Për një ditë bota na pa në dritaren më të ndriçuar të saj
nga Mentor Nazarko
Panorama
Për një ditë Shqipëria dhe kombi shqiptar kanë arsye të jenë më shumë krenarë se të gjithë kombet e tjera. Në një kontekst global të përfshirë nga konflikte të tmerrshme me frymëzim fetar, madje dhe midis kombeve që i përkasin së njëjtës fe, ne i treguam botës me ndihmën e Atit të Shenjtë të katolikëve, të vërtetën tonë të madhe të bashkëjetesës midis shqiptarëve të feve të ndryshme. Kjo e vërtetë ka qenë aty dhe bota nuk e ka parë gjithnjë, dhe madje jo gjithmonë ka kohë dhe dëshirë ta shohë. Por vizita e Papës Françesk dhe mesazhet e tij në vetë të parë që lavdëronin këtë bashkëjetesë, vizitë e cila sjell pas vetes projektorët dhe kamerat e mediave më të rëndësishme të mbarë globit, vëmendjen botërore, na nxorën në dritaren më të shikuar të rruzullit tokësor. Ky është një fat i madh për një komb të vogël, i cili s’mund të dalë kaq shpesh në këtë dritare dhe për më shumë në një ndriçim pozitiv. Kushedi se kur do të jetë hera tjetër kur do dalim sërish në këtë dritare, me këtë dritë pozitive. Ky ndriçim u fuqizua shumë veçanërisht nga konteksti global, por dhe rajonal i vizitës, sepse kjo vizitë e kryer në një kontekst tjetër mund të mos kishte të njëjtin ndriçim. Madje dhe disa elementë organizativë ia rritën ndriçimin kësaj vizite.

Po e nis nga elementët më të afërt kontekstualë. Mrekullisht kjo vizitë në të gjitha etapat shkoi mirë. Imazhi i kryeqytetit, veçanërisht asaj pjese ku u zhvillua mesha dhe kontakti njerëzor i Papës me turmat ishte përmirësuar ndjeshëm. Bulevardi me kompleksin urban rikthyer në identitetin e konceptuar nga Brazini ngjante i mrekullueshëm në banjën e turmave. I dekoruar nën konceptimin, mbikëqyrjen e një perfeksionisti si Rama, veçanërisht me fotot kuq e zi të martirëve të fesë, bulevardi në kamerat e CNN ngjante i jashtëzakonshëm. Klasa politike ngjante më shumë e pajtuar se kurrë, pavarësisht garës së vogël të brendshme me dhuratat, gjatësinë e fjalimeve, batutat, apo nderimet personale për Papën. Populli me fe të përzier, madje dhe me kombësi të përzier, ishte njëlloj si në çdo vend tjetër perëndimor apo katolik në veçantësi. Krerët fetarë, me gjithë njëlloj dëshpërimi të lehtë për dominancën e krijuar nga figura më përfaqësuese e katolicizmit, ndërsa fetë e tjera nuk kanë autoritete botërore, gjithashtu dhanë mesazhe në unison me qëllimin e vizitës së Papës. Bota i pa të gjitha këto dhe Shqipëria ngjajti më e bukur, më normale.Vetëm pak ditë më parë, Papa ishte figura më e rëndësishme globale që foli për herë të parë për një luftë të tretë botërore, e cila sipas tij kishte viktimat e para jo më hebrenjtë, por katolikët. Dhe zgjedhja e Shqipërisë si skenë për mesazhet e tij, ngjau shumë më simbolike sesa në çdo kohë tjetër. Në një kontekst më të gjerë, ndaç rajonal, ndaç global, Shqipëria dhe shqiptarët (Kosova përfshirë) arritën ta zhbënin përkohësisht imazhin negativ të krijuar nga numri mjaft i madh i “luftëtarëve xhihadistë në Siri” në raport me popullsinë e vet të vogël.Ekspozimi i 40 martirëve, kryesisht katolikë, në Bulevardin kryesor të vendit, diçka unikale për Europën, mikpritja kombëtare për figurën më të lartë të katolikëve ngriti një urë të fuqishme të kombit shqiptar me Bashkimin Europian dhe klubin e vendeve më të fuqishme të botës, shumica e të cilëve janë katolikë. Papa megjithatë nuk abuzoi me mesazhin e ungjillizimit, në popullsinë me shumicë myslimane. Mikpritja e jashtëzakonshme që impresionon shumë vizitorët e nivelit të lartë e ka shndërruar me siguri Papën Françesk që vjen nga Argjentina e largët, në një mik të madh të Shqipërisë, në një lobues natyral të saj, jo thjesht për misione fetare, por dhe për objektiva politikë, siç janë integrimi ndërkombëtar i vendit. Një dukuri të ngjashme e pamë dhe me Presidentin Bush që sipas bashkëbiseduesve të mëvonshëm të tij, e konsideronte vizitën në Shqipëri si një nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës së tij të pasur.

Kjo vizitë e jashtëzakonshme e Papës Françesk në kohë kaq të veçanta për botën dhe Shqipërinë, për shumë arsye mund të ketë induktuar energji të mëdha pozitive në shoqërinë dhe kombin tonë. Por a ka ndodhur ky induktim i madh energjitik edhe në politikën e vendit, e cila ka pasur dhe raste të tjera të ngjashme vizitash, kjo mbetet për t’u parë. Shpresa e vetme është te reflektimi natyral njerëzor pas ngjarjeve të mëdha. Duhet supozuar se emocioni që të indukton vëmendja botërore që përcillte vizitën, të krijon në përfundim të saj, një boshllëk të madh (ndoshta diçka dramatike për një vend të vogël i cili zhytet pastaj në meandret e harresës botërore), dhe me gjasë një fazë reflektimi personal. Le të shpresojmë se ky reflektim për politikanët do t’i shtyjë të gjejnë rrugën e drejtë të Zotit, të cilit pretendojnë se i përkasin, por që sipas Papa Françeskut në bisedën me krerët fetarë është Një. “Ne kemi një krijues të vetëm, prandaj jemi vëllezër”, këto fjalë të mëdha iu thanë në shqip prej Papës Françesk botës së zhytur në konflikte të përgjakshëm. Për më shumë që ai u ofroi dhe një sistem referimi të gjithëve: “E vërteta është forca e gjykimit”. Epo është sfidë e madhe për politikanët shqiptarë që ishin fizikisht kaq afër Papës të mos i kenë dëgjuar këto fjalë apo të na tregojnë nesër se i kanë harruar ato menjëherë pas ikjes së tij.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist