Muhamed Zeqiri, interviste ekskluzive per Albeu.com
Albeu.com
Intervistë ekskluzive e Kryeredaktorit të Alsat-M, Muhamed Zeqiri, dhënë portalit Albeu. Jeta, karriera dhe arritjet e gazetarit dhe kryeredaktorit të televizionit të vetëm kombëtar në gjuhën shqipe në Maqedoni, Alsat-M. Lexoni intervistën ...Albeu.com: Z. Muhamed, ju faleminderojmë për gatishmërinë tuaj për tju përgjigjur pyetjeve tona. Kjo është intervista e parë, e një cikli intervistash me profesiosnistë të rinj shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, të cilët kanë arritur sukses në një sektor të caktuar. Ju përzgjodhëm juve të parin mes shumë të suksesshmëve, për të filluar këtë cikël intervistash.

Muhamed Zeqiri: Është kënaqësia ime te jem një ndër ata për të cilët keni vlerësuar se bëj pjesë në mesin e atyre që në profesionin e tij ka arritur ndonjë sukses.

Albeu.com: Shumica e vizitorëve tanë ju njohin, por do të ishte mirë sikur tju njihnin edhe njëherë më fjalët tuaja. Disa fjalë rreth biografisë tuaj?
Muhamed Zeqiri: Jam relativisht i ri 30 vjec për ata që nuk e dinë. Me këtë profesion kam filluar të merrem që në periudhën kur isha nxënës i shkollës së mesme. Hapat e parë i kam bërë në Radion Arta Orion në Shkup, për të vazhduar me pjesën më të madhe të kolegëve të radios në Tv ERA në atë kohë, Tv i vetëm lokal në gjuhën shqipe. Punova plotë tre vjet në këtë televizion dhe në vitin 2000 bëra hapin më të qëlluar sipas meje, u transferova në Tv Kanal 5 si gazetar i vetëm shqiptarë në atë kohë që ka punuar në media maqedonase. Punova një vit ku edhe perfitova përvojën të madhe në këtë profesion, vit që asnjëherë nuk do të harrohet, një ndër vitet më të vështira për shtetin tonë, vit të cilin e shënoi konflikti i vitit 2001. Në shtator të 2001 karrierën time të gazetarit vendosa ta vazhdoj në Radion Europa e Lirë në servisin në gjuhën maqedonase ku kam punuar plotë 6 vite. Nga viti 2006 jam në postin e kryeredaktorit të Tv të vetëm kombëtar shqiptarë në Maqedoni ALSAT  M.

Albeu.com: Keni filluar herët të merreni me gazetari, si ka ndikuar kjo në jetën tuaj profesionale?
Muhamed Zeqiri: Po sigurisht pozitivisht ne jeten profesionele por jo edhe në atë private. Them jo në atë priovate pasiqë përkushtimi i plotë ndaj profesion tim më ka larguar nga familja dhe të afërmit. Më keqardhje duhet të them se shumë pak kohë kam të ndaj për bashkëshorten dhe dy vajzat e mia Kanitën dhe Linën, të cilat me mallë presin momentin kur kthehem nga puna.

Albeu.com: Njoh gazetarë që kanë mbi 10 vjet që ushtrojnë profesionin e tyre në media të ndryshme por që asnjëherë nuk kam parë një lajm të tyre të dalë në faqën e parë të gazetës apo të bëhet lajm kryesor në një televizion. Ju, përkundër moshës së re, keni arritur shumë në profesionin tuaj. Cili mendoni se është çelësi i suksesit tuaj, çkeni ju më shumë se të tjerët?
Muhamed Zeqiri: Nëse përkushtoheni ndaj punës dhe atë e kryeni me profesionalizëm të skajshëm, nuk mund të mos pritni sukses. Nëse profesionin e gazetarit e kuptoni si punë administrative atëherë nuk mund të prisni se do të keni sukses. Nëse keni vendosur të merreni me këtë punë, duhet ta kupotoni se jeni gazetar 24 orë dhe se nuk keni orarë pune si punonjës administrate dhe se në ora 16 do të mbyllni duqanin dhe do të shkoni në shtëpi.

Albeu.com: Cili është lajmi më i suksesshëm që keni bërë ndonjëherë?
Muhamed Zeqiri: Cdo lajm ka peshën e vet. Nuk më kujtohet për momentin ndonjë lajm që do ta vecoja, por cdo lajm që do të arrini ta publikoni i pari ju bën të krenoheni dhe cdo lajm të cilin e publikon e që më pas kolegët tjerë e citojnë, paraqet sukses vetvetiu. Në karrierën time kam qenë shumë herë në raste të këtilla të krenohem me punën që kamë bërë.

Albeu.com: Po, ndonjë lajm që ju ka bërë të turpëroheni ose i kenë thënë vetes sikur të mos e kisha bërë?
Muhamed Zeqiri: Fatmirësisht nuk kam qenë në rast të tillë.

Albeu.com: Kemi dëgjuar se jeni praktikant i fesë islame. Duke e ditur këtë dhe ndjeshmërinë e Islamit ndaj të drejtës së individit, dua të bëj një pyetje direkte. Kur bëni një lajm, e pyesni ndërgjegjen apo shkruani atë që shihni ose mendoni se është ashtu pa e vrarë shumë mendjen. Ose sot, duke qenë në pozicionin e kryeredaktorit, ndodh që për arsyet e mësipërme ti veni veto ndonjë lajmi?
Muhamed Zeqiri: Nëse lajmi është bazuar në fakte dhe argumente, asnjëherë nuk ia kam lejuar vetes që ti vë veto. Kur përmendni cështjen e fesë, duhet të theksoj për lexuesit tuaj se profesioni im i parë është Hoxhë. Kam të kryer medresenë "Isa Beu" në Shkup dhe Islami na mëson që gjithmonë të flasim të vërtetën, andaj nuk i lejoj vetes që të mos publikoj ndonjë lajm nëse i njëjti është i bazuar në argumente dhe fakte.

Albeu.com: Keni menduar ndonjëherë të punoni në gazetë?
Muhamed Zeqiri: Asnjëherë. Nuk e di pse por është media e vetme ku nuk e kam provuar veten, ndoshta faji qëndron në atë që kam punuar vetëm në media elektronike radio dhe Tv dhe aty e kam gjetur veten. Por asnjeherë nuk i dihet, ndoshta do të vijë koha kur edhe do të punojë në gazetë.

Albeu.com: Po Alsat-M? Mirë ecën?
Muhamed Zeqiri: Shikoni, e mira asnjëherë nuk ka fund. Nuk guxojmë të qahemi, punët ecin mirë por sigurisht mundet edhe më mirë. Jemi Tv me i ri ne Maqedoni dhe jemi krenar me të arriturat e deritanishme. Sigurisht, gjithmonë janë shikuesit ata të cilët duhet të vlerësojnë punën tonë por besoj se ata janë të kënaqur me atë që ofron ALSAT-m në ekranin e tij.

Albeu.com: Udhëhiqni programin informativ Rruga Drejt, ku do çdo javë keni të ftuar figura të njohura publike. Nuk ka zyrtarë të lartë që të mos kenë marrë pjesë në emisionin tuaj. Si e ndjeni veten para këtij fakti?
Muhamed Zeqiri: Si para cdo njeriu tjeter të zakonshëm. Pavarsisht se për momentin janë në poste të caktuara edhe ata janë pjesë e popullit, nuk janë mbi popullin dhe mbi askënd tjetër. Kur e intervistoj, nuk kam ndonjë ndjenjë të vecantë pavarsisht për cilin personalitet behët fjalë. Puna ime është të pyes, e tyre është të përgjigjen.

Albeu.com: Dhe pyetja e fundit, cili është synimi i Muhamedit në jetë, si e shihni të ardhmen tuaj?
Muhamed Zeqiri: Synimi im është të vazdojë edhe pjesën tjetër të jetës në këtë profesion të kryj me nderë këtë punë që bëj dhe sigurisht të jem i suksesshëm në atë që bëjë.

Albeu.com: Ne ju faleminderojmë për kohën që ndatë dhe ju dëshirojmë suksese në profesionin tuaj. Shpresojmë që kjo të mos jeta hera fundit që bashkëbisedojmë.
Muhamed Zeqiri: Ishte kënaqësia ime. Sigurisht, cdoherë do të jem në dispozicionin tuaj. Suksese edhe Juve.
Shtuar më 22/02/2010, ora 22:30
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori