Muri i Berlinit, përse një simbol?
Pëlqej
Albeu.com
Përse Muri i Berlinit mbetet ende simboli i një revolucioni paqësor në Gjermani. Rezultatet befasuese të një sondazhi: Një pjesë e gjermanëve ëndërrojnë për vitet kur ai ekzistonte. Lexoni shkrimin...A e kujtoni ndopak 9 nëntorin e 18 viteve më parë? Çfarë ju thotë kjo datë dhe cili prej jush do të kujtohej për të nëse nuk do ta shihte diku të publikuar në faqet e shtypit të sotëm? A do të ishit në gjendje që menjëherë, nëse do t‘iu pyeste dikush të përgjigjeshit se 9 nëntori është dita e shembjes së Murit të Berlinit? Datat ikin me shpejtësi marramendëse dhe na lenë pas së bashku me kujtimet që shpesh zhduken nga memoria. Për një brez më të vjetër të Evropës Qendrore, 9 nëntori ka përfaqësuar "Kristallnacht" "natën e xhamit të thyer" në vitin 1938, kur banditët nazistë i morën mbarë rrugët e Berlinit duke thyer xhamat e dritareve të dyqaneve të hebrenjve. Për ata që janë edhe më të avancuar në moshë, po kjo datë me siguri që u sjell ndër mend vitin 1923 dhe tentativën për grusht shteti të Hitlerit natën e 8-9 nëntorit. Çdo 9 nëntor zëvendëson paraardhësin. Ndoshta, Zoti na ruajt, në vitet e ardhshme mund të parashikohet kryerja e ndonjë sulmi terrorist në Berlin (të shpresojmë i dështuar), po në 9 nëntor dhe atëherë gjermanëve do t‘u duhej ta vrisnin pak mendjen për të gjetur një emër më të përshtatshëm për të në vend të 9/11, për të mos ta ngatërruar me 11/9 që është versioni amerikan për sulmet e 11 shtatorit. Në fillim të kësaj jave, kalova një pasdite të tërë së bashku me një mikun tim dhe tim bir në vendin ku dikur ishte Muri i Berlinit. Im bir në atë vit ishte vetëm 3 vjeç. Në atë vend nuk ka mbetur asgjë përveçse disa copëzave betoni e grushteve rëre e të mendosh që dikur Muri quhej "Rripi i vdekjes", pasi do të duhet të ishe me të vërtetë me fat që të mbeteshe gjallë pasi të vendosje ta kaloje kufirin që ndante dy botë. Për ne që e kemi përjetuar atë periudhë dhe që i jemi ndodhur Murit pranë në ditët e dhimbjes dhe ato të lirisë, që kemi parë të na liroheshin shokët pas burgosjeve të gjatë, ai vend që sot nuk thotë asgjë përbën një moment të paharrueshëm jetëndryshues. Ndërsa për t‘ia shpjeguar domethënien e Murit dikujt që nuk ishte atje në momentet që bënë historinë do të duhej fantazia e ndonjë romancieri. "Ta ndiesh të shkuarën ashtu siç ishte" (Fuehlen, ëie es ëar), është shërbimi fotografik i një reviste gjermane, e cila sjell pamje të fëmijëve që prekin mbeturinat e Murit të Berlinit, duke u munduar të ndiejnë diçka nga domethënia dhe mesazhi që përcjell ekzistenca dhe zhdukja e tij nga fati i historisë së kontinentit. Ndërsa darkoj me tim bir, mikun tim dhe djalin e tij, një aktivist rinor në Berlin Perëndimor e pyes këtë të fundit se çfarë do të organizohet këtë vit me rastin e përvjetorit të rëndësisë. "Jo ndonjë gjë e madhe", më përgjigjet ai. Edhe sikur të mendonim ndonjë gjë, një pjesë e madhe do të na kundërvihej duke thënë se po bëheshim të bezdisshëm me kujtimin e nostalgjisë së të kaluarës dhe të momenteve që tani nuk është se i mbajnë mend përditë. Sipas tij, është njësoj si historia e atij babait të shkuar në moshë që çdo të diel rrëfen të njëjtën histori trimërie të rinisë së tij, duke harruar që familja e ka dëgjuar ngjarjen njëmijë herë. Megjithatë, imagjinoni rastin e një gruaje të re që ka ardhur në jetë mëngjesin e 9 nëntorit të vitit 1989, këtu në Berlinin Lindor dhe që pikërisht sot, këtë të premte mbush plot 18 vjeç. Si do ta festonte dhe kujtonte ajo momentin historik në të cilin qëlloi që të vinte në jetë? Disa miq të mitë më thonë se ajo nuk ndryshon aspak nga moshatarët e saj 18-vjeçarë në Spanjë, apo Britaninë e Madhe, madje Spanja është një rast krahasimi më i mirë. Maksimumi që një berlineze 18-vjeçare do të ndiente sot është se ajo erdhi në jetë në një moment drite, që lindi pas një periudhe të errët të mbetur pas në Gjermaninë e vitit ‘89, apo edhe në rastrin e Spanjës së Frankos nëse do t‘i referoheshim një 18-vjeçareje nga Madridi. Megjithatë, kjo lloj ndjesie është vetëm skajshmërisht e lidhur me jetën e këtyre riosheve 18-vjeçare, pavarësisht se momenti kur erdhën në jetë është i një rëndësie të veçantë. Pyetja është: Përse kjo ngjarje epokale, e konsideruar nga shumë historianë si shenja e "dhënies shpirt" të një shekulli tragjik, u zhduk kaq shpejt nga memoria, aq sa sot të kujtohet pa ndonjë emision të veçantë? Ndoshta, ndryshe nga rasti i 4 korrikut që ishte nisja e diçkaje të re që është ende me ne (Shtetet e Bashkuara të Amerikës), 9 nëntori ishte më tepër një fund i madh, sesa një fillim i tillë.

Një ditë pas kësaj ngjarjeje të gjithë u ngritën me 1000 pyetje për veten dhe të ardhmen: A mund dhe a duhet të ishte një Gjermani e bashkuar paqësore? A mund dhe a duhej që komunizmi që kishte masakruar të gjithë pronën private, shkatërruar ligjin dhe varrosur demokracinë përmes të ashtuquajturës "diktaturë e proletariatit" të transformohej befas në një kapitalizëm të suksesshëm? Një barsoletë e vjetër thoshte se është e mundur që të kthesh një akuarium në një supë peshku, por a është e mundur që një supë peshku të kthehet në akuarium? 18 vjet më pas, të gjitha këtyre pyetjeve u është dhënë një përgjigje: Po është e mundur. Kapitalizmi edhe pse me shumë vështirësi e me kosto shumë të madhe mund të lexohet në fasadat, dyqanet e madje edhe në mendësitë e berlinezëve, sot 18 pas shembjes së madhe. Prova e triumfit të kapitalizmit shihet edhe në reklamën e madhe e shumëngjyrëshe që ndodhet në faqet e revistës "The Economist", apo "Financial Times" javët e fundit. Ajo shfaq ish-presidentin e Bashkimit Sovjetik, Mihail Gorbaçov, ulur në ndenjësen e pasme të një veture nga dritaret e së cilës shfaqen mbeturinat e Murit të Berlinit. Pranë tij ndodhet një çantë lëkure e markës "Louis Vuitton", së cilës ish-presidenti i bën reklamë. Ja pra një hero i epokës sonë që është shndërruar në një personazh reklame tipike kapitaliste. 18 vjet më pas, ky shembull më duket ilustrimi perfekt i epokës në të cilën po jetojmë. Po çfarë ka mbetur atëherë nga ajo natë e ftohtë dimri berlinez, kur njerëzit ndërsa vallëzonin mbi mur, shkruanin, njëherazi edhe historinë? "Was Bleibt" (Çfarë ka mbetur?) do të pyesnin vetë gjermanët? Përveç kujtimeve tona në zbehje e sipër, unë mendoj që ka edhe diçka që ka mbetur ende dhe që do t‘i mbijetojë të ardhmes. Shembja e Murit është ndoshta imazhi më i madh i triumfit të asaj që do ta quanim: Rezistenca civile ose revolucioni popullor paqësor. Ajo pasoi demonstratat paqësore në qytete të tjera të lindjes, si Leipzig e gjetkë. Një punëtor gjermanolindor më tha dikur: "E sheh, kjo tregon se Lenini e kishte gabim. Lenini tha se revolucioni mund të ketë sukses vetëm përmes dhunës, por ky ishte një revolucion paqësor dhe doli me sukses".

Revolucioni gjermano-lindor i ashtuquajtur "revolucioni i qirinjve" ka edhe paraardhës si lëvizjen e Gandit, protestat e Martin Luter Kingut, apo lëvizjen polake të Solidarnostit. Ka gjithashtu edhe shumë pasues si revolucionin e Pragës, Afrikës së Jugut, Sllovakisë, Serbisë, Ukrainës dhe së fundi edhe lëvizjen paqësore të murgjve budistë të Burmës. I tillë duhet parë edhe 9 nëntori një datë që mund të harrohet, por një shembull që nuk vdes kurrë.

Sondazhi


18 vjet pas shembjes së njërit prej simboleve më të dukshme e më famëkeqe të Luftës së Ftohtë, Murit të Berlinit, që u prit me lot gëzimi si nga banorët e lindjes, ashtu edhe ata të perëndimit të Gjermanisë, rezultatet e sondazhit të fundit të kryer me këtë rast janë me të vërtetë interesante. Një në 5 gjermanë do të dëshironte që Muri të rindërtohej sërish. Sondazhi i kryer në një grup prej 1000 personash të moshave e profesioneve të ndryshme tregoi se dëshira për ta parë "të ringjallur" Murin është e së njëjtës masë si për banorët e lindjes, edhe për ata të perëndimit të vendit. Vetëm 3% e njerëzve nga lindja shprehën kënaqësinë e tyre me mënyrën e funksionimit të demokracisë në vendin e tyre. Sondazhi i kryer nga instituti "Forsa", tregoi gjithashtu, se të pyeturit nga vendet e lindjes mendonin se në parim ideja e një shteti socialist është parimisht pozitive, por fatkeqësia ishte se zbatimi i teorisë u bë keq dhe kjo solli të gjitha pasojat negative. Mbi 90% e të anketuarve ishin pro politikave sociale të aplikuara gjatë periudhës së komunizmit. Tulla e parë e Murit të Berlinit u vu në vitin 1961 kur u vendos ndarja e Berlinit komunist nga ai kapitalist. Gjatë ekzistencës së tij 28-vjeçare, Muri u bë simbol i Luftës së Ftohtë dhe i përplasjeve të mëdha e deri diku të heshtura mes dy sistemeve që e ndanë Evropën në përfundim të Luftës II Botërore. Sipas statistikave, 125 persona humbën jetën ndërsa përpiqeshin të iknin nga lindja në perëndim, edhe pse mendohet se numri i viktimave mund të jetë edhe më i madh. Fillimi i fundit për këtë simbol ndarjeje e vdekjeje ishte pikërisht 9 nëntori i vitit 1989. Rënia e tij ishte pjesë e rënies së regjimit komunist në Evropën Qendrore dhe Lindore. Të dy Gjermanitë u bashkuan zyrtarisht tetorin e një viti më pas, pra të vitit 1990. Për të gjithë ai moment bashkimi përbënte një akt shumë të rëndësishëm kombëtar, ishte një festë e fitore e të gjithëve, ndaj kjo sot konsiderohet si festa kombëtare. Vitet që pasuan nuk ishin edhe aq entuziaste sa ç‘mendohej në fillim. Pas bashkimit lindën problemet e sheshimit të të gjitha diferencave të mëdha që ekzistonin mes lindjes dhe perëndimit dhe kjo nuk ishte aspak e lehtë dhe pa probleme, megjithëse kostoja e një procesi të tillë i ka kaluar të 1.3 trilionë eurot. Ajo që të bën përshtypje te rezultatet e sondazhit është se banorët e perëndimit, në pjesën më të madhe, u shprehën se nëse muri do të ishte rindërtuar ata do të donin të jetonin në Gjermaninë Perëndimore, ndërkohë që vetëm 36% e të pyeturve të banorëve të lindjes u shprehën se në rastin e rindërtimit do të donin të jetonin në lindjen komuniste. Sipas një studiuesi të revistës gjermane, "Der Spiegel", pjesa më e madhe e personave të lindur në Gjermaninë Lindore nuk kanë lidhje me origjinën e tyre. Rezultatet e sondazhit janë botuar në Gjermani, ndërkohë që i gjithë vendi po reflekton mbi përvojat e gjermanëve të rinj, atyre që u lindën dhe po rriten në realitetin e ost-Murit të Berlinit, ata të rinj që do të jenë në krye të vendit nesër. Pjesa më e madhe e të rinjve së bashku me prindërit e tyre shprehen se ata ndihen politikisht të zhgënjyer. Ndërsa një tjetër fakt interesant i sondazhit është edhe ai i mungesës së lidhjeve mes të rinjve të lindjes dhe perëndimit, e cila e shprehur në përqindje është vetëm 5%.
G. Shqip
Shtuar më 09/11/2007, ora 20:18
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori