Marko Bello: E kotë të shtiremi, ne kemi humbur
Albeu.com
Intervista e socialistit Marko Bello dhene Luljeta Proginit, gazetare e gazetes Panorama. Marko Bello është ndër të vetmit politikanë të PS që e pranon humbjen.Marko Bello është ndër të vetmit politikanë të PS që e pranon humbjen. Për të llogaritarët që numërojnë votat në mikrofonin e selisë rozë janë të shtirur.

Në një intervistë të dhënë për gazetën anëtari i KPD dhe ministri Bello, e pranon që e vetmja gjë që mund të bëjë PS tani është opozita. “Më vjen keq që disa kolege të mi, të cilët janë njerëz seriozë me reputacion dhe bagazh politik, që hyjnë e dalin në selinë e partisë përditë, duke dashur të tregojnë dhe t’u japin zemër militantëve se loja akoma s’ka mbaruar, dhe në emër të shpëtimtarit flasin për shanse të barabarta, se po fillojnë bisedimet për të bërë qeveri e të tjera broçkulla të kësaj natyre. Kësaj maskarade unë mendoj se duhet t’i jepet fund. “Lidhur me fajin e humbjes, Bello, thekson se: “Në demokraci përgjegjësia nuk është kolektive, por individuale dhe vjen sipas hierarkisë”. Për Marko Bellon LSI nuk ishte një pikë ujë, por një forcë e re e së majtës që në shumë zona i nxori humbës kandidatët e PS.

Sa mendoni se i ka plotësuar Shqipëria standardet e kërkuara nga ndërkombëtarët në zgjedhjet e 3 korrikut?
Sot do të isha sinqerisht i lumtur nëse zgjedhjet e 3 korrikut do të konsideroheshin të lira dhe të ndershme. Kjo do të ishte në nderin e çdo politikani shqiptar, sepse kemi shumë vite që asnjëherë nuk janë arritur standardet e komunitetit ndërkombëtar dhe kjo është vetëm për faj të klasës politike shqiptare. Asnjë parti që humbet nuk pranon rezultatin dhe nuk ka pasur asnjë moment kur partia që humbet zgjedhjet t’i japë dorën fituesit. Jemi bërë qesharakë në sytë e faktorit ndërkombëtar dhe jemi i vetmi vend në rajonin e Ballkanit, për të mos thënë më gjerë, që nuk kemi realizuar zgjedhje në të cilat të dalë qartë fituesi dhe qartë humbësi i zgjedhjeve.

Cilat mendoni se janë shkaqet e krijimit të kësaj situate?
Këtu gjithmonë ka probleme, kështu që unë mendoj se është faji i klasës politike, pasi elektorati shqiptar, sidomos kësaj here, ka votuar në mënyrë shumë demokratike, i qetë dhe i pashantazhuar. Për fat të keq edhe në këto zgjedhje njerëz të papërgjegjshëm në të gjitha partitë politike kanë prishur disi atmosferën festive, do ta quaja, të një gare të vërtetë të ditës së 3 korrikut. Ne sot nuk kemi një rezultat përfundimtar të zgjedhjeve, ndërkohë që vendeve të tjera shumë më të mëdha se ne u duhen jo më shumë se dy-tri ditë për të shpallur rezultatet. Procesi në tërësi, Kodi Elektoral, ndarja zonale dhe mënyra se si u perceptua funksionimi i grupeve të numërimit, ku kishte militantë dhe jo juristë e njerëz të tjerë kompetentë e të paanshëm për këtë çështje, treguan se ne nuk jemi në gjendje të mbyllim një proces normal.

PS-ja ka humbur apo ka fituar..?
Pavarësisht ndonjë surprize të këndshme, dhe këtu kam parasysh kthimin për rivotim të ndonjë zone, rinumërimin e kutive në dy-tri zona për të cilat unë shpresoj si gjithë kolegët e mi, duhet pranuar se PS-ja ka humbur në këto zgjedhje. Të kesh fituar 75 deputetë para katër viteve dhe sot të kesh jo më shumë se 41, më bën të mendoj se humbja është serioze. Ne duhet ta pranojmë humbjen dhe urgjentisht të përpunojmë një strategji dhe taktika, të cilat duhet t’i ndjekim ne si opozitë parlamentare në vitet e ardhshme. Duhet të demonstrojmë se jemi opozitë konstruktive, duke mbështetur maxhorancën e re ciladoqoftë ajo, lidhur me nënshkrimin e Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit apo për pranimin e Shqipërisë në NATO.

Cilat janë shkaqet, sipas jush, që çuan në humbjen e PS?
Dua të them se shenjat e humbjes vijnë për shkak të një sistemi zgjedhor absurd. Personalisht e kam ndjerë veten shumë të fyer, që kam qenë i detyruar të mos kundërshtoj në Parlament një marrëveshje të lirë midis dy forcave politike, PDS dhe PD për Kodin Elektoral. Ky ka qenë kushti dhe për këtë ne nuk mund t’i kërkojmë përgjegjësi askujt, përveçse vetes, sepse nuk ishim në gjendje t’i kundërviheshim udhëheqjes së PS-së, por e mirëpranuam duke ditur se nuk ishim të bindur në një ndarje reale të hartës zgjedhore, nuk ishim të bindur me një sistem zgjedhor, që siç u dëshmua ishte me shumë probleme nga pikëpamja teknike. Të mos harrojmë se ka qenë kreu iu KQZ-së, Celibashi, i cili dha alarmin pak muaj para zgjedhjeve dhe tha se ky sistem, ky kod është i vështirë për të zbatuar dhe i komprometon zgjedhjet, dhe koha po tregon që ne akoma sot nuk kemi një rezultat. Unë mendoj se duhen marrë masa urgjente për të ndryshuar sistemin elektoral, për të respektuar Kushtetutën.

Po faktorët e tjerë politikë?
Unë mendoj se duhet t’u kërkojmë falje gjithë shqiptarëve, të cilët votuan në shumicë për të majtën. Them të kërkojmë falje sepse ne kemi gabuar në moskalkulimin sa duhet të forcave tona, duke nënvlerësuar kundërshtarët tanë politikë. Ne nënvlerësuam edhe LSI-në, duke thënë se është një pikë uji dhe nuk na prish punë, por koha tregoi se LSI-ja e dëmtoi shumë rezultatin tonë. Nga ana tjetër kandidatët u vendosën, duke ardhur me dhunë nga sipër nga kryesia e partisë. Përvoja tregoi se në zgjedhjet lokale, kur PS-ja zgjodhi kandidatët për kryetarë bashkie pa pyetur strukturat në bazë, dhe u humbën bashkitë në disa qytete askush nuk mbajti përgjegjësi. Kështu ndodhi edhe në rastin e zgjedhjeve të 3 korrikut. Unë mendoj se ne duhet të kompaktësohemi si forcë politike, të respektojmë njëri-tjetrin dhe të mos u trembemi kritikave apo përgjegjësive.

Ku mendoni ju se duhet të shkarkohen përgjegjësitë për humbjen?
Për mendimin tim, kryesia e PS-së të cilën ne e kemi zgjedhur me votën e lirë, duhet të japë dorëheqjen të paktën formalisht. Unë kam besim se shokët e kryesisë do të gjykohen në mënyrë individuale, sepse unë nuk jam për dënim kolektiv. Në demokraci përgjegjësia nuk është kolektive, por individuale dhe vjen sipas hierarkisë. Duhet të evitojmë urrejtjen dhe stërkëmbëshat për t’i zënë vendin njeri-tjetrit. PS-ja ka nevojë për kontributin e të gjithëve, por secili prej nesh duhet të mbajë përgjegjësi. Më e rëndësishmja aktualisht për PS-në është ndryshimi i imazhit edhe pse analiza duhet të rrahë më shumë thelbin sesa formën e problemit. Thelbësore është që rinovimi i partisë të mos perceptohet thjesht si një ndërrim kuajsh.

Vet kreu i PS-së, i mbështetur nga kryesia zgjodhi ekipin konkurrues në disa raste edhe pa mbështetjen e bazës, është ky një ndër faktorët që çoi në humbje?
Unë mund të flas për KPD-në, sepse nuk jam anëtar i kryesisë së partisë. Mund të them se në mbledhjen e KPD-së, kryetari i PS-së së Pogradecit këmbënguli që Maqo Lakrori nuk fiton, ndërsa kryetari Nano tha se Maqo Lakrori është lider kombëtar. Askush prej nesh, anëtarëve të KPD-së nuk mori krah të mbështesë Nanon apo kryetarin PS-së së Pogradecit. Kjo do të thotë se ne në heshtje mbështetëm kryetarin e partisë Fatos Nano, por koha tregoi se kryetari i PS-së së Pogradecit kishte pasur të drejtë.
Me këtë dua të them se u shkëput lidhja organike midis qendrës dhe bazës së partisë. Baza e ndjeu veten të fyer, dhe me dashje ose pa dashje u vetizolua. Unë e kam nga përvoja ime, se në këtë proces elektoral baza e partisë atje ishte disi e paralizuar dhe jo për fajin e tyre. Kjo për shkak se me sistemin “një anëtar, një votë” u zgjodhën komitetet zonale elektorale, të cilat zëvendësonin këshillat zonalë me të cilët ne ishim mësuar deri tani dhe kjo krijoi paralelizma dhe dualizmi. Edhe unë e kam pasur të vështirë gjatë fushatës, por falë eksperiencës time pasi kandidoja për herë të dytë, kam mundur të koordinoj veprimet duke koordinuar punët midis dy organizmave. Mungesa e përvojës bëri që shumë prej kolegëve të mi të mos ia dalin dot këtyre pengesave.
Së dyti mund të them se në kongresin e fundit elektoral të partisë nuk u lexuan emrat e kandidatëve për deputetë të PS-së, përveçse u tha se janë 100 kandidatë, dhe se kush ishin ata nuk dihej. Kjo ishte e turpshme. Këto janë pjesë e analizave që do të bëjmë në të ardhmen. Edhe unë që po flas tani kam përgjegjësitë e mia ashtu si çdo anëtar tjetër i forumeve të partisë, por mund të them se ne nuk iu kundërvumë metodës së përdorur nga kryesia e partisë, duke menduar se edhe në bazë kishte trafik influence dhe se përzgjedhja e kandidatëve mund të komprometohej, menduam se udhëheqja e partisë kishte të drejtë në këtë zgjidhje. Por koha tregoi se udhëheqja e partisë gaboi.

Pak muaj para zgjedhjeve, kreu i PS-së, Nano, deklaroi se në rast të humbjes së PS-së në 3 korrik, ai do të japë dorëheqjen. Mendoni se duhet të japë dorëheqjen Nano?
Dorëheqja është një vendim që secili e merr në rrethana të caktuara dhe në përputhje me konceptet e tij se si funksionon demokracia, pra është një akt civil. Unë mendoj se Fatos Nano është nga ata njerëz që ka demonstruar në të kaluarën se kur ka menduar se nuk e ushtron dot detyrën e kryetarit të partisë apo edhe të kryeministrit, ka dhënë dorëheqjen. Por unë mendoj se nuk është aq e lehtë të braktissh një forcë politike me të cilën je lidhur kaq natyrshëm, i ke dhënë dhe i ke marrë asaj shpirt, krenari legjitime, ke ndarë dafinat e fitores, por dhe gurët e urrejtjes në momentet e caktuara të historisë 15-vjeçare të kësaj partie. Në fund të fundit unë mendoj se në këto momente, kur kjo parti ka kaq shumë nevojë nuk është aq e lehtë për Nanon ta braktisë. Ndryshe nga ajo që mendojnë shumë analistë, mendoj se misioni i Fatos Nanos në PS nuk ka përfunduar. S’ka përfunduar për sa kohë kjo parti ka nevojë ende për t’u reformuar, për sa kohë kjo parti që nga qendra dhe në bazë duhet të rifreskohet me gjak të ri. Vetëm atëherë kur Nano ta ketë kryer këtë funksion, ai do të tërhiqet me faqe të bardhë, por nëse ka dyshime për të dështuar në këtë mision, atëherë do të ishte mirë që dorëheqja e tij të bëhej që tani.

Ndërkohë që ju flisni për humbje dhe fillim të analizave serioze, në selinë e PS-së figura kryesore të kësaj partie flasin për shpresa në balancim të rezultateve me PD-në. Në këtë situatë, kreu i partisë nuk ndodhet në seli, madje mungon...?
Unë mendoj se duhet pyetur vet Nano, se përse nuk është në këto momente të vështira në PS. Por nga ana tjetër më vjen keq që disa kolegë të mi, të cilët janë njerëz serioz me reputacion dhe bagazh politik, që hyjnë e dalin në selinë e partisë përditë, duke dashur të tregojnë dhe t’i japin zemër militantëve se loja akoma s’ka mbaruar dhe në emër të shpëtimtarit flasin për shanse të barabarta, se po fillojnë bisedimet për të bërë qeveri e të tjera broçkulla të kësaj natyre. Kësaj maskarade unë mendoj se duhet t’i jepet fund. Në këtë moment unë mund të them se është përgjegjësi direkte e kryetarit të partisë dhe sekretarit të përgjithshëm, të cilët kanë mandatuar direkt nga kongresi dhe janë ata që duhet t’i japin fund kësaj maskarade, dhe t’i dalin për zot PS-së në këto situata të vështira. Kush mendon se “pushtimi” i selisë të çon në krye të saj, gabohet. PS-ja nuk është një qymez, ku gjelat ndërrohen me turne dhe zënë vendin e njëri-tjetrit. PS-ja nuk pushtohet nga zyra, sepse për mendimin tim ajo është një program i një partie moderne, fryma e solidariteti dhe ëndrra e qindra simpatizantëve që kërkojnë ta bëjnë Shqipërinë pjesë integruese të Evropës. Nëse sot PS-ja ka humbur, atëherë ajo do të bëjë analiza serioze. Kur shqiptarët të kërkojnë më shumë barazi socialiste, më shumë mbështetje, dhe kur të ndjejnë peshën e rëndë të qeverisjes së hallakatur të Berishës, unë jam i sigurt se ata do të votojnë për PS-në. Deri atëherë edhe PS-ja duhet të vazhdojë pastrimin e radhëve të saj nga të korruptuarit, nga interesaxhinjtë, klientelistët.

Ndërkohë që mungon kryetari, në selinë e PS-së po afrohen njerëz që duket se janë vënë në krye të punëve dhe japin ende shpresa për fitore dhe bërje të qeverisë. Eshtë kjo një arsye për të menduar se në këtë parti kanë filluar të veprojnë strategjitë e rrymave kundër Nanos?
Eshtë shumë shpejt të prononcohemi, por unë mendoj se vetëm pas analizave të sakta për faktin se ne nuk morëm rezultatin që prisnim, mund të nxirren konkluzione. Pa dashur të gjykoj asnjë nga kolegët e mi, them se nuk duhet nxituar, duhet të presim analizat, duhet të vijë i zoti i shtëpisë. Eshtë kryetari i partisë që thotë fjalën e fundit. E kemi zgjedhur në kongres dhe duhet respektuar deri në fund.

Ndërsa të tjerë mendojnë se përgjegjësitë kryesore i ka baza, madje kanë akuzuar drejtuesit socialistë të bazës se janë dhjamur nga pushtetit....?
Kjo është qesharake. Megjithatë unë preferoj, nëse më lejohet të perifrazoj shkrimtarin tonë të shquar Ismail Kadare, i cili është nga të vetmit që ndonjëherë kritikon popullin. Enver Hoxha kishte frikë nga populli dhe thoshte populli ynë trim dhe i pagabueshëm, sepse donte të kishte mbështetjen e shumicës. Në këtë kuptim edhe baza ka fajet e veta, por nuk mund të akuzohet kurrsesi baza për humbjen. E vetmja përgjegjësi e bazës është se duhet të ngrinte zërin që të mos i imponohej çdo kandidat nga qendra, në rastet kur kandidati me të vërtetë nuk kishte mbështetje. Por baza duhet të ishte më kritike dhe më kooperuese më qendrën. Kur them baza, e kam fjalën për drejtuesit lokalë të partisë, sepse elektorati në bazë e ka dhënë votën për të majtën. Nga ana tjetër unë mund të them se është qesharake thënia e ndonjërit, se është dhjamosur baza, pasi është e qartë se më shumë mund të dhjamoset qendra nga pushteti sesa baza. Pra me këtë dua të them se nuk mund të pranohet thënia e famshme e Enver Hoxhës se, uji buron i pastër nga burimi dhe gjatë rrugës turbullohet. Pra në këtë rast duhet forcuar bashkëpunimi qendër-bazë. Pra, analiza duhet të fillojë në qendër dhe më pas në bazë.





Llogaritë e Gramoz Ruçit: Qeverinë e bën edhe PS me aleatët
“Një institucion kushtetues presion Kolegjit Zgjedhor”


Sekretari i përgji-thshëm socialist, Gramoz Ruçi, ka deklaruar dje se një institucion kushtetues ka bërë presion ndaj KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor, në favor të opozitës.

Ai nuk ka përcaktuar emrin e këtij institucioni, ndërkohë që ka deklaruar se zyrtarë të PD-së kanë shkuar deri në presione fizike ndaj anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Me gjithë përpjekjet e gazetës për t’u informuar me emrin e institucionit në fjalë, asnjëri prej anëtarëve të shtabit elektoral të PS-së nuk ka pohuar dje emrin e këtij institucioni, për të cilin Ruçi thotë se ka ushtruar presion ndaj Kolegjit Zgjedhor. “Ne kemi prova konkrete të përdorimit abuziv të pushtetit nga ndonjë institucion kushtetues në presionin e ushtruar fillimisht ndaj gjykatave dhe tashmë edhe ndaj ndonjë anëtari të Kolegjit Zgjedhor, si dhe për presionin fizik të ushtruar veçanërisht nga disa zyrtarë të PD-së, bashkëpunëtorë të afërt të Berishës, nëpërmjet militantëve fanatikë dhe personave të inkriminuar”, tha dje Ruçi.

Deklarata
Sekretari i përgjithshëm socialist ka përsëritur dje deklaratën se PS-ja dhe PD-ja janë në kushte të njëjta për të formuar qeverinë. Ai tha dje se krerët socialistë janë të angazhuar të ushtrojnë përgjegjësitë për qeverisjen e vendit, edhe pse nga rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve të 3 korrikut, diferenca e mandateve të fituara nga PD-ja me ato të PS-së është e ndjeshme. “Dua t’i garantoj të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e PS që ne do të vazhdojmë pa u dekurajuar të realizojmë përgjegjësitë tona politike si për administrimin e rezultateve të zgjedhjeve të 3 korrikut, ashtu dhe për qeverisjen e vendit, për stabilitetin dhe integrimin e tij në strukturat euroatlantike. PS mbetet një parti e njerëzve të qytetëruar dhe kurajozë, të cilët dinë të administrojnë pushtetin në çdo situatë”, tha dje Ruçi. Ai shprehu dje sërish shpresën për të fituar zonat e papërcaktuara deri tani nga KQZ-ja, si dhe kthimin e disa zonave të tjera për rinumërim dhe rivotim nga institucionet zgjedhore. Ndërkohë që KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor prej ditësh ka vazhduar të rrëzojë ankesat e socialistëve për zona të caktuara, Ruçi vazhdon të shprehet se ende nuk ka një fitues në zgjedhjet e 3 korrikut, pasi kjo përcaktohet nga certifikimi i plotë i zgjedhjeve. “Numrat e deritanishëm të shpallur apo të pritshëm flasin për një rezultat ende të hapur midis opsioneve të një maxhorance të djathtë apo të majtë për të qeverisur vendin. Askush nuk ka të drejtë të vetëshpallet fitues pa njohur rezultatin përfundimtar dhe zyrtar të institucioneve të ngarkuara nga ligji”, tha dje Ruçi.
Shtuar më 24/07/2005, ora 18:41
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori