Mesazhet e takimit me Kinën në Beograd
nga Mentor Nazarko
Panorama
Takimi i fundit i nivelit të lartë i udhëheqësve ekzekutivë të Ballkanit së bashku me Kryeministrin kinez, ishte një ngjarje e jashtëzakonshme në planin gjeopolitik dhe për të do vazhdojë të flitet shumë. Megjithëse ai ishte një replikë e një takimi të ngjashëm që ishte zhvilluar në një format paksa më të ndryshëm në Rumani, zhvendosja e tij në Serbi këtë vit, mesazhet dhe vendimet që u morën atje e theksojnë veçantinë e tij. Janë disa arsyet për këtë pohim. Në një këndvështrim historik, ashtu siç po ngjan se është çdo vizitë e Ramës në Beograd, kemi një riafirmim të rolit ndikues në planin ekonomik të Kinës në Ballkan, duke i njohur Serbisë një lloj roli qendror, megjithëse jokoordinues. Kur Kina e Mao Ce Dunit tentoi ta bënte këtë në vitet ‘70, Enveri reagoi jo thjesht në ditarët e vet, por dhe në komunikimin me kinezët. Ai nuk pranoi ta njihte këtë rol të rëndësishëm të Jugosllavisë së Titos dhe as të përfshihej në kurrfarë aleance ekonomike apo ushtarake me të. Sot kur barrierat ideologjike kanë rënë, drejtimi strategjik i politikës së jashtme kineze tregon vijimësi si çdo shtet i madh i rëndësishëm në rrafsh botëror.

Pse kjo vijimësi? Me gjasë pse në Ballkanin si një zonë unike, në veçanti në hapësirat e banuara nga shqiptarët në Maqedoni dhe Shqipëri, do të kalojnë rrugët e rëndësishme botërore. Prej kohësh po flitet për një angazhim dhe të vendeve të Gjirit, pra dhe të Kinës për të ndërtuar një korridor hekurudhor në gjurmët e rrugëve të famshme historike që lidhin Azinë me Europën. Do të përfaqësonte një ulje të madhe kostosh eliminimi i detit në transportet e mëdha botërore dhe Kina po shfaqet si aktore e madhe globale me gjasë pikërisht në këtë perspektivë.

Së dyti, Kina praktikisht është duke zëvendësuar Bashkimin Europian në atë që do duhet të ishte roli i vet: jo thjesht mbështetje për qeverisje të mirë, por ndihmë për zhvillim ekonomik nëpërmjet mbështetjes infrastrukturore me kredi me interes të ulët që favorizon pikërisht ndërlidhjen midis vendeve të Ballkanit në funksion të valorizimit pikërisht të atij Korridori, pjesë e të cilit do të ishte dhe Korridori 8. Thuajse të gjitha projektet më të rëndësishme që u prezantuan ngjanin se ishin në këtë funksion, megjithëse Shqipëria prezantoi dhe projekte të tjera në vaditje, bujqësi etj.

Kina me ndikimin e vet, megjithëse fuqi e largët gjeografikisht, favorizoi me takimin e Beogradit afrimin më të madh të vendeve të rajonit, edhe ky një mision tipik i Bashkimit Europian. Midis tyre u duk një relaksim i marrëdhënieve, siç ndodhi dhe mes Shqipërisë e Serbisë, u firmosën marrëveshje bashkëpunimi ekonomik etj. Kina zëvendësoi Bashkimin Europian dhe në aspekte të tjera organizative. Para pak muajsh u zhvillua në Berlin një format i ngjashëm ku kujdestare ishte Kancelarja Merkel e Gjermanisë, i orientuar kah projektet e përbashkëta infrastrukturore. Takimi vitin tjetër do të bëhet në Austri. A do ta kalojë Bashkimi Europian, më saktësisht Gjermania Kinën, në mbështetjen e ofruar për rajonin, apo do të prodhohet një konkurrencë e shëndetshme – kjo pritet të shihet. Por saktësisht Kina po bën të njëjtin rol: takime të përvitshme të cilat ngjajnë se janë më konkrete, nga angazhimi i bankave kineze, firmosjes së marrëveshjeve, por dhe nga një element tjetër.

Kryeministri i vendit që sot e kaloi për nga fuqia ekonomike SHBA e asistuar gjithashtu nga financat kineze, qëndroi dy ditë të plota në Beograd duke u marrë me ballkanasit dhe duke premtuar ta bëjë takimin tjetër në Pekin. Ky angazhim që favorizon ndërmarrjet e mëdha kineze në ekspansion global është realist dhe s’ka si të jetë ndryshe pikërisht për arsyet që u përmendën më lart. Pikëpyetja themelore është nëse ndikimi ekonomik kinez që po konsolidohet me këtë projekt do shndërrohet dhe në ndikim politik. Cilat do ishin peshat që do e ekuilibronin këtë ndikim në atë skenar – le të shohim. Shqipëria dhe vendet e tjera janë vende që aspirojnë të përfshihen në Bashkimin Europian, vende kandidate dhe në këtë kuptim s’kanë komplekse të ngjashme me të vendeve të tjera anëtare në vendosjen e një lidhjeje të tillë strategjike me Kinën.

Për më shumë kur Bashkimi Europian me problemet e veta të brendshme, në klimë krize ekonomike, por jo vetëm, s’po i kryen detyrimet e veta ndaj vendeve kandidate siç ka qenë tradita e tij më e mirë në valët e ndryshme të anëtarësimit. Nga ana tjetër, pikërisht për këtë arsye - të qenit vend kandidat - në takim nuk ishte Kroacia apo Rumania, ngjan se ai nen i marrëveshjeve të asocimit, që kërkon pajtim për pozicionet në politikën e jashtme të vendeve kandidate me Bashkimin, nuk konsiderohet i shkelur. Me një fjalë, BE nuk duket se ka imponuar klauzolën e konsultimeve apo të bllokimit të kësaj marrëveshjeje, apo ere të re në marrëdhëniet e vendeve kandidate me Kinën. Me gjasë Kina nuk shihet larg qoftë si Rusia në sytë e Unionit apo dhe të SHBA-ve, që do të kishin ndërhyrë në plan dypalësh për të shmangur orientime politike kaq cilësore. Nga një takim si ky, nga marrëdhënie si këto që nuk e veçojnë Shqipërinë në raport me rajonin, pra nuk e vendosin atë në plan marrëdhëniesh preferenciale me Kinën, vendi ynë vetëm fiton.

Për më shumë ne kemi pozitën strategjike që na favorizon, ashtu si dhe marrëdhëniet historike që na kanë lidhur me Kinën, megjithëse në një kontekst tjetër ideologjik. Ende në Kinë vijon të jetë në pushtet brezi i mesëm që ka nostalgji për marrëdhëniet e dikurshme midis dy vendeve, që kishin përbërëse të fortë ekonomike, dhe ndihmë për të qenë të sinqertë, pa besuar përrallat e Enver Hoxhës, sipas të cilave Kina kishte përfituar prej nesh. Problemi është a kemi ne kapacitete projektuese për të përshpejtuar realizimin e marrëveshjeve në fjalë? Takimi i Beogradit si resto, në fakt ndihmoi dhe në relaksimin e marrëdhënieve shqiptaro- serbe.

Nga mënyra si u trajtua Rama prej autoriteteve serbe, përkatësisht homologut të vet Vuçiç, u konfirmua drejtësia e qëndrimit të vet të fortë në plan historik. Sjellja me dinjitet, në mos me superioritet herën e fundit, shpagoi në mënyrën më të mirë. Ndërkohë Rama dhe Shqipëria korr atë kontribut të qeverive paraardhëse në kultivimin e marrëdhënieve miqësore me Kinën.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist