Pse s'duhet të ndryshojë asgjë për Himarën
nga Mentor Nazarko
Panorama
Mediat shqiptare raportuan për një bisedë diplomatike të dy ministrave të Jashtëm, atij grek dhe atij shqiptar, në lidhje me reformën territoriale shqiptare. Në fakt, raportimet me gabime banale përkthimi të një pjese të mediave mbështeteshin te komunikata e bërë publike në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme greke, ndërsa media serioze si Top Channel përfshinin në raportim dhe qëndrimin e ministrit tonë Bushati. Nga kjo komunikatë nuk përmendej se përveç letrës së 10 qershorit të ministrit Venizelos për homologun e tij, “ka pasur dhe demarshe diplomatike”, element ky që tregon këmbëngultësinë greke dhe seriozitetin që ajo i jep kësaj çështjeje. Nga komunikata e bërë publike prej Athinës zyrtare, shto dhe qëndrimin e Bushatit, ndërlidhur me kontekstin kohor, vihet re se presioni grek në lidhje me riorganizimin e Himarës si bashki apo dhe ndonjë zone tjetër (Himara nuk përmendej nga pala greke, por vetëm nga pala jonë) ka arritur kulmin. Kemi një letër më 10 qershor; demarshe diplomatike- me gjasë nëpërmjet ambasadorit Rokanas, dhe bash javën kur reforma duhet të miratohet në Parlament, përmbajtja e telefonatës Venizelos-Bushati bëhet publik zyrtarisht. Kjo do të thotë se presioni u shkallëzua në nivel të lartë. Për më shumë bëhet e ditur njëkohësisht zyrtarisht se sot Venizelos do takohet me Dulen, nënkryetarin e Parlamentit të Shqipërisë, emri i të cilit në komunikimin zyrtar, grek ndryshe nga herë të tjera, ishte shkruar njëlloj si në shqip.
Janë disa përfundime që mund të nxirren prej kësaj ngjarjeje.Në kushtet kur pozicioni institucional shqiptar nuk ka ndryshuar prej 10 qershorit, me gjithë përmbajtjen e letrës greke për të cilën s’dihet asgjë dhe përfshirjen në mënyrë sintetike të kësaj çështjeje në Përfundimin 2 të Këshillit Europian për Shqipërinë, atëherë nuk ka asnjë arsye shtesë pse Parlamenti duhet të ndryshojë diçka këtë javë. Fakti se Venizelos ia bëri Bushatit telefonatën nga Brukseli, se Greqia ka lobuar që kjo çështje indirekt të përmendet prej BE më 24 qershor dhe se në bisedë ministri i Jashtëm grek sërish iu referua kushtëzimeve të reja europiane, nuk do të thotë se Greqia po përfaqëson tërë Bashkimin Europian në këtë qëndrim. Është krejt e qartë se Greqia praktikisht ka ngulur një gozhdë të madhe shtesë në integrimin e mëtejshëm europian të Shqipërisë nëpërmjet përpjekjes për ndërkombëtarizim të kësaj çështjeje, por nuk ka asnjë arsye për nënshtrim. Ministri Bushati veproi saktë kur nuk e publikoi bisedën për analogji me homologun e tij me përjashtim të referimit jozyrtar të qëndrimit shqiptar te ndonjë media serioze: Shqipëria nuk e konsideron njëlloj si Greqia një çështje të marrëdhënieve dypalëshe formën që do të marrë bashkia e Himarës pas reformës që do të miratohet brenda 31 korrikut. Në këmbënguljen e paralajmëruar nga Bushati për të mos ndryshuar asgjë edhe pas këtij presioni grek të shkallëzuar fort janë disa arsye themelore, që mbështeten dhe e kapërcejnë të vërtetën se Himara është zonë shqiptare dhe jo minoritare.
Reforma administrative do duhet të miratohet me tri të pestat e votave të Kuvendit të Shqipërisë, që do të thotë se vullneti sovran i institucioneve tona nuk mund të kushtëzohet nga një ndërhyrje e jashtme e një vendi të vetëm, pavarësisht nivelit të presionit. Është e imagjinueshme që për shkak të presioneve të veçanta, logjikave të personalizuara të aksh deputeti (ta zëmë Kryevidhi brenda Kavajës) të mund të kemi ndryshime në ndonjë zonë të caktuar, por nuk shihet arsye pse parimi i funksionalitetit do duhet të mos respektohet në Himarë.

Së dyti, ne nuk kemi asnjë reagim serioz kundërshtues të bashkësisë qytetare të Himarës. Janë bërë konsultime të ndryshme qeveritare, madje dhe nga vetë Bollano dhe Dule, por ne nuk kemi vënë re kundërshtime serioze, masive që të mund të justifikohej një reagim tutorial grek. Është pikërisht ky moment që vë në diskutim dhe seriozitetin e palës greke, më saktë që çmonton themeltësinë e kësaj gozhde të re greke. Pse nuk u bë një përpjekje ta zëmë për të kërkuar një si tip referendumi vendor me gjithë kohën që do kërkonte? Ndoshta nesër është vonë dhe e pamundur për një referendum të tillë, duke pasur parasysh dhe komplikimet kushtetuese, efektet zinxhirore etj., etj., por dobësia e reagimit qytetar në Himarë kundër ndarjes së re nuk premtonte këtë që sot po kërkon Greqia.

Ku mbështeten pretendimet e shtetit fqinj? Te zhurma që bën Bollano? Te zhurma që bën Dule? Këto dy figura politike janë në rënie të vazhdueshme elektorale dhe me ndarjen e vjetër territoriale, pra ata po marrin gjithmonë e më pak vota në zona tipike minoritare apo dhe në Himarën e lodhur nga komandimi prej Dervicianit siç shprehej një himarjot. Kjo do të thotë se këto dy figura nuk mund të flasin dot në emër të Himarës, të cilën mund ta përfaqësonte më me kompetencë kryetari aktual i Bashkisë për shembull. Çdo formë konsultimi lokal do të ishte përgjigja më e mirë për besueshmërinë edhe ndërkombëtare të këtyre dy figurave. Greqia përfundimisht duhet heqë dorë nga vazhdimi i lojës në Shqipëri nëpërmjet PBDNJ-së, ashtu si i është sugjeruar dhe nga think tanke serioze greke. Referendumi apo konsultimi masiv lokal mund të ishte përgjigja më e mirë dhe në rast të ndërkombëtarizimit të mëtejshëm të kësaj çështjeje në forumet europiane, sepse Greqia pikërisht këtë do: të ndërkombëtarizojë përfundimisht Himarën si zonë minoritare dhe reforma territoriale është rasti i fundit për ta bërë këtë. Praktikisht me humbjen e zgjedhjeve prej Bollanos, me rënien e kartës së vizave, dobësimin ekonomik dhe diplomatik të Greqisë, me rritjen e turizmit panshqiptar në Jug, kauza e greqizimit të mëtejshëm të Himarës është zbythur. Është pikërisht reforma territoriale si preteksti i fundit për ta riaktualizuar pretendimin grek mbi Himarën. Nëse s’përdoret dhe ky pretekst, atëherë nesër s’ka më as kohë dhe as rast.

Ky shkrim s’merr përsipër të debatojë në lidhje me zbatimin e parimit të funksionalitetit në zonën e Himarës. Pra a do jetë më mirë Himara me Lukovën, me Vranishtin, apo sipas ndarjes aktuale si argumentonte një figurë e shquar e Himarës si Niko Neranxi. Ka dhe pikëpyetje të tjera pre bisedës së djeshme telefonike Venizelos-Bushati mbi atë se sa ndikon çështja e Himarës në listën e çështjeve të tjera të pazgjidhura midis dy vendeve, të cilave iu referua Venizelos në bisedën e tij me Bushatin. Po kjo është një temë e gjerë për një shkrim tjetër.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist