Mbi regjistrimin e popullsise
Albeu.com
nga Kujtim Morina*Debati i filluar kohët e fundit mbi regjistrimin e popullsisë i planifikuar në vitin 2011 në lidhje me përfshirjen e komponentëve të përkatësisë etnike dhe fetare më shtyu edhe mua të jap disa mendime.
Duhet theksuar se në rrugën e integrimit europian ku ka hyrë Shqipëria janë kritere thelbësore respektimi i te drejtave të njeriut dhe minoriteteve. Kuptohet pa pasur një regjistrim të saktë të popullsisë, s’mund të pretendohet se qeveria po ndërton politika dhe po merr masat e duhura për të adresuar problemet e grupeve te ndryshme të popullsisë. Më mirë se kushdo këte e kuptojnë ekonomistet dhe hartuesit e programeve të zhvillimit sepse çdo program është i lidhur me numrin e përfituesve përveç aspekteve të tjera.

Regjistrimi i popullsisë në Shqipëri bazuar në kombësinë dhe besimin fetar është rekomanduar nga shumë institucione ndërkombëtare pas 90-s e në vazhdim. Po citojmë vetëm dy raporte të viteve të fundit. Në raportin e Komisionerit të Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut të bërë publik në qershor 2008 thuhet se “ka mungesë të të dhënave të sakta dhe të azhornuara mbi minoritetet në Shqipëri. Kjo ka pasur një efekt negativ në aftësinë e qeverisë shqiptare për të formuluar, zbatuar dhe monitoruar masa dhe politika në lidhje me personat që iu përkasin minoriteteve kombëtare. Një ndër rekomandimet e përfshira në këtë raport është gjetja e mënyrave dhe mjeteve të përshtatshme për të siguruar të dhëna statistikore të sakta dhe të besueshme mbi minoritetet kombëtare pa përjashtuar opsionin e një regjistrimi kombëtar të popullsisë. Ndërkohë në Progres Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2009 thuhet se në përgjithësi është bërë progress i vazhdueshëm mbi të drejtat kulturore te minoriteteve në Shqipëri por nevojiten përmirësime të mëtejshme veçanërisht në lidhje me mbledhjen e të dhënave të sakta për të gjithë minoritetet si prioritet kyç i Partneritetit Europian me Shqipërinë. Pra siç shihet kjo është një nga rekomandimet që duhet të plotësojë vendi ynë për integrimin europian dhe s’është diçka fakultative që varet krejtësisht nga vullneti i qeverisë shqiptare. Përderisa rreth 90% e qytetarëve shqiptarë janë shprehur në favor të integrimit të vendit në BE sipas sondazheve të kohëve të fundit, atëhere regjistrimi i popullsisë duke përfshirë këto aspekte i shërben këtij qëllimi. Disa mendojnë se shqiptarët nuk janë të vetëdishëm për favoret dhe disfavoret e integrimit europian për vendin por pikërisht kjo është punë e qeverisë, e shoqërisë civile, e intelektualëve të rrisin shkallën e ndërgjegjësimit mbi këtë proces. Ndërkohë për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri ne bazë të besimit fetar nuk ka rekomandime kaq të detajuara. Është e qartë besoj për të gjithë se s’mund të vazhdohet më që në të gjitha raportet për Shqipërinë që publikohen nga institucione shqiptare dhe ndërkombëtare të përfshihen të dhëna statistikore ku merren për bazë regjistrimi i vitit 1938 për besimin fetar dhe regjistrimi i vitit 1989 i zhvilluar nga regjimi komunist për kombësinë.

Nëse me të vërtetë ka presion të vazhdueshëm nga qarqe greke për deklarimin e kombësisë së minoritetit grek në Shqipëri, atëhere është koha t’i japim fund kësaj duke deklaruar të dhëna të sakta sesa të mbetemi peng i këtij presioni. Kjo frikë ka qenë prezente vazhdimisht në zgjedhjet e zhvilluara në Shqipëri pas 90-së sikur po na vinin emigrantët shqiptarë nga Greqia për të votuar nën presion për partitë e minoritetit grek ose çfarëdo partie tjetër, gjë që nuk ka rezultuar e vërtetë sepse nuk ka pasur ndonjë ndikim të konsiderueshëm ne rezultatet e zgjedhjeve për subjektet e sipërcituara. Vendet fqinjë e lejojnë dyshtetësinë kështu që kjo s’krijon ndonjë problem për qytetarët shqiptarë që kanë përfituar dokumente të qëndrimit apo edhe të shtetësisë së një vendi tjetër për të deklaruar përkatësinë e tyre të vërtetë etnike në Shqipëri. Përsa i përket përkatësisë fetare dihen fetë dominante në Shqipëri dhe ndryshimet pritet të tregojnë evoluimin e shqiptarëve në lidhje me besimin fetar që nga viti 38 e këtej. Pra nuk pritet ndonjë problem i madh sido që të dalë rezultati aq më tepër që shqiptarët nuk janë shumë fanatikë në drejtim të besimit fetar.

Pas 20 vitesh demokraci, shqiptarët janë ndërgjegjësuar më shumë për vetëdijen e tyre kombëtare megjithë vështirësitë që kanë hasur në këto vite të tranzicionit. Shumica e emigrantëve shqiptarë që punojnë në vende të tjera i kanë kaluar problemet e vështira të stabilizimit e integrimit kështu që nuk janë më aq të varur ekonomikisht dhe me frikë për të ardhmen sa ishin ne fillimet e 90-s. Kuptohet qeveria shqiptare duhet të jetë syçelët ndaj përfitimeve e presioneve të paligjshme të ushtruara nga qeveri të vendeve të tjera kundrejt shtetasve shqiptarë sidomos me banim në Shqipëri dhe nëse është e nevojshme të raportojë edhe tek institucionet ndërkombëtare për sjellje të tilla.

* AAutori është Kryetar i Forumit për Integrim Europian
Shtuar më 20/02/2010, ora 17:18
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori