Ministri i "serte" kerkon shpetimin tek agjencite
Albeu.com
nga Bekri AJDINIMinistri i Ekonomisë Fatmir Besimi, i “kërcënon” dhe paralajmëron se do t’i godasë ata që punojnë në mënyrë të jashtëligjshme! Kështu më në fund, kreu i Ekonomisë së Maqedonisë, iu drejtoi mesazhin paralajmërues disa ...... agjencive, të cilat sipas tij, “paskan funksionuar pa dokumentacion të nevojshëm”, dhe se gjoja, prapë, sipas zotit Besimi, “na qenkan fajtore” për situatën tepër teatrale dhe të dhembshme me azilkërkuesit shqiptarë nga Likova dhe Kumanova.

Megjithëse deklarata kishte makijazh fund e krye politik, duke lënë shumë pak hapësirë për sinqeritet, analistët e këtushëm nxituan ta komentojnë edhe si një përpjekje shtesë të “ushtarëve të kabinetit kryeministror”, për të përfituar ndonjë pikë politike. Tani kur “të palarat” po dalin në shesh për golgotën shqiptare të rajonit të Kumanovës dhe Likovës, politika shqiptare po bën të gjitha orvatjet barrën e përgjegjësisë ta hedhë diku tjetër. Mirëpo, edhe në këtë drejtim gjërat shyqyr Zotit, nuk po i lëvizin mirë, sepse janë pikërisht ndërkombëtarët, ata të cilët iu thonë troç: fajin e ka politika, gjegjësisht qeveria, sepse me vite të tëra s’ka investuar në këtë rajon, sidomos në periudhën e pasluftës, me ç’rast edhe më tepër u hap nevoja për investime ekzistenciale.

Dhe në vend që të investohej, politikanët këtë rajon e vizitonin ekskluzivisht gjatë fushatave elektorale, sa për të përfituar nga votat e qytetarëve të këtushëm. Askush, më tepër se kaq nuk bëri në këtë rajon, kurse përfaqësuesit politikë të këtij rajoni, nuk kanë arritur të realizojnë qoftë edhe një projekt me rëndësi për popullatën e kësaj ane.

Revoltën tek banorët e kësaj ane të Karadakut kohëve të fundit po e shtojnë disa deklarata të pamatura të politikanëve të këtij rajoni, dhe sidomos të përfaqësuesve të lartë të qeverisë, siç ishte rasti i fundit me deklaratën e ministrit Besimi.

A thua mendojnë ata se popullata e kësaj ane e cila vetë e di se si e përjetoi “golgotën” ju beson verbalizmave të këtillë dhe deklarimeve sa për sy e faqe? Përgjigja gjithsesi është negative – le te dalin në terren në Likovë dhe Kumanovë dhe le t’i pyesin ata të cilët për shkaqet e mësipërme u përcaktuan t’i braktisin vatrat e tyre stërgjyshore.

Fatmir Besimi, është dashur të angazhohet për ndërmarrjen e masave preventive me qëllim të parandalimit të eksodit shqiptarë nga rajoni i Likovës dhe Kumanovës?

Pikërisht dikasteri i tij ministror (Ministria e Ekonomisë) është një nga “segmentet” e kësaj shoqërie që nuk kanë ndihmuar në zhvillimin e rajonit në fjalë. M’u moszhvillimi i nevojshëm dhe i kënaqshëm i këtij rajoni, ka qenë shkaku kryesor për golgotën shqiptare prej azilkërkuesit. Ministri gjatë mandatit të dytë asnjëherë s’e ka vizituar këtë rajon të luftës, me qëllim të realizimit të ndonjë projekti kapital.

Sa biznese të reja janë hapur në këtë komunë me një kredi me interes të volitshëm, me greis-periudhë për kthimin e kapitalit fillestar ose inicimin e ringjalljes së biznesit familjar? Ndoshta do të kishte qenë më e udhës që ministri edhe përkundër këtyre fjalëve të kota e të rënda me plotë faj, të tregojë se si do ta zhvillojë këtë zonë ekonomikisht. A do të ndërtojë një punëtori, fabrikë ose diçka tjetër që t’i punësojë rininë e Karadakut.

Në fakt, kjo zonë nuk ka rini. Ajo ka ikur në Evropë që nga momenti pasi kreu misionin e luftës, sepse zhgënjimi ishte i menjëhershëm.

Veprimi i juaj i fundit u kuptua shumë qartë nga banorët e kthyer. I nënçmuat ata aq shumë sa që ranë në pozitën e fajtorit, ose siç thotë populli ata mbetën “edhe të fikur, edhe të koritur”. (lajm)
Shtuar më 12/03/2010, ora 17:46
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori