Martesat shqiptaro-serbe, deshire apo nevoje?
Albeu.com
Rruga zigzage e Bellopojës rreth dy kilometra në jug të Pejës të çon në një rrugicë që ndan dy shtëpi të banuara me serbë, përballë së cilës shtrihet gjerë e gjatë fusha e mbjellë me kopshte e grurë.Një e lehur e pareshtur qeni nga shtëpia fqinje na përcjell deri në oborrin e një shtëpie të vogël, në të cilën na mirëpret një grua e re.
Violeta, 29-vjeçare, shqiptare nga Shkodra, qe një vit e gjysmë është martuar me Spasojën, serb nga Bellopoja e Pejës. “Situata ishte shumë e rëndë dhe nisur nga ajo çfarë ka ndodhur, secili mund të pyesë: ‘A është e mundur një martesë e tillë?’ Mirëpo ja që kjo është e mundur! Ne kemi gjetur njëri-tjetrin, dashurohemi, respektohemi dhe pajtohemi në çdo gjë. Unë jam serb i Kosovës dhe kjo shqiptare e Shqipërisë, por jemi si një shpirt i vetëm!“.
Ndershmëria, çiltërsia, sinqeriteti, pedanteria dhe përkushtimi ndaj familjes janë virtytet që i veçojnë vajzat shqiptare nga të tjerat, mendon Spasoje, i cili s´mund të dëshirojë më tepër lumturi për veten e tij. Dy televizorë që flasin në shqip e serbisht, magnetofon që këndon muzikë të përzier dhe komunikimi në dy gjuhët, është atmosfera plot kontraste që përben përditshmërinë e këtij çifti shqiptaro- serb, i cilit presin fëmijën e parë. Por, megjithëse Violeta është katolike, “pagëzimi i fëmijës do të bëhet në manastirin ortodoks, aty ku u bë edhe martesa"-thotë Spasoje. Edhe fëmijën do ta pagëzojmë si ortodoks, natyrisht. Ndërsa emrin do ta gjejmë diku në mes”.
Në gjysmëshekullin e kaluar shqiptarët dhe serbët kishin tejkaluar dallimet etnike. Martesat e shqiptarëve me serbë ishin pothuajse modë dhe martesa të tilla kishin lidhur personalitete të njohura të asaj kohe. Martesa interesi dhe rrallë nga dashuria-mendon Nysreti, 45 vjeç nga Deçani. „Ishin martesa politike, të kushtëzuara e të porositura nga njerëz të mençur për t´ia kushtëzuar pozitën tjetrit. Ne e dimë se politikanë më të njohur shqiptarë ishin të martuar me serbe”-thotë Nysreti.
Mirëpo, për kohën dhe rrethanat aktuale, martesa të tilla si e Violeta Bucajt nga Shkodra e Shqipërisë dhe Spasoje Pavloviqit nga Bellopoja e Kosovës, janë të pazakonta. Por ata janë të njëzëshëm sa u përket zërave përreth. Dhe prandaj qarkullojnë edhe zëra. “Admirimi është i madh nga të gjithë dhe paragjykimet nacionaliste as që më hyjnë në vesh. Unë s´jam fajtor për çfarë ka ndodhur dhe uroj të mos përsëritet kurrë më. Unë isha dhe mbetem kosovar dhe as tri ditë s´kam mundur të qëndroj në Serbi. E sa u përket patriotëve të mëdhenj, do të zbehet edhe kjo një ditë…“, thotë Spasoje.
“Nuk është mirë të paragjykohet askush. Një njeri që të pëlqen dhe të bën të lumtur, s´duhet parë në është serb, shqiptar a çkado tjetër. Një Zot kemi të gjithë. Para tij të gjithë jemi një!”
Violeta thotë se ka shumë shkodrane të martuara me serbë nga Serbia. Arsyet kryesore: migrimi i djemve shqiptarë dhe ikja e vajzave serbe nga zonat rurale. Prandaj, parë nga ky kënd, vështirë të thuhet nëse martesa të tilla janë dëshirë apo më shumë nevojë për këta njerëz që dëshirojnë familje me çfarëdo çmimi…
“Prej Shkodre ka shumë vajza të martuara me serbë të Kosovës dhe të Serbisë. Djemtë nuk janë ma si dikur. Ikin në Itali, n´Angli e n´shtete të tjera, tetanë kanë gra të tjera për dokumente e vijnë e marrin tjetrën këtu. Unë kam një shoqe që është martu pas meje. Asht martu me dasmë, ka shku atje dhe pas tre muajve i ka thanë: “Shko n´Shqipni se je mërzit për familje”. Kur ka ardhë, i ka thanë: “Rri atje se këtu e kam gruan me fëmijë e shtatzënë me fëmijë tjetër“. Çka m´duhet shqiptar me tetana ato probleme. Atëherë ma mirë me u martu me çka do tjetër veç të jetë i mirë“.
Përgjigje e logjikshme për një vajzë të re. Mirëpo, jo të gjithë mendojnë kështu në Kosovë. Nysreti, 45 vjeç nga Deçani, thotë se mjafton të kthesh kokën vetëm dhjetë vjet pas që të bindesh se serbët për shqiptarët mbesin armiq të përbetuar: “A pak ka arsye a? A pak, a?! Arsyeja ma e freskët, 250 veta i gjetëm dje a pardje n´varreza masive t´Serbisë e tash me u martu fmija jem me serb...?!” - thotë Nysreti duke rrahur tavolinën.
Pas luftës në Kosovë, në Zyrën e Shërbimit Civil të KK të Pejës nuk është regjistruar asnjë martesë e serbëve. Dy vajzat e Shqipërisë të martuara me serbë të Pejës, por edhe disa të tjera në Mitrovicë, janë kurorëzuar në veri të Kosovës. Ndërsa, për faktin se serbët rrallëherë i raportojnë kurorëzimet apo shkurorëzimet në institucionet e Kosovës, Enti i Statistikave të Kosovës nuk ka të dhëna të sakta (Deutsche Welle)
Shtuar më 25/05/2010, ora 12:00
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori