Mbreti Abdullah dhe skeptiket
Pëlqej
Albeu.com
nga Toni BlerPër shumë njerëz, veçanërisht në Perëndim, iniciativa e tij mund të duket e parëndësishme. Në të vërtetë, ky është një hap i madh përpara në rrugën e gjatë drejt një raporti midis islamit dhe besimeve të tjera që nuk është ajo e konfrontimit ose mosbesimit, por e bashkekzistencës paqësore.Mbreti Abdullah nuk është vetëm sundimtari i Arabisë Saudite. Ai është kujdestari i dy xhamive të shenjta, vendeve fetare në Mekë dhe Medinë, të cilat së bashku me Xhaminë Al-Aksa në Jerusalem, përbejnë tri vendet kryesore të shenjta të islamit. Ai është gjithashtu udhëheqës i një vendi për të cilin kritikët thonë se ka qenë shumë i ngadaltë për t‘u modernizuar, me pasoja të thella për pjesën tjetër të botës. Por vendimi i Mbretit Abdullah për të ofruar dorën e miqësisë dhe respektit reciprok ndaj besimeve të tjera fetare, duke iniciuar konferencën, e cila fillon të mërkurën, ka implikime të mëdha, siç tregojnë kritikat për iniciativën e tij nga disa qoshe të botës islame.

Sot brenda islamit ka dy përshkrime konkurruese me njëra-tjetrën. Nuk ka një seri shqetësimesh ose çështjesh të ndryshme që kërkojnë fokusim dhe veprim të shkëputur. Në thelb ka një luftë me dy palë. Nga njëra anë janë ata të cilët deklarojnë me zë të lartë se islami është prishur për arsye se lidershipi i tij ka qenë i përgatitur për të punuar me Perëndimin, ose për shkak se Perëndimi është përpjekur t‘ua imponojë vlerat e veta shoqërive myslimane. Sipas këtij përshkrimi, islami është angazhuar në një konflikt themelor me jobesimtarët. Këtu nuk mund të ketë pajtim. Ata të cilët e kërkojnë këtë, e tradhtojnë islamin. Konfrontimi, ose të paktën izolimi, është i pashmangshëm. Në vend që të ndjekin bashkekzistencën, në vend që "të dobësojnë" pastërtinë e islamit duke u përpjekur të mësojnë dhe të respektojnë të tjerët e një besimi tjetër, myslimanët duhet të rivendosin një kalifat mitik, një shtet islamik, në të cilin qeverisja është rregulluar nga një besnikëri e paepur ndaj ligjit dhe praktikave shekullore islamike, ashtu siç interpretohen sot nga klerikët e vijës së ashpër.

Megjithëse numri i besimtarëve, të cilët përdorin këtë përshkrim si një rrugë drejt ekstremizmit ose dhunës, është i vogël, ka shumë më tepër të cilët pranojnë premisën e tij esenciale që ne jemi dy kultura dhe civilizime të ndryshme në kundërshtim me njëra-tjetrën. Ata janë inkurajuar në këtë besim për shkak se një përshkrim i tillë luan me sensibilitetet e përhapura se islami është trajtuar pa respekt nga Perëndimi, që aplikon standarde të dyfishta në trajtimin e çështjes së Palestinës dhe që ndërhyrjet ushtarake në Afganistan dhe Irak ishin të motivuara nga pikëpamja fetare. Thirrja e tyre ndonjëherë është shtuar në mënyrë të gabuar nga një ndjenjë se Perëndimi ka humbur kontaktin me vlerat bazë morale. Grupi i dytë nuk dëshiron të kopjojë shoqërinë perëndimore. Ithtarët e tij ndajnë shqetësimet e një natyre morale. Por ata gjithashtu duan të montojnë një përshkrim modern mbi islamin dhe kanë filluar ta bëjnë këtë.

Ata e dinë se bota moderne nuk mund të funksionojë në rast se njerëzit e besimeve të ndryshme nuk mësojnë të kuptojnë dhe të respektojnë njëri-tjetrin. Ky përshkrim është absolutisht i bazuar në islam, por është angazhuar në përpjekje për të gjetur pikëpamjet ekskluzive të fesë - jounike në Islam - si një mënyrë për të mbyllur derën ndaj atyre të cilët ndjekin një besim të ndryshëm. Janë ithtarët e këtij përshkrimi modern që duan të përdorin pasurinë e Lindjes së Mesme për të mbështetur një politikë dhe kulturë në përputhje me shekullin XXI. Ata kërkojnë të tërheqin thelbin e besimit të islamit mbi arsimimin, si një mënyrë për të siguruar që njerëzit e tyre të arrijnë të bëhen një pjesë karakteristike e botës së shekullit XXI, por e veçantë nga ajo. Dhe ata i drejtohen një mijëvjeçari të historisë islamike, nga Spanja në Kinë, e cila ilustron bashkekzistencën dhe pranimin e komuniteteve me besime të ndryshme nga myslimanët. Arabia Saudite është parë nga shumë njerëz si shtëpia e atyre që përkrahin përshkrimin e parë. Mbreti Abdullah është duke treguar se si vendi i tij mund dhe duhet të jetë pjesë e së dytës, asaj të bashkekzistencës paqësore.

Kjo ka mësime të rëndësishme politike për Perëndimin, veçanërisht me ardhjen e një presidenti të ri amerikan. Ata të cilët mbështesin pikëpamjen e një islami të hapur nga bota e jashtme dhe paqësore, kanë nevojë për mbështetjen tonë. Ne nuk mund të neglizhojmë rëndësinë e masave të sigurisë dhe atyre ushtarake - përkundrazi, ato janë vendimtare. Por, në fund të fundit, kjo nuk është një betejë që mund të fitohet vetëm me mjete ushtarake dhe ato të sigurisë. Beteja është ajo e ideve, zemrave dhe mediave, si edhe ajo e armëve. Ne duhet të bindim. Dhe ne duhet të marrim parasysh se rrënjët e përshkrimeve alternative, të cilat e shikojnë islamin të vënë përballë Perëndimit, shkojnë shumë thellë. Sot, 30 milionë myslimanë jetojnë në vendet perëndimore. Ata janë myslimanë dhe janë perëndimorë. Një brez i ri midis tyre është duke filluar të ilustrojë se nuk ka konflikt të qenësishëm midis të dyve. Zgjidhja e procesit të paqes së Lindjes së Mesme dhe krijimi i një shteti të shëndetshëm të Palestinës, pranë një shteti të sigurt të Izraelit, është një element vital - në të vërtetë unë mendoj një sine qua non. Kjo mund të arrihet.

Në të vërtetë ka, për herë të parë, një strategji të miratuar midis lojtarëve kryesorë në komunitetin ndërkombëtar se si duhet të bëhet kjo, ndërsa ishte bërë e qartë edhe një herë në takimin e kuartetit të palëve negociuese - SHBA, BE, OKB dhe Rusia - në Sharm el Sheik. Por kjo në vetvete është e pamjaftueshme. Ne gjithashtu kemi nevojë për t‘u angazhuar me çështjen e arsimimit - çfarë ne japim mësim, çfarë mësohet, çfarë komunikohet me njëri-tjetrin. Disa prej këtyre kanë ndodhur me shkollat dhe universitetet. Por shumë prej kësaj do të ndodhë brenda vetë komuniteteve besimtare. Për këtë arsye, iniciativa e Mbretit Abdullah duhet të shihen krahas programeve të arsimimit dhe reformës sociale që kanë filluar të zbatohen nga qeveritë në të gjithë botën arabe. Shumë prej këtyre programeve mund të duken më të përshtatshme, ndonjëherë prezantimi për herë të parë i tyre është ngurrues; por kundërshtimi që ato shpesh provokojnë brenda elementeve të botës myslimane, është në vetvete instruktues mbi rëndësinë e tyre. Fondacioni "Tony Blair", në partneritet me Universitetin Yale, është duke studiuar sesi ne mund të ndihmojmë për të treguar se besimi fetar mund të jetë një forcë konstruktive për përparim në vend që të jetë një forcë reaksionare dhe destruktive.

Studentët në kursin "Besimi dhe globalizimi" të fondacionit, vijnë nga shumë tradita fetare. Çështjet për të cilat ne jemi duke pyetur, nuk kërkojnë të fshijnë ndryshimet midis këtyre besimeve, por më saktë të shqyrtojnë sesi këto besime të ndryshme mund të jetojnë në mënyrë harmonike me njëri-tjetrin. Ideja është për të zhvilluar një kurs, i cili mund çojë në kërkime, publikime dhe programe të reja, të cilat do të thellojnë kuptimin tonë mbi atë sesi besimet rimarrin rolin e tyre të duhur si një burim bindjeje morale, drejtësie dhe një mënyre të duhur jetese dhe shpëtimin e saj prej atyre të cilët duan të përdorin fenë për të krijuar konflikte, përçarje dhe ekstremizëm. Arabia Saudite do të vazhdojë, tani për tani, të duket tepër e largët nga shoqëritë perëndimore. Shumë janë skeptikë mbi vlerën e kësaj iniciative që e ka prejardhjen nga mbretëria. Por fakti që sunduesi i vendit, me pozicionin e tij unik brenda botës myslimane, është duke e mbajtur këtë konferencë, tregon një mundësi për të ardhmen, të cilën ne duhet ta shfrytëzojmë. (G. Shqip)
Shtuar më 22/11/2008, ora 05:01
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori