam gabim?) një pritje shtetërore. Në ndryshim nga raste të mëparshme, kjo vizitë nuk u përdor nga krahu i mazhorancës. Nuk pamë që Kryeministri Rama të demonstronte vend e pa vend se ish ai që ish strumbullari. Po të donte mund ta bënte këtë gjë, siç kanë bërë paraardhës të tij, por nuk e bëri. Të gjithë shtetarët ishin të përfshirë, dhe secili syresh e pushtoi skenën një copë herë. Në çdo pritje shihje pranë e pranë njerëz të mazhorancës e të opozitës, krerë institucionesh që janë zgjedhur nga pushteti i sotëm e krerë institucionesh të tjera të zgjedhur nga pushteti i shkuar, kryeministra e ish-kryeministra, presidentë e ish-presidentë. Dhe si një ilustrim më konkret i këtij mentaliteti e qasjeje të re, më erdhi një deklaratë e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro. Pardje, ajo u dëgjua të falënderonte me zë të plotë e faqe botës Bashkinë e Tiranës, që i përket opozitës, për bashkëpunimin që kish ofruar gjatë javëve të fundit. Nuk kish ndodhur më parë një gjë e tillë. Opozita jo vetëm nuk është falënderuar për kontributin, por as nuk është lejuar të kontribuojë.



***

Në një raportim të një gazete ndërkombëtare që i bëhej vizitës së kreut të Vatikanit në Shqipëri thuhej që ai të kish thënë se “po e bënte këtë udhëtim në Shqipëri, ngaqë atje ia kanë dalë mbanë të ngrenë një qeveri të unitetit kombëtar midis myslimanëve, ortodoksëve e katolikëve”. Gazeta në fjalë e kish futur brenda thonjëzave këtë qëndrim të Papës, gjë që do të thotë, sipas një rregulli të pranuar nga të gjithë gazetarët e studiuesit e botës, se nuk bëhet fjalë për ndonjë perifrazim; përkundrazi, bëhet fjalë për një citim germë për germë që i bëhet atij.

U vura të kërkoja një burim të dytë mediatik që t’i bënte jehonë së njëjtës deklaratë, e kështu të verifikoja saktësinë e këtij mesazhi që, parë me sytë tanë, është disi i pakuptimtë. Nuk hoqa shumë për të gjetur shkrime të tjera, në të cilët raportohej e njëjta gjë. Dhe zbulova se bëhej fjalë për një deklaratë që Papa e kish dhënë në gusht, teksa kish folur lidhur me vizitën që kish planifikuar të bënte në vendin e shqipeve. Dhe kështu i bie që ndihmësit e tij, në përpjekje për ta përgatitur këtë vizitë, i kanë nënvizuar faktin se në përbërje të kabinetit aktual të Këshillit të Ministrave ka njerëz me fe të ndryshme, dhe se ky fakt është një gjë pa precedent, apo me precedentë të rrallë, në historinë e Shqipërisë.

Merret vesh se ia kanë dramatizuar kot më kot historinë e Shqipërisë. Kjo e fundit është dramatike sa të duash, por jo për shkak të feve. Pastaj, për sa i takon përbërjes shumëfetare të qeverisë, kjo është një dukuri e qëmotshme këtyre anëve. Një prirje e tillë është verifikuar qysh në krye të herës, qysh në krijimin e qeverisë së parë që ka përuruar historinë shtetërore të Shqipërisë. Të kuptohemi, nuk është se ministrat e qeverive tona qysh prej vitit 1912 kanë qenë mirëfilltazi myslimanë e të krishterë (ministrat besimtarë gjatë 100 viteve të fundit numërohen me gishtat e dorës). Ata kanë qenë rëndom ateistë e agnostikë, e që të gjithë, pa asnjë përjashtim, me formim laik. Kështu që fraza e Papës mbi “qeverinë e unitetit ndërfetar” ishte krejt e paqëlluar.

***

Vizitën e Papë Françeskut e ndoqa nga ekrani i Rai Uno-s. Pamjet ishin të njëjta me ato që përcillnin televizionet tona kombëtare, por këto të fundit nuk të bëhej t’i ndiqje, o ngaqë ishin bërë pjesë e axhendës politike të Tiranës, o ngaqë ishin bërë pjesë e axhendës pastorale të Papës. Media shqiptare, si gjithnjë në rrethana të tilla historike, ishte në pikën më të ulët të misionit të vet. Ajo ish bërë e tëra njësh me festën, dhe çdo raportim kish lidhje veç me përmasën festive të ngjarjes. Çdo gazetar ishte shndërruar në besimtar, pelegrin, tek-tuk prift, gjë që dukej, në mos tjetër, tek ekstaza, mes së cilës raportonin e te gara a zelli për ta trajtuar Papën si një emërtesë qiellore (Ati i Shenjtë, mëkëmbësi i Zotit në Tokë etj), e jo si një bartës e ushtrues të funksioneve tokësore; harruan për nja dhjetë orë të mira të thoshin se ai ishte Mario Bergoglio, Ipeshkëvi i Romës, kreu i kishës katolike, apo kreu i shtetit të Vatikanit. E të binte në sy se të gjitha televizionet e raportonin live këtë vizitë, gjë vërtet e pakuptueshme, të paktën në një vështrim komercial, që në rrethana të tjera është vështrimi i vetëm që kanë pronarët e mediave tona. Si është e mundur vallë që të gjitha televizionet bënin të njëjtën gjë dhe asnjë televizion nuk i çau kryet e veta për atë pjesë të audiencës që, për një arsye a një tjetër, donte të ndiqte ndonjë gjë tjetër?

E vërteta është se Rai Uno nuk ndryshonte shumë nga televizionet shqiptare në harkun e atyre dy orëve të Meshës në sheshin ‘Nënë Tereza’ të Tiranës. Por kjo ndodh ngaqë Rai është një televizion publik, dhe në këtë kuadër i ka dhënë dum punës që, në respekt të besimtarëve katolikë, të ungjillëzohet e të ungjillëzojë nja dy orë në javë. Përveç kësaj, tonet e Rai-t gjatë raportimit në raste të tilla janë më shumë gazetareske sesa fetare. E pastaj, reporterët e Rai-t në një rrethanë të tillë janë të specializuar për të bërë atë punë. Dhe e bëjnë “pa ndonjë bujë”.



***

Meqë jemi këtu, po e mbyll shkrimin me një anekdotë të treguar në një kronikë mbi Nënë Terezën në fund të transmetimit të Rai Uno-s nga Tirana. Në një moment kur Nënë Tereza ishte përkulur mbi një të sëmurë me lebër, dhe po i ledhatonte fytyrën e kraharorin kockë e lëkurë, një gazetar që ishte aty pranë mbetet syshqyer përballë kësaj pamjeje. Plot frikë se murgesha e famshme mund të kish marrë infeksion nga ai i sëmurë, ai i afrohet asaj duke mbajtur një distancë sigurie, dhe i thotë: “Unë nuk do ta prekja atë lebroz edhe sikur të më jepnin një milion dollarë”. Dhe përgjigjja e Nënë Terezës ishte nga ato që të mbetet në mendje: “As unë nuk do ta prekja për një milion dollarë”.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist