Në fillim të merremi me oborrin tonë
nga Mentor Nazarko
Panorama
Ngjarjet e Parisit nxitën diskutime, reflektime, debat në gjithë botën, dhe afërmendsh në Shqipëri. Edhe shfaqja e katër klerikëve shqiptarë krah për krah si pjesë e marshimit të madh republikan, krijoi një valë krenarie, por shumica e komenteve të autorëve shqiptarë përsëri u fokusua te zhvillimet franceze apo botërore në dritën e ngjarjeve të Parisit.

Në një valë reagimesh si këto, si kujtesë e parë të vjen në mend një thënie e figurës së shquar të pedagogjisë amerikane (por jo vetëm), drejtorit të Shkollës Teknike të Kavajës Harri Fulc për kafenetë shqiptare të mbushura me politikë.

“Në këto kafene të Tiranës, – nënvizonte Fulci pak a shumë, – ngjarjet e botës komentohen më cilësisht sesa në Uashington apo në Londër”. Me siguri që kështu duhet të ketë ndodhur duke mbajtur parasysh formimin e elitës intelektuale të kohës, por ironia e Fulcit për atë kohë mbetet e vërtetë dhe për sot: mos vallë duhet të diskutojmë për implikimet e ngjarjeve franceze në Shqipëri, d.m.th. oborrin tonë? Mos vallë “do duhet të mbledhim kurajën për të menduar” për veten tonë siç shkruante në një artikull në “New Statesman”, filozofi i njohur slloven Zhizhek?

Ka një refleksion të parë për këto ngjarje duke u fokusuar te ky oborr. Sikur Kryeministri të kishte mbetur vetëm me përshtypjet e marshimit emocionues të katër klerikëve apo lapsave tringjyrësh në thilenë e xhaketës së tij, atëherë vërejtja e Fulcit do na shfaqej aktuale më me forcë. Por ndodhi që të nesërmen, Kryeministri, para një përfaqësie të gjerë të klerikëve dhe medias së vendit, nënvizoi rreziqet që i vijnë Shqipërisë dhe prej islamofobisë, një nënvizim realist ky. Edhe nënvizimi se rreshtimi me atentatorët është sulm ndaj Profetit ishte i duhur sa kohë që një pjesë e disa mediave sociale në shqip reflektonte qëndrime individësh që në mos i mbështesnin atentatet, i justifikonin ato. Momenti përcaktues i këtyre qëndrimeve ishte epërsia që solidarët shqiptarë i japin përkatësisë myslimane mbi përkatësinë kombëtare. Kjo në fakt është dilema kryesore në trajtimin e kësaj problematike jo thjesht të lidhur me Parisin, por dhe me ngjarje të tjera si ato të Gazës etj. Këta ligjërues, në mënyrë të induktuar ose spontane qortojnë Perëndimin që keqtrajton Profetin, shajnë Skënderbeun dhe Nënë Terezën që s’kanë qenë myslimanë, dhe përdorin retorikë pansislamike. Ky lloj ligjërimi është një tregues se shoqëria dhe institucionet kanë pasur dhe kanë arsye pse të shqetësohen, aq më shumë pas asaj që ndodhi në Paris. Një shoqëri e dobët si e jona, e shpëtuar nga ngjarje si e Parisit pse “brenda nesh nuk do bënin lajm”, më mirë të ketë kurajën të mendojë për të parandaluar këto ngjarje, sesa të reagojë drejtësisht pasi ngjarjet të ndodhin.

Por ka dhe një lajm tjetër të mirë që lidhet me reagimin brendashqiptar pas ngjarjeve të Parisit. Ai është pozicionimi i qartë dhe pa dykuptimësi i klerit mysliman në dënim të krimeve të atyre tri ditëve që tronditën botën mbarë, të kryera në emër të Profetit. Për të qenë të saktë, prej zgjedhjes së kryetarit të ri Skënder Brucaj, prej atij vetë, prej klerikëve të tjerë, po vijnë vetëm mesazhe të qarta dënuese për shumë dukuri që po ndodhin në vendet e hapësirës arabe, që sipas myftiut të Tiranës, Gurra, “kanë kaluar në trauma të mëdha, pasi nga dinastitë, diktaturat që i drejtonin, kanë kaluar në trauma ku mungonte liria e fjalës dhe e mendimit. Këto kombe, këto mbyllje, prej dekadash gjejnë një lloj ngushëllimi, për fat të mirë janë pak në numër, duke demonstruar se duan të mbrojnë diçka, fenë apo Profetin”. Janë shumë prononcime publike si këto prej atyre që do duhet të konsiderohen barinj të shpirtrave, që të mbushin me besim se Komuniteti Mysliman shqiptar është në lartësinë e rolit të vet shoqëror dhe kombëtar. Ky pozicionim si kurrë më parë – kemi parë fraza, predikime plot ambiguitet në xhamitë e shqiptarëve apo dhe në televizione -, e vë theksin tek ai që mbase është një ndër elementet kryesore që kanë përcaktuar rrjedhën e ngjarjeve të Parisit. Tre atentatorët ishin me të vërtetë produkte të periferive të kryeqytetit francez, brezi i dytë apo i tretë i emigrantëve, që me siguri ishin të mbarsur me konfliktualitetin tipik të ndarjeve etno-fetare, që përputhen me ato klasore. Por vetëm ky konfliktualitet i ngjashëm me atë të vendeve të tjera që kanë diferenca fetare apo zhvillimore, të tipit Veri-Jug apo Lindje-Perëndim, nuk ka prodhuar më parë akte si ato ndaj Charlie Hebdo. Momenti kyç në jetën e vëllezërve Kuashi ishte shfaqja e një kleriku të linjës së ashpër që i ka konvertuar në martirizim. Martirizimi është koncepti përcaktues në radikalizimin e shumë individëve, dhe ky koncept injektohet vetëm nëpërmjet figurës së imamit. Dhe këtu mbërritëm te momenti kyç i shikimit shqiptar të problemit. Çfarë duhet të bëjmë si shtet dhe si shoqëri që të pengojmë radikalizimin e imamëve që pastaj të pengojmë radikalizimin e besimtarëve? Gjykimet pozitive të drejtuesve fetarë myslimanë kohët e fundit janë shpresëdhënëse, por s’mjaftojnë.

Një perspektivë pozitive
Imamët e sotëm shqiptarë, të formuar shumica në vendet e Gjirit, e që me siguri në pikëpamje teologjike janë më lart sesa paraardhësit e tyre, janë profesionistë në punën e tyre, që jetojnë prej rrogës dhe të ardhurave të tjera të lidhura me këtë profesion. Shteti do duhet të sigurojë që këta imamë deri më sot me rroga të vogla të shkëputen prej ndikimit të atyre financimeve që vijnë prej vendeve të linjës së ashpër që flet imami Gurra. Dhe si ndodh kjo, pa rrëshqitur në kthetrat e islamofobisë për të cilat foli Kryeministri?

Ka ardhur koha që shteti të miratojë një ligj kuadër për raportet me bashkësitë fetare sipas parimeve kushtetuese të nenit 10. Sipas këtyre parimeve, shteti do duhet t’i trajtojë njëlloj komunitetet tradicionale mes vete, dhe me ato të reja. Marrëveshjet ekzistuese në përmbajtjen e tyre janë kapërcim i frymës së nenit 10, paragrafi 3, sepse ndryshe trajtohet çështja pronësore e Komunitetit Mysliman, ndryshe ajo e atij Ortodoks. Është krejt e qartë se me gjithë një lloj standardizimi në formulimin e këtyre marrëveshjeve, prapëseprapë ajo me komunitetin ortodoks është më e detajuar, me gjasë prej negociatave më konkrete. Por dhe sikur këto marrëveshje të ishin të njëjta, d.m.th. fjalë për fjalë, problematika është një: zbatimi i plotë i tyre në praktikë.

Shteti shqiptar do duhet t’u kthejë automatikisht gjithë pasuritë komuniteteve fetare, me të cilat ato do duhet të financojnë jetën e brendshme të tyre, të paguajnë rrogat e imamëve dhe klerikëve dhe të zhvillojnë veprimtari humanitare sipas traditës së tyre më të mirë. A mundet të imagjinojmë mosndikim të këtyre klerikëve nëse rroga e tyre është shumë e vogël dhe komunitetet fetare të pasura në letër, detyrohen të marrin ndihma nga jashtë? Ky hap i domosdoshëm, natyrisht do duhet shoqëruar me kontroll më të fortë për financimin ndërkombëtar të komuniteteve fetare. Në fund të fundit, në të gjitha marrëveshjet e nënshkruara ka një parim që do duhet zbatuar: parimi i interesit kombëtar në ruajtjen e rendit kushtetues. Është pikërisht ai që mund të cenohet në mënyrë të ngjashme me atë që ndodhi në Francë, dhe që do duhet të parandalohet që tani. Por kjo bëhet duke marrë kurajën për të menduar për problemet tona së pari dhe pastaj për ato të Francës, po na ngeli kohë.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist