Mirupafshim deri ne provokimin e ardhshem
Albeu.com
nga Kim MEHMETIQeveria e Maqedonisë, nëpërmjet komunës “Qendër”, e shpalosi projektin si do duket Shkupi në vitin 2014. Sipas këtij projekti, qendra e Shkupit të ardhshëm do duket ashtu siç nuk ka ...... qenë kurrë: do jetë e mbuluar me përmendore nga e kaluara maqedonase, të cilat shumë pak do tregojnë për heronjtë në lavdi të të cilëve janë ngritur, e shumë do rrëfejnë për ndërtuesit e tyre dhe për kohët kur ato janë përuruar. Dhe pa marr parasysh sa ato përmendore do jenë të vlefshme për gjeneratat që do vijnë dhe për qentë që do pshurrin pranë postamenteve të tyre, ato përgjithmonë do rrëfejnë për marrëzinë njerëzore, për kohët kur Gruevski me shokët e tij, bëri çmos që të mbulojë realitetin multietnik të Shkupit. Pra, do rrëfejnë për kohët kur qarqet e frustruara maqedonase, bënë çmos që nga panorama e Shkupit të fshijnë identitetin e shqiptarisë, që në kryeqendrën e Maqedonisë t’i rigërryejnë të gjitha themelet e myslimanizmit dhe katolicizmin, e mbi to të ndërtojnë përmendore dhe tempuj ortodoks, siç ndodh me themelet e shtëpisë së lindjes së Nënë Terezës, mbi të cilat do ndërtohet kisha e Gruevskit dhe me themelet e Burmali Xhamisë, mbi të cilët do rindërtohet objekti për shkak të të cilit serbet e rrënuan këtë xhami në vitin 1925 – Shtëpia e Oficerëve. Por, gjithashtu, nuk ka mëdyshje se këto përmendore do dëshmojnë sa i papërfillshëm ka qenë faktori politik shqiptarë në kohët kur partitë maqedonase sundonin, e ato shqiptare ishin vasal të tyre. Ato përmendore do dëshmojnë edhe për mosmirënjohjen e VMRO-DPMNE-së ndaj vasalëve të vet shqiptarë, ndaj atyre që ia lejuan realizimin e gjitha projekteve të inspiruar nga frustrimet etnik, mosmirënjohje të cilën e vërteton harresa e Gruevskit që në sheshin e Shkupit t’u ngre nga një përmendore edhe liderëve partiak që i pati, dhe që ia ka në qeveri, e të cilat përmendore, gjeneratave të ardhshme të shqiptarëve të këtushëm, do ua ndërmendin vitet e mjerimit politik të paraardhësve të tyre, vitet kur subjektet politike të shqiptarëve të Maqedonisë, e dinin se cila rrugë e çon këtë shtet në NATO dhe BE, por nuk e dinin si t’u rezistojnë forcave politike maqedonase dhe cila udhë i çon shqiptarët nëpër institucionet shtetërore në Shkup.

Pra, ende pa e marr veten nga “dënesja” shkaku i ofendimit kolektiv që ua bëri Akademia Maqedonase e Shkencave nëpërmjet të së ashtuquajturës “Enciklopedi maqedonase”, shqiptarët e këtushëm përballen edhe me një provokim të Gruevskit. Dhe mbase i lodhur nga e vërteta se shqiptarët assesi nuk i kuptojnë porositë që ai radhazi ua përcjellë, kësaj radhe Gruevski shumë më qartë atyre ua bëri të ditur se mund të jetojnë në këtë shtet, por vetëm nëse heqin dorë nga e kaluara dhe vetëm nëse pajtohen me realitetin se toka dhe qielli që mbulon Maqedoninë, duhet të kenë shenjën sllave dhe ortodokse. Dhe njësoj si me rastin e “Enciklopedisë”, edhe pas shpalosjes së projektit “Shkupi 2014”, u çuan në këmbë i madh e i vogël, parti e organizata shqiptare, ashti siç i ka hije popullit që ka përfaqësues në pushtet, por ende ka mbetur popull jashtinstitucional. Por, mbase nga hidhërimi i madh, apo nga tronditjet e përjetuara nga provokimet e shpeshta që ua bënë Gruevski, shqiptarët e këtushëm prapë nuk ia dolën të shohin se ky shtet ka qeveri që shkakton, e nuk zgjidh mosmarrëveshje, se Gruevski asgjë nuk bënë pa e paramenduar mirë, se ai ka vendosë ta shfrytëzojë këtë hapësirë që ia krijuan partitë inferiore shqiptare, se ky shtet e mëkon veten me pakënaqësitë e nxitura të shqiptarëve. Pra, shqiptarët edhe kësaj radhe nuk panë qartë se edhe me këtë projekt, Gruevski ua përsërit të njëjtën porosi që ua përcolli pas botimit të “Enciklopedisë”: Mirupafshim deri në provokimin e ardhshëm.

Por, kësaj radhe shqiptarët e këtushëm nuk kanë gjithaq të drejtë ta kritikojnë Gruevskin, sepse deshqiptarizimi i Shkupit ka filluar dy dekada më parë, që në vitet e mëvetësimit të këtij shteti, që nga dita kur shqiptarët e Maqedonisë e shpallën Tetovën kryeqendër të tyre. Pra, procesit të deshqiptarizimit të Shkupit, Gruevski tani vetëm ia vë pikën mbi “i-në” dhe andaj atij nuk mund t’i thuhet se gënjen kur thotë se është i habitur nga reagimi i shqiptarëve, posaçërisht nga reagimi i shqiptarëve që deri dje i kishte në qeveri dhe i atyre që sot shtiren se e bashkëqeverisin shtetin së bashku me VMRO-DPMNE. Thënë shkurtë, për deshqiptarizimin e Shkupit, Gruevski nuk mban as gjysmën e fajësisë krahasuar me fajin që kanë vetë partitë shqiptare, sepse kur filloi shlyerja e shenjës shqiptare nga panorama e kryeqendrës së Maqedonisë, Gruevski ishte boksier i ri, që kishte halle tjera dhe mbase as që kishte ëndërruar se do bëhej “boksier” aq i fuqishëm politik, sa t’i nokautonte të gjitha partitë shqiptare, e së bashku me to edhe të ardhmen e Maqedonisë.

Që të mos lë përshtypje se bëhet “gjeneral” pasi ka përfunduar beteja, autori i këtij teksti e ndjen të nevojshme të thotë se disa herë me radhë ka shkruar, dhe publikisht ka thënë, se shpallja e Tetovës, e jo e Shkupit, si qendër e tretë shqiptare, është koncept sllave. Pra, ka thënë që në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, se atë koncept e ndihmojnë vetë partitë shqiptare, të cilat selitë e veta i kanë në Tetovë, të cilat themeluan dy universitete në atë qytet, të cilat harruan se thuajse gjysma e shqiptarëve të Maqedonisë jetojnë në Shkup dhe rrethinën e tij. Pra, ka dy dekada me radhë që shqiptaria e Maqedonisë mëkohet në Tetovë, e donë të rritet e të çojë jetë të rehatshme në Shkup, gjë që nuk shkon dhe për çka duhet paguar çmim. Autori i këtij teksti shpeshherë ka theksuar – gjë që i është përshkruar si lokalizëm – se Maqedonia është Shkupi, se jo rastësisht, qarqet maqedonase të vendosjes të lejojnë në Tetovë të hapësh dy universitete, të ndërtosh xhami në sheshin e saj, por dy dekada me radhë nuk financuan ndërtimin e një gjimnazit në gjuhën shqipe në Shkup.

Vetëm i verbëri dhe analfabeti politik nuk mund ta shihte se ku çonte koncepti - Shkupi kryeqendër i maqedonasve, e Tetova kryeqendër e shqiptarëve të Maqedonisë. Vetëm analfabetët dhe “patriotët” e kalibrit që kanë shqiptarët e Maqedonisë, s’mund ta parashikonin se ky koncept çonte drejtë “Shkupit 2014”, se ky koncept e çonte shtetin drejtë ndarjes së tij, ndarje që bëhej vetëm sipas “hartave” maqedonase, ndarje që ua garantonte shqiptarëve Tetovën - që askush nuk ua merr - dhe i çonte drejtë humbjes së Shkupin, i cili duhet t’u takojë të gjithëve që jetojnë në këtë shtet. Andaj, ankesat e shqiptarëve lidhur me projektin e Gruevskit “Shkupi 2014”, flasin për potencën e forcave politike maqedonase dhe për paaftësinë e partive politike shqiptare, të cilat kurrë nuk ia dolën të lexojnë me kohë projektet afatgjate që i realizon pala maqedonase, parti të cilat veprojnë sipas parimit: mos parandalo, por vepro pasi të të ndodh e keqja, pasi të del populli në rrugë.

Shikuar nga ky këndë vështrim, Gruevski del hero “pozitiv” për shqiptarët e këtushëm dhe veprimet e tij gjithnjë e më shumë u ngjajnë atyre të Millosheviqit në ish Federatën Jugosllave: i përballte të tjerët me gabimet e bëra në të kaluarën, me çka i mobilizonte sa më shpejtë t’i korrigjojnë gabimet që i kishin bërë në kohët kur kishin besuar se derrkuci që pinë qumësht deleje, mund të bëhet qengj. Andaj, projekti “Shkupi 20014”, është gjëja më e “mirë” që u ka ndodhur shqiptarëve të Maqedonisë: pas shpalosjes së këtij projekti, ata o do e rikthejnë Shkupin që gjithmonë ka qenë edhe i tyre, o do e humbin përgjithmonë, me çka edhe do duhet ta pranojnë se me asgjë nuk u takon as Maqedonia. Dhe do mund ta “rikthejnë” pjesën e Shkupit që u takon vetëm nëse nuk bëjnë gabimin e radhës që e kanë bërë pas çdo provokimi të ngjashëm: nëse pushtetarët shqiptarë nuk bëjnë tregti me Gruevskin në stilin - na jep dy përmendore, sa ta qetësojmë popullin! Pra, kësaj radhe Gruevskit duhet t’i thuhet qartë e shqip se ditën kur do realizojë këtë projekt të vetin, ai do duhet ta harrojë pjesën e Shkupit nga ana veriore e Vardarit. Duke ia thënë këtë, shqiptarët e këtushëm edhe do e shpëtojnë Shkupin nga ata të cilët nuk e kanë kuptuar se qytetet janë si njerëzit: kanë fizionominë dhe karakterin e vet. Dhe ajo fizionomi dhe ai karakter ndryshon gjatë kohës, por jo aq shpejtë sa pafytyrësia e liderëve partiak shqiptarë, të cilët projektet antishqiptare i shohin pasi që i kanë miratuar Me çka edhe shihet qartë se problemi qëndron aty se dikush dinë të hartojë projekte afatgjate, dinë të shkruaj ligje e të bëjë buxhete, e disa politikanë shqiptarë nuk dinë ato t’i lexojnë. Gjë që edhe ia mundëson Gruevskit të veprojë lirshëm, gjë që ia mundëson atij që shqiptarët e këtushëm t’i mbajë nën trysninë e provokimeve të pareshtura dhe para maqedonasve të lë përshtypjen e heroit që dinë të mbrojë shtetin nga “shqiptarizimi”. Pra gjë që ia mbulon të gjitha dështimet ekonomike e politike, të cilat e çojnë Maqedoninë drejtë kalbjes së saj të ngadaltë të brendshme. (“Koha Ditore”, Prishtinë)
Shtuar më 15/02/2010, ora 17:31
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori