Mirë se vjen zonja Harxhi!
Albeu.com
Që kur mora vesh lajmin se ambasadori shqiptar në Uashington ishte shkarkuar nga detyra (sa ankoronike më tingëllojnë këto fjalë, por nuk gjej fjalë me tingëllim më modern), isha kurioz të mësoja se kush do ta zëvendësonte atë. Muaj kaluan ndërkohë, dhe tensioni i zhvillimeve politike në Shqipëri e eklipsoi kuriozitetin rreth emrit të ambasadorit të ri në Uashington.Në fund të fundit, transferimi i pushtetit në mënyrë paqësore për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar ishte një ngjarje që hijezonte çdo kuriozitet tjetër të karakterit politik që mund të kisha në ato javë.
Pasi ujërat u qetësuan në Tiranë, për një arsye apo një tjetër, e harrova atë kuriozitetin që kisha në fillim për emrin e ambasadorit të ri shqiptar në Uashington. Por një ditë, më telefonoi një miku im (sot ky mik është zv.ministër në qeverinë Berisha) dhe më pyeti nëse vlente të bënim përpjekje që një zonjë shqiptaro-amerikane, që të dy e njihnim, të emërohej ambasadoreshë në SHBA.
“Ide shumë e mirë”, i thashë mikut, “ajo i ka atributet e nevojshme për këtë post dhe ma do mendja se do të jetë një kandidate e pranueshme politikisht.” “Berisha”, vazhdova “e njeh personalisht këtë zonjë, dhe për më tepër, vëllai i saj është emëruar zv.ministër nga vetë ai.”
Menjëherë pas bisedës me mikun tim, i dërgova e-mail një tjetër miku, të cilit i ecën fjala tek Berisha. Në e-mail ia bëra të qartë se nuk duhej t’ia përmendte Doktorit faktin që sugjerimi për shqiptaro-amerikanen vinte nga unë. Kam shkruar aq shumë artikuj kritikë për Berishën, saqë kisha frikë se vetëm përmendja e emrit tim do t’i krijonte alergji kryeministrit.
Shumë shpejt, miku që ka marrëdhënie të ngushta me kryeministrin më ktheu përgjigje negative. Arsyeja që Berisha kishte dhënë për përgjigjen negative ishte se zonja në fjalë, pavarësisht se kishte vite në Amerikë, kishte një eksperiencë pune jo të afërt me diplomacinë. Për një njeri që nuk e njeh nga afër atë zonjë, përgjigja e kryeministrit do dukej shumë e arsyeshme. Ndërsa, për mua ishte jo e peshuar mirë. Por sidoqoftë, i thashë vetes se, sado që jetoj vetëm 20 kilometra nga ambasada shqiptare në Uashington, nuk mund t’i di gjërat më mirë se kryeministri i Shqipërisë.
Pasi e mblodha mendjen që kandidatja e sugjeruar prej meje nuk do të ishte ambasadoresha shqiptare në Uashington, për një arsye që as sot nuk jam në gjendje ta shpjegoj, dëshiroja që në këtë post të emërohej një zonjë. Dhe do të kalonin vetëm pak javë që të mësoja se, në fakt, një zonjë ishte propozuar nga qeveria “Berisha” për të përfaqësuar shtetin shqiptar në Amerikë. Dëshira ime u realizua, i thashë vetes, dhe menjëherë fillova të hulumtoj në internet rreth emrit të saj.
Nga hulumtimi në internet (ç’shpikje e madhe e njerëzimit është ky i flamosur internet!), mësova se zonja e propozuar nga qeveria “Berisha” ishte një nga studentet që kishte marrë pjesë në Lëvizjen e Dhjetorit. Një plus në dorë, i thashë vetes kur hasa në këtë fakt. (Ngaqë kam qenë bash në qendër të asaj lëvizjeje, kam një simpati të veçantë për të gjithë studentët që morën pjesë në të, qofshin ata sot PD-ista, sekretarë të përgjithshëm të PS-së, apo kryetarë të LSI-së.)
Nga hulumtimet e mëtejshme në internet, mësova se Edit Harxhi, kandidatja për postin e ambasadoreshës sonë në Uashington, ishte diplomuar për Shkenca Politike në Universitetin prestigjioz të Edinburgut në Skoci. Një plus tjetër në dorë, i thashë vetes kur lexova këto të dhëna për Harxhin. Sa mirë që Shqipëria do të përfaqësohet nga një zonjë e shkolluar në perëndim, mendova.
Më tej, hasa në një studim akademik të zonjës Harxhi rreth ngjarjeve të vitit 1997. Pas leximit me vëmendje të studimit, nuk arrita të bija dakord me të gjitha konkluzionet e tij. Por, duke qenë vetë shkencëtar, respektova rigorozitetin e paraqitjes së fakteve në të dhe referencimin metikuloz të burimeve të informacionit. Ky studim mund të përdoret nga opozita për të sulmuar zj. Harxhi, thashë me vete. Por sidoqoftë, vazhdova fillin e mendimeve, ai nuk mund të përbëjë një gur bllokues në rrugën e saj për në Uashington.
Së fundi, kur mësova se zj. Harxhi kishte punuar për UNMIK-un dhe PNUD-in në Kosovë, kontaktova ca miq të mi atje për të mësuar se ç’përshtypje kishin për të. Dhe përgjigjet ishin mëse pozitive.
Pas atyre përgjigjeve, iu drejtova në imagjinatë Zj. Harxhi (nuk arrita të realizoj ndonjë kontakt elektronik apo telefonik me të) me fjalët: “Ti votën time, zonjë, e ke marrë!” Dhe duke qenë i ndërgjegjshëm se vota ime mund të ketë fare pak vlerë për të (për të mos thënë fare), urova që presidenti Moisiu ta dekretojë emërimin e saj sa më shpejt.
Eduard Zaloshnja , Panorama
Shtuar më 31/10/2005, ora 15:31
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori