Momenti kritik i sfidave të brendshme
nga Mentor Nazarko
Panorama
A ka diçka që meriton vëmendje të posaçme në një rebelim të vogël të ditëve të fundit në krahun e majtë? Për vëzhguesin e jashtëm mungojnë thashethemet e brendshme, të cilat do t’i vërtetonin supozimet e mbështetura mbi atë pak ushqim që ofrohet nga kronikanët politikë. Në këto kushte ngjan e vështirë të arrish përfundime shteruese por diçka mund të arrihet. Së pari, çdo lloj kundërshtie e brendshme në gjirin e së majtës është lajm i mirë, sepse pasuron dialektikën politike të vendit, krahas kritikës së opozitës, e cila sot po e bën këtë nëpërmjet tryezave të rrumbullakëta, apo daljeve të zëdhënëseve kurajoze, apo të inkurajuara. Qeverisja e majtë ka boll probleme, pra ka boll arsye për kriticizëm, kështu që teorikisht lulëzimi i përplasjeve të brendshme është garanci për vetëreflektim brenda kampit të majtë, jashtë autoritarizmit ekstrem. Kundërshtitë brenda së majtës (jo thjesht ato të shprehura prej grupit në fjalë) 300 ditë pas fillimit të qeverisjes, mund të inkuadrohen brenda një prirjeje tradicionale të saj, më saktë njëlloj epërsie të saj prej mocionit të djathtë të 1992-it, për të toleruar mendimin ndryshe, anipse me nivele të ndryshme organizimi dhe profilesh të protagonistëve. Është krejt e imagjinueshme që në fitoret dërrmuese si ajo e qershorit 2013, brenda frontit fitues të ketë larushi mendimesh, vizionesh, prej personazhesh shprehje prerjesh sociale të ndryshme, me histori të ndryshme, që përfaqësojnë grupe interesash jo gjithmonë të pajtueshëm brenda kornizave partiake. Për më shumë kur fitorja është shtrirë në qarqe tradicionalisht të djathta, afërmendsh që ke protagonistë të saj të cilët vështirë se disiplinohen brenda kampeve të reja partiake, dhe që për madhësinë dhe cilësinë e njollës së fitores me gjasë kërkojnë haraç jo gjithmonë lehtësisht të pagueshëm.

Këtu mbërritëm te pika e dytë, organizimi dhe protagonistët, një pjesë e të cilëve u zbuluan prej faktit që bojkotuan votimin e ligjit për KLD-në me pretekstin e ditëlindjes, kur asnjeri prej tyre s’kishte pasur ditëlindjen siç treguan zbulimet kurajoze të kronikanëve në regjistrin civil. Rebelimi i radhës nuk po vjen prej atyre që pritej kur u formua qeveria, pra prej senatorëve të PS-së mbetur jashtë Ekzekutivit. Kjo pse është tretur sigla e mendimit ndryshe, ideologu kryesor i të cilit po kultivon popullaritetin e vet në një lëmi ku ndoshta është më i forti. Pas kundërvënies së hapur ndaj Ramës me rastin e armëve kimike, Blushi ka lëvruar dhe po lëvron suksesshëm njëlloj eseje prognostike të zhvillimeve shqiptare. Garancia për sukses mbështetet te shartimi i stilit të shkëlqyer me intuicionet gjeniale, por ku mungojnë sipas paradigmës bajroniane, “të cilësive të arrira të shqiptarit” konceptet shkencore sociologjike, ekonomike, etj., siç ia vënë re kritikët. Mungesa e oponencës senatoriale ndoshta diferencon kritikën, por ligji i kompensimit do të bëjë që brenda një Grupi të madh si ai i PS-së të ketë gjithmonë kundërshti.

Ç’përfaqësojnë sfidantët në këtë moment të veçantë?

Po ç’janë të rebeluarit dhe çfarë organizimi përfaqësojnë ata? Dikush që i njeh mirë thashethemet e pallatit, nisur nga përkatësia fetare katolike e shumicës së tyre, po hamendëson krijimin e një fraksioni, apo grupi demokristian. Ideja e një grupi të tillë është interesante (jo pse ky grup mund të pajtonte krijimin e vet me ardhjen e Papës), nëse i referohemi numrave, qoftë dhe duke menduar PDIU-në brenda shumicës. Një grup i tillë do kushtëzonte votimin e çdo ligji me shumicë të cilësuar, dhe prova më e rëndësishme pas bojkotimit të votimit të ligjit për KLD-në do të jetë reforma administrative. Por, ndërkohë, dje njeri prej tyre u betua se s’ka ndërmend të luajë kundër Ramës gjatë këtij mandati. Pra nuk mund të vëmë bast që pjesa tjetër do të vazhdojë të rezistojë sipas konceptit të grupit apo fraksionit demokristian që po hamendësohet në do qarqe mediatike. Kështu do venitej shpresa se grupi do integronte dhe Ndokën e lodhur shpejt nga opozita e ashpër e Lulzim Bashës, të asistuar nga Berisha me aq sa mundet. Për më shumë që brenda grupit ka dhe jokatolikë, diçka e dobëson emëruesin më të madh të përbashkët të këtij grupi.Atëherë cili është emëruesi i përbashkët i vogël apo i madh i rebelëve? Kundërshtitë për reformat? Jo, asnjeri prej tyre s’ka folur për to. Më i zëshmi i këtij grupi, zoti Doshi, ka shprehur një sërë kritikash për politikën e kuadrit apo veprime të caktuara të Ministrisë së Brendshme, vërejtje që duhen marrë seriozisht, nëse janë të vërteta. Ndonjë tjetër ka kritikuar projektligjin për Gardën, duke rezonuar me Grupin e LSI-së. Kjo krijon paksa frikë për unitetin e Grupit socialist, duke pasur parasysh aftësitë e mëdha të Metës për kohezionin e të vetëve dhe thithur të pakënaqurit e PS-së.Nuk mund të kuptohet ndonjë gjë tjetër nga sa shikohet së jashtmi, pa konsideruar thashethemnajën mediatike, që i detyrohet sa paaftësisë së kronikanëve politikë për të depërtuar në murin e së majtës, ashtu dhe homologimit të një pjese të mediave kah qeveria, sipas një ligjësie që përsëritet ciklikisht. Ajo që duhet imagjinuar me shkallë të lartë gjase është se të gjithë të rebeluarit i bashkon të paktën një fjalë kyçe, një koncept themelor për botën ku jetojmë: interesi. Interesat e tyre, të grupeve elektorale, ekonomike, rajonale etj. që ata përfaqësojnë (pa kurrfarë ngarkese negative për fjalën interes sa kohë që nuk i njohim saktësisht ato) janë prekur apo nuk po realizohen ashtu siç kanë pritur. Guximi i një pjese prej tyre i ka bërë që të jenë të zëshëm. Ky guxim, por edhe intuita politike dhe njerëzore për momentin që po kalon e majta i ka bërë të organizohen në mënyrë sfiduese dhe tallëse për kampin e vet, siç ishte shakaja me ditëlindjen. Por se sa do të rezistojë organizimi, kjo pritet të shihet varësisht sensit politik të të rebeluarve. Ajo që nuk po shohim prej PS-së është reagimi i fortë kundërvënës, përgënjeshtrues i akuzave apo kritikave të tyre, ndërsa me siguri janë duke u zhvilluar operacione diplomacie partiake, edhe në pritje të betejave ku çdo votë deputeti është e rëndësishme.Mbërritëm këtu te momenti kur ky grup, ky aliazh i përkohshëm apo i qëndrueshëm interesash do të testohet: votimi për reformën territoriale. Është pikërisht ky moment që ia rrit grupit forcën negociale. Është pikërisht kjo çështje që ka motivuar një pjesë të këtij grupi- riorganizimi territorial, i cili prek interesa lokale të formave të ndryshme, interesa që ende sot kontrollohen, përfaqësohen prej deputetëve, veçanërisht kur ata janë biznesmenë si një pjesë e anëtarëve të atij që për konvencion po e quajmë grupi rebel. Është pikërisht intuita për rritjen e forcës negociale të këtij grupi, pse ata zgjodhën të bëheshin bashkë pikërisht para 31 korrikut, e që me gjasë do vazhdojë t’i mbajë bashkë derisa interesat e tyre të kënaqen njëfarësoj: veç e veç dhe tok. Është pikërisht ky moment kur ata pa ndonjë dëshirë mund të bëhen bashkë dhe me anëtarë të tjerë të shumicës prej PBDNJ-së që frymëzohen nga Greqia, duke krijuar kështu rrezik për miratimin e një reforme të cilësuar si historike prej kreut të së majtës. Nëse kjo reformë është vërtet e tillë, ajo duhet miratuar e plotë tani, pa ceduar shumë në tërësinë e saj, dhe me këtë grup duhen bërë diskutime tani: veç e veç, apo dhe tok. Përndryshe, nëse reforma nuk miratohet, diçka e dëmshme për besueshmërinë e liderit të së majtës, grupi i parë i rebelëve do ketë fitoren e parë që mund të trimërojë të tjerë dhe nesër problemet brenda kampit qeverisës do jenë më të mëdha. Mund të ketë pasoja zinxhirore në aliazhe të reja interesash kundërvënëse e deri tek ashpërsimi i rivaliteteve ideologjike apo të lidershipit brenda së majtës. Rrugë për zgjidhje ka, por kur s’ke informacion të brendshëm, atëherë më mirë zgjidhjet u lihen kompetentëve.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist