Mire se erdhet mergimtare
Albeu.com
nga Iljasa SalihuIshte ditë korriku, ditë që vlonte prej të nxehtit, që buzëqeshte për ardhjen e mërgatës shqiptare në vendlindje, por përskaj kësaj gjendjeje, çështjet e domosdoshme ...... patjetër duhej të kryheshin, pse jo edhe rrëfimi jonë romantik për të kaluar kështu në fenomenin e problemin, fenomen i harruar qëllimisht prej mediave elektronike.
Me fillimin e këtij muaji, filloi edhe shpresa për ndërtimin e katit të dytë të shtëpisë, filluan me të madhe të urrehen veturat e Jugosllavisë së dikurshme, ndonëse prej patriotizmit - apo jo, filloi që njeriu të mos shikohet më si njeri, por si thes me para, ku në ambalazhin e jashtëm sikur shihej se shkruan, mos hezitoni na shfrytëzoni në maksimum, ne pra kemi mjete të tepërta! Kështu gjatë këtij muaji dhe muajit vijues, më shumë se askush tjetër ardhjes së mërgimtarëve në vendlindjet e tyre iu gëzua buxheti shtetërore, edhe atë në momentin kur buxheti është shumë afër dhënies së shpirtit, por mëshira dhe furnizimi me infuzion i mërgimtarëve bëri që buxheti shtetërorë të kthehet në gjendjen normale, të marrë frymë lirshëm, pastaj të jetë më i rehabilituar që amanetin e Aleksandërit imagjinar ta dërgojë në vend. Në kuadër të këtij gazmendi, u gëzuan edhe policia, pse jo edhe pulë-pjekësit, ku pulat porositeshin paradite prej dikujt tjetër, dhe pasdite haheshin prej atyre që historikisht ia kishte ëndja pulat. Të këtushmit, ata që e pandehnin vetën si të varfër, që aksidentalisht janë të punësuar në administratë publike, e që krejt rastësisht dikush i kishte angazhuar që denjësisht t’i shërbejnë popullit, e në veçanti mërgatës shqiptare, e cila prej kohësh kishte kontribuar në gjallërimin e përgjithshëm të jetës në vendlindje, e cila pothuajse tërësisht i kishte financuar luftërat çlirimtare, e cila për dekada me radhë i kishte mbajt gjallë universitetet, e cila e kishte zëvendësuar shtetin në shumë segmente, duke ndërtuar kështu rrugë, duke e sjellë rrymën, ujin, linjën telefonike, dhe si shpërblim të gjithë kësaj, funksionarët e shtetit ishin qerasë me dreka e darka tepër të shtrenjta, ngase këta i paskan dhënë leje që të ndërtohen dhe vendosen rrjetet dhe infrastruktura e sipërpërmendur, mbase në përsiatje të kësaj amullie dhe diskriminimi shtetëror kundruall mërgimtarëve shqiptar, disa punonjës ndoshta pavetëdijen e tyre, me vullnet jane duke i trasuar shovenistët e dikurshëm sllav. Pas luftërave këta të gjorët dhe të devotshmit, kishin menduar se tutje çështja do të ndryshoj, ku tashmë këta nuk do të përdoren vetëm si të eksploatuar, por në shenj respekti do të nderohen dhe privilegjohen, sidomos kur është fjala për nxjerrjen e ndonjë dokumenti administrativë. Kështu shpresonin, ngase në radhët e politikës vendore, tashmë nuk ishin ata barkmëdhenjtë maqedonas e serbë, por njerëz të cilët ishin rritur dhe formësuar në mërgim, pra njerëz që e ndanin të njëjtin fat me këta. Për fat të keq, realiteti po fletë se mërgimtarët e dikurshëm e politikanët e sodit, harruan shumë shpejtë se dikur ata për pikë të qejfit nuk kishin shkuar në mërgim, si dhe për t’i bërë qejf vetes nuk u kthyen prej atje!
Në mungesë të ndonjë mbrojte institucionale, ende mizorisht po eksploatohen mërgimtarët, ku sikur qentë e tërbuar që vrapojnë pas ashtit, njëjtë disa punonjës burokratik janë duke vrapuar pas mrekullisë e cila sa hapë e mbyll sytë biçikletën mund ta shndërron në veturë luksoze! Në fakt, këta nuk janë duke vrapuar pas këtyre, por veprimtaria e tyre idioteske dhe e poshtër, ka bërë që këta të cilët për këtë shqiptari nuk kursyen asgjë, domosdoshmërish të vrapojnë pas këtyre qelbësirave, që nuk prishë punë edhe nëse dikush tërësisht alivanoset prej stresit, prej zhgënjimit dhe lodhjes së tepër duke pritur nëpër sportelet, ku papritmas mund të shohësh polic me uniformë me dhjetëra pasaportë në dorë, dhe të gjorë që vetëm shikojnë, duke mos guxuar të ndërmarrin diçka, ngase mund t’i thuhet, për arsye kinse të arsyeshme, se pasaporta juaj bëhet në nëntor, mbase i gjori mërgimtarë edhe një javë duhet të shkojnë në mërgim për të punuar. Nuk mund ta kuptoje së ç’bënë partia politike shqiptare në pushtet përball këtij tmerri, si dhe ç’bëjnë ata këshilltarë shqiptarë?!
Në vend të pushimeve e vizitimit të farefisnisë, këta të gjorë janë shndërruar në njerëz që manifestojnë durim brenda institucionit ku merret apo lëshohet ndonjë dokument, dhe në njerëz që prodhojnë ofshama fyese jashtë.
Kësisoj, mirëserdhët mërgimtarë, mirë se na gjeten shëndosh e mbarë, por kërkojmë falje që përballë jush dikush artikuloi veprime të dhelprës kinse të mbarë!
Shtuar më 19/07/2010, ora 19:48
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori