Mos enderroni te jeni me te medhenj se Skenderbeu
Albeu.com
nga Naim SINANIAthua edhe çka duhet tu ndodh shqiptarëve, që krerët e partive politike, të binden se duhet të lënë inatet personale dhe interesat e ngushta partiake, për të ...... realizuar një takim të përbashkët, në të cilin do të analizohej pozita tejet e rëndë, në të cilën ndodhen aktualisht shqiptarët e Maqedonisë? Ali Ahmeti, Mendu Thaçi, Hysni Shaqiri, Rufi Osmani, Bardhyl Mahmuti dhe Imer Selmani, urgjentisht duhet të heqin dorë nga ëndrra, që me sa duket e shohin çdoherë kur bien të flenë, se kur të zgjohen do të jenë më të mëdhenj se sa njëri-tjetri. Të gjithë këta personalitete duhet ta dinë se janë aq të mëdhenj sa kanë kontribuar për popullin, i cili duke ia besuar fatin e vet, secilit nga ata në periudha të caktuara, ua ka dhënë mundësinë të jenë të “mëdhenjtë” e popullit. Populli gjithmonë ka ditur të bëj bilancin dhe të respektojë punën e secilit, ashtu siç diti të respektoj edhe angazhimin dhe veprën e tanimë të ndjerit Harun Aliut, vrasja e të cilit pa marr parasysh se si komentohet nga gojë këqijtë, populli po e çmon dhe me siguri do të vazhdoj ta çmojë si një personalitet që vdiq në shërbim të këtij populli. Pas vrasjes së tij, në njërën nga gazetat tona ditore e pash një titull që më bëri përshtypje tej mase, “Harun Alu u vra, por mbeti Kushtrimi i tij”. E kushtrimi i Komandant Kushtrimit, nuk ishte asgjë tjetër, përpos një ëndërr që Fisniku i tij njëvjeçar, ashtu si edhe të gjithë shqiptarët e këtyre trojeve, të mos ndjehen të diskriminuar në trojet e stërgjyshërve të tyre. Por megjithëse këtyre ditëve është mjaft aktuale të flitet për rrethanat se si u vra Harun Aliu me shokët, mua më tepër po më shqetëson ajo se cila është porosia që duan ta japin vrasësit e tij?Mos ndoshta u bëhet me dije të gjithë atyre që angazhohen për përmirësimin e statusit të shqiptarëve, se do të përfundojnë në varr?! Mendoj se një shqetësim i tillë duhet të jetë i pranishëm edhe për krerët e politikës shqiptare, nëse ende e mbajnë premtimin që i kanë dhënë popullit dhe Dëshmorëve të Kombit, se do të angazhohen për mirëqenien e këtij populli. Tani për tani më duket se po emitojmë plakën, që vazhdonte të krihej, edhe pse fshatit po i dilte flaka. Prandaj në këto rrethana vazhdimi i ëndrrës së Liderëve për të qen më i madh se njëri tjetri, apo ndoshta edhe më të mëdhenj se Skënderbeu, thënë thjesht është irituese për këtë popull të stërvuajtur. Sepse tanimë duhet të jetë më se e qartë se as Marrëveshja e Ohrit, në të cilën thirret BDI, as pesëmbëdhjetë pikshi i PDSH-së, as Federalizimi i BDK-së, apo platformat e partive tjera politike shqiptare, nuk mund të vijnë në shprehje si të tilla. Dhe jo pse këtë nuk e mundëson Nikolla Gruevski, siç dëshirojnë ta paraqesin aktualisht disa analist me orientim pro LSDM-së, por thjesht sepse politika maqedonase ka konsensus kur janë në pyetje shqiptarët. Prandaj është bërë më se e nevojshme një platformë e përbashkët kombëtare shqiptare, për realizimin e së cilës do të angazhoheshin të gjithë bashkërisht, qoftë në koalicion me VMRO-DPMNE-në, apo me LSDM-në, apo edhe në opozitë, sepse nuk është patjetër te jemi shërbëtor te ndërtimit te shtetit nacional maqedonas, siç ka ndodh ne këto njëzet vitet e fundit. (lajm)
Shtuar më 19/05/2010, ora 14:51
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori