Mbreteria "virtuale" serbe vazhdon ta mbaje peng Ballkanin
Albeu.com
nga Adem NimaniNë Vjenë të Austrisë para pak ditësh ndërroi jetë Bogdan Bogdanoviq, arkitekt, akademik, njeriu që kishte pasur guximin qytetar të kundërshtonte hapur politikën, për fat të keq ende aktuale, serbe ndaj Kosovës.Ai kishte deklaruar më shumë se një herë se serbët me shqiptarët duhet të ndahen si miq. Ai vdiq pa e parë të këndellur Serbinë prej politikës së saj vrastare ndaj të gjitha etnive fqinje.
Fakte që kishte parë e ditur jo vetëm Bogdanoviq, por edhe të tjerët.


Shtypi i kohës për krimet serbe në Kosovë në vitin 1912

Meqenëse shumica e popullatës autoktone në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore ishin shqiptarë, ushtria serbe pas depërtimit të papenguar në këto troje veproi me terror për shfarosjen e tyre.

“Daily Chronicle”, gazetë angleze, më 12 nëntor të vitit 1912 shkruan: Afër Shkupit u masakruan 2000, ndërsa afër Prizrenit 5000 shqiptarë. Shumica e fshatrave u dogjën, ndërsa popullata u masakrua.

“Humanite” e Parisit në po këtë muaj shkruan se ushtria serbe gjatë pushtimit te trevave shqiptare plaçkit dhe masakron. Përmendet në këtë raport asgjësimi i 31 vendbanimeve shqiptare.

“Riget” e Danimarkës thekson: Ushtria serbe po bën masakra të tmerrshme. Sipas dëshmive të oficerëve dhe ushtarëve, mes Kumanovës dhe Shkupit u vranë 3000, ndërsa afër Prishtinës 5000 shqiptarë. Shtëpitë e shqiptarëve u dogjën ndërsa popullata, pasi u dëbua nga vatrat e tyre, u masakrua.

Reporteri special i “Daily Telegraph” shkruan se gjatë marshimit nëpër Shqipëri ushtarët e gjeneral Jankoviqit (me emrin e tij serbët emërtuan Hanin e Elezit, /v.a./) vranë gra e fëmijë, pleq e të mitur me gjithë foshnjat në djep. Mund të dëgjohej kudo parulla; “Pacifizmi i shqiptarëve mund të bëhet vetëm duke i shfarosur ata”.
Ndërsa “Socialistiçka Zora”, gazetë e kohës në Beograd, ua kushtoi faqe e numra të tërë krimeve serbe mbi popullatën shqiptare.
Në Gjakovë dhe Pejë mitropoliti Dozhiq po kishëronte me dhunë shumë familje shqiptare.
Oficerët dhe ushtarët që tregonin egërsi të paparë shpërbleheshin, ndërsa kushdo që tregohej sado pak human dënohej.

Mst: Dëshmitarët: Trocki, Novakoviq, Tucoviq...

Tre dëshmitarë të kohës e dëshmojnë këtë më së miri; Lav Trocki, reporter lufte nga Kievi i Ukrainës, Kosta Novakoviq dhe Dimitrie Tucoviq nga Serbia. Qe të tre këta dëshmojnë për kasaphanën e ushtrisë serbe në Kosovë, dhe mbetet vetëm konstatimi i shifrave të të masakruarve.

Lav Trocki në një rast po ndiqte për së afërmi terrorin e ekspeditave serbe mbi popullatën shqiptare. “Vetë Krajli serb kishte ardhur për të parë nga afër zbatimin e planit shfarosës”- shkruan Trocki. Një komandant e pyet Krajlin se çka të bëjnë me robërit dhe kolonat e refugjateve, ndërsa “Çika Pera”, siç e quanin ata, i përgjigjet me urdhër: “Mos harxhoni municion, duhet t’i likuidoni me dru dhe kama”.
Për shkak të shkrimeve kritike në shtypin e kohës, Lav Trocki, i njohur më vonë si kundërshtari më i madh i Stalinit, dëbohet nga Serbia, pastaj edhe nga Rusia dhe përfundon ikjen në Meksikë, ku shërbimi sekret rus organizon vrasjen e tij.

Kosta Novakoviq, në vitin 1913, kaloi katër muaj si ushtar i korpusit ekzekutues të ekspeditës serbe në Shqipëri. Ai përshkruan se si ushtarët dhe oficerët serbë nuk kishin as edhe vullnetin më të vogël për pushtimin e tokës së huaj, mirëpo komanda supreme kishte dhënë urdhër, ndaj edhe duhej zbatuar. “Komandantët e caktuar me short kishin vendosur se cili batalion do të nisej i pari. Ushtarët ishin të veshur dobët, keq dhe nuk kishin ushqim. Ne atë marrshim lufte qindra ushtarë vdiqën, jo nga plumbat e dikujt, por nga uria, ngase për luftë nuk mund të flitej. Në atë gjendje ushtarët vetëm sa mund të zvarrisnin këmbët dhe thuaja se nuk kishin as vetëdije normale. Gjysma ishin zbathur e zhveshur me shputa të ngrira. Shumicës i mungonte edhe buka. Ndonjë shqiptar fatkeq i rastit, me dele afër rruge, nëse ka tentuar të ruante bagëtinë nga plaçkitjet ushtarake, ka mbetur i vrarë, ndërsa tufa e deleve i ishte marrë dhe therur për ushqim të ushtrisë. Të rraskapitur siç ishin, pati raste kur ushtarët mbeteshin nëpër kasollet e shqiptarëve dhe shëroheshin derisa ngriheshin në këmbë për të vazhduar tutje. Komanda e ushtrisë serbe kishte urdhëruar vrasje të egra të fshatarëve shqiptarë, ndërsa ushtria kishte zbatuar urdhrin”.
Ka ndodhur të kem parë nëntë varre ushtarësh serbë, shkruan Kosta Novakoviq, ndërsa mbi hunj të varrezave të tyre ishin mbërthyer kokat e shqiptarëve të masakruar nga ushtria. Megjithëse kishin kërkuar nga fshatarët që t’u sillnin ushqim, posa këtë e bënin malësorët, ushtria serbe e merrte ushqimin dhe pastaj i therte si bagëtinë, po ata fshatarë që u kishin sjellë bukë... Edhe atëherë kur dikush nga shqiptarët e armatosur u ishte dorëzuar ushtrisë pas premtimit për falje, ata të gjithë si një përfunduan si mos më keq. Ata u therën apo u pushkatuan menjëherë nga ushtria serbe.
As për krimet më monstruoze askush nuk merrej në përgjegjësi.

Është interesant se si e komenton Dimitrie Tucoviq ndërhyrjen e ushtrisë serbe ne Dibër në shtator të vitit 1913: “Atje ku kaloi ushtria serbe mbeti vetëm hiri”. ”U dogjën të gjallë me qindra-mija fshatarë”. “Fshatrat u shndërruan në kremator”. “Nuk u kursyen as gratë e pleqtë, madje as foshnjat dhe të sëmurët”.
Socialdemokracia serbe nuk u pajtua asnjëherë me veprimet e tilla të ushtrisë serbe, mirëpo nuk ia doli të këtë sukses, përveç publikimit të ndonjë deklarate në shtypin e kohës.
Kronika e krimeve serbe mbi shqiptarët në Kosovë nuk përfundon gjatë nëntë dekadave vijuese. Për spastrimin etnik të trevave shqiptare do të hartohen e zbatohen strategji shfarosëse nga më monstruozet. U nënshkruan edhe pakte shtetërore për shpërnguljen e dhunshme masive të shqiptarëve në Turqi. Marrëveshja ndërshtetërore Serbi-Turqi për shpërnguljen e shqiptarëve në Anadoll nuk është anuluar ligjërisht asnjëherë, megjithëse kanë kaluar dekada.
Megjithëse, pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania kishte kapitulluar, në territorin e Kosovës sërish përgatitej likuidimi fizik i shqiptarëve. Të gjithë tashmë e dinë apo kanë dëgjuar për tragjedinë e Tivarit. Flitet për së paku 4 mijë shqiptarë të pushkatuar, pa as edhe një shpjegim. Likuidimi i brigadave të Shaban Polluzhës. U ndërmor aksioni për tubimin e armëve dhe tepricave të bukës, i njohur si “Vishak”.
Pas dështimit të pothuajse të të gjitha metodave për zhdukjen fizike të faktorit shqiptar në këto troje, 40 vjet pas LNÇ-së, nëpër kazermat e armatës, ish-APJ, fillon vrasja sekrete e ushtarëve shqiptarë. U kurdisen vrasje për qëllime të caktuara. Prej rastit të kurdisur të Paraçinit deri te refuzimi masiv i ftesave të ushtrisë nga shqiptarët nëpër arkivole u kthyen shumë djem shqiptarë të Kosovës. Ne raportin zyrtar të ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, pas vitit 1981, thuhej: “Megjithëse kanë kaluar më shumë se 582 mijë shqiptarë nëpër duar të policisë, pacifizimi i këtij populli nuk u arrit”.
Në vitin 1990, përjashtohen nga puna më se 280 mijë punëtorë shqiptarë. Nxënësit dhe studentët shqiptarë u nxorën me dhunë nga objektet e tyre mësimore. Afro dy milionë shqiptarë të Kosovës u përjashtuan nga sistemi juridik e politik pushtues tipik i Serbisë. Dy mediume të vetme informative të kohës, “Rilindja” dhe Radiotelevizioni i Prishtinës, u mbyllen me dhunë. Ne luftën e fundit u masakruan afro 20 mijë shqiptarë, ndërsa afro 1 milion u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Ndërhyrja e NATO-s

Ndërhyrja ushtarake e trupave të armatosura të NATO-s, në qershor të vitit 1999, u dha fund vrasjeve dhe masakrave, gati 100- vjeçare serbe, mbi shqiptarët.
Përdorimi i metodave më monstruoze, si dhuna shtetërore e pandërprerë dhe kolonizimi i tokave, ua nxinte jetën shqiptarëve dhe në fund i detyronte të shpërnguleshin, të asimiloheshin apo të vriteshin pa gjyqe nga falangat paramilitare serbe që vepruan lirshëm me leje të strukturave shtetërore.
Nxitja e ekseseve më banale ndëretnike bëhej me qëllim të caktuar për të pasur alibi për terrorin që do të ushtrohej, jo ndaj individit përkatës të rastit konkret, por mbi gjithë popullatën e një rajoni të tërë.
Çdo i interesuar mund të gjejë dokumente me thes në arkivat shtetërore serbe për të gjitha krimet e kryera mbi shqiptarë gjatë gjithë periudhës gati njëshekullore të mbretërisë “virtuale” serbe. Nuk është fjala për dhjetëra të vrarë apo për rebelë kryengritës, por faktet flasin krejt ndryshe. Duke mos mundur të ballafaqohej asnjëherë me rebelët e rezistencës shqiptare, ushtria, policia dhe paramilitaret serbë gjithë egërsinë e tyre e shfrynin mbi popullatën civile, mbi gra e fëmijë, pleq e të rritur. Në këtë kasaphane nuk mbeti metodë më monstruoze që të mos jetë përdorur vetëm e vetëm që një popullatë autoktone të shfarosej.

Serbët që guxuan të flisnin hapur

Numri i serbëve që folën, shkruan apo nuk u pajtuan me politikën shfarosëse të regjimeve serbe mbi shqiptaret për nëntë dekada mbeti dhe vazhdon të jetë shumë i vogël. Rreshtit të Kosta Novakoviqit e Dimitrie Tucoviqit tashmë iu kanë bashkuar edhe Çedomir Jovanoviq e Natasha Kandiq, që së bashku me disidentët Bogdan Bogdanoviq e prof. Ivan Gjuriq, assesi nuk e bëjnë ende një dhjetëshe, e cila do të mund të bënte më shumë për përmirësimin e marrëdhënieve serbo-shqiptare.
Cilitdo njeri që i intereson numri i shqiptarëve të vrarë do të mund të gjente dokumente me bollëk nëpër arkivat e Beogradit po edhe nëpër varrezat masive ende të pahapura nëpër Serbi, edhe pas luftës së fundit.
Zyrtarët aktualë serbë e dinë gjithë historinë kasaphanës së tyre.
Për habi, politika aktuale serbe ende i bie daulles së regjimeve të mëparshme. (koha ditore)
Shtuar më 05/07/2010, ora 10:29
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori