Millosheviç në 2001: Takimi me Fatos Nanon
Albeu.com
Dhjetë vjet më parë, takimi i dy liderëve ballkanikë, Fatos Nano dhe Sllobodan Millosheviç do të bënte bujë të madhe. Shumë shqiptarë e quajtën Nanon tradhtar për bisedën që ai zhvilloi me Presidentin serb. Media shkroi që Nano-Millosheviç u takuan për 60 minuta, por zyrtarët e shtypit nuk zbardhën asnjë detaj nga biseda kokë më kokë.Javë dhe muaj më pas, gazetarët e mediave të huaja shkruan se Nano dhe Millosheviç patën një bisedë shumë miqësore, e cila u vulos me konsumimin e dy shisheve uiski.

Një dëshmi publike për këtë shtrëngim duarsh ka dhënë edhe vetë ish-Presidenti Millosheviç gjatë një interviste për gazetën ruse “Pravda”.
“Në tetor vitin 1997, liderët e Europës Juglindore u takuan së bashku dhe vendosën një mirëkuptim mes tyre. Unë sugjerova: Le të bëjmë diçka të mirë për veten tonë. Le t’i hapim kufijtë me njëri-tjetrin. Në fakt, takimi shkoi shumë mirë”, - tregon Sllobodan Millosheviç në intervistën e tij, dhënë në vitin 2001 për gazetën “Pravda”. Më tej ai flet edhe për takimin që pati me ish-Kryeministrin Fatos Nano. “Unë pata një takim të shkëlqyer kokë më kokë me Fatos Nanon, Kryeministrin e Shqipërisë. Ne diskutuam për hapjen e kufijve dhe ai tha se Kosova është një problem i brendshëm i Serbisë. Mesazhi i atij takimi ishte se çështjet e Europës Juglindore do të zgjidhen vetëm me negociata”, - rrëfen Millosheviç impresionet e tij nga biseda me Nanon. Vet ish-Kryeministri shqiptar nuk i ka përmendur detajet e këtij takimi, por media greke ka shkruar se ai u negociua nga ish-ministri i Jashtëm grek, TeodorPangallos.

MEDIAT GREKE

Takimi i Fatos Nanos me Sllobodan Millosheviçin në vjeshtën e vitit ’97, gjatë Samitit të Kretës, është një nga enigmat politike të Kryeministrit socialist. Biseda e udhëheqësit të Tiranës me atë të Beogradit, në një kohë tensioni të fortë në Kosovë dhe në prag të shpërthimit të konfliktit të armatosur, asnjëherë nuk është zbardhur, madje s’ka pasur as grimca transparence mbi të. Ky takim është një nga rëndesat politike mbi Nanon, i cili gjithnjë është akuzuar për politikën e tij jo shumë të qartë në drejtim të çështjes kombëtare. Po të kujtojmë se jo shumë më vonë nga takimi i Kretës, në Krans Montana, lideri socialist deklaroi se kryeqyteti i Kosovës është Beogradi, atëherë rikthehemi akoma më me vëmendje tek takimi Nano-Millosheviç në Greqi. Përveç një fotoje, shtrëngim duarsh, asgjë tjetër nuk është bërë publike. Ndërkohë, media greke dhe konkretisht publicisti me zë në Greqi, N.Marakis, njohës i mirë i çështjeve diplomatike zbardh detajet e atij takimi. Në korrespondencën e tij për gazetën “To-Vima”, mësohet se Nano dhe Millosheviç kanë pasur një takim shumë të ngrohtë, ku kanë konsumuar 2 shishe uiski dhe ku siç ka mësuar gazetari, i cili ka ndjekur nga afër Samitin, Nano e ka siguruar shefin e Beogradit se Tirana nuk do të mbështeste forcat ekstremiste të Kosovës. Pra, premtim për mosmbështetje të UÇK-së. Më poshtë, pjesët kryesore të analizës së gazetarit grek, i cili u përgjigjet 5 pyetjeve të bëra nga “To-Vima”...


-A është e vërtetë se “lindja” e deklaratës së përbashkët të takimit ishte e vështirë?


-Akoma më shumë; ishte tejet i vështirë. Për një çast u mendua të mos lëshonim fare deklaratë shtypi. Deklarata e përbashkët ishte “e pafat”, sepse aty u shfaqen të gjitha dobësitë e parapërgatitjes së takimit. Në të njëjtën kohë, vendimi i Teodor Pangallos, Ministër i Jashtëm që të mos informonte kolegët e tij për të shmangur grupimet e mundshme, siç duket ishte i padobishëm. Mungesa e draft-deklaratës shkaktoi pakënaqësinë e gjithë vendeve. Gjendjen e rënduan edhe shkrimet e shtypit grek, të cilat parashikonin “e pavërtetë), se Athina do përpiqej të zgjidhte problemet me Ankaranë nëpër-mjet deklaratës së përbashkët. Teksti i parë, i tejzgjatur, që u paraqit nga pala greke mbrëmjen e se dielës, u hodh poshtë menjëherë pothuajse nga gjithë përfaqësitë e huaja. Qëndrimin më të mirë e mbajti z.Paskal Milo, (ministër i Jashtëm i Shqipërisë)...


-A është e vërtetë se Kryeministri z.Kostas Simitis i foli rreptë z.Kiro Gligorov?


-Jo, nuk është e vërtetë, sepse nuk i shkon kjo sjellje vete z.Simitis, i cili në takimin dypalësh me presidentin e FYROM, foli pak, dhe kryesisht i shprehu duke i përsëritur disa herë, se Athina ishte e gatshme për ta mbështetur Shkupin për hyrjen në NATO, dhe gjithashtu ishte urgjente gjetja e zgjidhjes për problemin e hapur politik. Kryeministri e shmangu hapjen e temave të tjera duke preferuar, siç u duk, t’i japë një mesazh të fortë kolegut të tij lidhur me kuadrin ku duhet të lëvizin të dy vendet për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta.


-A është e vërtetë se z.Kiro Gligorov, Slobodan Milosheviç dhe Fatos Nano, i organizuan vetë takimet mes tyre, prandaj në to nuk ishte i pranishëm z.Kostas Simitis?


-Është krejt e pavërtetë, z.Simitis nuk ishte i pranishëm në asnjë nga takimet dypalëshe, sepse ky ishte vendimi i palës greke pas diskutimeve të Kryeministrit me ministrin e Jashtëm të Greqisë dhe me diplomatet kompetente. Në fillim u formua mendimi se, meqenëse Greqia ndërmjetësoi për takimin, duhet të ishte e pranishme me anë të Kryeministrit të saj. Por më pas mbizotëroi mendimi tjetër, që përderisa Greqia ishte vendi mikpritës, nuk kishte nevojë për vërtetim tjetër të rolit të saj. Për më tepër, nëse në takim merrte pjesë dhe Kryeministri, ekzistonte rreziku që të bëhej Athina “pjesë e problemit”, veçanërisht në rast se takimi do kishte zhvillime të paparashikuara duke dalë kundërshti midis liderëve të të dy vendeve.
Në mendjen e propozuesve të taktikës së toneve të ulëta ishin marrë parasysh edhe reagimet e amerikanëve, sepse Uashingtoni nuk ishte treguar entuziast për perspektiven e takimit të z.Millosheviç dhe z.Nano.
Pra, diplomacia greke u kujdes me kohë “suksesshëm) për të nxitur idenë e komunikimeve dypalëshe, dhe gjithashtu kishte pjekurinë e menaxhimit largpamës, dhe jo të logjikës së përfitimeve afatshkurtra.


-A është e vërtetë se takimet Milosheviç, Gligorov dhe Nano ishin mjaft të suksesshme dhe do sjellin uljen e tensionit dhe të krizës në Kosovë dhe në zonën veriore të Maqedonisë?


-Po, për këtë na bindin - veç të tjerave - edhe dy shishe uiski, të cilësisë shumë të lartë, të cilat i boshatisën z.Millosheviç dhe z.Nano, në takimin që u zhvillua midis tyre në pasditen e së hënës. Nëse do kundërshtonin njeri-tjetrin, nuk mund të kishin kënaqësinë për të pirë uiski, por do të pinin vetëm nga një kafe. Fakti është se kuadri i marrëveshjes midis dy liderëve është më i gjerë nga ai që zbulojnë deklaratat e tyre publike. Rezultati konkret i bisedimeve është që ata elemente të cilët nxisin tensionin në Kosovë, nuk do të mbështeten nga Tirana.
Nga ana tjetër, Beogradi do të merrte masa për të përfshirë shqiptarët në jetën ekonomiko-sociale dhe të mbështeste liderët e përmbajtur të Prishtinës. Përmbysja e dinamikës luftarake në Kosovë, do të thoshte fillimi i një linje të stabilizimit të marrëdhënieve dypalëshe Beograd-Tiranë. Lidhur me Shkupin, së shpejti do të shkojë atje z.Paskal Milo, ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, dhe më pas do ia kthejë vizitën z.Blanko Haxhinski në Tiranë. Të dy ministrat do të përgatisin një takim të nivelit të lartë dhe do të nënshkruajnë disa marrëveshje konsullore dhe të rregullimit të problemeve ndërkufitare, etj. Rezultati i këtyre bisedimeve është mjaft i dobishëm për Greqinë, sepse kështu shmanget rreziku i luftës në kufijtë e saj veriore dhe ndërkohë, krijohen kushtet politike për bashkëpunim të gjerë ekonomik të vendeve rajonale.


-A është e vërtetë se Samiti Ballkanik i harxhoi rezervat e veta dhe nuk do të ketë vazhdimësi?


-Ky vlerësim është pa bazë. Udhëheqësit e vendeve të rajonit tani e kanë vendosur të takohen në tetor të 1998 në Attalia, ndërkohë do të zhvillohen takime të ministrave të Jashtëm. Kuadri i takimeve do kohë të formulohet, por në tavolinë gjenden të gjitha elementet përbërës të tij. Çështja e parë është krijimi i një Sekretariati permanent, e cila parimisht u pranua nga të gjithë. Pezull mbeten garancitë për çdo vend të interesuar, të cilat nuk ishin gati në Kretë. Këtë problem do ta zgjidhin ministrat e Jashtëm dhe do ta miratojnë presidentët dhe kryeministrat.
Një tjetër çështje, është të binden vendet e Ballkanit për dy tema bazale; e para është se Samiti Ballkanik nuk do të përbëjë një skemë të izoluar rajonale e cila do të merret me problemet e së shkuarës apo do të tërheqë pas synime nacionaliste, dhe e dyta lidhet me marrëdhëniet greko-turke për të dhënë siguri të plota se Samiti nuk do përbëjë shesh konkurrence midis Athinës dhe Ankarasë. Bullgaria dhe Rumania janë shumë të ndjeshme përballe kësaj, prandaj edhe synojnë të jenë të siguruara. Ky qëndrim i tyre është i dobishëm, edhe pse për një moment u duk se shprehnin një kundërshti shterpë.
Shtuar më 11/09/2007, ora 16:05
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori