Modeli "Obama" trondit Boten dhe huton politiken
Pëlqej
Albeu.com
nga Mustafa NanoNuk ka ndodhur asnjëherë që para, gjatë e pas një fushate presidenciale në SHBA, të ketë patur një interes e një vëmendje planetare të këtyre përmasave. Dhe kjo është e kuptueshme.Në këtë garë elektorale ishte në lojë ndërgjegja civile, dinjiteti politik, integriteti kulturor dhe forca morale e amerikanëve. E nëpërmjet qëndrimit të këtyre të fundit, ishte në lojë zotësia jonë (e të gjithëve) për të bërë një nga ato kapërcime cilësore, për realizimin e të cilave në kohë e rrethana të tjera janë dashur sakrifica, mundime, protesta, trazira, gjakderdhje, jetë njerëzish. Nuk është e zorshme për t‘u thënë pra që zgjedhja e afrikano-amerikanit në "the highest office of the world" është një arritje që, për nga shkëlqimi e valenca historike, mund të barabitet me të drejtat e fituara pas dekada të tëra betejash politike, sociale e kulturore (fjala vjen, e drejta e votës për gratë e për njerëzit me ngjyrë, apo e drejta e këtyre të fundit për të patur një status civil e social të njëjtë me atë të njerëzve të bardhë).

Të kuptohemi, një kandidat me ngjyrë mund ta humbiste këtë garë, e në këtë mes nuk do të kish asgjë komprometuese apo dramatike, por në rrethanat kur kandidati me ngjyrë ishte shumë më frymëzues e më imponues, gjë që u njoh e u pranua në vijimësi nga sondazhet, anketimet, madje dhe nga ‘common sense‘-i, humbja e tij do të ishte një denoncim i bujshëm i kapardisjes kulturore e morale të amerikanëve. Kjo gjë, për fat të mirë, nuk ndodhi. Po, ndodhi që shumica e të bardhëve votuan për John McCain-in, ashtu siç ndodhi që, me pak përjashtime, të gjithë njerëzit me ngjyrë votuan për Barack Obama-n, por kjo është e kuptueshme. Është e kuptueshme pra që, pas gjithë kësaj historie qindravjeçare të dalluar mes të tjerash për skllavërinë, segregacionin e diskriminimin që projektoheshin prej agjencive mendore të njerëzve të bardhë mbi kurrizin e njerëzve me ngjyrë, këta të fundit të bëheshin bashkë për të votuar "njeriun e tyre". Po kështu është e kuptueshme që, pas gjithë kësaj historie, vetëm një pjesë e të bardhëve të gjente forcën "për të mundur vetveten". Në këtë rast njerëzit me ngjyrë ishin duke bërë historinë, ndërsa njerëzit e bardhë ishin duke reflektuar mbi historinë.

Por ka dhe një shkak tjetër, që shpjegon këtë sjellje elektorale: edhe në mungesë të të gjitha paragjykimeve historike (nga ana e njerëzve të bardhë) e të motivimeve historike (nga ana e njerëzve me ngjyrë), do të kishim prapëseprapë - për motive politike e elektorale, e jo raciste - një komponente të fortë anti-Obama të korpusit elektoral. Në demokraci ka gjithmonë - për fat të mirë - njerëz që nuk mbështesin fituesin. Në këtë kuptim mund të thuhet pa frikë, se shumica e dërrmuese e njerëzve të bardhë të Amerikës nuk janë tërhequr prej hunde nga ngasje të vjetra të matricës raciste. Për Barack Obama-n kanë votuar sidoqoftë mbi 40% e të bardhëve, mbi 60% e të rinjve, gati 60% e grave, e kështu me radhë. Janë shifra, që nuk e lënë diagramën elektorale të shihet e të përthyhet ligsht sipas një logjike racore, apo - më keq akoma - raciste.


***

Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve në SHBA e pas shpalljes së fituesit u vu re një trazim i politikës planetare. Ky trazim kish të bënte edhe me ngarkesën historike të asaj që ndodhi, për të cilën fola më sipër; por kish të bënte gjithashtu edhe me impaktin e pritshëm të kësaj ngjarjeje në një numur realitetesh politike lokale, gjë që në këtë botë globale ndodh shpesh. Jo më kot, sa herë që të djathtët/të majtët fitojnë zgjedhjet në një vend të rëndësishëm, në vende të tjera palët fillojnë lojrat politike për ta shtrydhur këtë ngjarje në favor të vet. Duket si gjysmëidiotësie, por nuk është fare kështu. Në këtë botë, ku përcillen fare lehtësisht shpikje, teorira, doktrina, moda, sëmundje, investime, kapitale, çmime aksionesh e produktesh, konflikte, luftra, kriza, nga njëri vend në tjetrin, nuk kemi pse të çuditemi që përcillet po kaq lehtësisht efekti e jehona e një ngjarjeje politike të caktuar. Kur ngjarja ndodh në SHBA, trazimi e hutimi i establishment-eve politike jo amerikane është ku e ku më i madh.

Presidenti rus, Dimitrij Medvedev, ka mbajtur deri më sot vetëm një fjalim përpara kombit të vet (është një praktikë amerikane e huazuar në mënyrë disi të sforcuar). E dini se kur? Më 5 nëntor 2008, dmth në momentin, që sapo ishte marrë vesh fituesi i zgjedhjeve presidenciale. Foli 45 minuta, e nuk e përmendi asnjëherë ngjarjen amerikane, që hapi një epokë të re. Duket në pamje të parë, sikur pikërisht kjo sjellje dëshmon se impakti amerikan në Rusinë politike mungon për fare. Kjo indiferencë e kërkuar, ashtu si dhe ky fjalim përpara kombit (i pari për Medevedin) pikërisht në momentin e një eksitimi amerikan e planetar, janë produkte të një eksitimi më vete. Janë diplomacitë e vendeve mistrece që adoptojnë qasje të tilla, të cilat, në vend që ta maskojnë një gjendje vibrante, e stërtheksojnë atë. Gjendje vibrante? Po pse? Shumë e thjeshtë: Obama, duke qënë se pritet të jetë i ndryshëm prej cliché-së presidenciale amerikane (kjo pritmëri mund të jetë e pavend dhe e pamend, por bartet sidoqoftë prej sindromës së ndryshimit, që ka mbjellë natyrshëm kjo ngjarje), ka çakorduar disi antenat e radarëve të diplomacive të vendeve pak apo aspak demokratike. E për këtë arsye, diplomaci të tilla janë në pritje të sinjaleve më të qarta. Deri sa të vinë këto sinjale, do të jetë radha e këtyre sjelljeve alla Medvedev, të kurdisura për të përcjellë indiferencë, por të pamundura për të fshehur shqetësimin e çoroditjen.

Në botën demokratike punët janë disi më ndryshe. Dua të them, impakti është i tjetërlloji. Po në datën 5 nëntor, ndërsa fytyra e varur e pamja arrogante e Presidentit rus përcillej në eter për 45 minuta rresht, në Dhomën e Komuneve të parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar ishte radha e asaj që britanikët e quajnë prime minister‘s questions (një si interpelancë e përjavshme me kryeministrin). Dhe aty, debati midis kryeministrit Gordon Brown dhe aspirantit për kryeministër David Cameron u katandis tek përpjekjet e njërit e të tjetrit për t‘u shitur si agjentë të ndryshimit në stilin obama-ian.

Në Itali, i njëjti debat që u dallua nga përpjekjet e demokratëve për të përvetësuar fitoren e Obama-s e nga shqetësimi i Berlusconi-anëve prej kësaj fitoreje, mori tone më të forta. Dhe ishte kjo klimë që solli batutën raciste në stil mejhanesh të Berlusconi-t, i cili e përshkroi Obama-n si "të ri, të bukur e të pjekur nga dielli". Debati vazhdon, megjithatë. Dhe jo vetëm në Itali. Kudo, edhe pasi të marrin fund këto përpjekje për të përvetësuar apo për të zhvleftësuar një fitore që s‘ka lidhje me ta, do të mbetet modeli Barack Obama, i cili do të frymëzojë shumëkënd me idenë se ndryshimi është i domosdoshëm dhe është i mundur.

E kur them këtë, nuk jam me idenë fikse se Barack Obama do të jetë një president i shkëlqyer. Askush nuk e di këtë. Çfarë mund të themi sot është një gjë tjetër: shpresa për ndryshim nuk ka lidhje me ngjyrën e lëkurës së Barach Obama-s; përkundrazi, ka lidhje me zotësinë e pamohueshme të këtij njeriu, që jo vetëm nuk u dekurajua e nuk lejoi të tjerët ta dekurajonin për shkak të origjinës së përunjur, por gjeti forcë pikërisht tek kjo origjinë për t‘iu imponuar Amerikës. Ky është leksioni që po trondit këto ditë establishment-et politike të botës. (G. Shqip)
Shtuar më 10/11/2008, ora 17:36
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori