Mirë se vini në Shqipëri
Albeu.com
Mentor Kikia, SHqipShitësi i një dyqani ushqimesh në Shëngjin, "supermarket" kishte shkruar mbi derë, po bënte llogaritë. Nuk kishte në dorë as laps, as letër e as makinë llogaritëse. "Një ilaç rrobash 1500, plus sallami 6500, plus biskotat dhe buka 8000, plus sapunët 10500".Ai numëroi nja dhjetë artikuj dhe i tha blerësit se të gjithë bashkë bënin 35 mijë lekë (të vjetra). Blerësi pagoi dhe doli, ndërsa shitësi iu drejtua disa klientëve të tjerë: Mos u mërzisni, s‘janë këto çmimet, kjo ishte për ata, janë kosovarë. Ai kishte bërë një llogari për qejf të tij, pasi artikujt nuk kishin kurrkund etiketa çmimi dhe matematika e tij ishte një mashtrim i pastër, një vjedhje prej maskarai, që u bëhej pushuesve që kishin ardhur nga Kosova.

Pak ditë më parë, u ndodha në Durrës për të takuar një person që pushonte në një prej hoteleve të shumta në plazhin e madh pranë zonës rezidenciale. Ishte një hotel nëntëkatësh, i ngritur bri një tjetër hoteli, mes të cilëve kishte vetëm një rrugicë të errët që të shpinte në det. Hoteli ishte një kopje e shëmtuar e një konvikti gjigant, me ndryshimin se korridoret ishin më të ngushta dhe kudo mbante një erë të rëndë. Një dhomë aty kushtonte 20 euro nata. Pra 20 euro vetëm fjetja dhe pronarët e hoteleve nuk i pranojnë lekë, ata kanë shkuar në BE. Ai nuk kishte as restorant e as gjë tjetër që të quhej hotel për pushues, ose turistë, siç na e ka ënda t‘u themi. As mjedise ku të ulesh e, ta zëmë të lexosh një gazetë, as një kolovarëse ku, ta zëmë, fëmijët të luajnë, ndërsa një shesh i lirë që duhej të ishte parkingu, ishte ende me rërë ku ngecnin makinat. Bri tij ishte një lokal, në tarracën e të cilit kishte një tendë me kallamishte, ku varej një tabelë me mbishkrimin: "Disko Gjermania". Prej aty merrte dhenë një zallamahi që dëgjohej deri në Shijak. Ca bokse të mëdhenj ishin vendosur në cepat e "diskos" dhe një këngëtare çirrej live, duke i ftuar klientët e trullosur (në fakt ishin a s‘ishin nja dhjetë vetë gjithsej) të këndonin bashkë me të. Kati i parë, ai që duhej të ishte restoranti i hotelit, ku bujtësit të hanin mëngjesin kur të zgjoheshin dhe darkën kur të flinin, sipas menysë së hotelit të përfshirë në çmim, ai pra, ishte shndërruar i tëri në dyqane. Njësoj si te rrugica e tregut të çamëve në Tiranë. Aty shitej gjithçka, kamerdare, rosa plastike, lopata gome, syze, bukë, domate, makarona, birra, rroba banjoje, kremra kundër diellit... dhe padyshim që shitësi ishte i njëjti, ai i Shëngjinit. "Një bidon ujë" - tha një kosovar. "Njëmijë - tha shitësja - po s‘pate lekë, një euro, njësoj është". "Jo - tha kosovari, pesëqind po deshe". "Mirë, merre shtatëqind". Ky ishte pazari për të blerë një bidon ujë, ai që rëndom kushton 50 lekë. Ky është restorant mashtrimi - më tha miku im. Një pjatë makarona këtu bën 2500 lekë. I grinë kosovarët, por tani ia morën dorën edhe ata, gatuajnë në dhomë me bombola gazi. Pak ditë para kësaj meseleje kisha lexuar në një gazetë se në Sarandë, një grup kosovarësh ishin larguar në mënyrë demonstrative nga hoteli, pasi kishin konstatuar se të gjithë ua kishin me të futur. Sipas gazetarit, edhe shitësi i fruta perimeve ndiqte një politikë të "liberalizuar" çmimesh. Kështu, një kilogram domate për sarandjotët dhe vlonjatët bënte 50 lekë, për tiranasit 70, ndërsa për kosovarët 1000 lekë.

Kisha vite pa u futur në labirintin mes hoteleve në plazhin e Durrësit. Për atë Zot, Bathorja është shumë më e sistemuar. Ato ndërtesa çdo gjë mund të quhen veçse hotele turistike jo. Ato janë ca fjetore, të cilat mund t‘i frekuentosh vetëm kur të zë nata jashtë. Ato nuk kanë asgjë të përbashkët me hotelet turistike që bëjnë hije brigjeve të Malit të Zi, Kroacisë, Greqisë, apo Turqisë.

Nuk ka asgjë të re sa përmendëm deri tani, pasi të gjithë e dimë këtë realitet dhe ndokush mund të mendojë se gjithashtu nuk është fare patriotike të shkruash kaq zi për vendin tënd. Të vërteta janë të dyja, por po aq sa ndien dhimbje, ndien dhe revoltë kur shikon këtë maskaradë. Dy ditë më parë, ministri i Turizmit fliste për një "buuuummmm" turistik në Shqipëri dhe për një ligj që liberalizonte turizmin, sipas të cilit "tashmë çdo kush mund të ndërtojë njësi turistike". Por, pikërisht politika e çdokushit e solli këtë vend në këtë gjendje mizerjeje. Në truallin ku duhej të ngrihej një hotel me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, u ngritën dhjetëra mejhane që qelben erë. Dhe këto janë bërë të gjitha me lejen e bashkisë. Po të kisha forcë, në Hagë do t‘i dërgoja kryetarët e Bashkisë së Durrësit që kanë dhënë leje ndërtimi (thonë duke marrë para), për hotele mu në buzë të ujit, duke prerë pishat e duke shkatërruar pyllin. E cili turist i huaj do të vijë të pushojë aty, ku sa të hapësh derën përfundon drejt e në rërë, ku nuk ka asgjë tjetër veç dhomave të fjetjes? Do të vijnë edhe ca vite fshatarët e Kosovës dhe hallexhinjtë ruralë shqiptarë, pastaj… 50 euro nata kushtonte një hotel në Vlorë, pranë Akademisë Detare. Fjetja dhe mëngjesi, thoshte pronari dhe a e dini se cili ishte mëngjesi? Pronari, si një shitës ambulant, i priste klientët me një tavolinë në oborr dhe u jepte nga një briosh ose kruasant me një kartëpecetë dhe i përcillte drejt rrugës tërë pluhur për në det.

"I kemi plotësuar kushtet - thoshte ministri i Turizmit - bregdeti ka ujë e drita pa ndërprerje". Në fakt, të ketë drita pa kufizim është një komoditet i madh për ne të gjorët që jetojmë brenda gardhit tonë, por një të huaj nuk mund ta joshësh duke i siguruar drita e ujë në fjetore. Përpos kësaj, kultura dhe mirësjellja janë një resurs edhe më i madh se vetë ai që na ka dhuruar natyra. Reklama e një agjencie turistike thotë: "Mirë se vini në...., ku gjithkush të pret me buzëqeshje". Por, shumica e pronarëve të fjetoreve, nga Velipoja në Sarandë, janë batakçinj që mezi presin të të vjedhin në llogari e të të mashtrojnë. Së fundmi, qeveria ka vendosur të shpenzojë nja 400 mijë dollarë për të reklamuar bukuritë e Shqipërisë në CNN. Do të shfaqen aty bukuritë e luginës së Valbonës apo Vjosës dhe ndonjë copë bregdeti e pa mbushur ende me fjetore e mejhane. Paralelisht me reklamimin, qeveria duhet të ruajë pikërisht këtë pjesë të bregdetit, me shpresën se ndonjëherë ndokush do të ndërtojë aty ndonjë hotel të vërtetë me pishinë, parqe, mjedise çlodhëse, dhome mjeku, kujdestar fëmijësh, restorant e bar.

Ne sot i kthehemi të shkuarës dhe mallkojmë Enver Hoxhën për shumë gjëra që mund të ishin bërë ndryshe në këtë vend. Por, brezat që do të vijnë do t‘i mallkojnë akoma më shumë kryeministrat e Shqipërisë, pasi e shkatërruan bregdetin, sa vetëm një cunam "Made in Indonezia" mund ta rikthejë në gjendjen e mëparshme.
Shtuar më 14/08/2007, ora 10:42
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori