Misteret e fatit të fundmë të Hitlerit
Albeu.com
Dyshime mbi një arratisje me nëndetëse drejt tokave të Amerikës Latine. Vetëvrasje apo ikje me shpurën e Rajhut të Tretë? 60 vjet më vonë ka dokumente që mbështesin variantin e dytë.Aventura ndodhi në det. Itinerari fillon në ujërat e ftohta të Baltikut dhe vazhdon drejt Atlantikut dhe pasi e kaluan gati të gjithin, nga verilindja në jugperëndim, udhëtimi përfundon në brigjet e Argjentinës. Duke lundruar ishte (nën ujë gjatë ditës dhe në sipërfaqe gjatë natës) një flotë e vogël nëndetësesh e Rajhut III nazist, legjendarët U-Boot të klasës më të lartë. Ishin njerëz që mund t‘u rezistonin atyre kushteve. Për javë të tëra mund të jetonin në kushte të paimagjinueshme, në hapësira klaustrofobike, mungesë ajri, ushqime të paketuara dhe ujë që me kalimin e kohës bëhej i papijshëm. Zhytje të rrezikshme dhe burra të vrazhdë, ashtu siç janë shpesh marinarët e nëndetëseve. Por në bord nuk gjendej vetëm ekuipazhi. Në atë ekspeditë udhëtonin edhe pasagjerë të rëndësishëm. Sa të rëndësishëm? Atëherë, aventura e gjatë dhe misterioze zhvillohet në det, por ama zanafillwn nuk e kishte aty. Përkundrazi, ajo fillon në disa dhoma po aq të ngushta sa ato të nëndetëseve, po aq klaustrofobike, të ndriçuara vetëm nga drita elektrike, 15 metra nën sipërfaqen e tokës. Jemi në Berlin, në bunkerin e Kancelarisë, në muajin prill të vitit 1945. Qyteti është bërë copë-copë. Perandorisë patetike gjermane po i vjen fundi. Në ato bodrume të ngushta vërtitet Hitleri, gruaja e tij e ardhshme Eva Braun dhe disa hierarkë që akoma mendojnë, të paktën disa prej tyre, se mund të kontrollojnë fatin e luftës ose së paku fatet jetëve të tyre. Çfarë i lidh këto dy ambiente kaq të ndryshme dhe të largëta? Ndoshta mund të hedhim hipotezën se Hitleri bashkë me gruan e tij të ardhshme Braun, nuk e vranë veten në atë bunker, dhe si pasojë trupat e tyre nuk u dogjën në oborrin aty pranë, dhe që çifti ia mbathi në bordin e një prej nëndetëseve drejt brigjeve mikpritëse të Argjentinës. Ndoshta, gjithsesi, edhe nëse do të ishte e vërtetë, natyra prej kohësh do ta kishte bërë punën e saj.

Hitleri lindi në vitin 1889. Tashmë jemi në 2007-ën. Legjenda se ai mund të kishte mbijetuar, vazhdoi të qarkullonte shumë gjatë viteve të pasluftës dhe pastaj, me kalimin e viteve, filloi të venitej dalëngadalë bashkë me fantazmat e asaj stine në të cilën gati mbijetuan vetëm hijet e dhimbshme të atyre pak të gjallëve në kampet e shfarosjes.

Kjo është një histori e rëndësishme, ku sigurisht ka disa dokumente të cilat sot e kësaj dite nuk janë bërë transparente për publikun. Që prej 60 vjetësh si Londra ashtu dhe Uashingtoni janë munduar që t‘i fshehin disa të vërteta, ndoshta të hidhura. Veçanërisht për sa i përket Shteteve të Bashkuara, as "Neni i Informacionit të Lirë" (i cili parashikon bërjen publike të dokumentacioneve sekrete, madje dhe me disa përjashtime të vogla) nuk i mjafton për të transparent dokumentet. Ndër këto përjashtime bëjnë pjesë dhe lundrimi transatlantik i U-Boot. Në prillin e vitit 1945, i fundit i luftës, Ushtria e Kuqe, kërkonte të përparonte drejt Berlinit me intensitetin më të madh. Të gjithë ishin të vetëdijshëm se sapo Gjermania të firmoste aktin e kapitullimit, do të hapej menjëherë një tjetër front lufte, një luftë brenda koalicionit aleat. Në fakt lufta nisi dhe vazhdoi gjatë. Për fat të mirë qëndroi e "ftohtë", mbi të gjitha falë terrorit të bombës atomike. Prej kësaj, rusët donin të hynin të parët në Berlin. Dhe ia dolën mbanë. Në mesin e dytë të prillit, Ushtria e Kuqe gjendej në periferinë e qytetit. Hitleri u mbyll atje poshtë, fillon të shqetësohet, flet për armë sekrete, urdhëron gjeneralët e tij për të vërshuar frontin drejt vijës finale për të realizuar një kundërofensivë barbare. Madje mungonte dhe benzina për të vënë në lëvizje tanket, municionet po mbaronin dhe situata po merrte tatëpjetën. Më datë 29 a 30 të atij prilli, Hitleri martohet me besniken e tij, Evën. Një ushtar i bie fizarmonikës, çifti vallëzon për disa çaste, është festa e dasmës së tyre. Shumë prej besnikëve të tij nxitojnë për ta shpëtuar. Në bulevardin e gjatë të Berlinit "Unter den Linden" është në pritje një avion. Ai refuzon. Thotë që një kapiten i mirë duhet të fundoset bashkë me anijen e tij. Mos vallë vërtetë përfundoi kështu? Pas atyre fjalëve a u mbajt një qëndrim i denjë? Edhe hierarkë të tjerë kështu kishin thënë, pastaj aleatët i gjetën duke u munduar për të shpëtuar.

Ka shumë dëshmi individësh të cilët pretendojnë se kanë transportuar trupin e Hitlerit dhe atë të gruas së tij drejt oborrit, sipër bunkerit, për të kryer amanetin e fundit, djegien e trupave të pa jetë. Sigurisht që ka edhe shumë kontradikta, modifikime në rrjedhjen e ngjarjeve, madje edhe mashtrime mjaft të qarta. Gjithashtu ka edhe të tjera dëshmi, ato të ushtarakëve rusë, të cilët hynë të parët në atë bunker. A i panë kufomat? Po. Kush i identifikoi atëherë? Disa ushtarë të thjeshtë. Por a nuk mund të jetë bërë fjalë për çiftin Goebels, të cilët bënë të njëjtën gjë që supozohet edhe për çiftin Hitler, vetëvrasjen? Po, në fakt edhe kjo mund të ketë ndodhur. I zgjuari, skeptiku Stalin, historisë së vetëvrasjes nuk i besoi kurrë, por mbeti i bindur se gjenerali i tij donte vetëm ta qetësonte, duke i thënë se e kishin gjetur kufomën e diktatorit gjerman. Ndoshta vërtet mund të bëhet fjalë për një histori të tillë. Ka shumë mundësi. Në fakt këtu fillon pjesa e dytë e kësaj aventure: arratisja. Gati të gjithë komandantët e nëndetëseve, duke iu bindur urdhrave nga lartë, i fundosën gati të gjitha anijet dhe nëndetëset e tyre. Por për disa prej tyre nuk u morr vesh kurrë asgjë. Dhe si për rastësi bëhet fjalë për të gjitha nëndetëset e klasit XXI, flota më e perfeksionuar e Marinës ushtarake gjermane. Nga porti gjerman i Kielit, kjo flotë fillimisht niset drejt Bergen, një gji tepër i qetë në mes të fiordeve norvegjeze, madje rifuxho e përdorur edhe nga vikingët. Pas disa ditësh, e tërë flota u nis drejt Atlantikut jugor. Aventura fillon. Prita, mbrëmje me radhë pa gjumë, paralajmërime që i detyronin të zhyteshin në thellësi marramendëse. Një prej nëndetëseve gjermane godet dhe fundos një korvetë në ujërat e Amerikës Veriore. Një tjetër përballet me kryqëzorin brazilian Bahia, e fundos duke shkaktuar 336 viktima, tragjedia më e madhe detare e Brazilit. Në fakt, për t‘u shfajësuar, të gjitha këto fakte janë deklaruar aksidentale. Madje për një rast është thënë se një mitraloz i vetë anijes gjermane kishte shtënë gabimisht mbi vet depon e municioneve të tyre, duke shkaktuar një shpërthim të madh.

Lufta në Evropë ka mbaruar, vetëm Japonia vazhdon akoma të rezistojë në frontin e largët lindor. Nëndetëset vazhdojnë të lundrojnë me kujdes, madje shpeshherë vetëm nën sipërfaqe, duke dalë sipër vetëm gjatë natës, për t‘i dhënë mundësi marinarëve të thithin pak ajër të vërtetë. Por me gjithë kujdesin më të madh, prania e tyre nuk mund t‘u kishte shpëtuar gjurmimeve aleate nëse nuk do të kishte heshtur komanda e lartë e flotës ushtarake britanike. Por përse vallë qeveria e Madhërisë së Tij duhej të mbronte nëndetëset e një fuqie që disa ditë më parë kishte qenë armikja e saj? Këtu fillon historia, jo më ushtarake por politike. Dihet që ndërsa "perandoria" gjermane po binte dalëngadalë, ndër saj dhe anglezëve pati disa kontakte sekrete me qëllim gjetjen e ndonjë marrëveshjeje pa pasur nevojën e armëve. Konti suedez Folke Bernadote, përfaqësues i "Kryqit të Kuq" dhe njëkohësisht filonazist, kërkoi të arrinte një marrëveshje me Henrik Himler, kapo i SS. Ndonjë hierark arriti madje të shkonte deri në Angli për të rënë dakord jo vetëm për dorëzimin, por edhe për qëndrimin e mëpasshëm të Anglisë. Mbi të gjitha Çërçilli dukej i gatshëm për të thurur madje edhe një plan për ta bërë Anglinë e tij dhe gjithë Perëndimin, të sigurt nga shënjestrat ekspansioniste staliniste. Kur Heri Hopkins (i dërguari i Presidentit amerikan Truman) takoi diktatorin sovjetik në Moskë për të përgatitur Samitin e Potsdam, ky i fundit i tha që mos të kujtonte se Hitleri kishte vdekur vërtet. Madje shtoi mendimin e tij se Borman, Goebels, Krebs dhe vetë Hitleri, ishin arratisur me një nëndetëse. Në fund të fundit, shërbimet sekrete ruse kishin informata se në ditët e fundit të luftës, kishte pasur shumë vajtje-ardhje nëndetësesh, të cilat transportonin ar dhe objekte të tjera me vlerë, transporte që kryheshin deri në Japoni. Që dyshimet e Stalinit nuk ishin vetëm fryt i manisë së tij të persekutimit, këtë e vërteton fakti se, një muaj e gjysmë pas, më 10 korrik, një nëndetëse gjermane doli në sipërfaqe përpara bazës detare të Mar de Plata dhe iu dorëzua autoriteteve ushtarake argjentinase. Një javë më vonë u hap Konferenca e Potsdam, e cila duhej të vendoste, ndër të tjera, të ardhmen e Gjermanisë. Duke i shtrënguar dorën Trumanit, Stalin i përsërit edhe atij se Hitleri nuk kishte vdekur, por ishte "arratisur në Spanjë ose në Argjentinë". Presidenti amerikan u befasua aq shumë nga ato fjalë saqë urdhëroi FBI-në të niste një kërkim të hollësishëm. Rezultati ishte një dossier me më shumë se 700 faqe, material i cili akoma mbahet sekret. Po me flotën çfarë bëhet? Gjatë kohës që po ndodhte gjithë kjo, kishte pasur disa lajmërime se ishin parë disa nëndetëse gjatë brigjeve argjentinase, madje deri në jugun ekstrem të Patagonisë. Dëshmitarë të ndryshëm thonë se kanë parë të zbarkojnë njerëz të tjerë, veç pjesëtarëve të ekuipazhit, që më vonë u dorëzuan si të burgosur. "Fantazma" të panjohura që ishin larguar në errësirë drejt një rifuxhoje që ishte përgatitur mjaft kohë më parë. A është e mundur që mes atyre "fantazmave" të ishte edhe diktatori nazist bashkë me gruan që tashmë ishte bërë bashkëshortja e tij? Ka shumë mundësi të jetë e vërtetë po aq sa mund të jetë e vërtetë dhe vetëvrasja e tyre. G. Shqip
Shtuar më 06/10/2007, ora 12:22
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori