Fiorentina bën mirë vetëm pjesën e parë, Interi përmbys dhe merr 3 pikët (VIDEO)

Interi ka arritur të mposhtë me rezultatin 1-3 Fiorentinën në kuadër të javës së pestë të Serie A.

Ndeshja e luajtur në “Artemio Franchi” nisi më mirë për vendasit që arritën të zhbllokonin rezultatin në minutën e 23 me Sottil. Pavarësisht rasteve të tjera të krijuara nga të dyja palët, “vjollcët” do të shkonin në pushim me avantazhin minimal.

Pjesa e dytë flet për Interin. “Zikaltërit” hynë në fushë me një tjetër ritëm dhe arritën të barazonin në minutën e 52 me Darmian i cili merr një top të mirë nga Barella. Nuk do ta zgjaste shume dhe do të vinte goli i avantazhit nga Edin Dzeko në minutën e 55.

Një përmbysje rezultati e tillë demoralizon Fiorentinën e cila edhe pse tentoi nuk ishte në gjendje të shënonte. Goditja e radhës do të vinte në minutën e 78, kur Gonzalez për protesta ndëshkohet me dy kartona të verdhë duke u detyruar të lërë të tijët me 10 lojtarë.

Gjithçka bëhet më e thjeshtë për kundërshtarim që në fund arrin të shënojë edhe golin e tretë dhe të sigurisë me Perisic.

Me këtë fitore Interi momentalisht ngjitet në krye të klasifikimit me 13 pikë, ndërsa Fiorentina në vendin e 6 me 9 pikë. /albeu.com/


Shtuar 21.09.2021 22:49