Murat Jashari dhe Martin Luther Kingu
Albeu.com
nga Valmir Elezi Fillimisht, nuk dua të tërheq paralele për ngjashmërinë e këtyre dy personazheve. Përpjekja ime ka të bëjë me shpjegimin e ngjashmërive të ëndrrës së Martin Luther Kingut dhe domethënies të dëshirës së Murat Jasharit për të qenë në postin e Avokatit të Popullit.Para disa ditësh, për herë të tretë u anulua zgjedhja e Avokatit të Popullit nga Kuvendi i Kosovës, që siç mendohet, pas ndërhyrjeve nga jashtë të ndërkombëtarëve. E para, me këtë gjest domethënia e legjislativit të Kosovës si organ shtetëror i pavarur u thye. E dyta, dikush mund të thotë se kemi pranuar pakon e finlandezit dhe kjo gjë duhet të ndodhë kur shihet se ka mosfavorizim të pakicave, në këtë rast asaj serbe. Por, kjo mendësi është e gabueshme, sepse ky urdhër erdhi nga “prapaskena”, e jo përmes procedurave që janë pranuar. Së fundmi, këto kanë pak rëndësi, ngaqë ajo që është mëtuar të ndërtohet në këto vite të pasluftës në Kosovë, ku kryesorja është ndërtimi i tolerancës ndëretnike, po rrënohet, me një veprim të tillë, të atyre që kanë propaganduar më së shumti në këtë drejtim.

Martin Luther King Jr., më 28 gusht të vitit 1963 mbajti fjalimin që tronditi botën, në themel Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat edhe përkundër faktit se ishte shteti me demokracinë më të fuqishme të kohës. Qëllimi i tij kishte domethënie (sidomos për njerëzit me ngjyrë, të cilët ishin objekt i diskriminimit, madje edhe kur gjendeshin në një autobus) për të ndryshuar këtë gjendje ekzistuese.
Në shumë vende me demokraci të zhvilluar thuhet se pushteti buron nga populli dhe është për popullin apo thënë ndryshe pushteti demokratik përmes procedurave është i varur nga populli. Ndërkaq, në Kosovë UNMIK-u kishte tiparet e një subjekti sovran, porse tani disa nga ato janë trashëguar te një subjekt tjetër.

Përderisa në ShBA (vendi i dikurshëm ku ka jetuar M. L. Kingu) Presidenti si ushtrues i pushtetit ekzekutiv me të drejtë veto (e cila mund të jetë e rrëzueshme) nënkupton se funksioni i njeriut të parë të këtij vendi është më shumë bindës sesa urdhërues, ndërsa në Kosovë ka qenë e padiskutueshme veto e PSSP-së. Madje ligjet e miratuara nga legjislativi i Kosovës është dashur të shpallen si të vlefshme nëpërmjet një rregulloreje të UNMIK-ut. Kjo na bën të mendojmë se Kosova i ka ngjarë një monarkie të “vonuar”. Edhe pse është vështirë për t’u besuar në kohë. Në përgjithësi ekziston bindja se monarkia është diçka e domosdoshme ose e dëshirueshme. Kjo gjendje në Kosovë buron që nga 99-ta kur ka qenë e domosdoshme të “pranohet” diçka e dëshirueshme për të tjerët dhe zor se nuk ekziston më. Rasti i fundit për Avokat të Popullit ka rikthyer këtë mendësi. Historia na tregon se një version i skajshëm i monarkizmit do të ishte një monark që jo vetëm do të mbretëronte por, edhe do të sundonte.

Dikur Martin Luther King para një mase të madhe njerëzish, kishte thënë: “Sot kam një ëndërr! Kam një ëndërr se poshtë në Alabama, ku sundon racizmi i ligë, ku nga buzët e guvernatorit dalin fjalë pa kuptim, djem dhe vajza të vogla me ngjyrë, do të mund të bashkojnë duart me djem dhe vajza të vogla të bardha, si motra dhe vëllezër... Dhe nëse Amerika do të bëhet një komb i madh, kjo ëndërr duhet të bëhet e vërtetë”.

Gjatë këtyre viteve të pasluftës dhe deri në përcaktimin e statusit politik të Kosovës, pasiguria ka ekzistuar për shkak të situatës problematike ndërmjet komuniteteve të ndryshme, theksueshëm ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, e cila ka qenë arsye për caktimin e statusit të kushtëzuar të vendit tonë, deri në pjekjen e mendësisë se përnjëmend duhet të ndodhë një bashkëjetesë ndërmjet tyre edhe përkundër faktit se nuk ngjan me asnjë vend të botës.
Qëllimin e Muratit që të konkurrojë për postin në fjalë dhe eventualisht ta fitojë atë, duhet parë si ndërtues i asaj mendësie që është kërkuar gjatë kësaj kohe. Ngaqë, përderisa një individ sikurse Murati që ka origjinë nga një familje që ka dhënë shumë anëtarë të familjes së ngushtë gjatë luftës së fundit është i gatshëm të marrë ankesa edhe nga ndonjë individ i komuniteteve të tjera, e t’i zgjidhë ato çështje që rëndojnë qytetarin e thjeshtë, besueshmëria e shoqërisë ndaj këtij “ideali” do të rritej dyfish!

Mendësia e dallueshmërisë në ekstrem vështirë se mund të ndryshoj pas veprimeve të tilla. Tekefundit, nuk mendoj se ndonjë individ tjetër do të dijësojë (më shumë) njerëzit për vlerat e përbashkëta të tyre.

(Autori është student i vitit të III-të në Shkenca Politike në UP)
Shtuar më 11/10/2008, ora 02:01
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori