Oligarkia sllavo-maqedonase në panik nga gjuha shqipe
nga Mentor Nazarko
Konica.al
Që të sillesh mirë me dikë, duhet të kuptosh sjelljen e tij dhe ta justifikosh atë. Ky parim bazë i empatisë njerëzore vlen dhe për marrëdhëniet ndërshtetërore. Me një fjalë dhe për situatën ku gjenden marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase.

Pse mbërritëm në pikën ku dy vendet po debatojnë publikisht dhe në nivel të lartë me njëri-tjetrin? Dje ishte kryeministri i qeverisë teknike, i cili reagoi ndaj Ramës, pasi presidenti i vendit Ivanov refuzoi t‘ia japë mandatin liderit të opozitës Zaev të krijojë qeverinë.

E vërteta është se në korin e liderëve shqiptarë Rama ishte më i përmbajturi, por Rama është përzgjedhur nga politika maqedonase dhe mediat e vendit fqinj, për shkak të peshës së tij aktuale në opinionin publik panshqiptar apo atë rajonal- më thjesht klikueshmërisë së tij, përfshirjes në hartimin e platformës etj.

E ÇFARË DUHET TË KUPTOJMË PREJ POLITIKËS MAQEDONASE?

E vërteta është se nëse mbështetemi në kushtetutën maqedonase, e njëjtë me atë shqiptare dhe kosovare, mandatin për të krijuar qeverinë e re, do duhet ta merrte VMRODPMNE si partia më e madhe, fituese e zgjedhjeve. Edhe precedentët kushtetues e konfirmojnë këtë.

Së dyti, ky ndërrim të mandatuarit, është një shndërrim gati epokal për vendin fqinj. Të largosh nga pushteti, një njeri si Gruevski që qeveris prej një kohe bukur të gjatë, do të thotë të largosh nga kontrolli i ekonomisë së ligjshme, të paligjshme, nga komandimi i butonave të pushtetit, një oligarki shumë të fuqishme. Kjo oligarki ka frikë se ndërrimi i qeverisë, së bashku me funksionimin e lirë të prokurorisë speciale, me gjasë dhe të një gjykate speciale, do të sjellë dënimin e krerëve më të rëndësishëm të saj.

Është krejtësisht e qartë se oligarkia maqedonase që kontrollon biznese të rëndësishëm në vendin fqinj, do të reagojë dhe me çdo kusht do mundohet të kundërvihet ndaj këtij drejtimi të frikshëm për të. Presidenti Ivanov e ka treguar dhe më herët se është garanti i kësaj oligarkie me amnistinë që bëri para pak kohësh. Mobilizimi i komuniteteve të tjera kundër platformës shqiptare, protestat e stimuluara janë pjesë e këtij skenari pengues. Madje dhe bazë për të justifikuar veprimin jokushtetues të presidentit maqedonas në këtë moment të dhënë. Pasi Gruevski dështoi të krijojë qeveri, mandati i takonte me të drejtë Zaevit.

Së treti, maqedonasit në gjithë platformën kanë konsideruar ngritjen e nivelit të shqipes si gjuhë zyrtare, si elementin më problematik. Kjo ngjan ose si pretekst, ose si konfirmim i asaj që sllavomaqedonasit nuk duan t’ia japin këtë dinjitet, gjuhës së një populli që gjithmonë e kanë përçmuar. Në të gjitha rastet, maqedonasit janë të frikësuar jo aq shumë prej gjuhës, por prej faktit që faktori shqiptar më në fund u bashkua rreth një emëruesi të përbashkët brenda Maqedonisë, por dhe duke u sinkronizuar me Shqipërinë.

Ky bashkim, ky sinkronizim është e vërteta e reagimit maqedonas. Përballë tij, ata ndihen të dobët dhe në panik. Dhe duhen mirëkuptuar për këtë. Shqiptarët janë të fortë dhe të pamundshëm, duke pasur në dorë stabilitetin e gjithë rajonit, vetëm nëse veprojnë të frymëzuar nga një sintoni e brendshme, që për shumë arsye duhet të vijë prej Shqipërisë amtare. Nëse mekanizmi që e realizon këtë sintoni kolaudohet, pra nëse ruhet harmonia, respektimi reciprok i Shqipërisë dhe subjekteve politike shqiptare kudo ku ka bashkëkombës, shqiptarët praktikisht mund të realizojnë çdo lloj axhende. Bash për këtë arsye dhe serbët janë të alarmuar. Madje dhe grekët me gjasë duhet të jenë të shqetësuar.

Cila është zgjidhja në një situatë të tillë? Maqedonasit po ankohen për destabilizimin e sistemit politik prej këtij angazhimi të Shqipërisë, dhe simulojnë për këtë. Madje duke bërë zhurmë në nivel ndërkombëtar. A kanë të drejtë? Njëlloj shndërrimi i sistemit politik dhe shoqëror në Maqedoni do mund të arrihej nëse ky koalicion do të realizohej dhe do të jetësonte platformën e famshme. Por me gjasë Maqedonia, edhe me garancitë perëndimore për stabilitetin e saj, nuk ka rreziqe të mëdha. Kjo nuk përjashton që Shqipëria dhe shqiptarët do duhet të përmbahen ndaj çdo veprimi, deklarimi që e destabilizon seriozisht Maqedoninë.

SI ZGJIDHET KJO?

Shqipëria do duhet të vijojë t‘i qaset Maqedonisë si një komb i tërë, si ka bërë deri më tani kur ka thirrur dhe organizuar platformën. Por jo thjesht për të kompaktësuar shqiptarët, por dhe për t‘i dhënë garanci reale se nuk ka për synim ta destabilizojë vendin fqinj.

Shqipëria do duhet të bëjë një marrëveshje historike me Maqedoninë, njëlloj aleance garantuese të këtij stabiliteti, duke i ofruar shtetit fqinj, dhe lehtësira portuale, apo të çdo lloji tjetër.

Kjo lloj aleance rajonale do duhet të ndërtohet në bekimin perëndimor, duke forcuar kështu boshtin properëndimor të Ballkanit që do përfshinte Kosovën, Maqedoninë, Shqipërinë dhe duke përfunduar në Bullgari. Me këtë objektiv në mendje, Shqipëria do duhet të shmangë çdo deklarim të fortë ndaj palës maqedonase, si bëri për shembull Kosova.

E rëndësishme është të arrihet objektivi (apo objektivat) proshqiptar, properëndimor dhe jo që fqinji i vogël të kompleksohet, të turpërohet me deklarime nënçmuese apo triumfaliste. Brenda një koalicioni të tillë Maqedonia do ta kishte të vështirë të refuzonte çdo kërkesë të shqiptarëve për të ndërtuar një Maqedoni sipas modelit zviceran, apo një modeli tjetër europianist. Vetëm kjo qasje konstruktive do të mundësonte dhe realizimin e platformës, apo të çdo lloj platforme tjetër.

Perëndimi nuk do toleronte avancimin e një axhende shqiptare, e cila do të mundësonte praninë ruse pas thirrjes së saj në ndihmë prej faktorit maqedonas. Stabiliteti i Maqedonisë është interes absolut i Perëndimit dhe kjo dogmë vazhdon të jetë në fuqi dhe sot. Urtësia ndihmon të fortin. Ne shqiptarët kemi qenë të fortë, por s’kemi qenë të urtë. Sot është koha me qenë të urtë./Konica.al/
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist
 
Negociatorët e lartë të BE-së, McAllister dhe Fleckenstein duke dalë nga zyrat e PD-së

Negociatorët e lartë të BE-së, McAllister dhe Fleckenstein duke dalë nga zyrat e PD-së