Mbi pse-të e arrestimeve të fundit në Kosovë
nga Mentor Nazarko
Panorama
Arrestimi i mbi 40 vetave në Kosovë për lidhje me terrorizmin ndërkombëtar është një ngjarje e madhe në shumë pikëpamje. Edhe në një vend të rëndësishëm të botës, nëse do arrestoheshin kaq shumë veta, do të ishte njëlloj ngjarje e madhe, aq më shumë në Kosovë. Çka do të thotë se ajo meriton… vëmendje të jashtëzakonshme në shumë plane, jo thjesht në pikëpamje policore.Për shumë arsye të kuptueshme, mes të cilave me gjasë për të mos helmuar atmosferën publike me informacione të tepërta, opinioni publik nuk ka marrë shumë informacion për veprimtarinë e të arrestuarve. Nga akuza e parë botuar në media, nuk kuptohet veç faktit se ata kanë luftuar në Siri, në gjirin e organizatave që janë shpallur botërisht terroriste, fakt që ende s’po pranohet nga të gjithë të arrestuarit, të cilët pritet të japin informacion gjithashtu. Por nuk ishte nevoja për të ndodhur ky operacion që të arrish në përfundimin që në Kosovë rreziku i ekstremizmit fetar që mund të prodhojë akte terroriste është real. Para se të formulojmë një tezë disi të re në lidhje me themelet e ushqimit ideologjik për ekstremizmin fetar në Kosovë (objekt i një shkrimi tjetër), le të shohim lidhjen midis disa fakteve që i paraprinë operacionit dhe të kuptojmë diçka mbi pse-të e këtij operacioni. Në kohë, por dhe në hapësirë, ky operacion u parapri nga disa ngjarje që lidhen me Kosovën. Një pikë referimi e të rinjve kosovarë që shkojnë në Siri, si Lavdërim Muhaxheri, ndoshta në luftën që bëhet për “porcionin shqiptar” të pushtetit në ISIS, vendosi të presë publikisht kokën e një adoleshenti irakian. Ky akt burracak nuk ngjan se u bë thjesht dhe vetëm për të tmerruar pakicat fetare irakiane sipas skenarëve historikë të gjenocidit në të gjithë globin dhe në të gjitha kohërat. Ai ngjante se ka qenë njëfarë akti i paramenduar për të pasur jehonë kosovare, jo thjesht për mediat sociale në shqip që u gjallëruan me atë rast, ashtu si janë të kalkuluara shumë prononcime politike të këtij “luani” në Facebook. Po ashtu, pak më parë, Departamenti i Shtetit emërtoi disa imamë që predikojnë dhunën në Kosovë. Dhe pak ditë para operacionit, një gazetë e njohur perëndimore si “Financial Times”, evidentonte si të rëndësishëm që shqipja ishte njëra ndër pak gjuhët në të cilën ISIS prezantonte veten para botës. Të gjitha këto ngjarje të lidhura me njëratjetrën tregojnë se Kosova, ku ka dhe mision ushtarak ndërkombëtar, në sytë e botës tashmë përfaqëson një pikë rreziku ekstremizmi në hartën globale. Parë kështu, afërmendsh që një operacion arrestimi i 40 individëve (dhe vendosja në kërkim e dhjetëra të tjerëve?) është konsultuar me partnerët perëndimorë të Kosovës, pavarësisht se në pikëpamje të ekzekutimit dhe ndjekjes ai u realizua tërësisht nga agjencitë kosovare. Terrorizmi me frymëzim fetar nuk është një çështje ngushtësisht kosovare kur në terrenin e këtij vendi vepron një forcë ushtarake si NATO, EULEX-i, dhe një përfaqësi civile, të pajisur me njësi të sofistikuara inteligjence, përgjimi, reagimi. Me gjasë për të mos shtuar agresivitetin ndaj faktorit ndërkombëtar të pranishëm në Kosovë, por dhe në përpjekje për të theksuar fazën historike të pavarësimit në rritje të shtetit të Kosovës që ka institucione që funksionojnë, u zgjodh ky skenar. Por kjo s’do të thotë se zgjedhja e momentit të goditjes apo përmasat s’mund të kenë pasur fare autorësi vendore. Askush nuk vë në diskutim pasojat politike të një operacioni si ky, të një akti force si ky, i realizuar për më shumë në momentet kur qeveria është thuajse pa mandat. Mund të ketë pasur dhe llogaritje të efekteve në skenarët e ndryshëm të krijimit të qeverisë së re. Por të mbash qëndrime që kritikojnë 100% faktorin vendor, d.m.th. qeverinë në ikje të Kosovës në lidhje me 40 arrestimet, është pak e tepruar dhe mungesë trimërie për t’u përballur me të tjerët. Arrestimet janë me të vërtetë në numër të madh dhe nënkuptojnë një veprimtari hetimore të gjatë dhe intensive. Opinioni në Kosovë, pavarësisht nevojës për të mos helmuar atmosferën apo krijuar efekte zinxhirore ekstremizimi, dikur duhet të bindet për frytet serioze dhe ligjore të kësaj veprimtarie. Së dyti, me gjasë mund të ketë pasur të dhëna për ndonjë veprimtari terroriste të pritshme të individëve të caktuar që u arrestuan, dhe në përpjekje për ta parandaluar, numri i të arrestuarve ishte më i madh sesa ai i realizuesve potencialë të kësaj veprimtarie. Së treti, përmasat e operacionit mund të kenë shërbyer si sinjal për të treguar se qeveria, institucionet, e kanë gjithçka në kontroll. Së katërti, arrestimet mund të shërbejnë për të kuptuar më mirë sesa nëpërmjet përgjimeve që mund të jenë realizuar ndaj tyre se cila është gjeneza e këtij ekstremizmi fetar në Kosovë. Të kuptohet më shumë, të provohet penalisht rruga e fluksit të parave të paligjshme që qëndrojnë pas këtij ekstremizmi që paradoksalisht u fuqizua në nivele të frikshme me vendosjen e perëndimorëve në administrimin civil dhe ushtarak të Kosovës. Të provohet nëpërmjet veprimtarisë hetimore fajësia e atyre që janë frymëzuesit vendorë të këtij ekstremizmi, në radhët e imamëve të Kosovës, një pjesë e të cilëve kanë braktisur me vrap në mënyrë të turpshme rreptësinë e tyre ideologjike për t’i bërë himn Amerikës dhe Perëndimit. Mund të ketë dhe arsye të tjera që kanë përcaktuar përmasat e këtij operacioni dhe individët e përzgjedhur. Por pasi të kuptohet më shumë, veç zbutjes së masave represive për shumë prej të rinjve që u arrestuan, do duhet me siguri të vendosen me shpatulla në murin e ligjit dhe ideologët e dhunës. Dhe që tani do duhet të zhvillohet një debat i gjerë për të kuptuar themelet vendore të kësaj ideologjie në mënyrë që ajo të çrrënjoset, duke e nxjerrë Kosovën që do duhet të ishte vendi më proamerikan i Europës, nga harta e rrezikut të terrorizmit. Ky debat do duhet të ishte bërë më parë, por dhe sot jemi në kohë. Nesër është vonë për të identifikuar dhe adresuar disa prej pikënisjeve të ekstremizmit fetar në Kosovë, që gjenden më së shumti në sferën publike të shtetit më të ri të Europës.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist