Pse Kuvendi e shtyu 7 ditë fillimin e vetingut?
nga Mentor Nazarko
Konica.al
Vendimi i fundit i Parlamentit për të shtyrë dhe një javë fillimin e funksionimit të komisioneve rivlerësuese të karrierës dhe figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve ngjau një surprizë kur mendohej se ai do të rriste tensionin politik nëpërmjet injorimit të opozitës. Për këtë vendim ngjan se ka dy argumente kryesore.

Argumenti i parë, pa e ditur me siguri nëse është dhe më i rëndësishmi, është argumenti i mosmarrëveshjeve të brendshme në koalicionin qeverisës për emrat konkretë. Kjo nuk është diçka krejt e pamundur. Të gjesh emra që do të merren me një punë kaq të rëndësishme, është detyrë e vështirë dhe secili prej emrave mund të merrte pafundësisht kohë, jo më mbi 100 vetë. Palët politike brenda qeverisë u përplasën për një emër si drejtoresha e AMFsë, Autoritetit Mbikëqyrës Financiar, dhe aq më shumë do të përplaseshin për një numër më të madh. Mosmarrëveshjet e palëve mund të jenë projektuar që tek institucioni përzgjedhës dhe do të vijonin dhe në Parlament. Njerëzit e këtyre komisioneve do të ishin gjyqtarët e gjyqtarëve dhe kjo e bënte dhe më të rëndësishëm debatin për ta.

Por ngjan se ka dhe një arsye tjetër, të rëndësishme gjithashtu. Partitë e koalicionit qeverisës nuk kanë preferuar që debateve të brendshme për emrat propozim të krahut qeverisës, t’u shtonin edhe debate për emrat që duhet të vinin si përfaqësues të opozitës. Kjo do të implikonte, veç të tjerash, balanca të pakontrolluara brenda komisioneve të vetingut. Por dhe sikur të mos ishte ky argument, palët, me gjasë dhe nën presionin ndërkombëtar, kanë vendosur me u dhënë hapësirë manovrave, apo negociatave të mundshme me opozitën, me shpresën se ajo do të reflektojë kah pajtimi, apo bisedimet.

Por edhe me këto dy argumente, ngjan se ky vendim i Parlamentit për të shtyrë dhe një javë krijimin e komisioneve të vetingut ruan dy mesazhe të tjera.

Së pari, faktori kohë në radhën e veprimeve është shtypës. Kjo është arsyeja pse Parlamenti u thirr për ditë të hënë në seancë plenare. Për faktorin ndërkombëtar, për Europën në veçanti, është jetësor suksesi në reformën shqiptare në drejtësi, të cilën duan ta shohin të filluar tani dhe menjëherë. Bashkimit Europian i duhet një sukses nga Ballkani, i frustruar prej dështimeve gjetiu, dhe në pamundësi për ta gjetur suksesin në vepra ende të pafilluara, si për shembull në Maqedoni.

Së dyti, argumenti se emrat e sjellë ishin pak, ngjan cinik. Me pak fjalë, spastrimi do të jetë aq i madh sa vrima e gjilpërës me biografitë fillon që tek institucioni që pranon aplikimet.

Gjithsesi, ajo që ndodhi është e imagjinueshme. Në Republikën e re të gjyqtarëve dhe prokurorëve po funksionojnë institucione rrënjësisht të reja, që po lindin prej të vjetrave. Dhe afërmendsh, që gjërat e reja kanë krizat e tyre të funksionimit dhe të përshtatjes.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist
 
Negociatorët e lartë të BE-së, McAllister dhe Fleckenstein duke dalë nga zyrat e PD-së

Negociatorët e lartë të BE-së, McAllister dhe Fleckenstein duke dalë nga zyrat e PD-së